Ministrat me shefen e vëzhguesve të ODIHR-it Qeveria: Reformë e re zgjedhore para vendoreve të 2015-ës

0
110

Gëzim Saliu

Ministrat: Të hapur për diskutime me opozitën dhe faktorët politikë për reformën zgjedhore

 

bushati mcCormackMazhoranca e majtë po përgatitet për nisjen e punës për reformën e re zgjedhore, e cila, sipas parashikimeve, duhet të përmbyllet para zgjedhjeve vendore të vitit 2015. Edhe pse ndryshimi i fundit i saj me konsensus mes palëve u miratua vetëm dy vite më parë, qeveria duket e angazhuar për të iniciuar një reformë të re me synim afatgjatë që të garantojë sipas saj standarde ligjore cilësore. Në takimet e zhvilluara dje me shefen e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, Conny McCormack, ministrat e qeverisë, ai i Parlamentit Ilirian Celibashi, dhe ai i Jashtëm, Ditmir Bushati, shprehën gatishmërinë për një reformë të tillë. “I shpreha gatishmërinë misionit të ODIHR-it për të vazhduar punën me reformën zgjedhore dhe institucionale, në mënyrë që t’i paraprimë në kohë zgjedhjeve vendore dhe zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ishte kënaqësi që mora angazhimin e përfaqësuesve të ODIHR-it për gatishmërinë e tyre për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë proces”, – tha ministri Bushati.

Reforma

Për qeverinë, reforma e re zgjedhore ka një rëndësi të madhe në kuadër të arritjes së standardeve ndërkombëtare. Ministri Celibashi në takimin e zhvilluar me McCormack bëri të ditur angazhimin e qeverisë shqiptare për të zhvilluar diskutime të hapura me opozitën në kërkim të zgjidhjes optimale për një reformë zgjedhore afatgjatë, e cila përveç bashkëpunimit mes faktorëve politikë, të garantojë standarde ligjore cilësore.

Ndërkohë nga ana e saj, shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it theksoi nevojën e rritjes së mëtejshme të pritshmërive në lidhje me proceset e ardhshme zgjedhore, “pasi zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë gjithmonë e më të mira për të garantuar përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë”. Në të njëjtën linjë, McCormack bëri të ditur se rikthimi i misionit në Tiranë, pak javë pasi publikoi raportin për zgjedhjet e 23 qershorit, synon të rishikojë, bashkë me partitë politike dhe grupet e interesuara, të gjitha rekomandimet e ODIHR-it për zgjedhjet e 23 qershorit. “Është kënaqësi të rikthehem në Shqipëri, pasi kam qenë këtu gjatë muajve maj – qershor për përgatitjen e zgjedhjeve. Ashtu sikurse kemi bërë edhe në të kaluarën ne kemi ardhur për të parë edhe njëherë rekomandimet e bëra në raport me përfaqësues të partive dhe grupe të interesuara të komunitetit dhe shoqërisë civile, që zgjedhjet e ardhshme të jenë edhe më të mira. Ne po punojmë që të identifikojmë prioritetet e nevojshme që zgjedhjet e ardhshme të jenë edhe më të mira. Ne do të vazhdojnë takimet me aktorët kryesorë të interesuar për zgjedhjet”, – u shpreh McCormack pas takimit me ministrin e Jashtëm Bushati. Reforma e re zgjedhore përveç riformatimit të KQZ-së apo dhe riformulimit të këtij institucioni, do të ndërhyjë edhe në ligjin zgjedhor edhe mbi bazën e rekomandimeve të raportit të ODIHR-it. Kodi aktual Zgjedhor u miratua me konsensus mes palëve në seancën e 19 korrikut të vitit 2012 me 127 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime. Pavarësisht se votimi dhe numërimi elektronik i miratuar në Kod nuk u aplikua në zgjedhjet e 23 qershorit, për qarqet e Tiranës dhe Fierit, kjo reformë është cilësuar si një hap i rëndësishëm përpara në atë kohë nga dy forcat kryesore politike. Ndërkohë që aleatët e vegjël të PD-së dhe PS-së kanë shprehur kundërshtinë e hapur lidhur me këtë reformë, pasi sipas tyre mos ndryshimi i sistemit zgjedhor përbën një shkelje të së drejtës së përfaqësimit të barabartë mes partive. Thuajse të gjithë aleatët e PS-së, me në krye PSD-në e Skënder Gjinushit dhe PDS-në e Paskal Milos, po ashtu edhe ato të PD-së si kreu i PR-së Fatmir Mediu kanë kërkuar me ngulm korrektimin kombëtar të sistemit zgjedhor. Pavarësisht bashkëpunimit mes tyre, i cili u konkretizua edhe përmes një ftese të dërguar dy krerëve të partive, kërkesat e aleatëve si të majtë ashtu edhe të djathtë për korrektimin e sistemit nuk u përfshinë në reformën zgjedhore.

 

Reforma zgjedhore

Reforma zgjedhore e arritur me konsensus mes palëve u miratua në seancën e 19 korrikut të vitit 2012 në Kuvendin e Shqipërisë me 127 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime

Aleatët e PS-së dhe PD-së kërkuan korrektim kombëtar të sistemit zgjedhor, kërkesë kjo që nuk u përfshi në Kodin e ri Elektoral

 

 

Takimi

Nishani, McCormack: Zgjedhjet e 23 qershorit vendosën standarde të larta

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti dje në një takim delegacionin e ODIHR-it, i përbërë nga kryetarja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, Conny McCormack, dhe këshilltari zgjedhor në ODIHR, Steven Martin. Gjatë takimit u bisedua për gjetjet dhe rekomandimet përkatëse të raportit përfundimtar të misionit të OSBE/ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri, si dhe për përmirësimin e zgjedhjeve të ardhshme, bazuar në zbatimin e këtyre rekomandimeve. Në këtë frymë, Presidenti Nishani, pasi shprehu vlerësimin për rolin e shkëlqyer të misionit të OSBE/ODIHR gjatë zgjedhjeve të fundit, vuri në dukje: “Zgjedhjet e fundit tejkaluan shumë nga problemet e shfaqura në të shkuarën dhe vendosën, në këtë mënyrë, standarde të larta, që, gjithsesi duhen avancuar, duke zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”. Nga ana e saj, McCormack nënvizoi se standardet avancohen në mënyrë të vazhdueshme përmes bashkëpunimit të të gjitha forcave politike me organizatat vendase dhe ndërkombëtare, dhe kjo përbën një komponent të rëndësishme të reformës zgjedhore. Presidenti Nishani shprehu gjithashtu besimin se klasa politike dhe shoqëria shqiptare, të cilat demonstruan pjekuri gjatë fushatës, në njohjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe tranzicionin e pushteteve, do të kalojnë me sukses edhe sfida të tjera që lidhen me përmirësimin e standardeve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency