Nëpunësi civil/ Rrëzimi i aktit normativ, qeveria: Ndryshime në ligj për të shtyrë efektet

0
124

Gëzim Saliu

Qeveria nis konsultimet për ndërhyrjen në ligj, marrin pjesë LSI dhe PDIU

 

 

haritoPas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të aktit normativ, qeveria do të ndërhyjë sërish në ligjin “Për nëpunësin civil”, për të shtyrë efektet e tij deri në datën 1 prill. Ndryshe nga katër muaj më parë, kur përdori instrumentin e aktit normativ, këtë herë ekzekutivi kërkon të ndryshojë ligjin përmes amendimeve. Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, dhe ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, organizuan dje konsultimet e para me partitë politike që përfaqësohen në Kuvend, ku krahas Lëvizjes Socialiste për Integrim, mori pjesë edhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet. Nga ana tjetër, opozita nuk pranoi të bëhej pjesë e këtyre konsultimeve, duke theksuar qartë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të diskutohen dhe duhen vënë në zbatim.

 

Ligji

 

Në takimin e organizuar dje në Kryesinë e Kuvendit nga ministrat Celibashi e Harito, morën pjesë kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Vasili, dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. “Pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese janë shumë të rëndësishme, të cilat duam t’i diskutojmë me të gjitha partitë politike parlamentar e në veçanti opozitën. Sot ishin të pranishëm zoti Vasili dhe zoti Idrizi nga opozita. Nuk kishin ardhur zoti Paloka, as zoti Mediu. Vendimi i Gjykatës shumë qartësisht shfuqizon aktin normativ, por në momentin që vendimi hyn në fuqi në Fletoren Zyrtare, pra pas botimit në Fletoren Zyrtare. Deri atë moment, akti normativ vijon të funksionojë. Ky është vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka asnjë problem të veçantë në këtë pikë”, – tha Harito pas takimit. Ndërkohë, lidhur me propozimin e qeverisë dhe mazhorancës në tërësi sa i përket çështjes, ministrja e Administratës Publike bëri të ditur: “Ne do të propozojmë amendime në ligj, për të qenë krejtësisht në koherencë me atë që kishim vendosur, shtyrjen e efekteve, sepse kishim arsye të qenësishme për këtë gjë. Gjykata Kushtetuese sigurisht nuk ka marrë vendim mbi këtë gjë, ka marrë vendim mbi ndërhyrjen me akt normativ,por jo mbi faktin që ne shtymë efektet. Mendojmë se është e domosdoshme të shtyhen efektet deri në 1 prill dhe këtë do ta bëjmë me ndryshime në ligj dhe për këtë arsye e ftuam opozitën që të marrë pjese dhe të jetë pjesë e kësaj gjëje”. Sa u përket akteve nënligjore, Harito theksoi se ato janë mbaruar të gjitha dhe se tre prej tyre do të kalojnë shumë shpejt për vendim në Këshillin e Ministrave. Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin që rrëzoi aktin normativ të qeverisë për shtyrjen me 6 muaj të hyrjes në fuqi të ligjit “Për nëpunësin civil”. Në argumentin e saj, Kushtetuesja pohonte se urgjenca e qeverisë nuk mund të justifikojë përdorimin e institutit të dekretligjeve: ndonëse qeveria ka një hapësirë të gjerë diskrecionaliteti, nevoja dhe urgjenca janë koncepte që nuk janë imune nga kontrolli kushtetues në kontekstin e kufizimeve të vendosura nga Kushtetuta. “E drejta e pushtetit ekzekutiv për të ushtruar autoritet me anë të akteve normative me fuqinë e ligjit duhet të justifikohet në çdo rast me praninë e rrethanave të veçanta që e bëjnë të nevojshëm miratimin e rregullimit urgjent. Mosrespektimi, në rastin konkret, fillimisht nga Këshilli i Ministrave, i kritereve dhe kufizimeve kushtetuese procedurale dhe lëndore, përbën një të metë të legjitimitetit kushtetues të qeverisë për nxjerrjen e aktit normativ dhe, po ashtu, një të metë të ligjit që ka miratuar Kuvendi”, – thuhej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

 

 

 

Qëndrimi

 Idrizi: Mazhoranca duhet të gjejë konsensusin me PD-në

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili mori pjesë dje në konsultimet e thirrura nga qeveria për ligjin e nëpunësit civil, bëri të ditur se mazhoranca duhet të gjejë konsensusin me opozitën. Sipas tij, PDIU nuk do të hyjë në diskutime për ndryshimin e ligjit përmes propozimeve të mazhorancës pa u dhënë më parë konsensusi për Partinë Demokratike. “Ky ligj është obligativ të jetë me konsensus të opozitës. Mazhoranca duhet të gjejë konsensus me PD-në. Nuk hyjmë në diskutimin e ndryshimeve të propozuara”, – deklaroi Idrizi.

 

 

 

 

Rrëzimi i aktit normativ

Rikthim i nëpunësve në administratë

Rrëzimi i aktit normativ të qeverisë nga Gjykata Kushtetuese bën që të gjithë të shkarkuarit nga puna pas datës 1 tetor 2013 të rikthehen në vendin e tyre. Kështu bëri të ditur PD dy ditë më parë, duke theksuar se vendimi i Kushtetueses zhbën veprimet e paligjshme të administratës. “Vendimi i Kushtetueses vërtetoi pretendimet tona, që akti normativ për nëpunësin civil ishte antikushtetues. Ata që kanë statusin e nëpunësit civil gëzojnë të gjithë mbrojtjen ligjore. Të gjithë ata që janë larguar padrejtësisht nga administrata, pas 1 tetorit, duhet të rikthehen në detyrë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese zhbën veprimet e paligjshme të administratës të kryera që nga data 1 tetor. Administrata të marrë masa për rikthimin e punonjësve që janë larguar padrejtësisht nga puna. Nëse administrata nuk e bën këtë, atëherë është Gjykata që me anë të vendimeve do ta detyrojë administratën që t’i kthejë në punë punonjësit e pushuar padrejtësisht”, – theksoi Ivi Kaso. Nga ana tjetër, nëse kjo nuk ndodh, përfaqësuesi i PD-së deklaroi se punonjësit e pushuar kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës për të bërë të mundur rikthimin në detyrë. Demokratët kanë deklaruar se janë rreth 4000 punonjës të larguar nga puna dhe e gjithë kjo situatë nuk mund të kalojë dhe pa një faturë të lartë financiare.

 

 

 

 

Akti normativ i qeverisë

Më 30 shtator, qeveria vendosi me një akt normativ që të shtyjë hyrjen në fuqi të ligjit “Për nëpunësin civil”. Vendimi sipas ekzekutivit u mor për shkak të mungesës së akteve nënligjore për këtë ligj, çka e bënte atë të pazbatueshëm. “Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, duke pasur në konsideratë parashikimet e ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, pazbatueshmërinë e tij për shkak të mungesës së akteve nënligjore dhe natyrës së përgjithshme të ligjit, kohën e pamjaftueshme për të bërë rregullime ligjore sipas procesit legjislativ, nevojën për organizimin institucional, efektet financiare mbi buxhetin e shtetit dhe gjendjen ekonomike financiare, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave vendosi të ndryshojë nenin 70 dhe 72. “Neni 70,

ligji nr. 8549, dt. 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”, dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen nga data e fillimit të shtrirjes së efekteve të këtij ligji. Neni 72 – Ky ligj hyn në fuqi në 1 tetor 2013 dhe i fillon efektet e tij 6 muaj pas hyrjes në fuqi. Deri në datën e fillimit të efekteve të këtij ligji zbatohet ligji nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”, – thuhej në vendimin e qeverisë. Ky akt normativ, i shumë kritikuar nga opozita dhe jo vetëm, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency