Izolim në globalizim

0
129

Artan FUGA

 

ArtanFuga            Nuk ka lidhje me rrotacionin politik të qershorit të kaluar. Por, është fakt. Ka disa vjet që shumë dosje që kanë të bëjnë me interesa strategjike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në Ballkan njohin një lloj ngecjeje, një lloj rutinizimi, një vendnumëro, dhe më e keqja është se nuk shihet aktualisht asnjë shenjë nga ata që e kanë përgjegjësinë kombëtare që ta kenë konstatuar, matur, shprehur këtë gjendje.

Le të marrim disa dosje me radhë pa dashur të bëjmë krahasime me atë që ndodh në vende të tjera, si edhe pa ngarkuar arsyetimin me të dhëna, aq më pak që këto të dhëna, në kushtet kur Shqipëria është kënetë e informimit asimetrik, që e mban në padije qytetarin për atë që ndodh realisht, dhe krijon pabarazi shansesh e të drejtash – një grusht i fortë ndaj demokracisë së vërtetë – pra këto të dhëna mungojnë.

Fundi i viteve ‘90 dhe fillimet e viteve 2000 shënuan një varg suksesesh për diplomacinë shqiptare dhe për statusin gjeopolitik të shqiptarëve në Ballkan. Shqipëria bëri hapa në drejtim të integrimit evropian, pas një kohe në mënyrë ndofta të përshpejtuar hyri edhe në NATO, Kosova pasi shpëtoi nga zgjedha serbe hyri në rrugën e pavarësimit dhe u shpall shtet i pavarur, i njohur gradualisht nga një numër në rritje shtetesh, shqiptarët e Maqedonisë e panë statusin e tyre të përmirësuar nga Marrëveshja e Ohrit dhe kështu me radhë, vizat u liberalizuan. Presidenti amerikan arrin e vjen vetë për vizitë në Shqipëri dhe kontakton drejtpërdrejt edhe me çunat e rinj dhe brezat e pjekur të Fushë-Krujës.

Mirëpo gradualisht entuziazmi dhe euforia e kohës nuk shkoi më tej në rrugën që dukej se kishte hedhur një shtresë solide dhe dukej se do të ishte e shpejtë.

Ka shenja të padiskutueshme që përtej fjalëve të mira, ca janë thjesht kortezi diplomatike, ose komunikim strategjik nga ana e diplomacisë së huaj, aksionet dhe rezultatet praktike në fushën e politikës së jashtme, të diplomacisë, të statusit gjeostrategjik të vendit, kanë nisur të mungojnë, të zbehen, të jenë thuajse të papërfillshme. Në vend të tyre shohim fjalime ose deklarata personalitetesh, ose nëpunësish të dorës së tretë ose të katërt që shprehen për Shqipërinë dhe shqiptarët, vizita kortezie pa asnjë vazhdimësi ose ndonjë vendimmarrje politike të qartë, premtime pa asnjë pasojë pozitive, si edhe takime zyrash që veç fotove të botuara nuk impresionojnë askënd. Aq më shumë, fatkeqësisht, ndihet edhe një zbehje e besimit të një pjese e opinionit publik të vendit te partnerët tanë të huaj, aq të rëndësishëm për integrimin evropian të Shqipërisë.

Kontaktet me qeveritë e vendeve fqinje kanë marrë një përmasë të çuditshme dhe duket sikur nuk janë marrëdhënie mes shtetesh, por thjesht me palën shqiptare të vendeve fqinje. Ndërkohë që ne kemi shumë interes të ndajmë qartë se ku janë marrëdhëniet me bashkëkombësit tanë në vendet fqinje dhe ku janë marrëdhëniet ndërshtetërore.

Lidhur me krizën e lumit Radika, në Shqipëri vijnë vetëm ministrat shqiptarë të qeverisë maqedonase, a thua se ku është thjesht një problem midis shqiptarëve. Ndërkohë kontaktet duhen mbajtur fort me qeverinë maqedonase si të tillë dhe publikisht. Por, nuk shihet publikisht asnjë kontakt i tillë. Nuk ishte për t’u kritikuar takimi i përbashkët në Prizren midis anëtarëve të qeverisë të Shqipërisë dhe të Kosovës. Por, përsëri ishte një takim shqiptaro-shqiptar. U fol për një takim të tillë mes anëtarëve të qeverisë të Shqipërisë dhe asaj  të Maqedonisë, por pritshmëria u fik si shkrepësja në ujë. Asnjë efekt.

Sigurisht, i kuptoj vështirësitë, nuk bëj askënd me faj, por arritjet duhen matur teknikisht dhe duhen njohur edhe mosarritjet për të ditur se ku jemi në planin e strategjisë dhe sigurisë kombëtare.

Problemet e viteve të fundit me Greqinë vazhdojnë të tërhiqen zvarrë dhe nuk shihet absolutisht asnjë përparim. Ne harrojmë se Shqipëria është me ndikim jashtë mase të fortë në Greqi për shkak të heronjve të saj – emigrantë. Por, për emigrantët ne qysh prej kohëve të lashta kujtohemi vetëm në periudha elektorale dhe pastaj komunikimi i shtetit tonë me shoqatat e emigrantëve jashtë vendit – ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë – është pothuajse i paqenë. Sa keq!!! Nuk u kuptuar se çfarë u bë me ujërat në hapësirën territoriale, asgjë për problemin çam, asnjë deklarim politik, si edhe çështja e emrave të toponimeve në pasaporta, mbetet ende e pazgjidhur.

Ndërkaq për takime dhe negocime me vendet fqinje si Serbia, Mali i Zi, Bosnja e më tej as që është bërë fjalë këto vitet e fundit duke e reduktuar shumë aksionin diplomatik të vendit dhe duke dhënë imazhin sikur jemi një vend i izoluar.

Ballkani nuk përmblidhet në trekëndëshin Shqipëri-Maqedoni-Kosovë.

A mos është e vërtetë që njohim një lloj izolimi? A mos po kalojmë pa kuptuar një politikë izolimi në raport me vendet fqinje, që ndofta e shohin Shqipërinë, pa e deklaruar, sigurisht, si një vend që për shkak të gjeopolitikës ballkanike mund të kishte një rol destabilizues për ta, qoftë edhe për shkak të faktorit etnik dhe diasporik të brendshëm në vendet përkatëse?

A mos jemi të izoluar realisht dhe praktikisht edhe nga Evropa?

Sigurisht do të ketë individë që do të jenë më entuziastë, por nuk shihet asnjë kontakt i qëndrueshëm, thelbësor, i madh me kulturën dhe artin evropian. As flitet për kinema të huaja në Shqipëri, shtëpi botuese të huaja me ndonjë përjashtim krejt të rrallë, kurse për vizita trupash teatrale perëndimore, cirku, baleti, etj., as që bëhet fjalë. Si nuk ka një këngëtar perëndimor që të jetë tërhequr për të dhënë një koncert live për rininë dhe publikun shqiptar në vend! Kurse për përkthimet shqiptare në vende të huaja apo letërsinë dhe shkencën e huaj në shqip, situata është e dëshpëruar. As koha e përkthimeve të Ismail Kadaresë nuk ka të krahasuar, lëre ngjashmëritë që as supozohen!

Dhe kjo situatë lidhet edhe me investimet direkte perëndimore në ekonominë shqiptare, aq sa e bëjnë shtetin shqiptar të falë tokën për 1 euro, përjetësisht,  për sipërmarrës, të cilët nuk dihet fare se çfarë performance ekonomike kanë dhe mund të kenë. Prej vitesh janë vetëm disa fasonë, që kur i sheh se si i paguajnë punëtorët shqiptarë dhe me çfarë kushtesh punësimi i mbajnë – thua: a vallë ky është rezultati i investimit të huaj në Shqipëri? Aq më tepër që kemi të bëjmë me një industri për të cilën publikisht nuk kemi asnjë transparencë. Si nuk pamë njëherë të ekspozuara një palë këpucë të prodhuara në Shqipëri dhe të destinuar për eksport!!! Megjithatë shyqyr që janë këta, sepse në disa degë të tjera të ekonomisë shqiptare, firma të huaja janë pothuajse në pozita monopol dhe nuk besoj se i shërbejnë konkurrencës së lirë. Por, nuk është faji i tyre!

Statusi që do të shënonte një hap të vogël përpara në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian po shtyhet dita ditës dhe nuk dihet si do t’i vejë halli. Ne bëjmë lobingje në Greqi a Itali, ndërkohë që janë të tjera vende dhe aktorë gjeostrategjikë që na pengojnë. Takime me kryeministrin e ikur të Italisë ishin fare pa bukë dhe sigurisht jo për fajin tonë, por puna është se duhet ditur se ku duhet të investojmë strategjikisht. Presidenti grek apo italian mund të bëjnë vizita, por ato nuk duken që veç kortezisë diplomatike dhe deklaratave në konferenca shtypi ku përsëriten fjalë që janë të ditura, ose edhe me shumë kuptime, të sjellin më tepër, nuk shihet asnjë pasojë tjetër.

Hapja e vendit nuk matet me numrin e vizitave të personaliteteve të huaja sado të mirëpritur të jenë ata.

Ka ardhur koha që frenimin në procesin e integrimit të mos ua vendosim pas kurrizit homoseksualëve dhe partive që i përfaqësojnë në Evropën e Bashkuar!

Ndërkaq ka një farë stagnacioni në çështjen e njohjes ndërkombëtare të shtetit të ri të Kosovës. Jemi ende larg pranimit të tij në OKB, kurse ideja e vajtjes dorë për dore si vëllezër midis Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian duke gjeopolitikisht ende si diçka që nuk ka asnjë hapësirë reale. Si mund të pranohet Kosova si e integruar në Bashkimin Evropian kur ende shtete të këtij Bashkimi nuk e njohin si vend sovran dhe i pavarur?  Pavarësisht dëshirave tona, çështja duhet parë drejt e në sy dhe duhet menduar me zgjuarsi dhe jo në mënyrë propagandistike. Në vend të zgjerimit të influencës strategjike për ta njohur shtetin e ri të Kosovës kemi fushata propagande mbi bashkimin e tregjeve shqiptaro-kosovare, një projekt që nuk mund të jetë përjashtues për operatorë të tjerë ekonomikë, duhet menduar vetëm në kushtet e globalizimit dhe të tregtisë së lirë, dhe jo thjesht e vetëm për faktorë simbolikë dhe psikologjikë.

Dhe sikur të mos mjaftonin këto ja edhe problemi i krizës në marrëdhëniet dypalëshe me partnerët tanë gjeopolitikë amerikanë, të cilët, refuzimin shqiptar e kanë shprehur si një zhgënjim. Kanë të drejtë.

Pse kanë ndodhur këto? Kjo kërkon një analizë rast pas rasti. Por, duhet kujdes dhe qëndrueshmëri logjike në politikën e jashtme sepse edhe orientimet një herë drejt një kryeministri të huaj dhe herë tjetër drejt një tjetri, janë pa bukë, sepse koniunktura politike e vendeve të huaja ndryshon dhe për këtë arsye politika e jashtme nuk duhet të personalizohet si kontakt ekskluziv me këtë apo atë politikan të huaj.

Duhen analiza dhe arsyetime si edhe ndërtime strategjish afatgjata ose afatmesme në kushtet e njohjes të saktë të koniunkturës ndërkombëtare, e cila ndryshon. Nuk mund të ecet pa busull. Duhet pranuar ky stagnacion dhe jo mbuluar me propagandë, me vizita pragmatiste diplomatike që nuk sjellin asgjë, me konferenca shtypi nga ato që bota njeh me dhjetëra e qindra çdo ditë.

Unë guxoj të shpreh se kam ndrojtje që Shqipëria njeh prej disa kohësh dhe aktualisht një lloj izolimi faktik në planin kulturor, ekonomik, artistik dhe politik. Unë nuk e di nëse e venë re apo jo zyrtarët dhe të zgjedhurit që e kanë për detyrë ta konstatojnë, ta shprehin dhe ta mënjanojnë. Po qe se nuk kanë ditur ta nuhasin, qofshin të falur, por po qe se e kanë ditur dhe e mbulojnë me fjalë të mëdha “integrim”, “aleanca gjeopolitike”, “shoqëri globale”, “fqinjësi e mirë” etj., atëherë janë në rrugën që ëndrrat i marrin për realitet, çka është shkatërruese për kombin.

Apo ndihen të penguar prej të qenët në pushtet që ta njohin dhe pranojnë të vërtetën që, natyrisht, është e shtrirë edhe përtej forcave dhe mundësive të tyre në një territor sa një pikë uji në oqeanin planetar?

Dhe, për më tepër, ky lloj izolimi i kamufluar politik ndodh në kushtet e një periudhe globalizimi dhe lirish demokratike për të qenë të hapur. Nuk na pengon kuadri juridik apo kuadri makroekonomik institucional botëror i mbështetur te globalizimi, por fakti që kemi një politikë dhe një model social që nuk na lejon të integrohemi. Nuk po mundemi ta çojmë përpara strategjinë e përforcimit të vazhdueshëm të sigurimit tonë kombëtar dhe të imazhit të Shqipërisë në botë.

A ndikojnë këtu raportet aktuale gjeopolitike botërore? Nuk përjashtohet. Por nuk shihet asnjë analizë.

A ndikon këtu kriza ekonomike dhe financiare botërore? Nuk përjashtohet. Por, nuk kemi asnjë analizë nga Banka Qendrore, nga ministria e financave, nga agjencitë e politikës së jashtme.

A ndikojnë këtu frikërat dhe armiqësitë tradicionale ndaj shqiptarëve në vende fqinje apo më larg? Mundet, por nuk kemi asnjë analizë gjeostrategjike apo raport sigurie kombëtare të bërë publik.

A mendon strategjikisht dhe gjeopolitikisht politika dhe shteti shqiptar? Edhe mundet, por nuk kemi asnjë shenjë publike dhe asnjë provë lidhur për këtë.

A ndikon fakti se historia në planin gjeostrategjik ka cikle afatgjata realizimi që mund të shkojnë dhe me dekada e shekuj? Edhe mundet, por që s’kemi asnjë analizë për tendencat e botës dhe historisë bashkëkohore dhe influencat e tyre pozitive ose negative mbi shqiptarët dhe Shqipërinë.

A ka të bëjë me pamundësitë tona, gabimet tona, mangësitë e politikës së jashtme të shqiptarëve, me strategjitë dhe agjencitë që do të duhej të jepnin pamje të qarta për qytetarët për gjendjen e jashtme të shtetit shqiptar? Patjetër lidhet.

Problemi është se pyetja duhet shtruar drejt:

Mos jemi, përtej retorikës politike, duke përjetuar një izolim të fshehur pikërisht në periudhën e globalizimit?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency