Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. “Standard” nis publikimin çdo fundjavë të letrave
Kjo letër i kushtohet profilit dhe historisë rreth Luigj Gurakuqit, një kërkesë që frati pukjan ia shtron Mustafa Krujës për t’u njohur me historinë e vrasjes së patriotit. Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.
I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, çdo fundjavë publikon disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.
***
Graz, me 9 qershuer 1952
I dashuni mik,
Sot e mora letren e shkurtë tanden. Mjerisht paska hupë letra e eme e mbrame qi të pata nisë me 5 príll. Jam shndosh, njashtu si deri tash, pse perndryshej as vetë nuk dijshem se shka me mendue tjeter, veçse a mos po jé i lig, njashtu si Ti paske mendue per mue.
Desht Zoti e letren e mbrame po e gjêj të shkrueme në brutta-copia në nji teftér të keq e prandej po vêhem edhe nji herë me e kopjue, e shpresoj se nuk ka me kenë teper ndryshej prej letres s’eme të nisun me 5 príll e të hupun kush e din se ku neper valët e Mesdheut apo në ranen e shkretís afrikane.Prá po i lidhim pêjt e këputun të letershkëmbimit t’onë. Kshtu të pata shkrue në letren e hupun:
“Shum interesant puna e shkopit të Gurakuqit kundra Konicës. S’e kuptoj veç se si Konica mujti me i hjedhë Gurakuqit fjalët: Ç’janë ato intriga italjane?” Luigji e tjerë nacjonalista bashkëpunojnë me Wiedin kundra Esatit, i cili âsht i ndihmuem e i prujtun prej Italjanvet, e si mund t’i hidhet Luigjit kjo fjalë?
Mbasi po i kemi fjalët te Konica, po due me të pvetë prap per tê. Më ké pasë shkrue në nji leter të perparshme se si në 1913, në rasen e nji vizite s’ate te Esati, ky të paska pasë dhânë me kndue nji shpallje të hartueme prej Faik Konicës, mikut të madh të Pater Gjergj Fishtës! Shka âsht kenë e shka ka permbajtë kjo shpallje, të cilen ti po n’at leter e thirrshe “nji akt tradhtije”?
Prap në të njajten leter më ké pasë folë per shum patriotë sikurse “Midhat Frasheri, Faik Konica, Mehdi Frashëri, Abdyl Ypi e Dervish Hima, qi i sjellin shpinen Ismajl Kemalit e bâhen me Esat Toptanin”. Si âsht e mundun kjo punë, kursè Esat Pasha ishte qýsh at herë i njohun si tradhtar i çashtjes shqiptare?
Mbasi po më bjen me permendë ktu Ismajl Kemalin, due me të pvetë a ka dijtë ky shqyp apor jo? D.m.th. a ka dijtë me folë shqyp?
Prap per Gurakuqin edhe nji pyetje. Në letren e parambrame më pate shkrue per punë të shuplakës qi Luigji i çveshë Xhemil Be Vlorës. Kshtû m’a pate tfillue punen: “Xhemili lëshoi nji fjalë të randë kundrejt Shkodranit, i tha ushak, tyrqisht, qi don me thânë shërbtuer, laquet. Shkrepte në lidhnít qi kishte Luigji me Smajlin. Gurakuqi u çue si rrufeja e i mbet me nji paravesh turîjvet”. Kjo fjalë e randë e fyese kundra Gurakuqit a nuk vritte nemose indirekt edhe Smajl Kemalin? Kjo fjala laquet ktû a âsht prej fjalës franceze laquais a por âsht ndoj fjalë tjeter? “Shkrepte në lidhnít qi kishte Luigji me Ismajlin”. Kjo lidhnija patriotike e Luigjit seri si me u cilësue me nji shamje kso dore? Apor ndoshta vetë nuk e kam kuptue plotsisht thânjen t’ ande: “Shkrepte në lidhnít qi kishte Luigji me Ismajlin”. Shka kupton ti me fjalën lidhní?
Të pata bâ perpara nji pyetje, së cilës ti s’i pate dhânë fort randsí e prandej edhe i pate kenë pergjegjë krejt shkurt e si pergjysë. Pyetja e ême ishte e shprehun në ket mndyrë: “A e kanë fajin e madh Shqyptarët në farosjen e elitës shqiptare apor Serbët e Titos, qi paten krejt sundimin në dorë deri në verë 1948”?
Vetë e mendoj punen kshtu. Serbët me zi që kanë pritë ket rasë të volitshme me farosë të gjith Shqyptarët qi janë kenë anmiq të politikës së tyne që prej 1912 e tektej. Me fjalë tjera, ata kanë mbytë çdo patriot shqiptar, pse nji patriot shqiptar nuk ka si mos me kenë antiserb. Mbas mendimit t’em prá, Enver Hoxha me klyshat e vet të kuq, s’ka bâ tjeter veçse me çue në vend urdhnat e Belgradit qi prá, simbas mendimit t’em, e ka plotsisht fajin e shfarosjes s’ elitës shqiptare. Prá, po t’ ishte i vertetë ky mendimi i êm, përgjegjsín e shfarosjes do t’a kishin Serbët e jo aq Shqiptarët. Mue më duket si t’ ishin kenë serbët qi me caktue listen e atyne qi do të mbyten. Se mandej dora shqiptare vetë i vringllote plumbat kundra shqyptarve, nuk e ndrron aspak pergjegjsín e Serbvet. Ket mendim e kam pasë formue ka dit. Me gjithkta, qysh se kam marrë letren-traktat tanden mbi Kongres të Lushnjes, kam fillue disi me e ndrrue ket mendim. Mbas gjaset, edhe po t’mos ishin kenë urdhnat e Belgradit, do t’ishin kenë Shqiptarët vetë qi me u derdhë trûtë vllazenve të vet shqyptarë. Si thue ti? Heren tjeter m’i pate kenë pergjegjë ksaj pyetje me kto fjalë: “Po ti si s’priton, bre burrë, me i shtimë vetes kujdes se kush i ka mâ tepër në shpirt e kush do t’a lajë mâ shtrêjt n’atë jetë apo në ketê jetë gjakun e të pafajshëmvet shqyptarë e gjithë të zezat e bâme në Shqipní, a Slavët qi kanë dhânë drejtimet, apo shqiptarët qi i kanë zbatue në detaje? Me ket pergjegje nuk pata kenë kondend, pse mbas ksaj pergjegje pata dijtë e kuptue, njaq sa pata dijtë e kuptue perpara saj.
Sa per punë të dokumentit qi bjen Giannini mbi Kongresin e Lushnjes në made të kufijvet, ké me mujtë me pvetë ndojherë Zogun, qi sugurisht do t’a mbajë nder mend ket punë kaq të randsishme.
Më ké pasë shkrue nji herë permbi Shtete të Bashkueme e mbi Ëilsonin, gjoja se ktij do t’i dihet në kje se Shqypnija nuk humbi në rasen e Konferencës së Paqit në Paris. A janë kenë Shqyptarët e Amerikës qi e kanë influencue Ëilsonin apor kah i erdh kjo simpatí e madhe Ëilsonit per Shqypnín t’onë? Në numrin e mbram të FLAMURI thotë Athanas Gegaj: “Mons. Bumçi e Át Fishta i u drejtuen Benediktit XV qi të nderhynte me auktoritetin e tij moral pranë Shtetevet në favor të Shqipnís. Ktu ndërhyni Amerika. Me 10 Fruer Ëilson terhoqi vrejtjen se uniteti shqiptar ishte ndamë në kundershtim me propozimin e tij… etj, si do t’a kesh lexue edhe ti vetë. Ku do t’a ketë gjetë Athanazi ket faktin se Bumçi e Fishta i u sollen Benediktit XV? Per çashtjen e Korçës e të Gjinokastrës ka pasë shkue Bumçi te Papa, kjo âsht e sugurtë, pse Bumçi vetë e ka pasë parashtrue ket fakt në Hyll të Dritës.
A ka pasë marrë pjesë edhe Fan Noli në Kongres të Lushnjes?
A ka fmij tjerë Zogu, apor të vetmin Skënderin, qi i pat lé në Shqypní para 13 vjetve?
Kto pra janë kenë pvetjet qi të pata bâ në letren e mbrame qi paska hupë. Ndoshta ka kênë edhe ndonji pyetje tjeter, të cilen vetë nuk e kam të shkrueme në brutta copia, por mue nuk më bjen nder mend asnji.
Sot po të pyes edhe per Hasan Dostin. Shka âsht kenë ky perpara? A ka kenë Minister në kohen e Italjanvet apor jo? Mue më duket se njiherë më pate shkrue ti kshtu. Si âsht qi tash ai po na del patriot aq i madh e po i ka punët në pupa qi me i a pasë nji mbret lakmí? Perpara botës ai paraqet Shqypnín, pse i vetmi Komitet Shqyptarësh i njoftun para botës âsht Komiteti Shqiperija e Lirë e ai âsht kryetari i tij. Prej kah âsht ky Hasan Dosti? A âsht edhe ky Toskë apo prej kah âsht? Kta Toskët më duket se në çdo situacjon po dijn me u ambjentue menjiherë.
A e pate blé a jo at historín per të cilen të pata shkrue në nji nder letra të përparshme?
Po e mbylli ket leter e shpresoj se ka me të rá në dorë.
Shum shndet e të mira t’uron
Miku i yt
- P. MargjokajO.F.M.
Ramleh, 18 Qershuer 1952
I dashuni mik,
Po gzohem. Sa për letrën qi paska hupun, na pastë marrë të keqen e faleminderës Zotit qi s’paska qênë gjâ mâ e ligë.
S’paska mujtun Faik Konica me paditun nji patrijot si Luigj Gurakuqin me ato fjalë qi të kam shkrue? Paj duhet me e pasë njohun e me e njohun Konicën. Cili shqiptar s’ka qênë për tê tradhtuer, intrigant, vagabond, kusar, ignorant et. et.? Ai Luigjit s’i ka lânë vênd as në vorr, se jo mâ kur ishte gjallë. Frasa e lëshueme prej tij Gurakuqit, veç, ka qênë, si e mbaj mênd un, kështu: “Ç’janë ato, intriga italjane a?”
Dokumenti i shkruem prej Faikut qi më pat dhânë mue Esati me këndue, ka qênë shpallja e qeverisë (kam nisun me përdorë këtë formë orthografije tash, jo mâ qeverís… kur s’harroj!) esadiste në Durrës kundra asaj s’Ismail Kemalit në Vlonë. Fjalët “nji akt tradhtije” i a kam pasë thânë vetë Esatit në gojë kur më pyeti se si po më dukej.
Si âsht e mundun qi X-i, Y-i e tjerë, qi të kam shkrue vetë, të kenë bashkpunue me Esat Pashën? E mundun ka qênë e âsht qyshse âsht nji fakt. Spjegimin e këtij fakti mund t’a gjêjsh, ofshé!, në krejt historinë e kombit t’onë deri në ditt qi po jetojmë. Si âsht e mundun qi nji Mojsi të tradhtojë Skënderbegun e Shqipninë e fenë për Tyrqit? E Hamza, i nipi? E Lekë Dukagjini qi i vûni pritë me e vramë? Shêmbuj tjerë të hershëm e të vonë kërko e gjêj vetë.
Ismail Kemali e ka folë shqipen për bukurí.
Ti e ke marrë vesht fare mirë ça të pata shkrue për incidentin Luigj-Xhemil, posë atje ku t’a paskam ngatrrue lâmshin vetë me nji gabim orthografik : nuk dij si Buenën më paska shkue dora me shkrue laquet, për laquais! Lidhní, un e kam përdorë për relacjon. Pa dyshim fjala e Xhemilit kundra Gurakuqit ka vramë edhe Ismailin, por ai s’kishte aso edukate me e mendue këtê si ti.
Në çashtjen e përgjegjsisë sërbo-shqiptare komuniste për plojën mbi patrijotët t’anë, un prap kisha me t’u përgjegjun me nji pyetje, tue u mahitun: a i a ka fajin pyllit spata apo bishti? Por mbasi për tý paska rândsí ajo punë, qe se edhe un po t’a kallzoj mendimin t’em. Âsht nji pikë tepër e vështirë me e damë pa dokumenta aqë imtë si don ti. A i kanë shënue emnat për t’u prishun Sërbt a Shqiptarët vetë. Njerzit për t’u prishun i ka njohun aqë mirë Enveri me shokë sa edhe Dushani me të vett, ndoshta ata mâ t’ultët mâ mirë të parët se të dytët. Interesë me i mbytun kanë pasë të dý palët, njâna edhe si komuniste edhe si sërbe, tjetra si komuniste e si klikë qi ka damë me qëndrue në fuqí me çdo kusht. Daje ti tash se cila anë del mâ fajtore. Për mue janë Shqiptarët. Ti, kur bâhet nji vëlla i yt shoq me nji anmikun t’ând për me të mbytun, vllau pse don me qênë vetë i parë në familje e me e shfrytue për vete pasuninë e përbashkët e anmiku pse, tue shtimë grindje e gjak në familje âsht mâ i sigurtë se do t’a gzojë pjesën tjetër të pasunisë (Kosovën) qi ka grabitun e madje shpreson se mund t’a grabisë n’atë mënyrë edhe pjesën qi ka mbetun, kê kishe me bâmë në këtë rasë mâ fajtuer, anmikun a t’ând vlla?
Për kundrështimin qi kam me Gianninin, mbasi ka nji rândsí historike, tash kam me u interesue në Romë e në Paris pale a ka për të qênë e mundun me xjerrë gjâ për fushë. Persona qi më kshillon ti âsht vetë e interesueme e un për historí e të vërtetën përgjithsisht s’vullnohem dosisdo.
Besoj se në muej të gushtit qi vjen kam me qênë vetë në të dý kryeqytetet qi përmênda. Fjala âsht se Mbreti, e me tê edhe un, do të nisemi për Amerikë e do t’a lâmë Egjiptin në gusht. Unë vetë s’do të rrijë pa u ndalë ase shkue edhe n’Italí për shumë arsye të mija. Ti, në t’u dashtë me folë mbi kët’udhtim kur të më shkruejsh, fol vetëm për mue, se këtuhja ka censurë.
Ëilsoni ka qênë nji shtetar mjaft idealist për aqë sa kam dije un për tê. Pa dyshim mbi problemat e Shqipnisë ka qênë informue si prej së vetsh, ashtu edhe prej Shqiptarve të çdo kategorije nëpër të vett. S’âsht, pra, çudë, qi nji kryetar Shteti i cili e ka qitun cekën me i dalë zot së drejtës t’a ketë përkrahun Shqipninë qi s’lypte tjetër, veç së drejtës së vet. Gegaj ndoshta e ka gjetun atë fakt qi shënueka të botuem në ndonji ndër libra qi janë botue mbi luftën e parë botore e paqën qi erdh mbas saj. Sa për Bumçin, Fishtën e Papën të kam shkrue edhe un mâ parë aqë sa dij.
Fan Noli s’ka pasun si me marrë pjesë në kongresin e Lushnjes, mbasi ka qênë n’Amerikë. Kështu nemose e dij un.
Mbreti s’ka djalë tjeter as vajzë posë Lekës.
Hasan Dostin e kam zgjedhun un vetë për ministër të drejtësisë në qeverinë t’eme. Ka bashkëpunue disa muej me mue e ka dhânë dorhjekjen bashkë me ministrin e partisë fashiste, Jup Kazazin, të birin e Muharrem Agë Kazazit prej Shkodret, s’mbaj mênd sa muej para se me u tërhjekun un vetë. Shkaku i dorhjekes së tyne pat qênë ky: qe reshtue nji grup komunistash 6 vetësh me bomba e revole në Fier e gjyqi i posaçëm i pat dënue të gjashtë me dekë, në bazë të ligjvet qi vetë Hasani kishte nënshkrue si minisitër i drejtsisë. Ishte e para rasë dënimi kapital kundra komunistave. Un vëndosa me lypun faljen e jetës për tre, gjysën e të dënuemvet. Dy dorhjeksat deshën qi t’u falshin të gjithë. Un me shumicën e ministravet, posë treve, ndër të cilët Hasani e Jupi, ramë deri në nji me u prishun, sa me dhânë të parën provë qi për komunistat ka edhe dekë. Por ata dy as me kaqë s’u vullnuen, e dhanë dorhjeken. Kështu ka qênë puna e Hasanit. Tash mos më pyet edhe për këtê se si u bâka. Bâhet, lum miku, në politikë gjithça mund të bâhet! Hasani pat hŷmë, madje ishte qyshë kur e mora un për ministër, në Ballin Kombtar. E kjo cilsí dhe zotsij’e tij opurtuniste e çuen në krye të komitetit t’onë të famshëm.
Hasan Dosti âsht nga nji familje e vjetër kardhiqjote, jo beg, por agë, nj’ashtu si Kazazët e tjerë në Shkodër a shtëpitë e para të katundevet edhe në Gegní, si me thânë Ndrejajt a Kaloshët e Dibrës. Mashkujt e Kardhiqit (qarku i Gjirokastrës) i ka pasë premë Ali Pasha në 7 vjeç e përpjetë, me gjithë të parin e Hasanit. Ky do të ketë lemë prej ndonji mashkulli qi ka pasun fatin mos me u gjindun atëherë në Kardhiq. Për mâ shumë se kaq ke kohë mjaft me marrë vesht mbi bijografinë e Hasanit.
Librin qi më shkrove ti e kemi porositun me anën e nji librarije të këtushme tash dy muej në Paris, se këtuhja me Austrinë, as me Gjermaninë s’paska lidhje për punë librash. Por kurrgjâ deri tash. Âsht çashtje paresh e valutash. Un i thashë Mbretit e n’emën të tij vota vetë në librarí e porosita dý copë, nji për tê e nji për vete. Kështu pra qëndron puna.
Kur t’i gjêjsh letrat e mija pa qortime me pêndë, dije se janë të pashikueme, nj’ashtu si kanë dalë, se pritoj me i këndue shkrimet e mija për miq. Kështu tash jam tue t’a nisun edhe këtê.
E me kaqë e njimijë shëndete e të mira
Mustafa