Me dyer të mbyllura në grup/ Takimi Rama-Basha, PS shtyn votimin për nëpunësin civil dhe amendimin e ligjit të AMA-s

0
105

Gëzim Saliu

 

Diskutimet në grupin e PS-së, Rama-deputetëve: Mos vononi projektligjet në Kuvend

 

PS-GRUPILetrat publike që dy liderët e partive më të mëdha në vend, kreu i mazhorancës Rama dhe ai i opozitës Basha, kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin lidhur me mundësinë e takimit mes tyre për gjetjen e kompromisit për reformën territoriale ka shtuar shpresat për konsensus mes palëve edhe për çështje të tjera. Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist është marrë dje vendimi për shtyrjen e votimit në Kuvend të ndryshimeve në ligjin “Për nëpunësin civil”, i cili, sipas axhendës së parashikuar, ishte programuar për t’u votuar në seancën parlamentare të 27 marsit. Gjatë mbledhjes së zhvilluar me dyer të mbyllura në selinë e PS-së, ku mësohet se Kryeministri Rama ka folur edhe rreth letërkëmbimit të tij me kreun e opozitës, Basha, si edhe mundësisë së një takimi mes tyre, grupi ka vendosur që për këtë ligj mazhoranca të presë edhe pak kohë opozitën në kërkim të një konsensusi në ndryshimin e tij.

 

Mbledhja

Në diskutimin e përjavshëm në grupin parlamentar socialist, ku merrte pjesë edhe Kryeministri Rama mësohet se nuk është shmangur letërkëmbimi mes tij dhe kreut të opozitës Basha. Pikërisht nisur nga ky komunikim mësohet se kreu i qeverisë ka deklaruar përpara ligjvënësve socialistë mundësinë e krijimit të konsensusit me opozitën, jo vetëm për reformën administrative, por edhe për çështje të tjera ku përfshihet edhe ligji për administratën. Në këtë kontekst, grupi ka marrë vendim për shtyrjen e votimit të ndryshimit të ligjit të nëpunësit civil, ndryshime për të cilat opozita ka shprehur kundërshti dhe i ka cilësuar si të njëanshme për një ligj që, sipas saj, është miratuar me shumicë të cilësuar e konsensus të gjerë mes palëve në seancën e jashtëzakonshme të fundmajit të vitit të shkuar. Ndryshimet në ligj u bënë nga mazhoranca pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi aktin normativ të qeverisë “Për nëpunësin civil”, duke e vlerësuar si antikushtetues. Dy prej neneve më të rëndësishme të projektligjit lidhen me suprimimin e vendit të punës dhe dëmshpërblimin që parashikohet të jetë 1 deri në 3 paga mujore. Por përpos kërkesës për shtyrje të votimit, pritet që projektligji të diskutohet që shoqërohet me 30 aktet nënligjore të diskutohet nen për nen në komisionet parlamentare. Po ashtu në mbledhjen e grupit mësohet se është vendosur edhe tërheqja nga amendimi i ligjit për mediat audiovizive që kishte si qëllim shkarkimin e anëtarëve dhe kryetares së AMA-s, Endira Bushati, taktikë kjo nga ana e socialistëve që i hap rrugën votimit të memos së përgatitur nga Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve të Pavarura të Kuvendit, ku mandati i anëtarëve të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe ai i kryetares së këtij institucioni cilësohet i përfunduar. Nga ana tjetër, burimet pranë PS-së bënë të ditur se në mbledhje, kreu i qeverisë “Rama” ka kërkuar më shumë angazhim nga ligjvënësit socialistë, duke u tërhequr vëmendjen për vonesat në diskutimet e projektligjeve të propozuara nga qeveria në Kuvend.

 

 

Ndarja e re

Çuçi: Nga qarku i Kukësit duhet të nisë reforma, drafti në Kuvend, para mbylljes së sesionit

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Bledi Çuçi, zhvilloi dje një takim konsultativ në Kukës në lidhje me reformën administrative-territoriale, ku tha se aktualisht në gjithë Shqipërinë janë 308 komuna, 50% e të cilave nuk kanë asnjë funksion. Për ministrin e Pushtetit Vendor, Kukësi është qarku nga ku duhet të nisë reforma, për shkak të lëvizjeve demografike dhe gjendjes ekonomike. Sipas tij, kjo reformë do të ndryshojë jetesën e qytetarëve. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor sqaroi: “Paketa ligjore duhet të dërgohet për miratim në Kuvend përpara mbylljes së këtij sesioni parlamentar”. I pyetur në lidhje me fatin që do të kenë minoritetet, pas kësaj ndarjeje të re, Çuçi u shpreh: “Për ato njësi vendore ku minoritetet janë shumicë, ne do të aplikojmë standardet e gjithëpranuara nga marrëveshjet ndërkombëtare”.

 

 

Takimi

Rama me Kasparovin: Shahu, në kurrikulat mësimore

Në kuadër të programit inovativ “Sporti në shkolla”, Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim me legjendën e botës së shahut Geri Kasparov, i cili ndodhej në Tiranë me ftesë të qeverisë shqiptare. Në këtë takim, ku ishin të ftuar të rinj e të reja, nxënës, sportdashës të shahut, mes të cilëve edhe ish-kampionë shqiptarë të këtij sporti, dy ministritë, ajo e Inovacionit dhe e Arsimit, pohuan se së shpejti do të ndërmarrin nismën për përfshirjen e sportit të shahut në kurrikulat mësimore, program i cili do të hyjë fillimisht si një projekt pilot në 10 shkolla të vendit. Duke shprehur kënaqësinë për kontributin e një figure të mirënjohur si Kasparov në këtë program, kreu i qeverisë u shpreh se ky është një investim i domosdoshëm për dijen dhe mirëqenien. “Ne jemi shumë të interesuar që ta zhvillojmë këtë projekt dhe të përkushtuar që të vendosim në dispozicion të këtij programi të ri dhe inovativ gjithë kapacitetin tonë të mundshëm material dhe njerëzor, duke filluar me 10 shkolla”, – tha Rama, ndërsa shprehu besimin që përfshirja e shahut në procesin e edukimit është investim i drejtpërdrejtë në rritjen e kapitalit njerëzor të gjeneratës tjetër. Sipas Kryeministrit, projekti në fjalë është një investim i mirëfilltë dijesh për mirëqenien e së nesërmes. “Sot, kush investon më shumë në dije, investon më shumë në mirëqenie, nesër. Kështu që, ky është një investim në dije, është dhe një investim në mirëqenie. Prandaj dhe për ne është një investim shumë i rëndësishëm” shtoi ai. Nga ana e tij, ish kampioni i botës në shah Kasparov, duke vlerësuar këtë nismë të qeverisë shqiptare u shpreh se sporti i shahut është një instrument i përsosur në përgatitjen e brezit të ri për sfidat e arsimit modern.“Besoj shumë fort se shahu i përket sistemit të arsimimit dhe do të ndihmojë që të përmbushen sfidat e arsimit modern të shekullit të 21-të. Është një instrument thuajse i përsosur për fëmijët në shkollat fillore që të gatisin mendjen e tyre për të përballuar sfidat e arsimimit modern”, – u shpreh Geri Kasparov.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency