Superliga Shqiptare/ Flamurtari zgjedh Levin si trajner të ri, Laçi rinovon me titullarët

0
144

 

Stanislav LeviVlonjatët kanë zgjedhur Stanislav Levin si trajnerin e ri që do të ringrejë skuadrën, ndërsa te Laçi dhe te Partizani janë vënë në lëvizje për rinovimet dhe nënshkrime të reja

Superliga Shqiptare premton spektakël edhe sezonin tjetër. Kjo, pasi mobilizimi i skuadrave në merkato ka filluar herët dhe kjo do të thotë që ekipet po mendojnë të bëjnë investime të rëndësishme që do t’i ndihmojnë në suksesin e sezonit të ri. Flamurtari zgjedh Stanislav Levin si trajnerin e ri. Levi ka gjetur akordin me kuqezinjtë, duke u rikthyer kështu në Superiore, pas pothuajse tre vjetësh. Levi pritet të firmosë këtë të enjte marrëveshjen me Flamurtarin, për të drejtuar ekipin në sezonin 2015/2016. Çeku nga tetori i 2011 deri në korrik të 2012-ës ka drejtuar Skënderbeun në superiore, ku fitoi dhe titullin kampion, ndërkohë që më pas u transferua te Slask Vroklav në Poloni, skuadër që e kualifikoi dhe në kompeticionet evropiane. Ndërkohë që me vete në këtë skuadër mori dhe sulmuesin Sebino Plaku. Prej shkurtit të 2014-ës, Levi ishte pa asnjë skuadër dhe ka punuar si drejtor teknik pranë klubit qipriot të Omonia Nikozias përpara se të vendoste të ulej sërish në stol, këtë herë në Superiore, me skuadrën e Flamurtarit. Edhe Laçi po bën lëvizjet e veta. Presidenti i Laçit, Pashk Laska, blindon dy elementë të rëndësishëm të formacionit kurbinas, që kërkoheshin nga skuadrat më të mira në vend, Marko Cetkoviç dhe Miroslav Vujadinoviç. Mesfushori dhe portieri malazez janë të parët që kanë rinovuar kontratën për sezonin e ardhshëm, çka tregon se drejtuesit kurbinas kanë ambicie të mëdha jo vetëm për aventurën evropiane. Ky është vetëm fillimi, sepse presidenca laçiane do të vijojë me rinovimet e lojtarëve të tjerë, me synim për të ruajtur grupin që arriti të ngrinte lart Kupën e Shqipërisë, një sukses ky i merituar për formacionin e Armando Cungut. Gjatë merkatos së dimrit Laçi rinovoi edhe me James, i cili po kërkohej me ngulm nga Partizani. Pasi të mbyllë rinovimet me futbollistët aktualë, presidenti Laska do të tentojë ta përforcojë skuadrën me të tjerë elementë cilësorë, për të ndërtuar një grup solid për sezonin e ardhshëm. Ndërkohë mbrapa nuk është as Partizani që synon të lërë gjurmë në Europa League duke kaluar të paktën një raund, objektiv që konsiderohet më se i arritshëm nga presidenca e kuqe. Pas dorëheqjes së Shpëtim Duros, drejtimin e 15 herë kampionëve të Shqipërisë e mori Sulejman Starova, i cili ka nisur menjëherë nga puna për ndërtimin e një skuadre të fortë, fillimisht duke mbushur boshllëqet që krijoi largimi i Cucullit dhe Emiliano Vilës. Në krahun e djathtë të mesfushës është piketuar Gilman Lika, një futbollist me shumë eksperiencë në futbollit shqiptar, i cili tërhiqet shumë nga ideja për të spikatur në Europa League me Partizanin. 28-vjeçarit i ka përfunduar kontrata me Vllazninë, kështu që një ofertë të mirë nga të kuqtë do ta merrte në konsideratë. Burime pranë kampit të kuq sigurojnë se marrëveshja me Likën është arritur, ndaj pritet vetëm zyrtarizimi. Pak ditë më parë mediat sportive në vend zbuluan se Sebino Plaku është takuar me presidentit Demi, për të parë mundësinë e një bashkëpunimi, por për momentin sulmuesi 30-vjeçar nuk e ka pranuar ofertën e Partizanit për të veshur fanellën e kuqe. Me sa duket ai do te studioje te gjitha ofertat nga ekipet e Superligës dhe ne fund do te vendose. Për sa i përket mbrojtjes, ku në dyshim për të ardhmen pas largimit të Cuculit është Rrahmani, objektiv mbetet Ditmar Bici, i cili gjatë pjesës së dytë të kampionatit është stërvitur te Tirana. Dështimi i Tiranës për të luajtur në Evropë rrit shanset që transferimit të 26-vjeçarit te të kuqtë.

 

 

Kielini i dëmtuar, në rrezik për finalen

Juventusit dhe repartit të mbrojtjes duket se u janë hapur probleme para finales së Ligës së Kampioneve. Xhorxho Kielini është larguar nga stërvitjet gjatë ditës së mërkurë. Italiani ka probleme fizike duke vënë në dyshim pjesëmarrjen e tij në finalen e të shtunës në Berlin kundër Barcelonës. 30-vjeçari ka qenë i rëndësishëm për bardhezinjtë këtë sezon dhe mosluajtja e tij do të ishte një goditje e rëndë për “Zonjën e Vjetër”. “Kielini është detyruar të largohet nga fusha me një dëmtim të kofshës së majtë. Gjendja e tij do të ekzaminohet të enjten”, – thuhet në deklaratën e Juves.

 

Abrashi firmos me Frajburgun

Amir Abrashi nuk është më pjesë e skuadrës zvicerane Grasshopers. Mesfushori punëtor i kombëtares së Shqipërisë ka arritur marrëveshje me ekipin gjerman SC Frajburg, ku do t’i bashkohet si lojtarë i lirë. “Zyrtarisht jam pjesë e Frajburgut. Jam i lumtur me aventurën e re. E kam parë nga afër qytetin dhe klubin dhe më ka pëlqyer shumë. Unë jam i kënaqur që jam pjesë e këtij klubi”, – deklaroi Abrashi. Lojtari kuqezi u largua nga Grasshopers si lojtarë i lirë pas pesë viteve me plot suksese në skuadrën bardhë e kaltër ku ka fituar edhe një Kupë të Zvicrës. Ai ishte kërkuar edhe nga dy skuadrat zvicerane Young Boys dhe Bazeli, por në fund vendosi për Frajburgun që e ka humbur këtë edicion statusin e skuadrës elitare në Bundesligë.

 

Pogba ka zgjedhur Barcelonën

Pol Pogba kishte mundësi të zgjidhte ndër skuadrat më të mëdha në botë dhe si duket e ka vendosur që të luajë në Barcelonë. Talenti bardhezi ka marrëveshje me Barcelonën për t’u transferuar te katalanasit gjatë muajit janar të vitit 2016. Barcelona është e dënuar nga FIFA për moskryerjen e transferimeve deri në vitin 2016 dhe për këtë arsye nuk do të mund të transferojë futbollistë gjatë verës. Sipas “Daily Star”, Pogba është i gatshëm të pres gjashtë muaj apo një vit vetëm që t’i bashkohet Barcelonës. Për shërbimet e super mesfushorit francez interesim kishin shprehur edhe skuadrat e tjera të mëdha, si: Real Madrid, Paris Sent Zhermen, Mançester Junajtid, Mançester Siti dhe Çelsi.

 

Benitez i përlotur: I lumtur që do të drejtoj klubin që dua

Në lot dhe tepër i emocionuar. I tillë ka qenë prezantimi i Rafa Benitez në krye të stolit të Realit të Madridit. 55-vjeçari, i cili karrierën si trajner e ka nisur pikërisht në klubin madrilen, u shpreh i lumtur për rikthimin e tij tek “Los Blancos” pas 20 vitesh: “Është një ditë shumë emocionuese për mua, pasi po rikthehem në shtëpi. Vërtet nuk kam fjalë ta përshkruaj atë që ndiej. Do të jap maksimumin për Realin e Madridit dhe shpresoj të fitojmë sa më shumë trofe të jetë e mundur. Kam besim tek ky ekip dhe jam i bindur se do t’u rikthejmë besimin edhe tifozëve”. Më tej fjalën e morri presidenti i mbretërorëve Florentino Perez, i cili thuri elozhe për teknikun e ri të galaktikave: “Rafa Benitez është një ndër trajnerët më të mirë në botë, është profesionist dhe e njeh mjaft mirë ambientin madrilen, pasi është rritur me këto ngjyra. Kam besim se ai do të arrijë t’u marrë më të mirën lojtarëve. Ne jemi një klub me kërkesa të mëdha që nuk kënaqemi asnjëherë. Po nisim një kapitull të ri me bindjen se Benitez do ta rrisë potencialin e kësaj skuadre”. Rafa Benitez është trajneri i 4-t në historinë e Realit, që ka lindur pikërisht në Madrid, dhe duket se kësaj here Perez ka vendosur t’ia besojë stolin dikujt që këtë klub e ka në zemër më shumë se kushdo tjetër.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here