Kur koloneli grek i lutej Allahut në xhami

0
159

Speciale/ 1915 (Korrespondenti i Korçës i shkruante gazetës “Koha”). Koloneli grek Konduli shkon në xhami të Korçës, lutet dhe qan për myslimanët

Korça, si dikur që e dini, gjendet akoma nën qeverimin ushtarak grek të Greqisë. Siç bëri Varda me andartët-katilët e tij të një mijë e njëqindat dhe siç e zhveshi dhe e prishi me gjithsej Korçën dhe rrethinat e saj, duhej t’u vihej një melhem, një si perde për të mbuluar. Për këtë gjë Greqia përdori diplomatin e saj dhe dërgoi përsëri Kondulin me ushtrinë e saj për të mbajtur sigurimin dhe qetësinë e Korçës me gjithë rrethina.

 

korce-flamuri-1Koloneli grek i lutet në xhami

Koloneli Konduli, i njohur edhe më parë si qeveritar i Korçës në kohën e grekut, po përdor edhe gjithë ato dhelpëri dhe dinakëri të diplomacisë, me të cilat pandeh se do të kandisë myslimanët dhe të krishterët të kërkojnë Greqinë dhe të shajnë e të mohojnë Shqipërinë. Parësisë së myslimanëve u rrëfet si vëlla dhe si mik me gjithë zemër, çdo të premte vete edhe Konduli në xhami dhe i lutet Allahut bashkë me myslimanët; do t’u tregojë me këtë, që Greqia nuk është kundër myslimanizmës dhe që nuk ua prish fenë, as dinë, as imanë, por përkundrazi do t’ua nderojë dhe do t’ua forcojë. Ka zënë e po vetë fshat më fshat dhe i ngushëllon myslimanët duke thënë se i vjen keq edhe atij, edhe Greqisë, që u ngjanë kaq dëme myslimanëve dhe që shkaktarët e kësaj prishjeje nuk janë shqiptarët. Por Greqia dhe Mbreti i saj do t’u paguajë myslimanëve dëmet që u janë bërë nga ana e andartëve, dhe u thotë myslimanëve, që tani e tutje të mos kenë frikë, se asnjë njeri s’guxon të trazojë dhe të vrasë, siç dërgoi gjithë katilët e hurit e të litarit dhe prishi vendin tonë gjer më këtë gjendje. Tani dërgoi Kolonel Kondulin që të marrë gjerëzinë me të mirë, t’u fërkojë krahët që u dhëmbin dhe t’u thotë që në këtë ngjarje barbare Greqia nuk ka faj (Konduli përpiqet të thotë se faji është i Venizellos- shënimi ynë).

 

Djemtë e Korçës, jo ushtarë për Greqinë

Ushtri në Korçë të Greqisë gjenden 1000 veta, më të shumtit nga ata rrjepacakët e fshatrave të Janinës dhe nja 400 veta të vendit, gjysmë të veshur me rroba ushtari dhe gjysmët jo duken si një farëlloj karnavalesh. Kufinë e kanë zënë gjer në Veliternë dhe më anën tjetër deri në Tresovë, edhe ndë Gur të Prerë. Ushtarë nga djem e Korçës po përpiqen të mbledhin gjer më 27 vjeç, si kundër dhe në tërë Greqinë, po me djemtë e Korçës, të gjithë me sa u është mundur janë kundërshtuar dhe s’kanë dashur të venë me të mirë ushtar. Nga të 400 veta që kanë veshur, të shumët janë prej fshatrave dhe ca korçarë, të cilët i muar me pahir nga dyqanet, nga rruga dhe kudo që i gjenin; nëpër shtëpitë nuk kanë guxuar të bastisin për ushtarë gjer më sot, se nuk i jep dorë politikës së Kondulit që të egërsojë punërat. Një ditë, shumë djem nga frika e ushtrisë ishin fshehur në kafenenë e Gaqkës (Çezma e Shetros). Kryepolici grek i pikasi dhe vajti t’i rrahë, por ata i qëndruan me revolver nga dritaret dhe i thanë mos u afro se vritesh. Kryepolici grek mblodhi bishtin dhe u kthye prapa. Një ditë tjetër kishin mbledhur me xhandarë nëpër rrugë ca djem nën 20 vjeç dhe si i rrahën mirë, i veshën ushtarë dhe i burgosën, po djemtë bënë si bënë dhe ikën fshehurazi nga burgu dhe vajtën ndër shtëpitë e tyre. Kur mori vesh Konduli i thirri djemtë dhe u tha të visheshin ushtarë. Ata iu përgjigjën: që Korçën nuk e keni marrë me tapi dhe kur ta merrni me tapi gjithë vendin tone, atëherë edhe neve me gjithë zemër zoti Kondul do të vishemi ushtarë! Kjo punë e ushtrisë i ka sjellë dëm të madh edhe gjindjes, mendjen rrotull, se asnjë djalë nga mërgimi nuk guxon të kthehet në Korçë se edhe ata sa gjenden këtu po ikin fshehurazi dhe ata që s’mundin, rrinë mbyllur se posa të dalin i kapin. Prej të rinjve që 18 deri në 27 vjeç, të gjithë sa gjejnë i veshin ushtarë, prandaj bëni hesap mundimet dhe vuajtjet e djemve që jetojnë në Korçë. Frika është se mos i dërgojnë në kufi të Bullgarisë dhe atëherë e merr lumi fare vendin tonë. Përveç qeverisë ushtarake, të cilën e drejton kolonel Konduli dhe një policie me ca xhandarë, qeveri ose gjykatore nuk ka në Korçë, as nëpunës s’janë vënë dhe as një e drejtë nuk shikohet.

 

Vrasje të mistershme

Përpara ca kohe vranë dy bejlerë të Pojanit afër fshatit. Tani më së fundi vranë tre myslimanë nga fusha dhe as u kërkua dhe as u mor vesh se kush i bëri këto vrasje. Këtu në Korçë, siç flitet, u pikas që u fillua një komitet grek, i cili do të ketë për detyrë që të trembë dhe të vrasë çdo njeri që i kundërshtohet propagandës greke. Ky komitet grek në Korçë u formua prej 8 vetash dhe Kondulit i erdhi urdhëri që ta njohë e ta mbrojë me çdo therori komitetin grek, kështu që komiteti t’i ketë duartë e zgjidhura për të bërë si të dojë. Kanë sjellë edhe katilët e Gjiritit për të vrarë ata njerëz që nuk u pëlqejnë atyre. Me që tek ky komitet ndodhen edhe ca korçarë, të cilëve s’u dhimbet aspak për Korçën, është frika se mos na futin në ndonjë vëllavrasje. Me një fjalë, siguri nuk kemi aspak dhe s’dimë sesi do të jetë fundi ynë, por punët nuk na duken fare të mbara; dhe më tepër frika është për nacionalistet, të cilët për grekët dhe tradhtarët janë hal në sy.

 

Si i mashtruan vajzat e grekomanëve

Këtë vjeshtë në Korçë u martuan shumë vajza me ca kapedanë, andarë, oficerë ose ushtarë grek, pra mësoni se më të shumtat u lanë nga burrat e tyre. Nja katër i shpunë deri në Athinë duke bërë udhëtimin e dasmës, atje, pra i lanë rrugëve të qytetit si dhe në Pire tetë i shpunë deri në Selanik dhe atje i lëshuan rrugëve, ku nuk u mbeti gjë tjetër përveçse të zënë udhën e papëlqyer për rrojtjen e tyre. Dy i lanë që në Follorinë dhe ca të tjera nuk i munduan kësisoj, por i lanë që në Korçë. Gjithë këto janë dëshmi dhe therorësi të liriprurëses-greqizmës

Përgatiti Vepror Hasani

 

(Shënim. Titulli në origjinal: “Barbaritë, vrasjet dhe ligësitë greke ndër vendet tona”, nëntitujt janë redaksionalë)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency