Takimi me McCormack në selinë e PD-së Basha informon ODIHR-in: Mazhoranca bleu votat në Korçë, bojkoti në KQZ e favorizoi, Kolegji mbylli sytë

0
98

 Florenc Drizari

Lulzim Basha: Fatkeqësisht, bojkoti institucional ndaj KQZ-së vazhdon dhe ky bojkot bëri të mundur që sistemi i Apelit të mos funksionojë

 

Foto_nga_takimi_2Një ditë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor i cili rrëzoi kërkesën e demokratëve për përsëritjen e zgjedhjeve vendore në Korçë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ia paraqiti këtë shqetësim shefes së misionit të ODIHR-it në Tiranë, znj. McCormack.

Në takimin që zhvilloi dje më përfaqësuesen e lartë të misionit të ODIHR-it në Shqipëri, z. Basha tha se pikë e parë e bisedës ishte diskutimi për raportin e ODIHR-it për këto zgjedhje dhe për rrugën e mëtejshme për sa i përket problemeve të evidentuara në raport.

Sipas z. Basha, Partia Demokratike është forca politike që organizoi më 23 qershor zgjedhje, të cilat, siç i cilësohen raporti i ODIHR-it, tregojnë një përparim të dukshëm dhe të qartë të përmbushjes së standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këto zgjedhje, sipas Bashës u bënë edhe në kushtet e një bojkoti institucional të KQZ-së dhe në kushtet e organizimit nëpërmjet mjeteve të ndryshme të presionit apo të shitblerjes së votës; të një skeme masive, siç e cilësoi ai, të deformimit të vullnetit të qytetarëve shqiptarë më 23 qershor.

“Dy apo tre muaj më vonë shohim mazhorancën e re, të dalë nga vota e 23 qershorit, tashmë të ngrejë deformimin e vullnetit të votuesve në sistem, nëpërmjet sistemit të shitblerjes së votës, siç u duk qartë me zë dhe figurë në zgjedhjet e Korçës. Ky është ndryshimi mes dy standardeve. Standardit tonë të 23 qershorit dhe standardit të turpshëm të zgjedhjeve të Korçës”, – deklaroi Basha.

 

BOJKOTI I KQZ-SË

Duke folur për takimin që pati me znj. McCormack, Basha vuri në dukje edhe mungesën e kuorumit në KQZ, gjë që, sipas tij, ndikoi edhe në vendimin e Kolegjit Zgjedhor që rrëzoi kërkesën e demokratëve për përsëritjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Korçë. “Fatkeqësisht, bojkoti institucional ndaj KQZ-së vazhdon dhe ky bojkot bëri të mundur që edhe për çështjen e ndjeshme të blerjes së votave në Korçë, sikundër të çdo gjëje tjetër të zgjedhjeve të 23 qershorit, sistemi i Apelit të mos funksionojë e vendimmarrja të kryhet me një shkallë të vetme, siç ishte Kolegji Zgjedhor, i cili fatkeqësisht dje mbylli sytë para asaj që çdokush tjetër në Shqipëri ka parë dhe dëgjuar, blerjes me sistemin e rrjetit kriminal të votave në Korçë”, – deklaroi kreu i opozitës.

 

PËR SISTEMIN ZGJEDHOR

Gjithashtu, Basha sqaroi se informoi zonjën McCormack për të gjitha këto zhvillime, por edhe për vendosmërinë e PD-së për të vazhduar dhënien e kontributit në konsolidimin e një sistemi elektoral i cili bën të mundur zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jo deformimin e vullnetit të zgjedhësve. “Shprehëm shqetësimin tonë të thellë për mosplotësimin, tashmë edhe në kushtet kur kemi të bëjmë me një mazhorancë të detyrimeve ligjore për të plotësuar vendet në KQZ dhe domosdoshmërinë për të vendosur para ligjit për të gjithë përgjegjësitë për organizimin dhe financimin e plotë të sistemit kriminal të shitblerjes së votës në qytetin e Korçës, dhe siç u theksua, të parapërgatitjes, edhe nga materialet filmike që kanë parë qytetarët shqiptarë për ta përdorur këtë masivisht në rastin tjetër më të parë që janë zgjedhjet lokale në Shqipëri. Këto dhe shqetësime të tjera ia bëmë prezente zonjës McCormack dhe shpresojmë që, në bisedën e cila ka qenë jashtëzakonisht produktive, e hapur dhe miqësore, të ketë zanafillë një angazhim i fuqishëm i ODIHR-it, krah për krah me OSBE dhe institucione të tjera për t’i vënë fre paligjshmërisë, arbitratitetit dhe kriminalitetit me të cilën kjo mazhorancë i është përveshur infrastrukturës zgjedhore, zgjedhjeve e votës së lirë si koncept në Shqipëri. Faleminderit!”, – ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ndërkaq, para se shefja e misionit të ODIHR-it në Tiranë të takonte kreun e opozitës, ajo zhvilloi një sërë takimesh edhe me përfaqësues të tjerë të qeverisë, ku në fokus të këtyre diskutimeve ishin rekomandimet e misionit pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe zhvillimi i konsultave për të përmirësuar sistemin zgjedhore dhe klimën politike që ekziston në këtë drejtim.

 

 

 

Meta – McCormack: Riformatimi i KQZ-së, përmes frymës së konsensusit politik

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti në një takim shefen e misionit vëzhgues të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR gjatë zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, znj. Conny McCormack.

Në këtë takim, Meta pasi vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri si një zhvillim tepër pozitiv për demokracinë shqiptare, i shprehu mirënjohjen znj. McCormack për përkushtimin dhe kontributin e saj dhe të misionit vëzhgues të ODIHR-it ndaj standardeve të zgjedhjeve të 23 qershorit, si dhe për rekomandimet e raportit përfundimtar për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Znj. McCormack, pasi shprehu kënaqësinë për punën e Misionit Vëzhgues gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, u shpreh se OSBE/ODIHR është i gatshëm të punojë me institucionet shqiptare, me grupet e interesit dhe me shoqërinë civile për të rritur më tej standardet e zgjedhjeve të ardhshme, me fokus kryesisht në rritjen e kapaciteteve trajnuese të stafit administrativ dhe të komisioneve.

Duke diskutuar mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Kryetari i Kuvendit, z. Meta, u shpreh se çdo ndryshim apo riformatim i tij duhet bërë përmes frymës së konsensusit politik dhe në bashkëpunim të plotë me institucionet dhe ekspertët ndërkombëtarë, në mënyrë që të evitohen ndërhyrjet politike ndaj integritetit të punës së këtij institucioni të rëndësishëm në të ardhmen.

 

 

“Zgjedhjet në Korçë”, Prokuroria përqendron hetimet në origjinën e 2-mijëlekëshave

Pas publikimit të filmimeve në media, në emisionin “Fiks Fare”, ku shfaqeshin studentë pranë zyrave të FRESSH duke marrë para në këmbim të votave, Prokuroria e Rrethit të Koracës nisi hetimet. Aktualisht mësohet se organi i akuzës është përqendruar në hetimin e origjinës së 2-mijëlekëshave të sekuestruara nga studentët që shfaqeshin në video. Ndërkaq, mësohet se për këtë do të merren në pyetje të gjithë studentët që shfaqeshin në video si dhe financierja e FRESSH-it në Korçë. Më herët përfaqësues të PS-së në Korçë, por edhe drejtues të kësaj force politike në Tiranë, kanë pohuar se studentët i kanë marrë paratë si shpërblim për rrugën nga Tirana në Korçë, e jo si formë shpërblimi për të votuar kandidatin e majtë, Sotiraq Filo.

Lidhur me këtë çështje përfaqësues të opozitës kanë kërkuar transparencën e këtij fenomeni, duke kërkuar edhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Fillimisht PD ndoqi rrugën e ankimimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por pas tërheqjes së këtij komisioni për të marrë një vendim, për faktin se nuk kishte kuorumin e nevojshëm të anëtarëve për ta shqyrtuar në themel këtë çështje, PD e depozitoi kërkesën e saj në Kolegjin Zgjedhor. Pas marrës në shqyrtim të kërkesës së opozitës, Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë vendosi një ditë më parë rrëzimin e kërkesës. Aktualisht Kolegji nuk e ka argumentuar ende se cilat ishin arsyet e këtij vendimi, gjë kjo që pritet të bëhet në ditët në vijim kur të zbardhjet edhe vendimi i kësaj trupe zgjedhore të specializuar për zgjedhjet në Shqipëri.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency