Lakmia për tokë shton urinë

0
143

Prej disa vitesh, gjithnjë e më shumë qeveri dhe investitorë privatë po blejnë ose marrin me qira në mbarë botën tokë bujqësore.

 

toka mNumri i njerëzve në botë po shtohet dhe ata kanë uri. Sipas Institutit Gjerman për të Drejtat e Njeriut (DIMR), 80 për qind e njerëzve të uritur në botë jetojnë në zonat rurale, gjysma e tyre janë fshatarë pa shumë tokë. Deri në vitin 2050 popullsia e botës do të jetë nëntë miliardë vetë. Shtimi i popullsisë ndodh kryesisht në vendet në zhvillim dhe në ekspansion industrial si Kina, India, Koreja e Jugut dhe Nigeria. Bashkë me shtimin e popullsisë rritet edhe kërkesa për karburante mbi bazë bimore dhe për ushqimin e kafshëve.

Banka Botërore vlerëson se brenda tri apo katër dekadave të ardhshme prodhimi bujqësor duhet të rritet me shtatëdhjetë për qind për të ushqyer popullsinë e botës.

Një nga qëllimet e të ashtuquajturës agjenda pas vitit 2015, e cila do të pasojë Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, është eliminimi i varfërisë ekstreme dhe i urisë në botë deri në vitin 2030. Në mbledhjen e tij të këtij viti, Banka Botërore do të diskutojë nga 24 deri në 27 mars në Uashington në lidhje me çështjen se si mund të integrohet në këtë objektiv të ri të zhvillimit mbrojtja e të drejtës ndaj tokës.

 

Toka si objekt spekulimesh

Në laboratorë po bëhen që sot eksperimente për prodhimin e mishit artificial. Po ashtu ekspertët mundohen të na mbushin mendjen se krimbat dhe insektet janë burime proteinash. Por zgjidhje të tilla në luftë kundër urisë janë ende plane për të ardhmen.

Prandaj prej disa vitesh gjithnjë e më shumë qeveri dhe investitorë privatë po blejnë ose marrin me qira në mbarë botën tokë bujqësore. Ideja është për të prodhuar jashtë vendit ushqime të tilla si grurë dhe oriz për popullsinë vendeve të tyre.

Sipas zëvendësdrejtorit të DIMR-it, Michael Windfuhr, gjithnjë e më shumë investitorë privatë apo banka dhe shoqëri sigurimesh po blejnë sipërfaqe tokash bujqësore, sepse në tregun amerikan të pasurive të patundshme nuk mund të nxirren më fitime.

 

Biznes me tokën bujqësore në kurriz të të varfërve

Nga fillimi i këtij mijëvjeçari sipas, organizatës “Oxfam”, në gjithë botën janë blerë apo marrë me qira 227 milionë hektarë tokë bujqësore. Në mesin e investitorëve më të mëdhenj janë së pari vendet me rritje të shpejtë ekonomike që duhet të ushqejnë popullsitë e tyre në rritje të shpejtë. Por edhe shtetet e pasura me naftë po blejnë gjithnjë e më shumë toka bujqësore në rajone pjellore, sepse atje prodhimi i ushqimeve është më i lirë sesa në vendet pa shumë ujë në Gjirin Persik. Sipas Marita Wiggerthale nga “Oxfam”, shumica e tokave bujqësore që shiten apo jepen me qira gjenden në vende të varfra në të cilat ligjet për tokën nuk janë shumë rigoroze. Pra investitorët mundohen të shkojnë në këto vende, ku mund të bëjnë më lehtë biznes me tokat bujqësore. Marita Wiggerthale sjell shembuj nga Hondurasi, ku një firmë private e cila i përket grupit të Bankës Botërore, ka përzënë fshatarët nga tokat e tyre.

 

Direktiva për më shumë siguri ligjore

Para dy vjetësh OKB-ja përcaktoi disa direktiva për administrimin e tokës bujqësore, por zbatimi i tyre është mbi baza vullnetare. Direktivat e OKB-së lidhen edhe me shfrytëzimin e burimeve nga pylltaria, peshkimi si dhe procedurat për rastet e shpronësimit dhe kompensimet përkatëse. Po ashtu OKB-ja jep edhe rekomandime për reforma agrare.

Tani edhe Banka Botërore e cila “ka qenë kundër që toka e pashfrytëzuar t’u shpërndahej në bazë të reformave agrare fshatarëve të varfër, po ndryshon mendim”, – thotë për “DW”, Michael Windfuhr. Tani si Banka Botërore edhe politika e ndihmës për zhvillimin po japin kredi për investime në bujqësi dhe po nxisin krijimin e bashkësive fshatare për shfrytëzimin e përbashkët të tokave, pyjeve dhe të kullotave.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency