Rikonstruksioni/ Stadiumi i Shkodrës, gati për ndeshjen Shqipëri – Serbi, nisin punimet

0
140

rama ne stadiumin e shkodresNë stadium do të investohen 12 milionë euro dhe do të ketë standarde ndërkombëtare të denja për kombëtaren kuqezi

Shkodra do të ketë edhe një tempull të denjë për kontributin që i ka dhënë futbollit shqiptar. Një stadium të ri të denjë për të përfaqësuar denjësisht kuqezinjtë në arenën ndërkombëtare, por edhe ndeshjet e tjera të këtij niveli. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përuroi nisjen e punimeve për rikonstruksionin e plotë të impiantit të Shkodrës, që do të ketë një kapacitet prej 17 mijë vendesh. “Jam krenar që po bëjmë diçka për djemtë tanë të ekipit kombëtar, për të cilët shumë drejtues politikë të së kaluarës janë kujtuar vetëm kur ka pasur ndonjë rezultat surprizë. Vetëm pak kohë më parë rrezikonim të mbeteshim pa stadium dhe kombëtarja do të luante jashtë vendit. Ne ia dolëm dhe i dhamë Elbasanit një stadium të standardeve evropiane e ndërkombëtare, që u lavdërua prej shumë të tjerësh sapo shkelën në të. E di që ka edhe nga ata që thonë se “ne nuk kemi nevojë për stadiume, por për gjëra të tjera”. “Loro Boriçi” do të jetë një impiant shumëfunksional me ambiente të përshtatshme edhe për sporte të tjera. Gjithashtu, në formë batute presidenti i FSHF-së tha se projekti është shenjë për t’u kërkuar të falur tifozëve të Vllaznisë që u ndërtua stadiumi i Elbasanit para “Loro Boriçit”. “Kur ndërtuam stadiumin e Elbasanit kam ngrënë shumë të shara nga tifozët e Shkodrës. Projekti i Shkodrës është shumë më i bukur dhe shumë më i madh për t’u thënë na falni që e bëmë të parin stadiumin në Elbasan, e më pas stadiumin në Shkodër”, – tha Duka, duke i bërë thirrje Kryeministrit të ndërmarrë një iniciativë për të mbështetur rikonstruksionin e stadiumit në Tiranë. “Parafytyroni sa të shara do haj unë në Vlorë që stadiumi bëhet në Shkodër”, – tha Rama për replikë, duke shtuar: “Besoj se është vendi i duhur për të çuar më tej procesin e rilindjes së sportit”. Rama siguroi se pas “Loro Boriçit” do të vijë radha e “Qemal Stafës”, por projekti i stadiumit të kryeqytetit që të realizohet kërkon kohën e vet. Ndërsa Nikolla zbuloi se për rikonstruksionin e “Loro Boritit” do të shpenzohen 12 milionë euro dhe ky projekt është në vazhdën e investimeve të qeverisë shqiptare në arsim dhe sport. Sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, rikonstruksioni i “Loro Boriçit” është një nga investimet më të mëdha të qeverisë shqiptare në sport, që do t’i shërbejë jo vetëm Vllaznisë, por edhe kombëtares shqiptare, duke i dhënë një tjetër imazh sportit në vendin tonë.

 

Detajet e ndërtimit të stadiumit

Treguesit e zhvillimit për stadiumin “Loro Boriçi”

Sipërfaqja e përgjithshme e truallit: 43.198 metra katrorë

Sipërfaqe parkimi: 4916 m2

Numri i parkimeve për automjete të parashikuara : 210

Numër parkimi për VIP: 150

Hapësirë parkimi për mediat: 1000 m2

Sipërfaqe e rrugëve që rikonstruktohen: 978.62 m2

Hapësira të lira: 2 746 m2

Projekti i stadiumit të ri parashikon një kapacitet prej 17 mijë vendesh dhe parashikohet të kushtojë 12 milionë euro.

 

 

Hernandez: I lumtur, por nuk preferoj stolin

Havier Hernandez thotë se aktualisht është i lumtur te Reali i Madridit, por ka paralajmëruar se nuk i pëlqen të qëndrojë në stolin rezervë. Sulmuesi meksikan u huazua në “Santiago Bernabeu” nga Mançester Junatid, por ka luajtur shumë pak këtë edicion për “Los Blancos”. Lëndimi i Karim Benzemas bëri që “Chicharito” të tregonte cilësitë e tij, por me kthimin e francezit, ai pritet që të qëndrojë sërish rezervë. “Sezoni ka qenë shumë i komplikuar. Por, në futboll, nganjëherë timoni kthehet shumë shpejt. Dhe e falënderoj Zotin që tash kam më shumë mundësi për të luajtur. Prindërit e mi më kanë mësuar se durimi dhe këmbëngulja janë pjesë e mësimit. Sot, ndihem shumë mirë. Meqenëse nuk jam nga ata që janë të kënaqur në bankën rezervë, unë gjithmonë kërkoj më shumë”, – ka theksuar Hernandez për “beIN Sports”.

 

Mançini: Fantazia na solli dështimin

Trajneri i Interit, Roberto Mançini, thotë se mungesa e kreativitetit në lojë bëri që lojtarët e tij të qëndronin të heshtur përballë mbrojtjes së Kievos. Zikaltrit e dominuan ndeshjen në “Giuseppe Meazza”, duke e goditur edhe shtyllën, por nuk arritën ta gjenin rrjetën, ndërkohë që Alberto Paloski e testoi në dy raste të mira Samir Handanoviçin. “Fatkeqësisht, kur luan ndaj një skuadre që mbrohet me të gjithë lojtarët, nëse nuk gjen depërtimin, atëherë bëhet gjithnjë e më vështirë. Jemi të zhgënjyer që nuk fituam, por jo për gjërat tjera. Nuk ishim precizë, sepse e gjetëm kuadratin e portës vetëm katër herë, por goditëm 24 herë drejt portës. Jemi të zhgënjyer, sepse do ta kishim zënë vendin e gjashtë sot (e diel)”, – ka deklaruar Mançini për “Sky Sport Italia”.

 

Drogba, i pasigurt për të ardhmen

Didier Drogba nuk ka dhënë kurrfarë “sigurie” për të ardhmen e tij, pasi ngriti trofeun e Premier Ligës me Çelsin. 37-vjeçari është kurorëzuar me titullin e kampionit në sezonin e tij kthyes në “Stamford Bridge”, porse gazetarët ishin të interesuar për të ardhmen e tij. “Ky titull është i ëmbël. Jam i lumtur që jam pjesë e këtij, por klubi do të jetë gjithnjë më i madh se unë. Çfarë do të ndodhë tani? Një pushim i mirë, një festë e mirë dhe pastaj do të shohim”, – është shprehur Drogba për “Sky Sports”. Futbollisti nga Bregu i Fildishtë më herët ka thënë se do të vazhdojë të luajë së paku edhe një sezon.

 

Mayweather shpallet mbret i boksit

Sfida e Shekullit vendosi kurorën njeriut që me të drejtë është tashmë perandori i të gjitha kohërave në peshën Welter Floyd Mayweather Junior. Amerikani triumfoi kundër rivalit të tij historik Many Pacquaios me vendim unanim të gjyqtarëve, në një duel që projektohej prej 5 vitesh dhe që nuk i zhgënjeu pritshmëritë. Atmosfera në MGM Arena ishte ajo e shfaqjeve të mëdha, një “sold-out” rekord prej 16.507 spektatorësh për të ndjekur betejën e fundit, përballjen e titanëve. Një sfidë epokale që u studiua deri në detajet më të imta nga Mayweather i cili që në start kërkoi goditjet e saktë dhe jo “knock-out”in duke zbatuar një taktikë të përsosur. Raundet e para panë një Mayweather më të përqendruar dhe mjaft të lëvizshëm, ndërsa raundi i 4-t foli për Pacquaion i cili e detyroi amerikanin të mbështetej jo pak herë tek litarët. Më pas ishte kampioni i botës që morri kontrollin e duelit duke goditur shumë herë në shenjë me filipinasin, i cili nuk e pati të lehtë të thyente taktikën e 38 vjeçarit. Në batutat përmbyllëse Pacquaio ndoshta i vetëdijshëm për ecurinë e pikëve kërkoi të thyente murin e ndërtuar nga djaloshi i lindur në Miçigan, por e pati të pamundur. 148 goditje në shenjë të Mayweather kundrejt vetëm 81 goditjeve të Pacquaios, ishin dëshmia më e mirë se kujt i takonte kurora mbretërore, dhe gjyqtarët në dakordsi të plotë vendosën që boksieri absolut në këtë peshë është një dhe i vetëm Floyd Mayweather junior. Rezultati nuk la vend për dyshime 118-110. 116-112 dhe 116-112 në favor të amerikanit duke i dhuruar atij edhe të vetmin titull që mbahej nga Pacquaios atë të WBO-së. Tashmë rekordi i kampionit të botës është vërtet i frikshëm, 48 fitore dhe asnjë humbje, vetëm një triumf larg një legjende si Rocky Marciano. Mayweather pasi vlerësoi Pacquaion u shpreh se me shumë mundësi në shtator do të zbresë për herë të fundit në ring, dhe në fakt tashmë ai e ka gdhendur emrin e tij në librat e historisë, tashmë Mayweather e ka krijuar epokën e tij, e cila do i rezistojë të gjitha kohërave.

 

Lacio humbet vendin e dytë, e rifiton Roma

Lacio nuk është më në vend të dytë në tabelën e Serisë A, pasi ka mbetur prapa Romës. Të kaltrit barazuan (1-1) si mysafirë të  Atalantës, duke mbetur një pikë prapa rivalit lokal që këtë javë mposhti Xhenoan me rezultat 2-0. Xhuzepe Biava shënoi për vendasit (49’), ndërsa Marko Parolo barazoi për kryeqytetasit (78’). Në ndeshjet tjera, Interi ka luajtur pa gola përballë Kievos në “Giuseppe Meazza”. Xherdan Shaqiri luajti nga minuta e 64 në këtë sfidë. Fiorentina ishte bindëse në triumfin prej 3-1 kundër Çezenës, derisa Udineze ka fituar në udhëtim te Verona (0-1). Ndërsa nga kjo ka përfituar Roma Pas fitores në mesjavë ndaj Sasuolos, skuadra e Romës i ka grumbulluar edhe tri pikë të reja. Skuadra nga kryeqyteti italian në ndeshjen e zhvilluara nga ora 12:30 ka mposhtur Xhenoan e papërshtatshme me rezultat 2-0. E tërë ndeshja ishte e dominuar nga vendasit të cilët kërkonin fitore me çdo kusht ndërsa mysafirët që janë në garë për një vend në Ligën e Evropës tentonin me kundërsulme të shënonin. Golin e parë për Romën në këtë ndeshje e ka shënuar sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Sejdu Dumbia në minutën e 35-të, pas një gabimi nga mbrojtja mysafire. Ndërkohë për golin e dytë dhe të fitores u përkujdes shpirti i Romës, Alesandro Florenci, i cili ndërpreu një aksion të mysafirëve në fushën e Romës dhe vrapoi për më shumë se 60 metra duke mposhtur portierin Perin. Pas kësaj fitore Roma ngjitet në pozitën e dytë me 64 pikë të tubuara dy më shumë se Lacio që ka një ndeshje më pak të zhvilluar dhe gjashtë më pak se Napoli që gjithashtu sonte luan ndaj Milanit.

 

Levandovski mungon ndaj Barçës

Sulmuesi polak i Bajernit, Robert Levandovski, do ta humbë përballjen e parë mes Barcelonës dhe Bajernit. Këtë gjë e ka konfirmuar drejtori sportiv i Bajernit, Matias Samer, për mediat gjermane duke thënë se nuk ia vlen të rrezikohet shëndeti i lojtarit për një ndeshje. “Mjekët, lojtari dhe maska do të jenë ata që do të vendosin për këtë gjë”, – tha Samer për reporterët. “Por, një gjë është e qartë. Asnjë lojtar në botë nuk mund të jetë aq i rëndësishëm sa të rrezikoj shëndetin. Edhe nëse mjekët do të japin dritën e gjelbër, ajo nuk do të thotë se ai do të luajë”, – konfirmoi Samer.

 

Ançeloti: Barça, më e mirë për momentin

Të gjithë adhuruesit e sportit më të bukur në botë futbollit mendojnë se Barcelona është skuadra me formën më të mirë sportive. Por kur e pranon edhe trajneri i rivalëve të urryer Real Madrid, atëherë kjo vërteton shumë gjëra. Trajneri italian i Realit, Karlo Ançeloti, ka pranuar se rivalët e tyre, Barcelona, janë të shkëlqyer dhe se sulmuesit e saj janë tejet efektivë. “Barcelona është një skuadër e shkëlqyer. Sulmuesit e tyre janë shumë efektivë. Ata të gjithë janë shumë të mirë. Nuk është befasi që ata mund të shënojnë shumë gola”, – tha Ançeloti. Barça arriti një fitore ndaj Kordobës me rezultat të lartë 8-0, duke treguar kështu formën e lartë që kanë momentalisht.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here