Atentatet me eksploziv Ngërçi i hetimit, mosidentifikimi i përdoruesit të kartës SIM

0
235

Anxhela Tato

 

Bllokohet hetimi për 12 raste, kompanitë celulare nuk kanë të dhëna për zotëruesit e kartave

 Artan Didi: Kompanitë celulare nuk u përgjigjen kërkesave të policisë për të përparuar në hetime

 

 

 artandidi-256x350Mosidentifikimi i zotëruesve të kartave SIM është një ndër ngërçet e zbardhjes së atentateve me eksploziv. Në pjesën më të madhe të rasteve, kartat SIM janë në emër të personave, të cilët nuk i kanë më në përdorim, por nuk mungojnë as rastet kur numri i celularit është i paregjistruar, duke e bërë të pamundur zbulimin e përdoruesit të tij. Kjo problematikë çon në bllokimin e hetimeve për rastet kur lënda plasëse ka qenë e telekomanduar. Duke mos qenë i mundur identifikimi i pronarit të kartës, organi i akuzës ngec në zbulimin e personave të përfshirë ose që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Ky problem ndodh pasi në pjesën më të madhe të rasteve kompanitë celulare nuk ndjekin procedurën, duke bërë thjesht shitjen e numrit, pa e regjistruar dhe pa marrë të dhënat personale të blerësit. Gjithashtu, ka mjaft raste kur karta figuron në emrin e një personi, i cili prej kohësh nuk e përdor më. Ndërkohë, kompanitë celulare nuk kanë të dhëna për përdoruesit aktualë, duke ia vështirësuar punën policisë dhe prokurorisë. Ky ngërç ka bërë që 12 dosje hetimore të jenë bllokuar. Sipas organit të akuzës, rezultojnë 12 raste atentati me eksploziv vetëm brenda muajit janar. Por për sa u përket hetimeve ato ndodhen ende në fazën e verifikimeve paraprake. Karta SIM e gjetur bashkë me një pjesë të lëndës plasëse në disa prej rasteve i përkiste një personi që nuk e përdorte më, i cili mund ta kishte shitur, duke mos kryer çregjistrimin në kompaninë celulare, por në tri prej rasteve ka rezultuar se karta SIM ka qenë pa emër pronari. Ndërkohë, një problematikë tjetër për organin e akuzës është moslënia e gjurmëve të gishtave. Kjo ndodh, pasi autorët përdorin doreza, duke mos mbetur asnjë gjurmë identifikuese.

 

Mekanizmi

 Për sa i përket mekanizmit, është konstatuar se lëndët plasëse instalohen kryesisht gjatë orëve të mesnatës, kur automjeti ndodhet i parkuar. Duke shfrytëzuar errësirën dhe mungesën e dëshmitarëve, autorët e kanë shumë të thjeshtë që të veprojnë, duke vendosur nën automjet lëndën plasëse, e cila në pjesën më të madhe të rasteve është tritol C4. Automjeti mbahet gjatë gjithë kohës në vëzhgim nga bashkëpunëtorë të autorëve, të cilët i rrëfejnë gjithë lëvizjet që bën makina. Kryesisht, karta SIM është e lidhur me lëndën plasëse, duke e marrë komandën e shpërthimit nga një celular. Për sa u përket pistave të hetimeve në 12 raste kryesojnë konfliktet ose borxhet e shënjestrës së atentatit, ndonëse disa prej atentateve më të bujshme kanë mbetur ende të pazbardhura për shkak të mungesës së provave.

 

Kreu i policisë

Vetë kreu i Policisë së Shtetit ka fajësuar kompanitë telefonike për shkelje të proceduarve dhe mosregjistrimin e numrave. Artan Didi theksoi se ka nevojë për përmirësime ligjore dhe se shitja e kartave të telefonit pa kontroll mbetet problem. “Siguria publike përgjithësisht është një situatë normale sigurie. Ka vërtet shqetësimet e veta dhe një fenomen që po bëhet i shpeshtë është përdorimi i lëndëve eksplozive. Ka pista të ndryshme dhe ne po hetojmë. Një nga këto është problemi i shitjes së kartave nga kompanitë e telefonisë celulare. Po e shikojmë edhe në aspektin e përmirësimeve ligjore. Ka nevojë për përmirësim në kohë që kompanitë celulare nuk i përgjigjen kërkesave të policisë për të përparuar në hetime lejon që kartat e tyre të shiten pa kriter. Ne jemi në fazën e hetimeve dhe nuk mund t’ju them më. Nuk bëhet fjalë për trafik të lëndëve eksplozive sepse ne lëndët eksplozive i kemi këtu që nga 1997. Bizneset që kryejnë punime në rrugë apo veprimtari minerare përdorin eksploziv. Situata e kontrollit nuk është në masën e duhur. Një nga masat që do marrim është ta vendosim këtë kontroll nën masat e policisë”, – u shpreh Didi.

 

 

Operacioni “Luks”

Sekuestrohen 80 automjete, dyshohet se janë të vjedhura

 Bllokohen nga policia 80 makina të markave të ndryshme, pasi dyshohet se janë të vjedhura. Aksioni është zhvilluar nga policia gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë Tiranën, në kuadër të operacioni të koduar “Luks”. Lajmi është bërë i ditur nga burimet zyrtare të policisë së Tiranës, të cilët thanë se gjatë dy ditëve janë kontrolluar rreth 250 mjete, për të cilat dyshoheshin se mund të ishin të vjedhura apo me mangësi në dokumente. Aksioni i policisë është bazuar në planin operacionial mbi rritjen e sigurisë publike, parandalimin e veprimtarisë kriminale, parandalimin e çdo veprimtarie të paligjshme, strukturat e policisë do të përqendrohen edhe në drejtim të kapjes së personave në kërkim, si dhe për menaxhimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë në të gjithë akset rrugore. “Në sajë të masave në shkallë qarku, deri më tani janë kontrolluar dhe janë kryer verifikimet përkatëse për rreth 250 automjete të ndryshme, nga të cilat janë bllokuar 80 automjete, pasi dyshohet se disa prej tyre janë të vjedhura dhe disa pa dokumentacion të rregullt”, – thuhet në njoftimin e bërë nga policia e Tiranës. Gjithashtu, uniformat blu të Tiranës kanë bërë të ditur se do të vazhdojë me intensitet dhe në ditët në vijim zbatimin e masave të ndërmarra në kuadër të këtij plani operacional.

 

Mat

E zë masivi i gurit, humb jetën minatori

 Një minator ka gjetur vdekjen në thellësitë e tokës në një galeri private në rrethin e Matit. Sipas policisë, minatori Kujtim Liçi, 35 vjeç, babai i dy fëmijëve nga fshati Bejn, është zënë nga një masiv gurësh, teksa po punonte në galerinë e një miniere private. Ngjarja u shënua në minierën e Cërujës në Mat, ndërsa mësohet se trupi i 35-vjeçarit është nxjerrë nga miniera dhe është dërguar në morgun e spitalit të Burrelit. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave.

 

 

Farkë

Gjendet fetusi i një foshnje, hetimet në 2 pista

 Një foshnjë është gjetur e pajetë dhe e hedhur në afërsi të digës së liqenit të Farkës në periferi të Tiranës. Policia është sinjalizuar paraditen e së premtes nga disa punëtorë që punonin aty pranë. Ekspertët e mjekësisë ligjore gjatë ekspertizës së kryer në morgun e Tiranës zbuluan se bëhej fjalë për një foshnjë të porsalindur të seksit mashkull. Policia ka sekuestruar regjistrat e lindjeve të ditëve të fundit në maternitetet e kryeqytetit, edhe pse dyshimet kryesore janë për një lindje të kryer në kushtet e shtëpisë. Inspektorët e policisë janë porositur për të vlerësuar informacionet në zonat përreth vendit të ngjarjes për të mësuar shkaqet dhe autorët e ngjarjes makabre. Policia po heton në dy pista: atë të një foshnje të ngjizur nga një lidhje jashtëmartesore ose të ndonjë foshnje që ka vdekur pas lindjes dhe për shkak të besëtytnive të disa zonave të vendit, flaket për të mos u varrosur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency