Diploma false Ministri Tahiri: 10 studentë italianë të hetuar

0
64

Anxhela Tato

 

Intervista: Studentët e huaj të diplomuar në universitet shqiptare, pa ndjekur leksionet

Thirrja e ministrit Tahiri, studentëve shqiptarë: Stop blerjes së diplomave jashtë shtetit

 

sajmir-tahiri-e1364556150129“Nuk duam turizëm me diploma të blera. Këta studentë fantazma po hetohen për korrupsion, shpërdorim detyre si dhe për krime të tjera”, – pjesë nga intervista e ministrit të Brendshëm në të përditshmen italiane “La Repubblica”. Ministri Tahiri ka thënë se janë me dhjetëra studentë italianë të diplomuar në universitetet private në Shqipëri, por që në fakt nuk i kanë ndjekur leksionet. “Janë rreth 10 studentë italianë të hetuar në Tiranë, pasi janë diplomuar nga universitetet private shqiptare, pa ndjekur asnjë leksion. Nuk duam turizmin e diplomave të blera. Këta studentë fantazmë po hetohen për korrupsion, shpërdorim të detyrës dhe krime të tjera. Edhe Renzo Bossi është një prej rasteve”, – tha për “Radio 24” ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. “La Repubblica” shkruan më tej se Tirana zyrtare ka ndërmarrë një operacion për të verifikuar të gjitha bizneset e universiteteve private. Lidhur me këtë, ministri Tahiri shprehet në radion italiane: “Verifikimin e standardeve të universiteteve do t’ia besojmë një shoqërie ndërkombëtare. Studentët fantazma janë një dëm i madh për të gjithë. Janë me dhjetëra studentë italianë, rreth të cilëve jemi duke hetuar, që kanë marrë diploma në shkencat sociale, pa qenë të pranishëm në auditorë as edhe një ditë të vetme”. Por ministri i Brendshëm paralajmëron edhe studentët shqiptarë që blejnë diploma jashtë vendit. “Ky do të jetë një vendim administrativ dhe ne jemi duke hetuar edhe për ata persona që shkojnë jashtë shtetit dhe paguajnë për të marrë diplomat”, – ka thënë Tahiri për radion italiane “Radio 24”. I pyetur për mundësinë e revokimit të diplomës, ministri Tahiri tha: “Ky do të jetë një vendim administrativ dhe ne po hetojmë edhe për ata persona të cilët shkojnë jashtë shtetit për të gjetur persona që duan këtë mënyrë diplomimi dhe janë të gatshëm të paguajnë”.

 

Skandali “Bossi”

Vendimi i gjykatës thotë fillimisht se Universiteti “Kristal” është licencuar nga Këshilli i Ministrave në fund të vitit 2005. Ndërkohë, nga mediat e shkruara dhe ato vizive, prej datës 4 maj 2012, janë publikuar të dhëna që hidhnin dyshime për vërtetësinë e kryerjes së studimeve dhe pajisjes me diplomë në shkollën e lartë “Universiteti Kristal” në Tiranë të shtetasve italianë Renzo Bossi dhe Pierangelo Moscaguiro. Fillimisht, këto të dhëna u referoheshin mediave italiane, sipas të cilave, në një kasafortë të ish-kancelarit të “Lega Nord”, shtetasit Francesco Belsito ishin gjetur dokumente të diplomimit në Universitetin “Kristal” të Bossi-t dhe Moscaguiro-s. Konkretisht për të parin, i cili është djali i senatorit italian Umberto Bossi, janë gjetur dokumente të diplomimit për degën “Menaxhim biznesi”, ndërsa për të dytin, dokumente të diplomimit për degën “Sociologji”. Në hetimet paraprake, është kërkuar informacion në Policinë e Shtetit, lidhur me hyrje-daljet e shtetasve italianë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga verifikimi i TIMS, rezultoi se nuk ka regjistrime për hyrje-dalje për shtetasit e mësipërm. Nga sekuestrimi i regjistrave të regjistrimit të notave dhe të tërheqjes së diplomave, ka rezultuar se shtetasi Renzo Bossi, i datëlindjes 8.9.1988 është regjistruar në universitetin “Kristal” për “Menaxhim biznesi”, në vitin akademik 2007-2008, me numër amze 482 dhe është diplomuar për këtë degë në datën 29.9.2010 me numër diplome 272. Madje, notat në diplomë i ka pasur të mira, ndërsa diploma është tërhequr nga shtetasi shqiptar Anesti Deçka. Sipas vendimit të gjykatës, janë pyetur disa sekretare, të cilat, në union, kanë shpjeguar procedurat e regjistrimit, pa raste specifike. Pagesa bëhej në financë, dhe jo në sekretari, ndërsa regjistri themeltar dhe regjistri i notave, bashkë me procesverbalet përkatëse, depozitoheshin në arkiv, e cila, sipas një akti të brendshëm, është përgjegjëse për regjistrimin e studentëve, mbajtjen e dokumentacionit të tyre, nxjerrjen e procesverbaleve të provimit. Për këtë çështje u gjykua sekretarja Jonida Ajazi, e cila firmosi për Renzo Bossi-n. Gjykata pezulloi dënimin me 12 muaj burg.

 

Zvicër, trafik heroine, pranga një kosovari

Rreth 72 kilogramë amfetaminë është sekuestruar në Zyrih gjatë një operacioni të policisë, që çoi në arrestimin e shtatë personave. Ky është konfiskimi më i madh i drogës në Zvicër, e cila shitet kryesisht tek të rinjtë. Sipas policisë, shitja e mallit të konfiskuar në tregun e zi, kap një vlerë mbi 1.5 milionë franga zviceranë. Të dyshuarit kryesorë si posedues të drogës janë një 36-vjeçar nga Kosova, dhe një 39-vjeçar zviceran, të cilët janë arrestuar. Të dy këta persona kanë furnizuar një 36-vjeçar zviceran, i cili organizonte shitjen me të paktën 72 kilogramë drogë, që nga viti 2009 e deri në 2013. Në prangat e policisë kanë përfunduar edhe katër tregtarët e tjerë zviceranë, të cilët bënin shpërndarjen. Në mesin e drogave të konfiskuara janë edhe 1300 doza ekstazi, 200 gramë MDMA dhe një kilogramë marijuanë. Sipas policisë zvicerane, operacioni u parapri nga hetime të gjata dhe ka filluar marsin e kaluar, kur gjatë një kontrolli u gjetën 42 kilogramë amfetaminë. Një nga të dyshuarit kryesorë u arrestua një ditë më vonë në aeroportin e Zyrihut, pasi u kthye nga Holanda në shoqërinë e një 43-vjeçari zviceran, të cilët fshihnin 30 kilogramë drogë në valixhe. Ndërsa pritet marrja në pyetje e të arrestuarve për të zbuluar bashkëpunëtorët në këtë rrjet droge, si dhe destianacionin se nga sigurohet lënda narkotike. Dyshohet se droga do të bëhej pjesë e tregjeve ilegale, me një vleftë financiare prej 1.5 milionë franga.

 

Policia merr në pyetje Ferdinand Ponin, dyshohet për korrupsion për një tender

Merret në pyetje për shpërdorim detyre ish-zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Lajmi konfirmohet nga burime të policisë, të cilat shtojnë se seanca e pyetjeve ka nisur ditën e djeshme në orën 16:00. Ndërsa bëhet e ditur se çështja po hetohet nga krimi ekonomik i policisë së Tiranës. Ende nuk bëhen të ditura rastet konkrete të shpërdorimit të detyrës nga ana e Ponit, por paraprakisht njoftohet se ai akuzohet për dy raste korrupsioni. Ndërkohë dhe vetë Poni ka pranuar se është marrë në pyetje nga policia e Tiranës. “Jam marrë në pyetje si person që ka dijeni për rrethanat e çështjes”, – ka shpjeguar ai. Por më tej nuk ka pranuar të japë detaje rreth çështjes, për të cilën është pyetur. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se janë vënë në dijeni të faktit të marrjes në pyetje të Ponit, por në organin e akuzës nuk ka mbërritur ende asnjë material hetimore. Ndërkohë që bëhet e ditur se në polici është depozituar një material nga ana e Ministrisë së Brendshme, ku janë konstatuar shkelje nga auditi në lidhje me një tender. Pritet që dosja e plotë të përgatitet dhe të dërgohet në prokurori. Poni aktualisht është kryetar i grupit të këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës. Ai ka qenë zv.ministër në qeverinë “Berisha”.

 

Aksidentohet për vdekje kalimtarja

Një kalimtare ka humbur jetën ditën e djeshme në autostradën Tiranë – Durrës, si pasojë e një aksidenti rrugor. 65-vjeçarja Sanie Kurti është përplasur nga një makinë tip “Fiat”, me targa AA 699 DT, në afërsi të Vorës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe kanë filluar punën për hetimin e shkaqeve të aksidentit. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se kalimtarja i ka prerë rrugën mjetit dhe, si pasojë, është aksidentuar duke gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për në morgun e spitalit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore.

 

Makina përfshihet nga flakët, nuk ka të lënduar

Një makinë përfshirë nga flakët në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:15 në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto” në Tiranë. Mësohet se fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur zjarrfikësja për të shuar flakët që përfshinë mjetin. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë për të hetuar ngjarjen dhe shkaqet e zjarrit.