Rrogozhinë Zjarr në burg, asfiksohen 14 të dënuar

0
158

Anxhela Tato

 

 

I dënuari rrëzon versionin zyrtar të shpërthimit të bombolës: Shkaku një shkëndijë elektrike

Flakët shpërthyen në qelinë e seksionit të paraburgimit, përkeqësohet gjendja shëndetësore e 3 të dënuarve

 

 

burgu-zjarrPërfshihet nga flakët burgu i Rrogozhinës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme kur u dha alarmi i zjarrit në njërën nga qelitë e seksionit të paraburgimit. Sipas informacioneve zyrtare të Drejtorisë së Burgjeve shkaku ka qenë shpërthimi i një bombole gazi që është përdorur nga të burgosurit për nevoja personale. Vetë drejtori i burgut të Rrogozhinës në një prononcim për shtyp ka deklaruar se në qeli ndodheshin 4-5 të dënuar në momentin kur ka plasur bombola e gazit. Sipas tij ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve ka çuar në shuarjen e flakëve dhe në stabilizimin e situatës. Sipas Fredi Doksanit 14 prej të dënuarve kanë mbetur të asfiksuar, duke u shoqëruar nën masa të rrepta sigurie në spital. Ndërsa ka mohuar që kjo ngjarje të jetë një tentativë arratisje. “Gjendja është e stabilizuar. Sapo u sinjalizua zjarri kanë ndërhyrë zjarrfikëset dhe janë transportuar për në spital të dënuarit që ishin në gjendje më të rëndë. Flakët janë shuar dhe situata është e qetë. Ky ishte thjesht një incident dhe jo një tentativë arratisje”, – është shprehur Doksani. Ndërkohë policia po punon për të zbardhur shkaqet e ngjarjes. Sipas burimeve të policisë, gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur asnjë shenjë paraprake që mund të paralajmëronte ndonjë revoltë të mundshme të të dënuarve në këtë burg. Sipas burimeve nga policia, zjarri është ndezur nga vetë të dënuarit, ndërsa drejtori i burgut të Rrogozhinës pretendon se ka shpërthyer një bombol e vogël gazi.

 

Reagimi i të burgosurit

Në një lidhje telefonike njëri nga të dënuarit ka rrëzuar versionin zyrtar të Drejtorisë së Burgjeve duke treguar se shkaku i flakëve ka qenë një shkëndijë elektrike, dhe kjo pasi sistemi elektrik është mjaft i vjetruar. “Ka qenë një shkëndijë elektrike dhe ka filluar zjarri. Nuk është e vërtetë që ka ndërhyrë zjarrfikësja, ndihma e parë është dhënë nga ne. Ndërhymë me vrap dhe filluam të shuanin zjarrin. Kanë qenë nja 50 të dënuar në gjendje asfiksie dhe i kemi marrë në krah duke i nxjerrë te hyrja kryesore. Nuk është e vërtetë ai versioni i tentativës së arratisjes dhe situata është shumë e qetë. Nuk e dimë realisht sesi është gjendja shëndetësore, pasi ne jemi brenda në dhomë”, – është shprehur i dënuari.

 

Gjendja shëndetësore

Nga zjarri kanë mbetur të asfiksuar 14 të dënuar, ku 11 prej tyre janë transportuar në spitalin e Rrogozhinës dhe 3 prej tyre për në spitalin e Kavajës. Por përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të 2 prej të dënuarve ka bërë që të shoqërohen me urgjencë për në spitalin e Durrësit. Mësohet se gjendja e një prej të dënuarve është mjaft e rënduar. Drejtori i spitalit të Kavajës, Agron Beu bëri të ditur se në këtë spital po trajtohen 9 të burgosur, prej të cilëve vetëm njëri është në gjendje më të rëndë. Sipas zotit Beu, 8 prej të dënuarve kanë vetëm probleme respiratore, ndërsa njëri ka edhe djegie të gradës së tretë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Sipas drejtorit të spitalit të Kavajës, pacienti me djegie pritet të niset drejt QSUT-së në kryeqytet. Ndërsa efektivë policie të Tiranës dhe Durrësit kanë mbërritur në burgu për nisjen e hetimeve. Pritet marrja në pyetje e të dënuarve dhe stafit të punonjësve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency