Pengmarrje për 200 mijë paundë biznesmeni e dy shokët nën akuzë

0
163

Morën peng Erion Muhametajn për borxhin e pashlyer, dosja dërgohet në Gjykatën e Tiranës

 

845_117Dritan Brisku, biznesmeni Fatjon Pashtranjaku dhe Ilir Malaj janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Tiranës, pasi disa muaj më parë kanë marrë peng shtetasin Erion Muhametaj, për shkak të një borxhi të pashlyer. Sipas hetimeve të prokurorisë, 200 mijë paundë janë bërë shkak i një konflikti të tejzgjatur mes dy personave, ku ditën e martë të muajit mars, degjeneroi në marrjen peng dhe torturimin e një shtetasi 34-vjeçar. Erion Muhametaj kishte pak kohë që ishte kthyer nga Anglia, ku jeton prej disa vitesh. Pikërisht në këtë shtet, sipas policisë, 34-vjeçari ka pasur njohje me biznesmenin Fatjon Pashtranjaku dhe gjatë qëndrimit në këtë shtet, mendohet se ky i fundit i ka dhënë një shumë prej 200 mijë paundësh shtetasit 34-vjeçar Erion Muhametaj. Pas disa kohë qëndrimi në këtë shtet, Pashtranjaku është kthyer në Shqipëri, ku edhe ka hapur disa aktivitete tregtare. Mirëpo për shkak se i janë nevojitur shumat financiare, ka filluar të kërkojë borxhin e pashlyer që i kishte dhënë të njohurit të tij, shtetasit Muhametaj. Ky i fundit, gjatë disa takimeve që kanë kryer së bashku, i ka premtuar se do t’ia kthente lekët, por kur një gjë e tillë nuk është bërë për një kohë të gjatë, atëherë biznesmeni Fatjon Pashtranjaku, së bashku me dy persona të tjerë, kanë organizuar pengmarrjen dhe më pas torturimin e shtetasit 34-vjeçar Erion Muhametaj, i cili pas disa orë qëndrimi është liruar fatmirësisht nga ana e policisë së Tiranës në orët e mesnatës së të martës.

10 orë pengmarrje

Për gati dhjetë orë 34-vjeçari Erion Muhametaj është mbajtur peng në një lokal të quajtur “Play” në zonën e “Komunës së Parisit”. Pengmarrja e tij është bërë nga tre shtetasit Fatjon Pashtranjaku, Dritan Brisku, 41 vjeç, dhe Ilir Malaj, 34 vjeç, të cilët e kanë marrë Muhametajn në një makinë për të diskutuar dhe më pas e kanë dërguar atë në ambientet e këtij lokali, ku është rrahur në mënyrë të vazhdueshme nga tre personat e sipërcituar. Sipas Prokurorisë së Tiranës, ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 15:00 të 28 marsit, ndërkohë që tre personat i kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike pengut të tyre, me qëllimin e vetëm të marrjes së lekëve. Pavarësisht keqtrajtimeve të vazhdueshme, tre personat kanë marrë kontakte me familjarët e Erion Muhametajt, të cilëve u kanë kërkuar shumën e parave, pasi në rast të kundërt, ata do ta vrisnin dhe zhduknin trupin e njeriut të tyre. Pas kësaj bisede, anëtarët e familjes, të alarmuar, kanë njoftuar menjëherë komisariatin nr. 2 në Tiranë, ku pas disa orë kërkimesh është arritur të bëhet lokalizimi dhe më pas lirimi i pengut Erion Muhametaj. Në momentin e zbulimit të tij, policia ka arritur të arrestojë vetëm biznesmenin Fatjon Pashtranjaku, ndërkohë që dy personat e tjerë Dritan Brisku, 41 vjeç, dhe Ilir Malaj, 34 vjeç, kanë mundur të largohen duke mos rënë në prangat e efektivave të policisë së Tiranës. Aktualisht këta dy persona janë shpallur në kërkim, ndërkohë që për kapjen e tyre, uniformat blu kanë kryer disa kontrolle në banesa, por të kërkuarit nuk kanë qenë prezent. Ndaj tre të arrestuarve tashmë është ngritur akuza e “Heqjes së paligjshme të lirisë”. Lidhur me këtë operacion policia e Tiranës sekuestroi automjetin tip “Mercedes-Benz ML” me ngjyrë gri dhe targa KY 56WFD në pronësi të shtetasit Dritan Brisku si dhe automjeti tip “Mercedes-Benz 190” me targa TR 4481 H në pronësi të shtetasit Fatjon Pashtranjaku

Dëshmia e pengut

Pas lirimit të 34-vjeçarit nga ana e policisë, Muhametaj është transportuar me shpejtësi në drejtim të Spitalit Ushtarak, ku edhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas burimeve, Erion Muhametaj kishte pësuar dëmtime të shumta në trup, si pasojë e keqtrajtimit nga ana e tre personat të sipërpërmendur. Pas përmirësimit të gjendjes së tij shëndetësore, policia ka marrë në pyetje 34-vjeçarin i cili ka treguar se shkak i këtij konflikti ka qenë një borxh, i marrë disa vite më parë nga vete ai, tek njëri nga personat që e keqtrajtuan brenda ambienteve të lokalit. Nisur nga kjo situatë, policia ka filluar hetimet për qartësimin e të gjithë këtij konflikti që zanafillën e ka në shtetin anglez. I dëmtuari mësohet se është shprehur në polici se kishte arritur të njihte vetëm njërin nga pengmarrësit, ndërkohë që dy shtetasit e tjerë nuk i ka njohur, pasi s’i kishte parë ndonjëherë.

 

 

Kole Gjomarkaj i lutet grabitësit

Vidhet Benzi para shtëpisë I zoti: Ma ktheni, se do t’ju fal

Në qarkun e Tiranës, prej disa muajsh janë shtuar vjedhjet e makinave. Sipas policisë, çdo mbrëmje në kryeqytet vidhen dy deri në tri makina, të cilat asnjëherë nuk gjenden. Pre e grabitjes ka rënë edhe makina e Kole Gjomarkajt, i cili e ka filmuar hajdutin, të cilit i kërkon t’i kthejë dokumentet e familjes. Në pamjet filmike dallohet qartë vjedhja e makinës tip “Mercedes-Benz 270” të shtetasit Kole Gjomarkaj në rrugën “Gramoz Pashko” në Tiranë mëngjesin e 29 korrikut. Grabitësi i pashqetësuar afrohet te makina, e hap me lehtësi dhe largohet pa rënë në sy për vetëm një minutë kohë. Fal kamerave të sigurisë që ndodhen në shtëpinë e tij, vjedhja e makinës së tij është filmuar dhe një kopje e këtyre pamjeve është dorëzuar në polici së bashku me kallëzimin. Prej 4 ditësh, ai vazhdon ta kërkojë edhe privatisht nëpër vendgrumbullimet e hekurave apo në disa servise makinash në veri të vendit. Pavarësisht kësaj, ai ka një kërkesë për grabitësin. Si Gjomarkaj, në qarkun e Tiranës janë të shumtë ata që zgjohen në mëngjes dhe nuk e gjejnë makinën në vendin ku e kanë parkuar një natë më parë. Sipas policisë, çdo mbrëmje në Tiranë vidhen dy deri në tri makina, të cilat në asnjë rast nuk gjenden.

 

 

Asnjë person i lënduar 

Shkrumbohet makina para ndërtesës së Kryeministrisë

Një automjet u përfshi nga flakët mesditën e së enjtes në Tiranë. Ngjarja u regjistrua fare pranë Kryeministrisë ku automjeti tip “Volswagen” u shkrumbua plotësisht brenda disa minutave. Fatmirësisht nga zjarri nuk mbeti asnjë person i lënduar ndërsa drejtuesi arriti të dilte në kohë nga makina. Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje, bëri me dije se zjarri ka qenë aksidental kjo dhe pas marrjes në pyetje të drejtuesit të makinës shtetasin Genci Ruçi, i cili tha për uniformat blu se fillimisht kishte qenë motori i cili lëshonte tym dhe më pas flakët kishin përfshirë kroskotin dhe të gjithë automjetin. Për këtë arsye ai ishte detyruar ta braktiste makinën në kryqëzimin pranë Kryeministrisë. Menjëherë në vendngjarje mbërritën dhe forcat zjarrfikëse të cilat bënë të mundur shuarjen e flakëve ndërsa drejtuesi i mjetit u dërgua në spital për kontroll mjekësor.

 

Operacioni

Greqi, bie në pranga banda e drogës me shqiptarë e grekë

14 persona kanë rënë në prangat e policisë helene për trafik droge, mes tyre edhe shqiptarë. Burime nga policia greke bëjnë me dije se janë arrestuar 9 grekë dhe 5 shqiptarë, pjesë të një rrjeti trafiku të lëndëve narkotike. Ndërkohë gjatë kontrollit të 16 banesave të të arrestuarve janë konfiskuar nga policia 800 gr hashash dhe 143 gr përbërje kimike e panjohur. Nga ana e forcave të policisë vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rrjetin e drogës.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency