Pretenca Ilaçet e skaduara, kërkohet dënimi me 5 vite burg për 4 punonjëse të maternitetit

0
195

Sonja Caka

 

Zbulimi i abuzimeve, gjatë një kontrolli rutinë të sektorit të financave të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në farmacinë e tyre

 

maternitetiProkuroria e Tiranës paraqiti dje konkluzionet përfundimtare për katër ish-punonjëse të maternitetit “Nëna Geraldinë”, duke kërkuar dënimin e tyre me 5 vjet burg në total. Katër të pandehurat akuzohen për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të dokumenteve”. Konkretisht, nga akuza u kërkua dënimi me nga 18 muaj burg për Marije Dobrën, ish-farmaciste në maternitet dhe Vitore Zhupën, ish-ndihmësfarmaciste; si dhe nga 12 vite burg për Dashuri Kadeshon, ish-kryemami dhe Lirie Shehajn, ish-kryeinfermiere. Sipas akuzës, këto shtetase kanë falsifikuar blloqet e hyrje-daljeve të medikamenteve dhe pajisjeve të nevojshme spitalore, duke shkaktuar një dëm financiar për spitalin, e cila është provuar në shumën e mbi 700 mijë lekë të reja. Hetimi ka provuar gjithashtu se në farmacinë e spitalit janë gjendur në mënyrë të kundërligjshme medikamente të skaduara që në vitin 2008, por që në fletëhyrje është bërë si datë skadence viti 2010. Gjithsesi, nuk provohet që këto medikamente të skaduara të jenë përdorur tek pacientët, por provohet që sasia e këtyre ilaçeve të skaduara është përdorur për të mbuluar abuzimin financiar me medikamente të tjera, të cilat janë nxjerrë në mënyrë të paligjshme dhe për përfitim monetar nga ana e të pandehurave.

 

Kallëzimi penal

 Kallëzimi penal u bë nga vetë drejtuesit e maternitetit, pasi sektori i Financës së SUOGJ ”Mbretëresha Geraldinë” Tiranë, gjatë një kontrolli rutinë të rastësishëm të ushtruar në lidhje me administrimin e medikamenteve dhe materialeve të mjekimit nga farmacia nëpër repartet e këtij spitali, ka vërejtur pasaktësi në dokumentimin dhe lëvizjen e vlerave materiale. Konkretisht nga konstatimet paraprake gjatë ushtrimit të kontrollit ka rezultuar se, për periudhën 1.1.2009-1.6.2009, kishte mospërputhje dhe korrigjime midis (1) dokumenteve origjinale që dispononte farmacia dhe që ishin dorëzuar në financë për kontabilizim dhe shkarkim nga llogaria, (2) kopjeve që mbaheshin në farmaci dhe (3) kopjeve të cilat i dispononin repartet, për sasitë e medikamenteve dhe materialeve të mjekimit të furnizuar nga farmacia. Me fjalë më të thjeshta, në dokumentet origjinale (të depozituar në financë nga farmacia) janë shtuar shifra “0” dhe “1” ose janë fshirë fare shifra që

përfaqësonin sasitë që ishin kërkuar ose që kishin tërhequr në fakt repartet.

 

Kontrolli

Nga kontrolli në fjalë është konstatuar se këto veprime kanë sjellë një dëm ekonomik në vlerën 262.785 lekë. Duke u nisur nga ky fakt dhe, në bazë të urdhrit të brendshëm datë 20.7.2009, ”Për inventarizimin e farmacisë”, është kryer inventarizimi i magazinës së farmacisë nga komisioni i inventarizimit i përbërë nga shtetasit, të cilat janë emëruar pranë farmacisë pas largimit nga detyra të të kallëzuarave. Nga inventarizimi kanë rezultuar diferenca mangut në vlerën totale 755.351 lekë (përfshirë dhe shumën 262.785 lekë të përmendur më sipër), të cilat përbëjnë dëm ekonomik. Nga relacioni mbi kontrollin e befasishëm të kryer në farmaci dhe reparte, ka rezultuar se janë konstatuar mospërputhje dhe korrigjime midis dokumenteve origjinale të dorëzuar në Financë nga Farmacia dhe dokumenteve kopje që gjendeshin nëpër reparte. Ndërsa nga relacioni i përpiluar nga Komisioni i Inventarizimit, kanë rezultuar një sërë shkeljesh. Nga krahasimi i gjendjes faktike me gjendjen kontabile të vlerave materiale, për datën 20.07.2009, kanë rezultuar diferenca (tepër në vlerën 980.063 lekë dhe mangët në vlerën 7.422.653 lekë). Gjatë periudhës së kryerjes së inventarizimit në Farmaci janë sjellë nga përfaqësues të operatorëve ekonomikë kontraktues furnizime me medikamente dhe materiale konsumi mjekësor të cilat kanë qenë bërë hyrje më përpara, por nuk ishin gjendje faktike. Në Farmaci ka pasur mall tepër të pakontraktuar si rezultat i furnizimit mbi sasinë e kontraktuar. Janë gjetur fatura tatimore të cilat nuk ishin bërë hyrje dhe që i referoheshin kontratave të lidhura më përpara në kundërshtim me ligjin nr. 6942, datë 25.12.1984, “Për administrimin, ruajtjen, dokumentimin dhe qarkullimin e vlerave monetare dhe material”. Janë gjetur medikamente të bëra hyrje në farmaci në datën 1.8.2008, me datë skadence qershor 2008 (pra janë bërë hyrje të skaduara ndërkohë), në një kohë që sipas kontratave të furnizimeve (në përputhje me kushtet e prokurimit të tyre) data e skadencës ka qenë gusht 2010. Për një sërë medikamentesh nuk është gjetur asnjë dokumentacion financiar ku të pasqyrohen daljet e tyre nga farmacia, si dhe shkelje të tjera të shumta të cilat janë përshkruar me hollësi në relacionin e kontrollorëve.

 

Si funksiononte marrja e ilaçeve

 Pasi mjekët përcaktnin mjekimet që duhet të merrnin pacientët, stafi i reparteve (kryemami, kryeinfermiere etj.) përcaktonte llojet dhe sasinë e medikamenteve dhe materialeve mjekësore që nevojiteshin për t’u tërhequr në farmacinë e SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”. Më pas, në përputhje me llogaritjen e mësipërme, në bllokun e tërheqjes së barnave në kolonën “Sasia e kërkuar” shënohen me hollësi llojet dhe sasia e barnave të kërkuar. Ky bllok firmoset nga kryeinfermierja dhe shefi i shërbimit. Më pas blloku dërgohet në farmaci nga kryemamia dhe lihet atje me qëllim që stafi i farmacisë të nxjerrë barnat e kërkuara. Pasi nxirren këto barna stafi i farmacisë njofton kryemaminë që të shkojë dhe t’i tërheqë ato. Kolona “Sasia e dorëzuar” plotësohet nga farmacistja ose ndihmës farmacistja në përputhje me barnat që bëhen dalje nga farmacia për çdo kërkesë që është bërë (ka raste kur sasia e dorëzuar ndryshon nga sasia e kërkuar për rrethana të ndryshme objektive të tilla si mungesa e ndonjë medikamenti të kërkuar etj.). Secila nga fletët e bllokut është në tre kopje nga të cilat kopja e parë është origjinali ndërsa dy kopjet e mëpasme janë kopjativ (pra gjithçka që shkruhet në fletën origjinale pasqyrohet automatikisht në dy kopjet e tjera). Farmacia, pasi bën dalje medikamentet sipas procedurës së mësipërme, mban kopjen origjinale dhe kopjen e dytë ndërsa kopjen e tretë ia jep kryemamisë që ka tërhequr barnat dhe kjo kopje – pra kopja e tretë – qëndron në repartin përkatës. Normalisht përmbajtja e kopjes që rri në farmaci duhet të jetë e njëjtë me përmbajtjen e së njëjtës kopje (pra kopjes së tretë që është në repartin përkatës) dhe është ky veprim që tregon saktësinë e daljes së barnave nga farmacia për në reparte.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency