Kur hidhej dritë mbi një të panjohur të këndshëm

0
134

Intervistë me një pyetje

Nga Elis Buba

Nuk është maja e mënçurisë ajo që vihet në lojë, kur nis të epitetosh dhe etiketosh dikë, duke e majmur me lëvdata, ose duke i vënë mbi shpinë një mullar sharjesh dhe ofezash.

Rast pas rasti mua do të më mjaftonte tingulli që krijojnë gërmat e emrit të dikujt, me bëmat e të cilit jam familjarizuar, dhe menjëhere i nënshtrohem një kompleksi reagentësh që përbëjnë, në gjithsejin e tyre, reagimin tim të jashtëm. Brenda meje krijohen të njëjtat ndjesi, sikur të kisha dëgjuar një varg mendjelartësimesh të përlumtura elozhuese, ose një fshikullimë të përshpirtme ofshamash.

Hera herës, mjafton vetëm një emër, e nuk të nevojitet te thuash më asgjë. Një emër që vlen më shumë se dhjetra cilësi e për pasojë, një reagim i instiktshëm vjen kaq shpejtë sa nuk i shmangemi dotë as gjuhës brenda gojës sonë.

Është mëse i zakonshëm dhe i hasur nga të gjithë, rasti kur me emrin e përveçëm të dikujt, të thërritet dikush tjetër. Jo më kot! Në këtë mënyrë i bëhet thirrje, ngjashmërive dhe cilësive mes dy individëve krejt të ndryshëm.

Po t’ju përmendja emrin e përveçëm Endrit Kurtiqi, ju nuk do të shtangeshit nga habija e mosnjohjes së këtij emri. Po t’ju përmenja fjalët talent, virtuozitet, prirje, sakrificë, punë, art, ndjenjë, ndershmëri, virtyt, të cilat për dikë mund të jenë sinonim i emrit të tij të përveçëm, ju menjëherë do të përfytyronit dhjetra personazhe dhe madje do fillonit të artikulonit emrat e tyre.

Në këto paragrafë nuk do të doja t’i referoheshim vetëm një personi konkret, një individi X, por cilësive që vetja e tij vesh e të cilat mund t’i gëzojnë edhe shumë njerëz të tjerë. Flasim për talentin, prirjen, e pranuar e njohur publikisht, punën, djersën të cilën për fare pak arsye trashanike e shtyjnë të vejë dëm. Duke mos ja njohur individit, por duke i veshur atij, asgjë më shumë se një emër të përveçëm, krejt të panjohur e që nuk shkakton asgjë të re tek askush.

Kush shëtit bulevardit vetëm filli, vëren lloj lloj bukuroshesh e shëmtirash nisur e stolisur. Që i buzëqeshin a zhubravisin fytyrën burive dhe xhamave të zinj të makinave të rënda. Pas kaq shumë gjërash fshihen në ecjen e paçlirët, ata që i japin jetë e zhurmë këtij qyteti, sa të vjen t’i pyesësh herë pas here -“Ti njeri je?”- Si dikur armatura e çeliktë, makiazhi i sotëm, veshja, mjeti, bëhet ekspozitë e limonave të shtrydhur rradhazi… A kanë çfare tregojnë këta njerëz, apo lypin vetëm vëmendje dhe epsh pas shpine?

Duhet pasur vetëm një fytyrë, përndryshe njerëzia hutohen. Jo më kotë jetojmë në një shoqëri të hutuar. Ky qe një ndër përfundimet e nxjerra nga biseda me zotin Endrit Kurtiqi, regjisor i vlerësuar lartë, diplomuar në D.A.M.S (Disiplinat e artit, muzikës dhe spektaklit) në Bolonja të Italisë. Përpos miqësisë, që ja zvogëlova vlerën, sepse për të mund të flasin miq të tjerë të tij. Nuk mund t’i ndal dotë ankesat fluturake të Kurtiqit, ndaj shoqërisë shqiptare në tërësi e më pas ndaj mangësive madhore që has një profesionist si ai, për tu integruar me meritë në ambjentin mediatik fort trallisës.

-“Është për të ardhur keq.” – Ja nis Kurtiqi, duke këqyrur rrotull kafenenë. –“6 muaj vërdallisje, që prej kohës së diplomimit, por veç dëgjomë: Shiko t’i rrasesh pranë urtë e butë ndonjë “profesionisti” të afirmuar dhe të famshëm, në mënyrë që herët a vonë të rrezatosh nën hijen e tij, përndryshe në Shqipëri gjej punë tjetër.”-

Në kafene llamburisnin disa fytyra mistrece, nga dritat e vakëta të celularëve të tyre, ndërkaq Endriti vijonte;

-“Fan Stilian Noli, personaliteti më brilant i historisë kombëtare, në gjykimin tim, në pranverën e vitit 1924, i drejtohej Parlamentit Shqiptar me këto fjalë: “Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive: E para, anarkia fetare: Katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan! E dyta, anarkia sociale. Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqish e as klasë borgjezie. Këtu bujku është më bej se beu e beu më bujk se bujku! E treta, anarkia morale. Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen, e ndërrojnë ngjyrë nga dita në ditë. Këtu ambicjet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha e i pazoti është i zoti për të gjitha. E katërta, anarkia patriotike. Këtu brenda një dite, si për magji, tradhëtori bëhet patriot e patrioti tradhëtor. E pesta, anarkia e idealeve. Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara përleshen për jetë a vdekje me idealet e gjalla, më elegantet e të ndritshmet e Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve (kanibaleve). Po për të zënë vendin e tyre, kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë që rriten në plagët e infektuara të Shqipërisë lënguese. Këpusha që mund t’i copëtosh, por jo t’i shqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë…”-

 

E dëgjoja dhe përpiqesha të isha në sinkron me mesazhin e Nolit, të Kurtiqit e ndërkohë të vishja gjithçkanë e atëhershme përmbi gjithçkanë e tanishme. Nuk ruhej nga fjalët e tij, siç duhet të bëjë gjithsecili në kërkim të së drejtës së vet. Fatkeqësisht ne na është enjtur nën lëkurë ai krimbi, ajo këpusha që na drithëron sa herë që flasim, pasi i druhemi fjalëve tona.

 

-“Kjo analizë e realitetit shqiptar të para 90-vjetëve,”- vazhdon Endriti, “…do të magjepste çdo lexues bashkohor që do ta njihte si kritikë efikase, të Shqipërisë aktuale.

 Përsa i përket anarkisë së parë, edhe pse nuk jam fetar, s’jam aq naiv sa të mohoj rolin rregullator e kulturëformues që ka patur feja në shekujt e kaluar. Bibla e Kurani kanë qënë kushtetutat e para rregullatore të qytetërimeve më të hershme.

Sipas Nolit, feja nuk ka zënë rrënjë në historinë e këtij populli. Një defekt parësor i shoqërisë shqiptare edhe sot është mosrespekti ndaj tjetrit, mungesa e tolerancës, një nga citimet themelore të Biblës e Kuranit.

Rrjedhimisht, analizat e katër anarkive të Nolit më tej lidhet ngushtë me të parën.

Shoqërisë shqiptare, përveç se meritokracia, i mungon përulësia, modestia, edukata e mirësjelljes.

Ky është konstatimi i hidhur që ka pjesa më e madhe e shqiptarëve që jetojnë jashtë, kur kthehen në vendlindje.”-

 

Kur bëhet fjalë për punët e zakonshme, që kanë një njëtrajtësi të përbashkët, pasi nuk kërkohet që në to të përfshihet krijimtaria artistike edhe do të mund ta kuptoja zbutjen e kushteve dhe hallkave të pranimit në punë, për miqtë, djemtë dhe vajzat e njërit apo tjetrit, nipërit e mbesat e njërit apo tjetrit, dashnoret dhe mantenutat e njërit apo tjetrit. Por kur bëhet fjalë për një punë që i bën kilometra larg punës mekanike, asaj të mësuar përmendësh e të copy-paste-uar për dhjetra vjetë, atëherë mahnitem me guximin e fshatarëve tanë trima. Kur bëhet fjalë për një punë që vetdistancohet nga ngurtësimi mekanik i shpirtit, punë që nuk njeh ngushtime të aspiratës, punë si puna krijuese… Si mund të ruash sektarizmin këtu?! Koha ka vërtetuar se televizionet, radiot, teatri, kinemaja etj, kanë cënuar shumë ekuilibra brenda vetes, duke mbajtur aktivë indivdë për hatër të njërit apo të tjetrit. Pa asnjë diskutim që kjo është edhe nyja gordiane e “botës së spektaklit” në televizionet shqipëtare. Mungesa e elementit të ri, novator, përthyerja e iniciativës së talenteve që trokasin përditë nëpër dyert e institucioneve të ndryshme dhe përcillen si lecka vetëm sepse nuk njohin dikë, që të mund t’i ndihmojë, bëhet shpejt ngastër e thatë e çjerrëse në kapërcell të kulturës tonë. Monopolizimi i pozicioneve të ndryshme e ngurtëson kaq shumë sistemin sa është e pamundur që prurjet e reja të vënë rrënjë të vërteta. Faktori copy-paste ka sjellë në ekranet tona disa “talent show” të cilët fokusohen kryesisht në bërjen të famshëm të dikujt, për disa kohë dhe pastaj zëvendësimin e tij me dikë tjetër. Përpjekjet nuk bëhen për të ngritur e vlerësuar denjësisht integritetin e dikujt, luftohet thjesht dhe vetëm për të “sotmen e zmadhuar” që përhumbet menjëherë nesër, për ngritjen dhe rivënien në po të njëjtin vend, të disa gurëve të pavlerë shahu. Ndërkaq faktorin copy-paste e farkëtojnë dhe administrojnë po të njëjtat duar, po e njëjta blozë mendore, që i ka themelet të derdhur që në motin e gurit. Nuk më hiqet nga mendja arrogance dhe cinizmi i një drejtuese famoze spektaklesh, kur teksa po i shkiste situata nga duart e saj të pazonja, me sa u pa, iu hakërrye bashkëbisedueses me këto fjalë; -“A e di ti kush jam unë?! A e di se çfarë mund të të shkaktoj ty personalisht?!”-…

Me një seriozitet fort të qëndrueshëm, Kurtiqi vijonte t’i përgjigjej pyetjes së vetme që i kisha bërë qëkuse ishim ulur; Si e përjeton kthimin?

 Pas shumë vitesh sakrifica për të paguar universitetin në Itali, koston e qerave dhe jetesës në Bolonja, u ktheva këtu, i bindur se fama ndërkombëtare e këtij universiteti dhe vlerësimi pozitiv për punët e mija, do të më jepte përparësi në tregun shqiptar. Nuk mendova se do të më hapeshin dyert vetëm  sepse kisha studiuar jashtë, por së paku, shpresoja të kishte konkurse të ndershme punësimi.

 Kam gjashtë muaj që sorollatem dhe nuk gjej një derë të hapur. Kaq kohë mu bë që jam kthyer në Tiranë dhe nuk kam mundur të gjej  konkurse ku vlerësohet meritokracia. Pa njohje të fuqishme, pa “krahë” e klane, këtu  s’ke derë ku troket, asgjëkundi! Mirë që konkurse ka fare pak, por dhe në ato pak që dalin, tallen me kohën tënde (sepse janë formalisht të tilla. Të sorrollasin pa fund, të demoralizojnë dita ditës, derisa mbytesh në detin e pesimizmit. Nëse vazhdon kështu, shumë shpejt rikthehem nga erdha. Dorëzova curikulumin tek një televizion  i fuqishëm privat, që në dukje kërkonte staf të ri e shpenzonte para majtas e djathtas, duke përthithur emra të njohur të panoramës televizive. Pas shumë peripecish për të gjetur vendodhjen e televizionit, u ktheva në shtëpi i pikëlluar nga diskutimi fyes e bajat me rojen në derë të këtij televizioni.

 Këtu s’pyet njeri se kush je, nga vjen e sa vlen! Po s’të rekomanduan fuqishëm, nuk gjen vend pune në Shqipëri!” Disa muaj pas kësaj ngjarjeje, lexova një publikim në internet nga një televizion tjetër, ku do zhvillohej një audicion, për moderator e staf të ri.  Dërgova me email CV-në, për të lënë takim, pa marrë asnjë përgjigje formale. Telefonova në numrin e publikuar të celularit. U përgjigj dikush që nuk dinte shumë rreth konkursit e tha se do rimerrte më pas. Telefonoi pas disa orësh dhe më lë një ditë takimi mbas një jave. Kërkova t’i mësojë emrin këtij personi, për të mënjanuar pengesat hipotetike para rojes. Mirëpo “i panjohuri” nga telefoni nuk e jep emrin, duke më siguruar se roja do më lejonte, porsa t’i përmendej konkursi (audicioni).

Por… ja që rojet sot ngjajnë me Murin e Berlinit! E kur mbërrita para televizionit, roja më kërkoi t’i thoja në njihja njeri aty. Këmbëngulja e detyroi më në fund rojen të komunikonte me dikë nga stafi. Pas minutave të gjata të pritjes, doli në telefon një femër. Ajo më bëri të ditur se konkursi nuk zhvillohej më atë ditë, por duhej pritur një lajmërim i ri, për datë tjetër….

Ja pra realiteti ynë i hidhur! Jo vetëm jemi larg konkurseve të lira e të ndershme, por kemi humbur edhe edukatën, mirësjelljen ndaj njëri-tjetrit! Shfaqemi harbutër, egoistë  deri në ekstrem brenda llojit, ndërsa para të huajve hiqemi altruistë e mikpritës. Këtë realitet e dënojnë më keq ata djem e vajza që luftuan për t’u arsimuar jashtë vendit. Sakrifikuan bashkë me familjet për një edukatë perëndimore e për të patur arsimim të besueshëm, ndryshe nga diplomat e përfolura shqiptare! Kurse sot pendohen që vendosën të rikthehen, me shpresë ndryshimesh!

-“Uroj që të shtrosh para opinionit publik disa pyetje!”- më tha Endriti pasi vuri re shënimet që unë ndërkaq mbaja.

 Si do ta kritikojmë kulturën e kalbur të korrupsionit e nepotizmit në Shqipëri?! A do t’i kemi të gjitha konkurset për arsimim e punësim, të lira e të ndershme?

Dihet botërisht, që talentet e mundshme në çdo zanat, lindin edhe në familjet e varfëra e periferike, sikurse në minoritetet e diskriminuara e pa përkrahje. Shteti duhet të jetë si një familje e madhe. Garant i së drejtës së barazisë për arsimim, punësim e konkurse të ndershme e të hapura në publik apo privat.

Që në debatet e para me të huaj, më vihej në dukje se toni i zërit tim, qe tepër i lartë e nuk  tregoja interes të dëgjoja mendim ndryshe, por bërtisja e përsërisja idetë e mia, kur bashkëbiseduesit mendonin ndryshe. Duke e parë më gjerë problematikën, kuptova që mungesa e kulturës  debatuese është defekt për shumë shqiptarë. Këtu, siç ka thënë  Noli, “…i padituri i imponohet të diturit, për të treguar karakter të forte!”

Desha të të rikujtoj një fjalë të urtë popullore: “Sa më shumë të dish, aq më shumë duhet të kërkosh të mësosh!”. Vetë Fan Noli dinte 8 gjuhë të huaja, e të fundit e mësoi në moshën 65 vjeçare!

Personalitetet më të ndritur të këtij kombi, kanë jetuar jashtë vendlindjes, në mërgim. Shpesh madje janë persekutuar nga injoranca shqiptare, si në rastin e Nolit, gjeniut liberal demokrat që u përjashtua nga një Shqipëri e prapambetur postfeudale. Ende sot, një shekull pas fjalimit të Nolit, për fat të keq, shihen të njëjtat dukuri sociale! A do të ndryshojë ndonjëherë ky lloj mentaliteti, për t’i lënë vendin mirësjelljes, kulturës demokratike e meritokracisë?

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency