Qeveria e re, Basha: Ekip eksperimental në shërbim të vetes dhe jo të shqiptarëve

0
139

Ina Jano

Në shtator degët e PD-së do të nisin një proces analize për humbjen e zgjedhjeve dhe më pas do të procedohet për mbledhjen e kuvendit e të Këshillit Kombëtar

 

timthumbKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në konferencën e parë për shtyp të posaçme nga selia blu, për të reaguar në lidhje me emrat e kabinetit të ri të Ramës, tha se ai mund të quhet pa frikë një ekip eksperimental dhe që nuk është në shërbim të qytetarit, por për të përmbushur dëshirën e Ramës për të qenë Kryeministër. “Dje (të mërkurën) qytetarët dëgjuan nga Rama për ekipin që do të përballet me sfidat e qeverisjes e bashkë me emrat e shqiptuar prej tij në veshët e shqiptarëve gjëmuan jehonat e të shkuarës, ekip eksperimental, me ministra të Ramiz Alisë, protagonistë të kapjes së shtetit dhe përfitimit nga pushteti, sharësit, shpifësit kundër vendit në 8 vitet e fundit. Aktorë të së kaluarës së largët, ministra të Ramiz Alisë, protagonistë famëkeqë të kapjes së shtetit dhe përfitimit nga pushteti gjatë qeverisjes së korruptuar të para 2005-ës, sharësit dhe shpifësit më të zellshëm kundër Shqipërisë në çdo udhëkryq të rëndësishëm të vendimmarrjeve evropiane, protagonistë të lidhjeve me trafiqet dhe lidhje nepotike dhe menaxhues të njohur të interesave të ish-kryetarit në bashkinë e kryeqytetit, deri para dy vitesh”, – tha Basha. Më tej lideri i ri i demokratëve pohoi se ky kabinet do të rëndojë mbi xhepat dhe tavolinat e çdo qytetari shqiptar, duke deklaruar se ai do të jetë në shërbim vetëm të kryetarit. Gjithashtu, ai garantoi se Partia Demokratike do të vijojë të mbrojë interesat e qytetarëve. “Ky pra nuk është ekipi që do t’u shërbejë shqiptarëve, por ekipi që do t’i përulet kryetarit dhe do t’u shërbejë vetëm interesave të tij dhe të kupolës së errët të 23 qershorit! Ai (Rama) la jashtë vlera dhe kapacitete të rëndësishme të Partisë Socialiste dhe duke përfshirë kamikazë personalë, ai shkelmoi demokracinë dhe shpiku rregulla të paqena në funksion të mbajtjes së pushtetit për veten e tij. Pas tërheqjes së çdo premtimi nga zgjedhjet ai vërteton se qeveria nuk mund të jetë veç për të përmbushur ëndrrën e tij si Kryeministër, ky nuk është ekipi që do t’i shërbejë qytetarit por do t’i përulet kryetarit. Çdo shqiptar duhet ta dijë sot se shumë shpejt pasojat e këtij qëndrimi shpërfillës ndaj interesave dhe vullnetit të tyre do të rëndojnë mbi xhepat dhe tavolinat e tyre. PD është e vendosur që në respekt të demokracisë të përballet fuqishëm e të mbrojë interesat e vendit nga kjo skenë e paralajmëruar e kapjes së pushtetit”, – shtoi Basha.

PD

Ndërsa në lidhje me PD-në, shefi i ri i kësaj force politike tha se në shtator do të fillojnë ndryshimet në bazë, sepse ky do të jetë një moment kur do të bëhet edhe analiza për humbjen e zgjedhjeve. “Strukturat drejtuese të Partisë Demokratike do të angazhohen në një proces sipas parashikimeve statutore që do të nisë në muajin shtator në të gjitha degët e Partisë Demokratike. Një proces analize dhe përgatitjet për zgjedhjen e forumeve të degëve dhe që do të çojë në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar dhe zgjedhjen e Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë së re, në kohën e parashikuar në statut. Dhe për këtë po bëhen hapat e parë të përgatitjes”, – saktësoi Basha. Më tej në lidhje me emrin e kreut të ri të grupit parlamentar, lideri i selisë blu bëri me dije se është duke zhvilluar konsultimet e domosdoshme me drejtues dhe anëtarë të Kryesisë apo grupit parlamentar dhe në momentin e duhur do të ketë një emër për grupin kuvendor demokrat.

 

 

Takimi

Basha takon kreun e OSBE-së, në fokus zgjedhjet e 23 qershorit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takimin e dytë zyrtar të tijin takoi kreun në detyrë të Prezencës së OSBE-së, zotin Robert Wilton. Që në fillim të takimit ky i fundit e uroi zotin Basha për zgjedhjen në krye të Partisë Demokratike. Gjatë takimit ata diskutuan për zgjedhjet e 23 qershorit dhe arritjet në atë proces që i dedikohet angazhimit me vullnet të mirë politik të qeverisë dhe të mazhorancës së udhëhequr nga Partia Demokratike. Në takim u nënvizuan problematikat serioze që tashmë janë konstatuar në institucione dhe në publik për këtë proces. Në mënyrë të veçantë biseda u ndal tek vjedhja e flagrante e votave në qarkun e Lezhës dhe tentativa për marrjen e mandatit të Partisë Demokratike, problemet e konstatuara në qarkun e Shkodrës etj. Kryetari Basha theksoi se problemet e evidentuara janë pasojë e një vullneti të munguar të PS-së për t’u angazhuar për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm dhe se transparenca e plotë dhe vënia para përgjegjësisë e personave përgjegjës është mënyra e vetme për të trajtuar dhe zgjidhur këto probleme për të ardhmen. Në takim u bisedua për bashkëpunimin e ardhshëm në Parlament dhe më gjerë midis Partisë Demokratike dhe prezencës së OSBE-së. Në ndryshim nga takimi i tre ditëve më parë me ambasadorin Sequi, dy politikanët nuk dolën në një konferencë për shtyp të përbashkët, të dhënat dhe zbardhja e takimit u përcollën nga zyra e shtypit e selisë blu. Kësaj here, Basha nuk shoqërohej vetëm nga Oerd Bylykbashi, i cili pritet që të jetë një prej bashkëpunëtorëve të tij, por edhe nga kreu i Forumit Rinor Demokrat, Gerti Bogdani. Wilton theksoi mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së për të gjithë pjesëtarët e institucioneve demokratike të vendit, si dhe angazhimin e Prezencës për të bashkëpunuar me të gjithë aktorët politikë. Ai përmendi në mënyrë të veçantë projektin në mbështetje të Kuvendit të Shqipërisë zbatuar nga Prezenca. Pas mbylljes së takimit, z. Wilton u shpreh: “Me shpalljen e projektit të Këshillit të ri të Ministrave dhe me përfundimin e periudhës së ankimeve pranë Kolegjit Zgjedhor, vendi po hyn në një fazë të re të këtij procesi demokratik”. Ai tha se ndihej i inkurajuar nga “programi ambicioz dhe pozitiv” i paraqitur nga qeveria e re. “Nga ana tjetër, angazhimi aktiv i opozitës është një përbërës thelbësor i çdo demokracie funksionale dhe ndihem i inkurajuar nga përkushtimi i shprehur nga kryetari Basha për pjesëmarrje dhe promovim të institucioneve demokratike të vendit, si dhe ndaj të drejtave të qytetarëve shqiptarë”, – theksoi Wilton.

 

 

 

Berisha: Qeveria më e korruptuar, 5 ministra të përfshirë në afera

Kryeministri e cilëson si “ansambli lukunia”, ekzekutivin e ri të udhëhequr nga kryesocialisti Rama

Kryeministri në detyrë, zoti Sali Berisha, ka vendosur ta quajë ditën e djeshme si ditën e kleptokracisë. Ai e lidh datën 1 gusht me takimin që kreu i Partisë Socialiste ka zhvilluar ditën e djeshme me ministrat që i përkasin vetëm selisë rozë dhe jo ata të LSI-së. Në një postim në Facebook, shefi i qeverisë thotë se ky është ekipi më i korruptuar që mund të ekzistojë dhe për këtë ai merr edhe shembuj konkretë për disa prej krerëve të dikastereve që do të jenë në pushtet në shtator. Berisha nënvizon se përveç vetës së vet që është i vetmi Kryeministër në Evropë që ka një vilë dhe një pallat 5-katësh me burim financiar të panjohur, edhe ministrat e tij nuk ngelen prapa. Shefi i ekzekutivit përmend Sajmir Tahirin, Ilir Beqjen, Shkëlqim Canin, Arben Ahmetajn, Erjon Veliajn dhe nuk përjashton dhe vetë Ramën. “Ditë e shënuar në historinë e kleptokracisë! Të dashur miq, sot Piktori mblodhi në zyrën e tij kabinetin e vet qeveritar që është edhe ekipi më i korruptuar që është instaluar ndonjëherë në Shqipëri. Vet Piktori, përveç aferave si ish-ministër i qeverisë “Nano” dhe kryetar 20% i Bashkisë së Tiranës, është i vetmi Kryeministër këto 20 vite në Evropë që ulet në karrigen e Kryeministrit me një vilë dhe një pallat 5-katësh me burim financiar të panjohur. Ministri i Financave, Cani, është guvernatori që pasi vodhi apo bashkëvodhi Thesarin e Shtetit dhe pas zhdukjes së tij deklaroi se Banka nuk ka pasur në Thesar flori. Ministrit të Shëndetësisë Beqja është i vetmi që iu hoq mandati i deputetit, sepse me baxhanakun e Piktorit kishte bërë kërdinë me tendera në bashki. Ai ka falsifikuar mijëra e mijëra pensione për të cilat po ndiqet. Ministri i Brendshëm Tahiri është i vetmi deputet me skaf dhe që iu arrestua i ati në flagrancë për kontrabandë ilaçesh dhe e ëma ndiqet për evazion fiskal në shumën 80 mijë euro. Ministri i Ekonomisë, Ahmetaj, është në ndjekje për vjedhjen prej 10 milionë euro që i ka bërë kompanisë “Albtelekom” me kompaninë e tij private “Hermes”. Ministri i Mirëqenies Sociale, më mirë të themi i mirëqenies personale, Erion Veliaj, është bërë i famshëm si njeriu që me paratë e “Mjaft”-it ndërtoi një vilë për vete dhe një vilë për Velicen pa firmosur në jetën e tyre ndonjëherë në bordero. Ai më pas për të zhdukur gjurmët e kësaj afere vodhi vetë kompjuterin e financave të “Mjaft”-it. Këto ishin vetëm disa nga aferat e disa prej anëtarëve të “ansamblit lukunia”! Këtij i thonë ndryshim! Përpara drejt kleptokracisë! sb”, – shkroi dje Berisha. Edhe deputeti Gent Strazimiri ka reaguar ditën e djeshme për po të njëjtën çështje, por duke e parë edhe në aspektin e mediave edhe mënyrën e trajtimit të tyre të kësaj çështjeje. “Qeveria “Decameroni 1” përbëhet nga 19 individë prej të cilëve 8 rikthehen në pozicione të larta shtetërore për të disatën herë dhe të paktën 7 prej tyre janë akuzuar për korrupsion nga vetë kolegët që kanë në krah… Pooor… të gjitha gazetat hapen me të njëjtin vlerësim të porositur: “90% e ministrave për herë të parë në post” dhe “asnjë i përfolur për korrupsion”… Këtu s’ ka gazetarë, ka thjesht “punonjës të shtypit dhe propagandës” si dikur… TURP!!!”, – shkruan Strazimiri.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency