Deputetja e PS-së dhe raportuesi i KiE-së Leskaj kërkon heqjen e monitorimit të KiE-së për Shqipërinë. Evans: Na bindni me reformat

0
128

Gëzim Saliu

Ministri i Jashtëm, Bushati: Ambicie për përfaqësim dinjitoz në KiE. Drejtorja e Përgjithshme Taylor: Shqipëria ka bërë progres të madh gjatë 15 viteve

 

leskaj, bushati, KiEKryetarja e delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputetja e PS-së, Valentina Leskaj, kërkon heqjen e monitorimit të KiE-së për Shqipërinë. E pranishme në konferencën e organizuar dje nga Ministria e Jashtme “Shqipëria në KiE nga asistenca në partneritet”, ligjvënësja socialiste theksoi se një vend si Shqipëria, që pret të marrë statusin e kandidatit për në BE në dhjetor, nuk duhet të jetë më nën ombrellën e KiE-së. “Është koha që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat në BE. Raporti i PE-së në shtator theksoi se zgjedhjet ishin të drejta dhe të lira. Gjithashtu, qeveria ka në qendër të punës së saj respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Rasti i protestës për armët kimike tregoi se në Shqipëri ekziston liria e demonstrimit dhe vendimmarrja e qeverisë tregon një qasje të re. Gjithashtu, Parlamenti ka qasje të re për sa u përket hapësirave dhe marrëdhënieve me opozitën”, – tha Leskaj. Ndërkohë, raportuesi për Shqipërinë nga Asambleja Parlamentare i Këshillit të Evropës, Jonathan Evans, tha se për të plotësuar këtë kërkesë, Shqipëria duhet të realizojë reformat. Duke nënvizuar rëndësinë e realizimit të reformave në drejtësi, të drejtat e minoritetit dhe luftën kundër korrupsionit, ai tha: “Sapo është konfirmuar që Shqipëria e sheh shumë qartë destinacionin e vet si anëtare e BE-së. Roli ynë është që të bindemi nëse këto angazhime janë realizuar”.

Konferenca

Për ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një përfaqësim më dinjitoz në Këshillin e Evropës. “Shqipëria ka ambicie për një përfaqësim më dinjitoz brenda radhëve të Këshillit të Evropës, pasi ka eksperiencën për të ofruar asistencën e saj”, – u shpreh ministri, duke shtuar se Shqipëria është ndër ato vende që ka zbatuar detyrimet që burojnë nga KiE-ja dhe ka zbatuar jurisprudencën e Strasburgut. Në konferencën e djeshme, ku merrte pjesë edhe Drejtorja e Përgjithshme e KiE-së, Verena Taylor, e cila nënvizoi në fjalën e saj se Shqipëria ka bërë progres të madh gjatë këtyre 15 viteve që është anëtare KiE u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes akademisë diplomatike të kësaj Ministrie dhe shkollës shqiptare për studime politike. “Sot kemi firmosur një marrëveshje bashkëpunimi mes Akademisë Diplomatike të MPJ-së dhe Shkollës Politike të KiE-së. Vendi ynë ka ambicie për një përfaqësim sa më dinjitoz në institucionet e KiE-së. Akademia jonë diplomatike po përgatit njerëz të aftë për të na përfaqësuar”, – u shpreh ministri Bushati. Ndërkohë, raportuesi për Shqipërinë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Jonathan Evans, kërkoi bashkëpunimin mes qeverisë e opozitës për reformat. Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetarja e delegacionit shqiptar në KiE, Valentina Leskaj, tha se KiE e ka asistuar Shqipërinë në procesin legjislativ, përpara se të bëhej kërkesa për t’u anëtarësuar në këtë organizatë. “Asistenca e KiE-së për Shqipërinë ka qenë përmes Komisionit të Venecias, me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, konventat ndërkombëtare dhe përmes përmirësimit të legjislacionit vendas”, – pohoi ajo, duke shtuar se monitorimet e zgjedhjeve kanë qenë shumë të vlefshme për të kryer reforma mbi raportet zgjedhore. Në këtë kontekst, Leskaj theksoi se është kaluar nga marrëdhënie asistence mes Shqipërisë dhe KiE-së, në marrëdhënie partneriteti, duke nënvizuar se është koha që Shqipërisë t’i hiqet monitorimi.

 

 

Kush është KiE?

Këshilli i Evropës, me seli në ndërtesën e “Palais de l’Europe” në Strasburg, Francë, është organizata politike e parë dhe me shtrirje më të gjerë në Evropë. E themeluar në 1949 nga 10 anëtarët themelues, tani mbulon pothuajse tërë kontinentin Evropian me 47 shtetet anëtare të saj. “Qëllimi ynë kryesor ka qenë gjithmonë të garantojë dinjitetin e popujve dhe qytetarëve të Evropës duke zbatuar respektimin e vlerave tona themelore: demokracia, të drejtat e njeriut dhe shteti ligjor”, – thuhet në faqen zyrtare të KiE-së në Shqipëri. Institucionet kryesore të KiE janë Komiteti i Ministrave, Sekretari i Përgjithshëm, Asambleja Parlamentare, Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Konferenca e OJQ-ve Ndërkombëtare. Komiteti i Ministrave është organi vendimmarrës i përbërë nga ministrat e Punëve të Jashtme të të gjithë shteteve anëtare, organ ky që merr vendim edhe për statusin e vendit kandidat në BE.

 

Takimi me ministren e Integrimit

Drejtoresha e KiE-së: Të gatshëm për asistencë në përmbushjen e standardeve dhe objektivave

KiE do të mbështesë Shqipërinë për të përmbushur objektivat që ka vënë në kuadër të procesit të integrimit të vendit. Kështu ka deklaruar dje drejtorja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës (KiE), Verena Taylor, në takimin e zhvilluar me ministren e Integrimit, Klajda Gjosha. “Ju sigurojmë se plani ynë është të punojmë bashkë, sepse këtë që ju po bëni e bëni në radhë të parë për vendin tuaj, prandaj jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë për të përmbushur standardet dhe objektivat që ju keni vënë”, – tha Taylor. Më tej, drejtorja e KiE-së kërkoi që bashkërisht të bëhen vlerësime të projekteve të zbatuara deri tani për të cilat është ofruar asistencë. Nga ana e saj ministrja e Integrimit Klajda Gjosha theksoi se dikasteri që ajo drejton dhe qeveria janë të fokusuar në përmbushjen e prioriteteve të vendosura nga Komisioni Evropian. “Këshilli i Evropës ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në Shqipëri. Ne jemi të fokusuar në 5 prioritetet e lëna nga Komisioni dhe për këtë ka një plan konkret masash, por nga ana tjetër po koordinojmë me ministritë e linjës edhe për prioritete të tjera të rëndësishme të qeverisë si infrastruktura, mjedisi, energjia. Janë prioritete që i shërbejnë zhvillimit të vendit”, – tha ministrja e Integrimit.

 

 

KE: Statusi kandidat i mundshëm, përfitimet e Shqipërisë me marrjen e tij

Komisioni Evropian e cilëson si të mundshëm marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në mesin e muajit dhjetor, por nënvizoi se vendimi përfundimtar u takon vendeve anëtare. Peter Stano, zëdhënësi i komisionerit për Zgjerim, Stefan Fyle, bëri të ditur dy ditë më para në një intervistë për ATSH-në se Shqipëria ka përmbushur kushtet që kanë të bëjnë me marrjen e statusit të vendit kandidat. “Kjo ka bërë që Komisioni Evropian, në Paketën e tij të Zgjerimit të publikuar në muajin tetor, t’u rekomandonte shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Veç kësaj, reformat e ndërmarra që prej ardhjes në pushtet të qeverisë së re janë inkurajuese. Ne gjykojmë se marrja e statusit të vendit kandidat është i mundshëm, por megjithatë vendimi përfundimtar u takon vendeve anëtare”, – tha ai. Ndërkohë lidhur me përfitimet e Shqipërisë prej statusit, Stano bëri të ditur: “Marrja e statusit të vendit kandidat do të jetë një hap më shumë, që e çon Shqipërinë më pranë Bashkimit Evropian. Përveç kësaj ne jemi të bindur që marrja e statusit do të nxisë më tej Shqipërinë për të vazhduar procesin e reformave të integrimit Evropian. Progresi në zbatimin e këtyre reformave do të sillte përfitime të menjëhershme për qytetarët shqiptarë. Ndër përfitimet që do të vinin nga marrja e statusit mund të përmendnim përmirësimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, menaxhim të shëndoshë financiar, mbrojtje sociale, siguri ushqimore, mbrojtje të mjedisit, e shumë përfitime të tjera, që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve shqiptarë”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency