Debate në Kuvend/ Ligji për ushtrinë përçan mazhorancën,  Xhafaj kundër PS-së dhe qeverisë

0
124

Florenc Drizari

 xhafajMazhoranca miraton me 75 vota ligjin për FA-në, opozita kundër, Xhafaj abstenon

 Projektligji “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” u shoqërua me debate edhe mes socialistëve gjatë votimit në seancën e djeshme të Kuvendit të Shqipërisë. Fillimisht ishte ministrja Kodheli, e cila propozoi disa ndryshime në nenet 13 dhe 35 gjatë kohës që ligji po votohej nen për nën dhe më pas deputetët, Arben Çuko e Taulant Balla, të cilët shprehën propozime për dy amendamente të reja. Ndërkaq, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, u tregua i prerë ndaj mazhorancës kur theksoi se as qeveria e as deputetët nuk mund të kërkojnë ndryshime në projektligjin në fjalë pa i paraqitur ato me shkrim më parë. Nga ana e saj ministrja Kodheli nuk ishte dakord me propozimet e bëra nga Komisioni i Sigurisë, ndërsa Kryetari i Kuvendit Ilir Meta kërkoi që deputetët dhe përfaqësuesit e qeverisë të ruanin qetësinë. Pas këtij qëndrimi në sallë u krijua një konfuzion në radhët e mazhorancës, duke bërë që Kryeparlamentari Meta të ndërpriste për pesë minuta punimet e Kuvendit, duke thënë se më mirë të merrej një pushim i shkurtër sa të votohej gabim në projektligjin për ushtrinë.

Pas rifillimit të punimeve, deputetët e mazhorancës votuan me 75 vota pro dhe 30 kundër nga opozita, propozimet sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë që kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, abstenoi.

 

Kodheli

Më herët ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli prezantoi ligjin e ri për karrierën ushtarake dhe kërkoi deputetëve të Kuvendit ta miratojnë. “Meritë e ligjit, ndryshimi rrënjësor i strukturës së gradave. Misioni i ligjit aktual është vendosja e sistemit të karrierës mbi kritere profesionale. Trupat e oficerëve dhe nën oficerëve janë vërtet profesioniste. Ligji i ri rrit kohën e qëndrimit në FA. Projektligji i ri synon që në komisionet e karrierës të përfshihen edhe nënoficerë”, – sqaroi Kodheli.

Ndërkaq, deputetët e opozitës kundërshtuan nismën e qeverisë, duke thënë se projektligji në fjalë cenon kompetencat e Presidentit dhe karrierën e ushtarakëve. Deputeti Fatmir Mediu theksoi se ligji për karrierën në ushtri duhet ti përgjigjet standardeve të NATO-s. “Dua ta bëj të qartë që në fillim që nuk jam këtu për të mbajt një diskutim politik por për t’u përpjekur dhe gjykuar së bashku për të bërë atë që është më e mira. Në më pak se tre muaj më vonë ne do kemi një samit të rëndësishëm të NATO-s që merr më shumë vlerë me zhvillimet në Ukrainë. Ligji është shumë i rëndësishëm se nuk ka të bëjë vetëm me modelin e FA-së. FA janë pjesë e NATO-s sot dhe duhet ti përgjigjen standardeve të saj. Duhet të jetë ndërveprueshmëria në të gjitha nivelet e saj. E nxituar që ne bëjmë lidhe pa njohur përfundimet e samitit dhe strategjinë kombëtare. Duhet domosdoshmërisht që ky Kuvend miratimin e ligjeve ta bëjë me mirëkuptim dhe konsensus politik. Së treti kur shtruam më lartë se çfarë force duam të ndërtojmë duhet ti përgjigjemi standardeve të NATO-s. Kemi një raport një oficer dy nënoficerë dhe dy ushtarë. Kërkohet një reformim i trupës së oficerëve dhe jo betonizim të tyre që mund të vijë nga ky ligj”, – u shpreh Mediu.

 

Votimi në Kuvend

1. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9584, datë 17.7.2006 “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj” të ndryshuar”.

74 pro
31 kundër
1 abstenim

2. Projektligji “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

75 pro
30 kundër
1 abstenim – Fatmir Xhafaj

3. Raport i komisionit hetimor “Për hetimin e akuzave mbi implikimin e Forcave të Armatosura dhe bazave ushtarake në veprimtari të kundërligjshme – transportin e lëndëve narkotike”

76 pro
30 kundër

 

 

Kuvend/ PS-LSI miratojnë ndryshimet për “hetimin e administratës”, opozita braktis votimin

 Paloka: Ndryshimi i kohës së hetimit nga mazhoranca është absurd

Mazhoranca miratoi e vetme ngritjen e komisionit hetimor të kërkuar nga opozita për administratën, ndërkohë që kjo e fundit, pasi nuk ra dakord me shumicën parlamentare për të mos ndryshuar kohën e hetimit, braktisi votimin.

Fillimisht Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se kërkesa e opozitës mbeti për votim nga seanca e kaluar dhe pas debateve të gjëra, grupi parlamentar i PD-së ka sjellë një riformulim të vendimit dhe insiston që të mos zgjerohet koha në të cilën do të hetojë për ligjshmërinë e emërimeve, ndërsa grupi i mazhorancës kërkon që të zgjerohet koha, duke filluar nga 2009-ta. Për këtë çështje Kryeparlamentari Ilir Meta kërkoi edhe 10 minuta pushim për të mbledhur Këshillin e Rregullores së Kuvendit dhe pasi palët nuk gjetën konsensus, për interpretimin e kësaj çështjeje, Meta tha se ishte i detyruar që ti hidhte kërkesat në votim. Ky qëndrim solli reagimin e ashpër të deputetëve të opozitës, të cilët kundërshtuan vendimin e Këshillit të Rregullores, duke theksuar se asnjë organ nuk ka të drejtë të interpretojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha se opozita ka kërkuar komision hetimor dhe ndryshimi i kohës së hetimit nga mazhoranca është absurd. “Ju na thoni se për çfarë do të hetoni e dimë ne. Kjo është sa qesharake aq edhe absurde. Nëse doni të vazhdoni me këtë stil vazhdoni. Kemi ndryshuar objekte komisionesh edhe më parë, por nuk ka ndodhur që për objektin e hetimit që duam ne të vendosi pala tjetër. vendimi i Gjykatës Kushtetuese thotë qartë, nëse ka në objektin e kërkuar shkelje të Kushtetutës, atëherë palët konsultohen. Ne kemi bërë disa ndryshime për këtë dhe e vetmja gjë është që periudha e hetimittë mos ndryshohet. Mazhoranca po të dojë të hetojë për emrat e LSI-së në 2009-ën, le të hetojë, marrim pjesë edhe ne. Objektin tonë të hetimit s’mund ta ndryshojnë, në këtë parlament vetëm rregullorja nuk ndiqet”, – tha Paloka.

Kryetari i Kuvendit garantoi opozitën se askush nuk do ta cenojë objektin e komisionit. “Këtu është kërkuar për të zgjeruar periudhën e hetimit dhe juve nuk ju cenon askush asnjë element. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën si praktikë parlamentare. Askush nuk do ju mohojë juve që të hetoni për periudhën që keni kërkuar, por dhe askush nuk mund t’i mohojë të drejtën mazhorancës për ta zgjatur periudhën e hetimit sepse kjo vetëm i shërben luftës kundër këtij fenomeni”, – tha Meta.

Pas deklaratës së Kryetarit të Kuvendit, opozita u largua nga salla, ndërsa amendamenti i propozuar nga grupi parlamentar u miratua me 76 vota pro. Edhe projektvendimi “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore” mori 76 vota pro, duke u miratuar.

 

Debatet për komisionin hetimor të kërkuar nga opozita

 Meta: Kërkesa mbeti për votim nga seanca e kaluar ku u bë një debat i gjatë. Grupi parlamentar i PD-së ka sjellë një riformulim të vendimit, por insiston që të mos zgjerohet koha në të cilën do të hetojë për ligjshmërinë e emërimeve. Grupi i mazhorancës kërkon që të zgjerohet koha, duke filluar nga 2009-ta. Për këtë çështje u konsultova pak më parë edhe me Këshillin e Rregullores për interpretimin. Jam i detyruar të hedh në votim kërkesën e bërë nga Ruçi në emër të grupit të mazhorancës.

Deputetët e opozitës: Jo, jeni kundër rregullores.
Meta: Nuk jam kundër rregullores sepse këtë e lejon praktika parlamentare.
Paloka: Ne kemi kërkuar komision hetimor, e ka kërkuar opozita. Ndërsa ju na thoni se për çfarë do të hetoni e dimë ne. Kjo është sa qesharake aq edhe absurde
Xhafaj: Gjykata Kushtetuese nuk flet për procedurat parlamentare. Në 2006-ën kryetarja e Kuvendit ka thënë që të zgjerohet hetimi i propozuar nga deputeti Erjon Braçe dhe Petro Koçi në seancë dhe i ka votuar. Një precedent i tillë është bërë nga grupi i PD-së edhe në 2007-ën.
Topalli: Xhafaj thotë diçka dhe mohon pjesën tjetër. Ato janë votuar me konsensus të të dyja palëve. Gjykata Kushtetuese ka vendosur një standard për të rregulluar diçka që është interpretuar ndryshe. Gjykata Kushtetuese ka vendosur në mënyrë përfundimtare që nuk mund të jetë asnjë që të ndërhyjë në interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Meta: Qëndrimi juaj është destruktiv. Asnjë nuk ju cenon juve asnjë element. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën. Janë disa raste. Askush nuk do t’ju mohojë juve për të hetuar, por s’ia mohojmë edhe mazhorancës të drejtën për të zgjeruar hetimin.
75 vota pro miratohet objekti për të hetuar nga viti 2009. Partitë të sjellin emrat.
Deputetët e opozitës largohen nga salla duke braktisur votimin

Ruçi: Të votohet edhe për kërkesën e opozitës.
Meta: Të hidhet në votimi propozimi. 76 vota pro miratohet, projektvendimi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency