Eksploziv makinës Vdes në spital biznesmeni, shkak, hemorragjia e brendshme

0
121

Anxhela Tato

 

 Sekuestrohen pamjet filmike të kamerave të sigurisë, kërkohet zbardhja e tabulateve telefonike

 Pista e hetimit, konfliktet personale të 48-vjeçarit Xhemal Çela, merren në pyetje 21 persona

 

automjeti i djegur Xhemal cela makine shperthim eksplozivHumb jetën biznesmeni Xhemal Çela, shënjestër e atentatit me eksploziv paraditen e së enjtes në Durrës. Biznesmeni, i cili u shtrua me urgjencë në Spitalin Ushtarak, nuk ka mundur t’u bëjë dot ballë plagëve të marra. Xhemal Çela ka pësuar hemorragji të brendshme dhe pavarësisht nga ndërhyrja e mjekëve ai nuk ka mundur të mbijetojë. Rreth orës 14:00, biznesmeni i ndërtimit Xhemal Çela ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak, për shkak të plagëve të marra. Burime nga grupi hetimor pohojnë se pista kryesore e hetimit mbetet ajo e konflikteve të mundshme që mund të ketë pasur 48-vjeçari Çela, ndërsa hedhin poshtë mundësinë që atentati të ketë të bëjë me çështjet e ndërtimit. Ndërkaq, policia ka grumbulluar të gjitha pamjet filmike të kamerave të sigurisë afër vendit të ngjarjes, ndërsa u ka kërkuar kompanive celulare zbardhjen e tabulateve të biznesmenit me persona të tjerë. Në komisariat janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 21 persona që mund të kenë në lidhje me ngjarjen. Hetuesit e çështjes sqaruan se autorët e krimit e kishin vendosur sasinë e tritolit poshtë automjetit, në krahun e shoferit dhe se shpërthimi është realizuar në distancë. Ai u transportua në gjendje kome drejt Tiranës pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin e Durrësit.

 

Ngjarja

 Një shpërthim i fuqishëm ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve në zonën e Plepave në Durrës, teksa kanë parë një makinë në lëvizje të përshirë nga flakët. Të alarmuar kanë njoftuar menjëherë policinë dhe kanë tentuar që t’i afrohen automjetit. Ka qenë një grua, e cila i është afruar drejtuesit të automjetit “Citroën C4” për t’i dhënë ndihmë. Ndërhyrja e saj ka bllokuar qarkullimin rrugor dhe ka sjellë reagimin e qytetarëve të tjerë. Ndërsa dy fëmijë tregojnë për policinë se personi që ndodhej brenda në makinë ka dalë në rrugë dhe ka nisur të eci. “Ai ishte i gjakosur dhe doli nga makina duke lëshuar ofshama dhimbjeje. Atij iu këput këmba dhe dora dhe ra në tokë dhe vetëm lëshonte pasthirrma nga dhimbjet që kishte. Makina vazhdonte të digjej, ndërsa erdhi policia dhe e morën me ambulancë”, – pjesë e dëshmisë së një të mituri. Nga të dhënat e policisë mësohet se biznesmeni ishte në ecje e sipër kur makina ka shpërthyer. Në këto momente ai ka tentuar që t’i ndryshojë shpejtësinë me qëllim që të dilte. Por automjeti ka ndryshuar kahun e drejtimit dhe është përfshirë i gjithi nga flakët. Dyshimet e bluve janë se lënda plasëse ka qenë e telekomanduar dhe ende nuk specifikohet sasia e eksplozivit. Sipas policisë ka dyshime që kjo ngjarje mund të jetë për shkak të rivaliteteve në fushën e ndërtimit. Por nuk mohohet as dyshimi i borxheve, duke qenë se ka aludime se Xhemal Çela kishte marrë shuma të mëdha lekësh hua. Ndonëse kjo e fundit mbetet vetëm një aludim. Biznesmeni Çela është babai i tre fëmijëve me origjinë nga Gramshi. Ai është transferuar shumë herët në Durrës, ku është marrë edhe me aktivitetin e ndërtimeve.

 

 

Tregtim ilaçesh

Pranga kushëririt të Arben Imamit, Prokuroria nuk u vu në dijeni

 Prangoste i afërmi i Arben Imamit për tregtim të paligjshëm medikamentesh, ndërsa task-forca e Prokurorisë nuk është në dijeni. Nga ana e forcave të policisë është trumbetuar si një sukses arrestimi i 50-vjeçarit, të cilit i janë sekuestruar një sasi medikamentesh, por nga ana tjetër Prokuroria nuk ka zhvilluar asnjë lloj hetimi, duke mos pasur informacion nga blutë, çka është një detyrim ligjor. Në deklaratën për mediat policia bën të ditur se pas hetimeve të kryera nga ky sektor, u arrit dokumentimi i kësaj veprimtarie të paligjshme për veprat penale të tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë dhe ruajtjen apo depozitimin e mallrave kontrabandë. Në kuadër të këtij operacioni, uniformat blu bën të mundur arrestimin në flagrancës të 50-vjeçarit Bardhyl Imami, banues në Tiranë. “Ky shtetas dyshohet se për një periudhë 3-vjeçare ka ushtruar aktivitetin e kontrabandës në tregtimin e ilaçeve, me origjinë nga Italia. Nga hetimi gjithashtu është dokumentuar implikimi i tij, në shpërndarjen dhe tregtimin ambulator të farmacive të ndryshme në Tiranë. Po ashtu ky shtetas, dyshohet se tregtonte edhe medikamente për shërbim spitalor falas”, – sqarohet në deklaratën e policisë. Në cilësinë e provave materiale, 50-vjeçarit iu sekuestrua një sasi e konsiderueshme ilaçesh të ndryshme për shërimin e diagnozave të diabetit, zemrës, tensionit, syrit, antibiotik etj., medikamente të cilat arrijnë e vlerën e 11 mijë eurove. Sipas policisë, po ashtu, këtij shtetasi iu u sekuestrua një shumë e konsiderueshme parash, si 700 mijë lekë të rinj; 5500 paund; 7500 euro; 100 dollarë si dhe një automjet në pronësi të tij.

 

 

Lojërat e fatit

Bllokohet një pikë e paligjshme, e maskuar si zyrë

 Efektivët e komisariatit numër 3 në Tiranë kanë bllokuar një pikë të paligjshme e lojërave të fatit në kryeqytet, e cila kishte pamjen e një zyre, por realisht funksiononte si një pikë lojërash fati. Operacioni përfundoi pasditen e djeshme, kur policia sekuestroi 15 monitorë e 17 kompjutera, në një ambient pranë stacionit të trenit në Tiranë. Në kuadër të operacionit “Fund marrëzisë”, për bllokimin dhe sekuestrimin e lojërave të fatit dhe pikave të basteve që kanë ushtruar aktivitetin e tyre të paligjshëm në vend, u bllokuan qindra subjekte dhe u proceduan penalisht pronarët e tyre.

 

 

Kukës

Në kërkim për krime, arrestohen 2 persona

Janë ndaluar në doganën e Morinit të rrethit të Kukësit dy persona, Ali Pali dhe Gëzim Sejfullahu, që rezultonin në kërkim nga policia për vepra të ndryshme penale. Burime zyrtare nga policia e Kukësit thanë se Ali Pali, 51 vjeç, u ndalua nga policia kosovare në doganën e Vërmicës. Ndalimi i tij është bërë pasi gjatë regjistrimit duke shkuar në Kosovë nga verifikimi në sistem rezultoi person i shpallur në kërkim nga Gjykata e Lushnjës, pasi në 25 maj 2013 kishte caktuar ndaj tij, masën e arrestimit për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”. Gjithashtu, në doganën e Vërmicës është ndaluar edhe Gëzim Sejfullahu, 19 vjeç, nga Peshkopia dhe banues në rrugën “Jordan Misja” të Tiranës. Ky person ishte i shpallur në kërkim për veprën penale të vjedhjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency