Pensionet/ Reforma nuk do të prekë të moshuarit që janë afër moshës së daljes në pension

0
130

Në 2050-ën, sipas raporteve lindje-vdekje, në Shqipëri do të jenë mbi 65 vjeç, 25 për qind e popullsisë

 Është e arsyeshme të heqim pensionin tavan e t’i jepet e drejta çdokujt të kontribuojë më shumë nëse do

 

 

pesioneReforma e pensioneve është një domosdoshmëri dhe nëse nuk realizohet, rrezikohet që e nesërmja të jetë një katastrofë financjare për të gjithë. Kështu është shprehu Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, gjatë mbledhjes së grupit të punës për reformën e pensioneve. “Plakja e shoqërisë do të përkeqësojë skemën. Duhet të ndërhyjmë. Në 2050-ën, sipas raporteve lindje-vdekje, në Shqipëri do të jenë mbi 65 vjeç, 25 për qind e popullsisë. Popullsia po shkon me ritme të shpejta drejt plakjes”, – u shpreh Veliaj. Sipas tij, në Shqipëri janë shumë pak të siguruarit në skemën e sigurimeve shoqërore, prej atyre që sot përbëjnë moshën aktive të popullsisë. Probleme kanë edhe ata që sot janë të siguruar dhe derdhin kontribute shoqërore. “Masa e fitimit është shumë e ulët dhe ka treguar se mund të përkeqësohen raportet me pagat që tregon skema. Skema është e papërballueshme për financat publike. Të njëjtët njerëz njëherë iu duhet të paguajnë sigurime shoqërore dhe njëherë të paguajnë sigurime për të mbajtur skemën gjallë. Kjo është e pandershme në raport me qytetarët”, – theksoi Veliaj. Ndërsa foli për thelbin e reformës dhe përmbajtjen e saj, ministri Erion Veliaj, siguroi të gjithë pensionistët apo ata që janë afër moshës së daljes në pension, që të mos frikësoheshin. Kjo reformë është vërtet e domosdoshme, por nuk do të prekë ata që tashmë janë në pension apo afër tij.
“Çdo pensionist i tanishëm duhet të mos trembet se asnjë e drejtë e tyre deri tani nuk do të preket. Nuk u drejtohet reforma pensionistëve të sotëm, por të punësuarve të sotëm. Kjo nuk cenon të drejtat e qytetarëve që janë afër moshës së daljes në pension. Ky është investim afatgjatë”, – theksoi ministri.
Pensioni tavan

 

Sipas Ministrit të Mirëqenies Sociale, reforma do t’i sigurojë të ardhura çdo të moshuari që nesër do të dalë në pension, si dhe do të heqë pensionin tavan. “Është e arsyeshme të heqim pensionin tavan e t’i jepet e drejta çdokujt të kontribuojë më shumë, nëse do. Reforma konsiston edhe në zhvillimin e skemave alternative të kontributit shoqëror. Është normale që njerëzit të jenë përfitues të disa skemave. Do të ketë benefite të mjaftueshme për të moshuarit. Deficiti mund të reduktohet, duke e bërë skemën të vetëmjaftueshme dhe të përballueshme”, – përmendi Veliaj. Problem i mprehtë sipas ministrit është diferencimi mes skemës së pagesave rurale dhe urbane. “Skema rurale është kthyer në një lloj asistence sociale. Me ndryshimet demografike është e padallueshme, ku fillojnë disa fshatra e disa qytete. Një rrugicë paguan shumë, njëra jo. Kjo është e pandershme për gjithë qytetarët që paguajnë kontribute. Nëse skema qëndron pa u reformuar, atëherë deficiti thellohet”, – theksoi Veliaj.

 

 

Braho: Problemet që ka sistemi aktual i sigurimeve shoqërore

 Sipas drejtores së Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, sistemi aktual ka një sërë problemesh. Midis tyre janë:

 -Skema e sigurimeve shoqërore funksionon sipas parimit “Pay As You Go”, që do të thotë që pensionet që paguhen në një vit financohen nga kontributet e mbledhura po atë vit. Skema e pensionit në Shqipëri nuk është e balancuar financiarisht, pra kontributet e mbledhura nga personat e siguruar nuk mjaftojnë për të paguar përfitimet që jep skema brenda të njëjtit hark kohor (një vit). Kjo paqëndrueshmëri financiare vjen si rezultat i numrit të ulët të kontribuuesve, evazionit (mosdeklarim të punësimit dhe deklarim jo saktë i pagave), numrit relativisht të lartë të pensionistëve krahasuar me moshën e re të popullsisë, moshës së ulët të pensionistëve, si rezultat i daljes së parakohshme në pension në fillim të viteve 90, ndryshimeve demografike, nivelit të papunësisë, nivelit të lartë të emigracionit të personave që janë në moshë pune. Aktualisht deficiti i skemës shkon në 1.5% të GDP-së.

 

-Niveli ende i lartë i evazionit në pagesën e kontributeve, sidomos në biznesin e vogël. Sipas të dhënave nga DPT rezulton që numri i subjekteve biznes i vogël deri në fund të muajit Tetor 2013 ka qënë 57,476, ndërsa numri i të siguruarve në këto biznese – 79,706 persona ose 1.38 persona të siguruar për një biznes. Ky tregues është i ulët, pasi shumica e biznesit të vogël është e pamundur të funksionojë me një person. Gjithashtu, numri i bizneseve të vegjël në gjykimin tonë është më i lartë se 57,476.

 

-Lidhja e dobët midis kontributeve të paguara dhe pensioneve të paguara sidomos të kontribuesve me paga mbi pagën mesatare. Personat që paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore mbi paga të larta kanë shkallë të zëvendësimit të ulët (raporti pension me pagë), gjë që dekurajon qytetarët të deklarojnë pagat reale. Kjo sjell mungesën e incentivave për të deklaruar pagat e vërteta për të punësuarit me pagë të lartë dhe vazhdimin e kontribuimit përtej kushtit për 35 vjet sigurim, pasi nuk ndikon në masën e pensionit.

 

-Masa e pensionit është e vogël dhe e pamjaftueshme për të përballuar jetesën në moshën e tretë.

 

-Komprimimi i pensioneve drejt pensionit minimal që është disincentivues për pjesëmarrje. Pensioni mesatar është pothuajse i barabartë me pensionin minimal, ndërsa paga mesatare është dyfishi i pagës minimale në shkallë vendi. Gjithashtu, pensioni mesatar është i barabartë me të ardhurat minimale si rezultat i kompensimeve të ndryshme që financohen nga buxheti i shtetit (kompensimi i të ardhurave për pensionet minimale).

 

-Për të vetëpunësuarit në bujqësi në varësi të zonës gjeografike (fushore ose malore) pjesa e kontributit që paguhet nga buxheti i shtetit është nga 50% deri në 75% të masës kontributive, krahasuar me të vetëpunësuarit në qytet, të cilët e paguajnë totalisht vetë. Ky subvencion i kontributit për të vetëpunësuarit në bujqësi praktikisht është një subvencion “I fshehur” i skemës së pensioneve nga buxheti i shtetit dhe e kthen pensionin për këtë kategori në një skemë asistenciale.

 

-Diskriminimi pozitiv për gratë që dalin në pension pleqërie 5 vjet më shpejt se burrat, megjithëse jetëgjatësia e tyre është më e lartë se e burrave, çon në rritjen e shpenzimeve të skemës dhe ndikon në deficitin e saj.

 

-Projeksionet e skemës për 50-75 vitet e ardhshme tregojnë një plakje të popullsisë, si rezultat i rritjes së jetëgjatësisë dhe uljes së numrit të lindjeve. Këto projeksione tregojnë që në dekadat e ardhshme deficiti i skemës do të thellohet dhe do të krijojë vështirësi serioze në pagimin e pensioneve për qytetarët që sot janë kontribuues ose do të rrisë subvencionin e skemës nga buxheti i shtetit.

 

-Pjesëmarrja e ulët e forcave të punës në sistemin e sigurimeve shoqërore, 65%, tregues i cili sjell probleme në financimin e pagesave aktuale dhe rrit barrën sociale në të ardhmen. Kjo shkallë e ulët e mbulimit me elementë të sigurimit shoqëror në të ardhmen do të kthehet në një barrë sociale për shoqërinë dhe buxhetin e shtetit. Mospjesëmarrja në skemë nëpërmjet pagimit të kontributeve do të përjashtojë individët në marrjen e përfitimeve nga skema, dhe ata do t’u drejtohen skemave të tjera të financuara nga buxheti si ndihma ekonomike, asistenca të tjera sociale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency