Rituali i gjamës së burrave

0
511

4fa030f3e25b6

Dy dërrasa të shtruara pranë një peme. I vdekuri vendoset mbi to, së bashku me të gjitha sendet e veta. Gratë e fisit rregullojnë edhe një herë petkat e të vdekurit, ndreqin pëlhurën e kokës dhe përzënë mizat me tufën e fierit. Pastaj disa burra fillojnë të gërmojnë varrin. Dymbëdhjetë burra ndërkaq qëndrojnë mënjanë. Pothuaj nja njëqind metër larg ata radhiten në dy radhë përballë njëri-tjetrit. Prijësi në mes. Ai përthyen pak gjunjët, mbushet me frymë. Fillon gjama e anëtarëve të fisit. Një ofshamë e lartë: “Mjeri, -o, o, vëllathi em, mjeri -o, o, eh, eh!”. Thirrja përsëritet me zë të lartë dhe të fortë. Gjama shoqërohet me gjeste: rrihet kraharori, gërvishten tëmthat.

 

Pastaj burrat zënë hundën dhe ofshajnë: “Eh, eh, eh”.

Grupi i afrohet disa hapa të vdekurit dhe përsërit të njëjtën radhë gjestesh dhe vajtimesh. Deri sa burrat vijnë fare pranë të vdekurit. Formojnë një gjysmërreth, përsërisin edhe një herë gjamën e tyre, pastaj bien në gjunjë, përkulen përpara, peshojnë mbi njërën dorë dhe e ngjeshin pas trupit tjetrën: “Mjeri, o, o, o!”. Gjama përsëritet disa herë, më e fortë, më e fuqishme. Pastaj vjen i vëllai i të ndjerit. Ai i vë dorën në sup gjamëtarëve duke u treguar se mjafton me kaq. Kushërinjtë i japin fund gjamës dhe çohen në këmbë. Dhe seriozë, hiqen mënjanë e ndezin cigaret.

 

Vajtimi i burrave sipas fjalorit shqip

Vajtimi i burrave në fjalorin e shqipes shpjegohet nën termin “gjëmë”, term i cili sot ka marrë kuptim disi më të gjerë, por në themel do të thotë pikërisht “vajtim burrash”.

Gjëma shprehte keqardhjen dhe nderimin e vëllazërisë, shoqërisë, e miqësisë për të vdekurin.

Bëhej nga një ose disa burra me zë të lartë e të fuqishëm dhe shoqërohej me veprime që shprehnin hidhërim të thellë si gërvishtja e fytyrës derisa të kullonte gjak, rrahja e gjoksit me grushte, shkulja e flokëve etj. Veprimet e mësipërme duheshin kryer rreth kufomës.

Në mungesë të trupit, mund të bëheshin edhe rreth rrobave të tij. Madhësia e gjëmës, (kohëzgjatja e vajtimit dhe niveli i zërit) varej nga ndikimi i të ndjerit në rrethin shoqëror.

Gjëma ishte një ritual i trashëguar nga besimet pagane. Nga gjysma e shekullit XX ajo nisi të humbë disa nga veprimet rituale dhe dalëngadalë u thjeshtëzua derisa kaloi në një vajtim që bëhej nga një burrë i vetëm.

 

 

 

Vajtimet e grave dhe gjamat e burrave në Malësinë e Madhe – Hot, Grudë, Triepsh dhe Kojë (6)

 Si strukturohen vajet

 dr. Pjetër Gjurvaçaj/ dr. Gjergj Gjuravçaj

Vargjet strukturohen me tablo oscilatore e subtile në mënyrë spontane përmes krahasimit “Djalë i shnoshtë kje porsi moll” krahasimi është funksional dhe i qëlluar. Vizioni dramatik i vargjeve është “Kur u ç’pras bumja, vojti gjama, me t’ çpejt t’erdhën baba e nana”.

Po sjellim një fragment të vajtimit

I mjeee-ri u p’r ty, o Tomë, po baj!

Malli po m’vjen me t’thirrë vaj.

Djalë i shnoshtë kje porsi moll,

n’t’pestën klasë ty ‘psue në shkoll

S’mun t’i kjaj hallet te tana,

mjeri baba e ‘ grata nana!

T’gratit prin-o çi kanë prit

djalë t’shirit ty ‘ me t’ rritë,

Taksiradit s’mun t’i iket,

Kur t’vin exheli s’mun t’pritet.

Kur u çpraz bumja, vojti gjama,

me t’çpejt t’erdhën baba e nana,

menjëherë t’çuon ën heqima;

por t’y shkua, të ranoj dhima;

ën shpi tate vojti brima;

se për çpejt ty të duol fryma.

Brenda ritit të mortjes (këngëve të përvajshme) vend me rëndësi zë edhe gjama e burrave, që emërtohen me leksema “thirrja e vajit”, “gjama”, “brima (britma)”.

Gjama e burrave në Malësi nuk ka një formësim të vargut konstant, por i ngjan një narracioni të lirë. Kanë vlerën poetike, ndonëse janë pjesërisht të improvizuara. Gjamtarët ose brimtarët, sikurse edhe vajtoret, janë gjysmëprofesionalë dhe profesionalë,

S’do mend se gjama individuale e burrave del si fenomen më i vonshëm në krahasim me gjamën kolektive. Vajtori zakonisht bën gjamë për mashkullin e vdekur e jo edhe për gruan. Gjama e vajit nga burrat bëhet zakonisht me zë të lartë e të fortë.

Vajtimet janë në esencë ato krijime që i kushtohen të vdekurit, virtyteve dhe cilësive të tij, pra një histori e shkurtër e të vdekurit. Përkundër faktit që ato lidhen ngushtë me ritin e vdekjes, pra me një çast të caktuar, ato kanë një botë të pasur tematiko-motivore, sepse dëshmohet begatia e tyre, vlera dhe rëndësia që lidhen këto krijime me llojet e tjera të poezisë sonë gojore.

Kur themi kështu kemi parasysh faktin se vajtimet janë ndër krijimet më të lashta të lirikës dhe të krijimtarisë gojore në përgjithësi.

Pjesëmarrja në varrimin e të ndjerit, në një anë, dhe vajtimi i të vdekurit nga ana e vajtoreve dhe gjamëtarëve, në anën tjetër kanë për qëllim që, me praninë e tyre dhe me vajtimin që bëjnë, t’ua lehtësojnë dhe zvogëlojnë dhembjen dhe pikëllimin e familjes dhe farefisit.

Ndërkaq, vajtimet te shqiptarët shprehen nëpërmjet dy formave kryesore: vajtimit dhe gjamës. Riti i vdekjes është i lidhur me elemente të lashta pagane e me besime të ndryshme, me doke e zakone të lashta si pjesë të pandashme të veprimit të njeriut, që e kanë përcjellë me shekuj dhe si të tilla janë materializuar në forma të ndryshme që gjamtarët apo vajtorët përdorin gjatë improvizimit të këtyre krijimeve. Objekt shqyrtimi është bërë vetë teksti i vajtimeve dhe i gjamës edhe pse të dy mënyrat e përjetësimit lindin dhe ekzistojnë si shprehje e improvizimit të rastit, ato krijohen mbi bazën e traditës letrare gojore, prej një individi tek tjetri dhe përmbajnë në vete vlera letrare artistike, pra struktura tekstore e tyre u afrohet teksteve të tjera të poezisë gojore shqipe, siç janë këngët e dashurisë, baladat etj., në të cilat vargu është i plotë me rima, ritmi theksatritmik etj., sidomos vinë në shprehje modelet metriko-sintaktike, figurat poetike, efekti i ekzekutimit, siç është theksuar më parë varet prej aftësisë krijuese të vajtores apo gjëmtarit dhe prej aftësisë improvizuese.

Këto elemente e pasurojnë botën tematiko-motivore, strukturën tekstore, e të folurit rajonal të Malësisë e veçmas veçoritë fonetike, shprehjet frazeologjike; kanë vlera të mirëfillta artistike, si fjala vjen, “Mjer-o sot për ty Dak Leka”, I mje-e-ri, o Smal Dedi”, O-ooo, i mjeri Gjelosh Toma”, “I mjeee-ri, o Nikë Zeka”.

Gjama individuale e burrave del si fenomen më i vonshëm, krahasim me gjamën kolektive. Gjamëtari bën gjanë për mashkullin e jo për grua.

Para se të thërras vaj, ai vë dy duart në brez duke qitur njërën këmbë (në të shumtën e rasteve të majtën) përpara dhe ia fillon gjamës, duke i theksuar ato virtyte e tipare që e kanë cilësuar të ndjerin, familjen e tij apo fisin.

Gjamëtari mund të thërras vaj te shtëpia vetëm në mëngjes dhe aty ku i bëhet ceremonia e vdekjes. Natën nuk ka vajtore as gjamëtarë te shtëpia, që thërrasin vaj.

Në Malësi kemi vajtorë (gjamëtarë) e veajtore të besimit katolik e nuk mbahet mend të ketë pasur gjamëtarë të besimit myslimanë. Ka ndodhur që një grua myslimane të ketë qenë vajtore, por jo të vajtojë jashtë shtëpisë së saj. Në këtë çast nuk mund të flitet se në Malësi mund të jetë vajtore ndonjë grua myslimane.

Vajtimi i burrave ka qenë një gjest më se i zakonshëm deri në fillim të shekullit XX në Shqipëri, veçanërisht në Krujë, në Malësinë e Madhe në Dukagjin, në Postribë, në Nikaj-Mërtur, në Gjakovë dhe në Kosovë.

(Marrë nga “Iliriaforum”)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency