PS dërgon në Kolegj kërkesën për ndarjen e mandateve, KQZ mblidhet sot pa kuorumin e nevojshëm

0
132

Florenc Drizari

KQZ mblidhet sot për ndarjen e mandateve

Partia Socialiste ka dorëzuar në Kolegjin Zgjedhor kërkesën për shpërndarjen e mandateve, ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të zhvilloi mbledhje mesditën e së premtes pikërisht për këtë çështje.

 

MBLEDHJE-E-KOLEGJIT-ZGJEDHOREDërgimi i kërkesës së PS-së drejt Kolegjit Zgjedhor duket si një shmangie e KQZ-së, për faktin se është detyrim i këtij komisioni për të bërë shpërndarjen e mandateve, por mungesa e kuorumit në këtë komision sipas përfaqësuesve të PS –së, është shkaku që zgjidhja të pritet nga trupa gjyqësore në shkallën e dytë në Tiranë.

Por ndryshe mendojnë anëtarët e KQZ-së të cilët shprehen se me këtë lëvizje është tentuar shmangia e funksionit të komisionit më të lartë të administrimit zgjedhor ne vend. Sipas tyre, është detyrim ligjor që KQZ të bëjë shpërndarjen e mandateve dhe në lidhje me mungesën e tri anëtarëve të majtë, ata thonë se kuorumi konstatohet në momentin që mblidhet komisioni.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, këtë të premte në ora 12:00  do të zhvillojë mbledhje ku në rënd të ditës është parashikuar  projekt-vendimi : “Për shpërndarjen e mandateve midis koalicioneve zgjedhore dhe partive politike që konkurrojnë më vete, për 12 Zonat Zgjedhore, për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 23 Qershor 2013”. Por edhe pse në mungesë kuorumi prej tri anëtarësh, KQZ pritet të mblidhet për të diskutuar shpërndarjen e mandateve, ndërkohë që sipas kodit zgjedhor për marrjen e këtij vendimi duhen të paktën 5 vota në komision. Mbledhja e së premtes pritet të jetë thjeshtë një formalitet nga radhët e anëtarëve të KQZ-së, ku çështja pritet të shkojë për zgjidhje në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës së apelit.

Ndërkaq, certifikimi i zgjedhjeve nga ana e Kolegjit Zgjedhor, ose marrja e një vendimi për detyrimin e KQZ-së që ta bëjë këtë edhe në mungesë të kuorumit të nevojshëm, pritet t’i japë fund procesit paszgjedhor që zgjat që prej datës 23 qershor, ditë në të cilën në Shqipëri u mbajtën zgjedhje për Kuvendin e Shqipërisë.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 5 javë që nga dita e zgjedhjeve, shpallja e rezultatit përfundimtar pritet të marrë edhe disa ditë, duke iu referuar procedurave që parashikon kodi zgjedhor. Neni 24 i kodit, ku flet për vendimmarrjen në KQZ, shkruan në pikën 1 të tij se ”Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me:  a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162, 163 dhe 166, pika 3 të këtij Kodi;

b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore, sipas nenit 123 të këtij Kodi dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore;”, – etj.

përmbyllja sa më parë e procesit paszgjedhor është edhe një thirrje e përfaqësuesve ndërkombëtare të akredituar në vendin tonë. Certifikimi sa më parë i zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit sipas tyre, është në interes të vendit, në mënyrë që qeveria e re të fillojë normalisht punën në fillim të muajit shtator.

 

SOMARIO

Dërgimi i kërkesës së PS-së drejt Kolegjit Zgjedhor duket si një shmangie e KQZ-së, për faktin se është detyrim i këtij komisioni për të bërë shpërndarjen e mandateve, por mungesa e kuorumit në këtë komision sipas përfaqësuesve të PS –së, është shkaku që zgjidhja të pritet nga trupa gjyqësore në shkallën e dytë në Tiranë.

 

Neni 24

Vendimmarrja në KQZ

1. Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me:

a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162, 163 dhe 166, pika 3 të këtij Kodi;

b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore, sipas nenit 123 të këtij Kodi dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore;

c) kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi;

ç) shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin dhe përsëritjen e tyre; etj…

 

KQZ, cakton sot auditët për fondet e partive politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shqyrtojë sot Projekt-vendim: “Për shpalljen e rezultatit të shortit për emërimin e ekspertëve kontabël të licencuar, të cilët do të kryejnë auditimin e fondeve të përftuara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore, për fushatën zgjedhore, për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 23 Qershor 2013”.

Një tjetër vendim i pritshëm i KQZ-së është edhe ai për miratimin e disa afateve proceduriale që lidhen me zhvillimin e zgjedhjeve, që do të përdoren për zgjedhjet për Kryetar të Komunës Dardhas, Qarku Korçë, të datës 01 Shtator 2013”

“Projekt-vendim: “Për miratimin e modelit të vulës së KZAZ-së, KQV-së, Kryetarit të KQV-së dhe vulës rezervë për KQV-në, që do të përdoren për zgjedhjet për Kryetar të Komunës Dardhas, Qarku Korçë, të datës 01 Shtator 2013”- thuhet një njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

 

Eridian Saliani: KQZ nuk mund të bëjë dot shpalljen e mandateve

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Eridian Saliani, deklaron se administrata më e lartë zgjedhore është në pamundësi numrash për të bërë shpërndarjen e mandateve dhe për këtë, PS sipas tij u detyrua ta depozitoi kërkesën pranë Kolegjit Zgjedhor. Sipas Salianit, kërkesa e PS-së është për ato qarqe në të cilat është përmbushur afatit tri ditor i ankimimit si në KQZ ashtu edhe në Kolegj.

“Pas kalimit të afatit tre ditor të ankimit për çdo qark, Partia Socialiste ka bërë llogaritjet dhe ka depozituar në Kolegjin Zgjedhor kërkesë për shpalljen e mandatit për ato qarqe në të cilat ka kaluar afati i ankimimit. KQZ-ja sot duhet të kishte mbledhjen e fundit për shpalljen e mandatit dhe ne pas kalimit të afatit na lind e drejta ti drejtohemi Kolegjit Zgjedhor. KQZ nuk mund të bëjë dot shpalljen e mandateve dhe ky është një fakt i njohur botërisht dhe KQZ përbëhet nga katër anëtar, ndërsa për shpalljen e mandateve në bazë të kodit zgjedhor, neni 24 duhen të paktën 5 anëtarë për të bërë shpalljen e mandateve”, – u shpreh një ditë më parë për Ora neës, Eridian Saliani.

Ndërsa në lidhje me dorëheqjen e ministrave të rinj ta posti i deputetit, ai tha se heqja dorë nga mandati në bazë të ligjit njihet vetëm pasi e ke marrë mandatin. “Në këtë fazë që jemi nuk mund të bëhet heqja dorë nga mandati”, – tha ai.

 

Klement Zguri: Po anashkalohet KQZ

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, e quan anashkalim të funksioneve dhe detyrimeve që ka KQZ për ndarjen e mandateve, dërgimin e kërkesës së PS-së në Kolegjin Zgjedhor për të bërë të mundur shpërndarjen e mandateve.

“Nuk mundet që të anashkalohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Jemi ne që kemi të drejtën dhe kemi afat brenda tre ditëve thotë ligji, kur të ketë përfunduar procesi i ankimimit, KQZ-ja duhet të llogarisë ndarjen e mandateve, por nesër (sot) KQZ-ja do të lërë një mbledhje ku do të shqyrtojë vendimin dhe kërkesën në fjalë. Është një kërkesë e ligjit, është detyrim i KQZ-së dhe vakanca verifikohet në momentin kur ne ulemi në mbledhje dhe shikojmë se janë apo jo numri i domosdoshëm ligjor për të marrë një vendim të tillë”, – deklaroi z. Zguri.

Në lidhje me lënin e mandatit nga ministrat e rinj që pritet të dekretohen nga Presidenti në muajin shtator, Zguri tha se “Kuvendi i Shqipërisë ka afat brenda 30 ditëve ti bëjë kërkesë dhe të njoftojë KQZ-në për vakancën, ndërkohë që KQZ –ja bën zëvendësimin e tyre sipas listave që vetë subjektet zgjedhore kanë depozituar”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency