Zelli i qeverisë “Renzi” për reforma radikale në Itali

0
129

Kryeministri i ri i Italisë synon lehtësi fiskale për sipërmarrjet, reformimin e Kodit të Punës, rritjen e produktivitetit, uljen e kostove të prodhimit, por atij i duhet t’u bëjë ballë strukturave burokratike italiane.

 

matteo-renziAjo që Matteo Renzi ka shpallur për popullin e tij nuk është më pak se një “revolucion ekonomik”. Gjashtë muaj përpara se Italia të marrë drejtimin e Presidencës së radhës së BE-së në verë, duket se ekonomia e tretë e fuqishme në Eurozonë, ka degraduar në aspektin e politikës ekonomike në një preokupim për Evropën: rendimenti ekonomik është në staniacion, kuota e papunësisë me gati 13% është ngjitur në vlerën më të lartë qysh nga vitet ‘70. Borxhet e shtetit italian arrijnë shumën e dy miliardë eurove, një kuotë kjo 130% e vlerës së produktit bruto në vend.

“Italia është në gjendje të keqe”, – thotë kryeekonomisti i Commerzbank, Jörg Krämer, në intervistë për “DW”. “Elitat politike janë të ngurta ndaj reformave – pra situata ekonomike është pezmatuese”.

 

Renzi, reformatori?

Këtej e tutje do t’i jepet fund qëndrimit refuzues ndaj reformave. Shprehimisht Matteo Renzi, që është vetëm 39 vjeç dhe kësisoj Kryeministri më i ri i të gjitha kohërave në Itali, akuzoi shokët e partisë së tij dhe paraardhësin Enrico Letta për mungesë vullneti për t’i vënë gjërat në lëvizje – dhe theksoi linjën e tij dinamike: “Për këtë qeveri s’ka më alibi”, – theksoi ai duke folur para dy dhomave të Senatit italian.

Nga njëra anë do të thjeshtohet Kodi i Punës dhe do të njësohen mbi 40 format e ndryshme të punësimit që ekzistojnë aktualisht. Do të zbutet rregullorja që mbron të punësuarit nga anulimi i kontratës prej sipërmarrësve, duke u kushtëzuar me kohën e marrëdhënies së punës, gjithashtu sipërmarrjet, që punësojnë të rinj, do të favorizohen – nga aktualisht 18 muaj për 36 muaj – sa u përket detyrimeve fiskale.

Sipërmarrjet italiane Renzi do t’i lehtësojë duke i ulur shpenzimet për pagat dhe energjinë, të cilat do të financohen prej reduktimit të shpenzimeve publike – pra jo përmes rritjes së taksave. Edhe shmangia e strukturave burokratike bën pjesë në krye të axhendës së Renzit. Jürgen Michels, kryeekonomist i bankës “Bayerische Landesbank”, ka megjithatë dyshime, nëse reformat e Renzit në situatën aktuale do të mund të vihen në jetë: “Edhe Mario Monti kishte një axhendë ambicioze, që në fund dështoi”, – thotë Michels për “DW”. “Pikërisht me reformimin e tregut të punës Renzi ka përpara një pengesë të madhe”, – vë në dukje eksperti.

 

Planet e vjetra dhe të reja për reformat

Për realizimin e reformave të ngjashme u përpoq edhe qeveria “Monti” në vitin 2012, por ajo dështoi përballë pengesave burokratike në realitet dhe paqartësive politike. Monti donte që t’i thjeshtonte format komplekse të punësimit – në pjesën më të madhe të vendosura gjatë qeverisë “Berlusconi” – si dhe synonte thjeshtimin e zgjidhjes së çështjeve të kontestueshme në aspektin e kodit përmes procedurave të arbitrazhit. Sindikatat e fuqishme, një ndërlidhje e kuotës së inflacionit dhe pagave të normuara në kontratat e punës si dhe mungesa e bashkëpunimit mes sipërmarrësve dhe punëmarrësve e kanë frenuar rritjen e produktivitetit. Rritja e pagave, pavarësisht nga gjendja e dobët ekonomike, i ka paralizuar gjithnjë e më shumë ndërmarrjet.

Sidoqoftë, pranon Michels, “Monti ishte një teknokrat. Matteo Renzi si politikan është i pozicionuar më mirë për t’i realizuar planet e veta”.

 

Evropa – “nuk është armike” e Italisë

Renzi ende vazhdon të tregohet si proevropian: “Evropa nuk është armike e Italisë”, – thotë ai. Që të bësh përgjegjës Unionin Monetar Evropian për krizën ekonomike, kjo do të thotë të mohosh historinë e Italisë, u shpreh para senatit ish-kryebashkiaku i Firences.

Por Unioni Monetar e vendos Italinë para sfidash, beson Krämer: “Italia nuk mund të zhvleftësojë më monedhën e saj e t’i mbulojë me këtë problemet e veta”. Por kjo do të thotë edhe që Banka Qendrore Evropiane vazhdon të jetë nën presion – sepse nga ana tjetër “rënia e Italisë” është një risk për Unionin Monetar: “Banka Qendrore Evropiane është ndërkohë peng i politikës italiane”. Për këtë arsye ekonomisti Michels për një periudhë afatmesme parashikon protestë nga Brukseli: Një dështim i planeve të Renzit për reforma mund të trondiste të gjithë hapësirën e Eurozonës.

 

Fjalë të ngrohta nga Strasburgu

Sidoqoftë, ndryshimi i kreut të qeverisë në Itali vlerësohet si një shenjë shpresëdhënëse si në Strasburg ashtu edhe në Bruksel. Komisari i BE-së për Unionin Monetar, Olli Rehn, u tha agjencive gjermane të lajmeve, se ka besim, që qeveria e re italiane do t’u përmbahet detyrimeve. Ai tha, se gëzohet që do të bashkëpunojë me ministrin e Financave Piercarlo Padoan, i cili 64 vjeç është anëtari më i moshuar i kabinetit Renzi. Padoan ka qenë më parë kryeekonomist i Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD) në Paris.

Për gazetën italiane “La Stampa” Rehn theksoi besimin e tij ndaj ministrit të ri të ekonomisë: “Padoan e di se çfarë duhet bërë”. Kryeekonomisti i Commerzbank Krämer e sheh “ekonominë e Italisë ‘në lakun’ e një administrate shtetërore jo efikase”. Mbetet të shihet nëse këtë do të mund ta zgjidhë qeveria e re.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency