Vendimi në grupin e PS-së Emrat e anëtarëve të Komisionit për reformën territoriale

0
120

Gëzim Saliu

 

Fino, Klosi, Subashi, Ulqini, Marto dhe Kopliku janë emrat e përzgjedhur nga socialistët

 

mbledhja e grupitGrupi parlamentar i Partisë Socialiste në mbledhjen e djeshme ka vendosur për emrat që do të përfaqësojnë partinë më të madhe në vend në komisionin për reformën administrative territoriale. Në mbledhjen e zhvillua me dyer të mbyllura në selinë e PS-së, deputetët socialistë, në bazë edhe të vendimit të parlamentit për ngritjen e komisionit bipartizan për reformën që do ndryshojë hartën administrative të Shqipërisë,  zgjodhën 6 emrat që do i përfaqësojnë në këtë komision. Sekretari i PS-së për pushtetin vendor Bashkim Fino, sekretar organizativ i PS-së Blendi Klosi, , deputetët Armando Subashi, Musa Ulqini, Namik kopliku dhe Andrea Marto janë emrat që janë zgjedhur dje nga grupi parlamentar i PS-së. Megjithëse opozita ende nuk e ka bërë këtë përzgjedhje e nuk pritet që ta zhvillojë, nisur nga fakti se mazhoranca nuk i ka marrë parasysh kërkesat e  saj për konsensus në ccdo etapë të proccesit dhe rikthimin e konsensusit nga për disa cështje të rëndësishme si nëpunësi civil, mazhoranca ka vijuar procesin normalisht.

 

Reforma

Pas votimit me vetëm votat e mazhorancës për ngritjen e Komsionit Parlamentar për reformën administrative territoriale , të majtët kanë vazhduar përgatitjet për nisjen e punimeve. Grupi i PS-së ka përcaktuar 6 emrat që do ta përfaqësojnë në Kuvend e ndërkohë priten dy emrat e grupit parlamentar të LSI-së për të përmbushur numrin e 8 anëtarev të mazhorancës. Por ndërkohë emrat e 8 anëtarëve të opozitës duket se nuk do paraqiten as këtë javë, pasi opozita ka kërkuar  më parë konsensus në ccdo etapë të proccesit e rikthim të konsensusit për një sërë ligjesh me shumicë të cilësuara, të shkelura sipas saj nga mazhoranca. Nga ana e tyre,  të majtët kanë bërë të ditur përmes sekretarit organizativ të PS-së Blendi Klosi se krahas të drejtës së vetos dhe numrit të barabartë të anëtarëve në komision, nuk kanë ndërmend të plotësojë kërkesat e tjera të opozitës. Klosi pohoi dy ditë më parë se i takon opozitës të reflektojë pasi sipas tij,: “U kërkua veto, ajo u dha. U kërkua numër i barabartë anëtarësh, ajo u dha. U kërkua që kjo reformë të shkëputej nga axhenda politike dhe të bëhej axhendë e qytetarëve, kjo nuk po jepet. Jemi në pritje të kompromisit”. Po ashtu, deputeti socialist ka rinënvizuar numrat e mazhorancës në Kuvend, duke theksuar se pritet dakordësimi i opozitës për këtë ccështje.  “Ne kemi 3/5 e votave në parlament por është gjithashtu e vërtetë që ne kemi shprehur të gjithë vullnetin që opozita të jetë pjesë e kësaj reforme. Opozitës i kemi afruar që të ketë gjysmën e anëtarëve ne komision, gjithashtu i kemi afruar që të ketë edhe të drejtën e vetos për çdo vendimarrje të këtij komisioni, ndërkohë nga ana e partisë demokratike vazhdojmë të kemi qëndrime refraktare”. Më parë, kreu i PD-së Lulzim Basha ka theksuar se konsensusi në çdo etapë të procesit dhe veçanërisht “rikthimi i konsensusit të shkelur në mënyrë të përsëritur nga mazhoranca janë të domosdoshme për një reformë eficiente, të pranueshme dhe të qëndrueshme”. Kreu i PD-së u shpreh i prerë dhe në qëndrimin e tij se Komisioni për reformën territoriale-administrative është i pavlefshëm pa rivendosjen e plotë të parimit të konsensusit, duke theksuar se PD dhe opozita shqiptare nuk do ta njohin kurrë produktin pa konsensus të këtij komisioni.

 

 

Aleati i PS-së

Milo: Na takon përfaqësimi në pushtetin qendror, pse refuzova postin e ambasadorit

Kryetari i PDS-së, Paskal Milo deklaroi dje se pret përfaqwsimin e partisë që drejton në pushtetin qendror si zbatim të marrëveshjes paraelektorale të lidhur mes PS-së dhe aleatëve. “Mbështetur në termat e marrëveshjes para zgjedhjeve ne na takon, siç është thënë dhe shkruar që të përfaqësohemi në pushtetin qendror gjithnjë brenda atyre parametrave të caktuar, kur në ato qarqe që është marrë 500 vota e lart të ketë mundësi. I mbështur në këto terma Demokracia Sociale merr vëmendje për t’u përfaqësuar në pushtetin qendror. Ne për disa muaj kemi pritur me shumë kujdes, kemi ndjekur situatën me vëmendje, kemi parë dinamikën e zhvillimeve politike, vëshirtësitë në të cialt është ndeshur qeveria deri më tani, dhe të themi të drejtën nuk kemi luajtur rolin e kapricioziut në këtë rast”, tha Milonë emisionin “Tete e tete” në “A1 Report”. Ndërkohë, kreu i PDS-së ka komentuar edhe refuzimin e postit të ambasadorit, ku tha se,: “Personalisht nuk mund të shkoja në një pozicion tjetër politik përpos anëtarit të qeverisë dhe këtë e kam bërë të qartë që në muajin korrik të vitit të kaluar. Nisur edhe nga përvoja ime politike, unë mund ta përfaqësoja Shqipërinë si ambasador në një vend të caktuar, por unë kam refuzuar jo se nuk kam dashur të shkoj, por kam refuzuar një ofertë të tillë në parim, sepse mendoj se jam më i vlefshëm të jem në Shqipëri, të punoj këtu, të vë në lëvizje kapacitetet e mia intelektuale dhe profesianale, sesa të shërbej jashtë. Edhe pse ky është një shërbim shumë i vlefshëm dhe i çmuar për vendin”.

 

 

Reforma administrative

Swoboda: Duhet konsesus mes palëve

Kryetari i Grupit të Social-Demokratëve në Parlamentin Europian, Hannes Swoboda theksoi dje domosdoshmërinë që mazhoranca e opozita të gjejnë gjuhën e përbashkët për reformën administrativo-territoriale dhe reforma të tjera për arritjen e standardeve dhe kritereve evropiane. Në një konferencë të përbashkët me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, eurodeputeti tha se,: “Unë vij nga Austria, vend që e ka bërë këtë reformë diku 40-50 vite më parë. Pa dashur të kritikoj Shqipërinë duhet të them se ju jeni të vonuar në realizimin e kësaj reforme dhe ajo duhet bërë sa më parë. Gjatë bisedimeve që kam pasur me Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe liderin e opozitës unë nuk shoh që të ketë një pengesë në arritjen e një kompromisi në kryerjen e kësaj reforme”. Ndërkohë, kryeparlamentari Meta theksoi angazhimin e mazhorancës për të punuar bashkë me opozitën për reforma të rëndësishme dhe çdo sfidë tjetër që është e përbashkët.  “Eshtë shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme realizimi i reformës administrative dhe territoriale, komisioni garanton numër të barabartë si për mazhorancën dhe opozitën. Asnjëherë më parë nuk ka patur një ofertë të tillë për opozitën. Eshtë vetëm në interesin e qytetarëve shqiptarë dhe unë shpresoj që opozita të kontribuojë në përmbushjen e kësaj reforme”,- u shpreh Meta.  Ndërsa lidhur me vendimin e BE-së për statusin kandidat, Swoboda deklaroi dje se ndihej i zhgënjyer që Shqipërisë nuk iu dha statusi i kandidatit.  “U zhgënjyem që Shqipërisë nuk iu dha statusi kandidat dhe mosdhënia e statusit nuk ka të bëjë me punën që bëri qeveria kohët e fundit, por me probleme të brendshme të BE-së. Mendoj se është e rëndësishme të vazhdohet me reformat për arritjen e standardeve dhe kritereve evropiane. Është shumë e rëndësishme të ketë bashkëpunim mes opozitës dhe mazhorancës dhe shoqërisë civile. Eshtë e rëndësishme që Europa t’i kuptojë ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri dhe ti japë statusin kandidat. Shqipëria është një vend evropian dhe duhet respektuar si i tillë” .

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency