Unë dashuroj e dënes. Jam i gjallë…!

0
182

Rene Shar

 

gruajaRene Shar, poeti francez me famë klasike, të nëndheshme, por të sigurt, libri i të cilit, “Egërsi e nëndheshme”, vlerësohet si fanar, krahasuar me Elyarin, Mishonë, etj., si figurë mbrojtëse, i përkushtuar për të lartësuar poezinë e për t’i shërbyer perandorisë së saj, rreshta vargjesh të fuqishme që shpërthejnë në mendim. Nga revista letrare “Aleph” kemi shkëputur disa poezi, të përkthyera Çlirim Kokonozi

 

 

 

Tre motrat

 

E dashura ime me fustan feneri blu,

unë puth të nxehtin e fytyrës tënde,

ku shtrihet drita që kënaqet fshehurazi.

 

Unë dashuroj e dënes. Jam i gjallë

dhe zemra jote është ky Yll Mëngjesit

në vazhdimin ngadhënjimtar që kuqëlon përpara

se të prishë betejën e konstelacioneve.

 

Larg nga ty, ç’velë që e neverit erën

bëhet mishi im.

 

I

Në vazon e kohërave të papërfillshme

Fëmija që do lindte ishte prej shkumësi,

Parakalimi i degëzuar i stinëve

E strehonte në bar të panjohurën.

 

Njohuria e pjesëtueshme

Shtynte me rrebeshe pranverën.

Një aromë fushe

Hapte ulen që përvijohet.

 

Komunikimi që shpërdorojnë,

Lëvore apo ngricë lëshuar përdhe;

Vesh pamjen, shpurrit gjakun;

Syri krijon misterin e puthjes.

 

 

Shuarja e plepit

Uragani ua zhvesh stolitë pemëve.

Unë nanuris rrufenë me sy të butë.

Lëre erën e madhe ku dridhem

Të puqet me tokën që i zë besë.

 

Flladi i saj mpreh rojën time.

Sa e turbulluar është zgavra

e gënjeshtrës së burimit me shtresa të ndragura!

 

Një çelës do jetë banesa ime,

Shtirja e një zjarri që zemra e vërteton;

Dhe ajri që e mbajti në kthetrat e tij.

 

Vënask

 

Kopeja e ngricave ju bën pirg,

Njerëz më gjaknxehtë se kaçuba;

Erërat e zgjatura të dimrit do ju varin.

Çatia prej guri është trekëmbëshi i një kishe që ka ngrirë në këmbë.

 

Paraardhësi

Kam njohur në një shkëmb vdekjen fluturake e të matshme,

krevatin e shpalosur të lakenjve të saj të vegjël poshtë vetmisë së fikut.

Asnjë shenjë grirëseje: çdo mëngjes i tokës hapte krahët e tij

në skajin e shkallëve të natës.

Mjafton me kaq, i lehtësuar nga frika e njerëzve,

unë gërmoj në ajër varrin tim e kthimin tim.

 

Udhëtim

Mbi rrugën që futet tutje

Një kalë s’ngrihet më.

Currili inatos një çift;

Pastaj bari i një degë të ulët

Bën një çati, e atë ia zgjat atij.

Nën lulen bojë karafili të shqopave

Nuk rënkon pikëllimi.

Skifterët, zogjtë grabitqarë, kunadhet, qentë e mive,

Dhe tarandolat e përzishme

Mbeten në krahinat barbare.

Thekra cakton kufirin

Midis fierit e grackës.

Lëshoje një të shkuar të papërfillshme.

Çfarë duhet

Shkopi i pranverës në ballë,

Që reja të përgjumet

Pa i përpirë sytë tanë?

Çfarë i mungon

Lumturisë së të qenit e galopit të shuar,

Sëpata e futur midis të dyve?

Dërrmoje- varfanjakun! Ik që këtej, rob!

Djersitja e kasapëve

Ende hipnotizon Merindolin.

 

Shtatë parcelat e Luberon

 

Të braktisur në tokë dëshpërimi,

Të kafshuar nga bulkthit e fëmijët,

Të rrëzuar nga diejt që plaken,

Frutat e ëmbël të Bremondes.

 

Mbi një peme të bukur pa tufa,

Fishkeni nga bashkësia,

Çaheni nga ndarja,

Rini, re e dendur flakëruese.

 

Mbytja jote s’ka lënë

Veç një timoni për zëmrën tonë,

Një shkëmbi zgavër për frikën tonë,

O Byu, barkë e keqpërdorur!

 

Si borigat që rriten,

Përmbi çdo përbetim,

Ju jeni kopja e erës,

Ditët e mia, digë zjarri.

 

Ishte pranë. Në vendin e lumtur.

Duke ngritur rënkimin e saj në hare,

Unë fërkoja vijën e ijëve të saj

Pas veshëve të degëve të tua,

Rozmarinë, shqopë e mbledhur.

 

Duroj, gur pas guri,

Shembjen e banesës sime.

Vetëm dinte përmasën e saktë

Besniku, i një mbrëmjeje, i vdekjes.

 

Dimri pëlqehej në Provansë

Nën vështrimin gri të Voduasve;

Turra e druve shkriu borën,

Uji rrëshqiti i valë në përrua.

 

Me një yll hidhërimi,

Të thash gjakun është shumë e ngadalë.

Vigan prej vajtimeve të mia, ti qeveris:

Unë s’kam ëndërruar kurrë për ty.

 

 

Arti

Rene Shar

 

Në shtratin që më kishin përgatitur kishte: një shtazë të përgjakur e të plagosur, me shtatin e një vazoje, një qyngje plumbi, një shungullimë ere, një guaskë të ngrirë, një fishek të plasur, dy gishtërinjtë dorashke, një njollë vaji, nuk kishte derë burgu, kishte shije hidhërimi, një diamant xhamaxhiu, një flok, një ditë, një karrige të thyer, një krimb mëndafshi, gjë fluturuese, një zinxhir pardesyje, një mizë të gjelbër të zbutur, një degë korali, një thumb këpucari, një rrotë autobusi…

 

T’i ofrosh kalimthi një gotë ujë kalorësit në pikë të vrapit mbi një hipodrom të pushtuar nga turma nënkupton, nga dy anët, një mungesë të dukshme zgjuarsie. Artin u shpinte shpirtrave që vizitonte këtë thatësirë monumentale.

 

I paduruari e kuptonte përsosmërish rendin e ëndrrave që do t’i hanin shpirtin tani e tutje trurit të tij, sidomos në fushën e dashurisë ku zelli i grabitqar zbulohej lirshëm përveç orëve të seksit; asimilimit që shpaloset, natës së errët, në serat e puthitura mirë.

 

Artin kapërcen pa vështirësi namin e një qyteti.

Heshtja e zgjidh gjumin.

 

Sendet e zgjedhura e të mbledhura si natyra të përpikta janë pjesë e dekorit ku shpështjellon aktet erotike të vazhdave fatale, poema dite e natë. Botët fantastike të nxehta që lëvronin pa pushim në fshat në kohën e të korrave ia bëjnë syrin agresiv e vetminë të padurueshme atij që përdor fuqinë e rrënimit. Për përmbysjet e tmerrshme është megjithatë më e pëlqyeshme të besosh tërësisht tek ato.

 

Gjendja e përgjumjes që paraprinte Artin sillte elementet e domosdoshëm në projektimin e ndijimeve drithëruese mbi ekranin e rrënojave pluskuese: jorgan flakërues i nxituar në zgafellën e pamatshme të errësirave të lëvizjes së përjetshme.

 

Artin ruante pavarësisht nga kafshët e ciklonet një freski të

pashtershme. Gjatë shëtitjes kjo ishte tejdukshmëria e përkryer.

 

Me tu shfaqur në mes të depresionit më të fortë mekanizmi i hijeshisë së Artin, shpirtrat kureshtar mbeten shpirtra të furishëm, shpirtrat mospërfillës shpirtra së tepërmi kureshtar.

 

Dukjet e Artin e kapërcenin kuadrin e këtyre vendeve të gjumit, ku

pro e pro gjallërohen nga një egërsi e njëjtë e vrasëse. Ato përparonin në palët e një mëndafshi përvëlues populluar nga pemë me gjethe hiri.

 

Karroca me kuaj e larë e restauruar e merrte atë thuajse gjithmonë

në apartamentin veshur me salpetër kur duhej të mirëpriste gjatë një mbrëmje të pasosur mizërinë e armiqve për vdekje të Artin. Fytyra prej druri ishte veçanërisht e urrejtshme. Gara pafrymë e dy të dashurve në rastësinë e udhëve të mëdha bëhej përnjëherësh një argëtim i mjaftueshëm për të lejuar dramën të çmbështillej, rishtas, në qiell të hapur.

 

Herë pas here një manovër e plogët bënte të lëshohej në gushën e Artin një kokë që nuk ishte e imja. Kallëpi katana i squfurit harxhohej atëherë me nge, pa tym, prani prej vetiu dhe palëvizshmëri fërgëlluese.

 

Libri i hapur mbi gjunjët e Artin ishte veçanërisht i lexueshëm ditëve të mugëta. Në intervale të çrregullta heronjtë vinin të mësonin fatkeqësitë që do të derdheshin mbi ta nga e para, rrugët e shumëfishta e tmerruese ku fati i tyre i paqortueshëm do të përfshihej rishtas.

 

Të shqetësuar vetëm nga Fatalizmi, ata ishin në pjesën më të madhe me fizik të pëlqyeshëm. Zhvendoseshin me plogështi, tregoheshin pak llafazanë. Ata i shprehnin dëshirat e tyre me lëvizjet e lëshuara të kokës tekanjoze. Për më tepër ata dukeshin shpërfillës kryekëput midis tyre.

 

Poeti vrau modelin e vet.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency