Në Milano Rama: Sipërmarrësit italianë ta mendojnë Shqipërinë si një tokë për t’u “pushtuar”

0
138

Gëzim Saliu

 

Kryeministri: “Shqipëria 1 euro”, qira përjetë për sipërmarrësit italianë për objekte si depo dhe baza ushtarake. Batuta: Ejani në Shqipëri, se jemi të pasur, të rinj e të bukur

 

 

Kryeministri-RamaShqipëria është një realitet ekonomik për t’u eksploruar dhe që ofron mundësi të mëdha për sipërmarrësit e huaj. Kështu ka deklaruar dje Kryeministrit Rama në takimet që ka zhvilluar në Milano me sipërmarrësit italianë, ku ka theksuar se objektivi kryesor i Shqipërisë është modernizimi dhe integrimi në Bashkimin Evropian. Në një intervistë për gazetën “La Repubblica”, Rama ka bërë të ditur arsyet e vizitës së dytë në Itali, pak kohë pasi ka marrë detyrën e Kryeministrit, ku pyetjes se pse sipërmarrësit italianë duhet të investojnë në Shqipëri i është përgjigjur me batutë: “Sepse jemi të pasur, të rinj dhe të bukur”. Sipas kreut të qeverisë, në takim përfaqësuesit e biznesit kanë shfaqur interes të madh për Shqipërinë, “pasi nga një anë është dëshira e madhe e ndërmarrjeve italiane për t’u ndërkombëtarizuar dhe nga ana tjetër Shqipëria është një realitet ekonomik për t’u eksploruar dhe që ofron mundësi të mëdha për këto ndërmarrje. Për ndërmarrjet italiane, mund të jetë një tokë e afërt dhe e re për ta “pushtuar”. Dhe këtë, bota e sipërmarrësve italianë e ka kuptuar dhe kontaktet janë intensifikuar”. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se megjithëse në vend ka jo pak ndërmarrje italiane, numri i tyre sipas tij nuk është aq i madh, nëse shohim realitetin e vendeve të tjera të ish-komuniste të Evropës. “Kjo duhet të ndryshojë. Po punojmë edhe me vende të tjera, por objektivi ynë është mbi të gjitha Italia, pasi me ju ekziston një afërsi kulturore, gjuhësore dhe përtej afërsisë gjeografike. Ne u kërkojmë bashkëpunim mbi të gjitha atyre që punojnë në fushën e energjetikës, hidro-elektrikës, pasi në Shqipëri ka një sasi të madhe uji. Pas Norvegjisë, jemi vendi evropian më i pasur me burime hidrike. Por u drejtohem edhe ndërmarrjeve prodhuese, industrisë turistike, që do të mund të fitojnë shumë në brigjet tona të mrekullueshme dhe gjithashtu ata që punojnë në bujqësi dhe në infrastrukturë”, – tha ai. Ndërsa sa u përket burimeve kryesore të Shqipërisë, Rama theksoi se vendi ka pasuri në naftë, minerale dhe shumë burime ujore. “Bujqësia jonë nuk është shumë e zhvilluar, por ka pasuri të madha për tu shfrytëzuar. Dhe mbi të gjitha Shqipëria është një vend me diell, me brigje të mrekullueshëm, ende pak të zhvilluar”.

 

Shqipëria 1 euro

Ndërkohë, në takimin e zhvilluar në selinë e kompanisë “Bosch”, kreu i qeverisë ka deklaruar se Shqipëria është gati për të mirëpritur ndërmarrjet italiane, duke u ofruar hapësira me qira për një euro për të gjithë jetën. “Ne jemi të gatshëm për të mirëpritur sipërmarrësit, duke siguruar objekteve ekzistuese që do të përmirësohen, të tilla si depo dhe baza ushtarake, objekte që do të merren me qira për një euro, kontrata këto që do të zgjasin përgjithmonë”, – ka pohuar Rama, i cituar edhe nga agjencia e lajmeve italiane “Ansa”. Ditën e sotme, Kryeministri do të bëjë një vizitë në Institutin Evropian të Onkologjisë, ku do të takohet me themeluesin e tij, Umberto Veronesi. Sipas këtij institucioni, bëhet me dije se Kryeministri shqiptar ka ndërmarrë iniciativën për të promovuar strategji në parandalimin e sëmundjeve tumorale, mbi të gjitha për sa i përket botës femërore dhe për të favorizuar evolucionin e cilësisë së strukturave sanitare, falë bashkëpunimeve me qendrat e ekselencës ndërkombëtare.

 

 

Integrimi në BE

Rama: Luftë korrupsionit e krimit, reformë në administratë

Në intervistën për “La Repubblica”, Kryeministri Rama ka folur edhe lidhur me prioritetin e qeverisë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, ku bëri të ditur reformat që po ndërmerren në këtë aspekt. “Ne po ecim përpara me programin tonë të reformave: luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi, luftën për korrupsionin, reformat e një strukture administrative të vjetruar, e cila bllokon investimet e huaja si edhe reforma strukturore që i kërkohen vendit tonë për integrimin në BE”. Sipas kreut të qeverisë, këto reforma nuk kanë të bëjnë me emergjenca, “por mbi të gjitha për një program modernizimi që duhet të ndërmarrim. Shqipëria duhet të përshtatet me kohërat e reja dhe më në fund të jetë një shtet evropian, si të gjithë shtetet e tjera”.

 

 

Gjirokastër

Zv.kryeministri Peleshi: Asnjë debitor i CEZ-it nuk do të tolerohet

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, në cilësinë e kryetarit të Task-Forcës për Energjinë Elektrike, deklaroi dje nga qyteti i Gjirokastrës se të gjitha subjekteve private që janë debitore ndaj CEZ Shpërndarjes, do t’u bllokohen numrat e llogarive deri në shlyerjen e detyrimeve. “Faturat e energjisë elektrike janë ekzekutive dhe asnjë subjekt nuk do të tolerohet”, – tha ai. Sipas numrit dy të kabinetit qeveritar, ngritja e kësaj strukture synon shëndoshjen e financave të vendit dhe sfidon mentalitetin të gabuar se shteti është kundër qytetarëve. “Vetëm gjatë muaj dhjetor të vitit të kaluar janë arkëtuar mbi 10 milionë euro nga debitorët. Në këtë sfidë, ne kemi pranë Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit dhe i bëjmë thirrje edhe gjykatave të mbështesin veprimtarinë e Task-Forcës”, – deklaroi Peleshi gjatë mbledhjes së djeshme për krijimin e njësisë operative në qarkun e Gjirokastrës, me pjesëmarrjen prefektes së qarkut si dhe drejtuesve të drejtorive rajonale.

 

 

Premtimi

Zv.ministri i Financave: Shlyerja e borxheve ndaj biznesit nis brenda marsit

Zëvendësministri i Financave, Erjon Luçi, deklaroi dje se shlyerja e borxheve të prapambetura ndaj biznesit do të nisë brenda muajit mars të këtij viti. Duke bërë të ditur se është parashikuar një shumë prej 35 miliardë lekësh, për t’u disbursuar brenda një kohe shumë të shkurtër. Luçi theksoi për ATSH-në se synohet të ketë një shpërndarje sa më homogjene të asaj shume, për pjesën e mbetur të vitit. “Nëse nuk arrihet të disbursohet brenda vitit, ajo shumë do të vazhdojë në vitin që vjen”, – tha ai, duke shtuar se ministria e Financave ka hartuar një strategji për shlyerjen e borxheve të prapambetura. Sipas tij, faturat që kanë një datë më të vjetër ekzekutive ose janë ekzekutuar më përpara do të paguhen më herët. “Radha do të kalohet vetëm për raste shumë të veçanta, që mund të kenë ndikime të drejtpërdrejta në ofrimin e shërbimeve publike të rëndësishme. Në përgjithësi rastet do të ndiqen në bazë të datës”, – tha Luçi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency