Ndryshimi i akuzës nga vrasje në aksident, gjykata lë në burg Kolecin

0
198

Sonja Caka

Kërkon zëvendësim të masës, gjykata vlerëson se nuk ka ndryshim të gjendjes. 37-vjeçari aksidentoi për vdekje një polic dhe plagosi rëndë një tjetër

 

Edmir-Koleci-dje-në-gjykatëPas ndryshimit të kualifikimit të akuzës nga prokuroria, Edmir Koleci ka hedhur hapin e radhës, duke kërkuar zëvendësim të masës së arrestit nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”. Për këtë arsye, tre muaj pas aksidentit të rëndë me pasojë një efektiv policie i vdekur dhe një tjetër i plagosur rëndë, Koleci do të dilte për herë të dytë para gjykatës, ku iu shqyrtua kërkesa për ndryshim mase. Në këtë seancë, 37-vjeçari Koleci nuk foli shumë përveçse i tha gjyqtares Irena Hoxha vetëm gjeneralitetet, në një kohë që pretendimet e tij për ngjarjen e Kamzës i shpjegoi avokati i tij mbrojtës Lin Alia. Ky i fundit i kërkoi gjykatës të ishte e butë me klientin nga Hasi, pasi sipas mbrojtjes, nuk ka një akt-ekspertizë nëse patrulla e policisë, mesnatën e 4 Majit ishte brenda rregullave apo jo. Sipas avokatit, ekspertiza autoteknike nuk mund ta përcaktojë një gjë të tillë. Por, për prokurorinë e përfaqësuar në gjykatë nga prokurori Ramadan Troci, vdekja e inspektor Selman Lena dhe plagosja e kolegut të tij ndodhi nga përplasja e automjetit që po drejtohej me shpejtësi nga i akuzuari. Pasi dëgjoi palët dhe pretendimet e tyre, gjyqtarja Hoxha la në fuqi masën e mëparshme, atë të “Arrestit me burg” për akuzën e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” për Kolecin, me argumentin se nuk kanë ndryshuar aspak kushtet për zëvendësim të kësaj mase.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi në qendër të Kamzës më 4 maj të këtij viti, rreth orës 23:30, kur një patrullë e komisariatit të policisë nr. 5 Tiranë është goditur nga një automjet tip “BMW X5” e drejtuar nga 37-vjeçari Edmir Koleci. Nga përplasja e këtij automjeti ka gjetur vdekjen punonjësi i policisë pranë këtij komisariati, Selman Lena si dhe është plagosur punonjësi Preng Lleshi, i cili u plagos rëndë. Automjeti që kreu përplasjen i identifikuar “BMW X5” rezultoi se në atë moment drejtohej nga shtetasi Edmir Koleci, 37 vjeç, lindur në Krumë dhe banues në Laknas, i proceduar për vepra të ndryshme penale, ndërsa u gjet i braktisur në fshatin Laknas. Kapja e tij do të bëhej vetëm disa orë pas aksidentit në vendin e quajtur Katër Rrugët e Shijakut në tentativë arratisjeje”. Koleci pas krimit është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Por, është kapur me pas nga forcat e policisë së kryeqytetit, i ndodhur në shoqërinë e shtetasit Shkëlzen Sylaj. Ky i fundit e ka përkrahur 37-vjeçarin gjatë largimit dhe fshehjes nga organet e drejtësisë, duke përdorur mjetin e tij tip “Mercedes-Benz” me targa TR 5402 N, sipas policisë së Tiranës.

Hetimi

Menjëherë pas ngjarjes, dosja i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda për akuzën e “Vrasjes për shkak të cilësive të veçanta”, por, gjatë hetimeve, prokurorët shpallën moskompetencën për këtë dosje, duke ja kaluar një prokurorie të zakonshme për një akuzë me të lehtë, konkretisht atë të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Sipas akt ekspertimit të ri të mbërritur nga Policia e Shtetit, ngjarja e Kamzës nuk është cilësuar e qëllimshme, por aksidentale. Akuza fillestare ndaj Edmir Kolecit, është “Vrasje për shkak të detyrës” dhe “Tentativë vrasje”. Gjykata pritet ta nisë shqyrtimin e kësaj çështjeje në shtator, pas përfundimit të pushimeve verore.

 

 

Korçë

Sherr mes të dënuarve në burgun e Drenovës, shkak një konflikt i vjetër

Një sherr ka ndodhur dy ditë më parë në ambientet e burgut të Drenovës në Korçë. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se i burgosuri Aurel Nazifi, 35 vjeç, ka plagosur Olgert Mustafën, 28 vjeç. Mësohet se të burgosurit janë konfliktuar në ambientet e ajrimit, ku i burgosuri Nazifi e ka goditur Mustafën me hekurin e girës (stërvitjes) dhe ky i fundit ka marrë goditje në kokë, por ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Sherri ka ndodhur pas një konflikti banal, pasi Mustafa ka goditur 6 muaj më parë Nazifin dhe ky i fundit mori hak. Autori i plagosjes bashkë me një tjetër të dënuar, Ilir Salku gjenden në dhomën e izolimit. Nazifi është i dënuar për vrasje me 25 vite burg, ndërsa Mustafa i dënuar me 12 vite për “Tentativë plagosjeje”.

 

Masa

Dhunoi barbarisht gruan i ndihmuar nga vëllai, lihen në burg dy vëllezërit Curri

Dy burra kundër një gruaje. Dhunë barbare nga i shoqi dhe si të mos mjaftonte, dhunuesi do të ndihmohej edhe nga i vëllai për të çuar deri në fund atë që kishte nisur. Dje dy dhunuesit janë përballur me gjykatën, ku janë njohur me akuzën nga ana e prokurorit të çështjes Zeqir Hodo. Para togave të zeza, prokurori rrëfeu dhunën barbare, ndërsa shtoi se e dhunuar prej tri vitesh denonconte të shoqin dhe tërhiqej nga denoncimi për shkak të fëmijës së tyre, duke e falur të shoqin, Por, dhuna e katër ditëve më parë nuk kishte më kthim pas, pasi gruaja duke parandier ndoshta një avancim më tepër të saj, duke qenë se i shoqi po ndihmohej nga i vëllai, ka lajmëruar sërish policinë. Prokurori Zeqir Hodo rrëfeu para gjyqtares se jo shumë larg qendrës së Tiranës, në Kombinat, gruaja ishte qëlluar barbarisht me mjete të forta në trup nga i shoqi, ishte kapur për fyti si një tentativë për ta mbytur e sikur të mos mjaftonte kjo, ishte rrahur edhe nga kunati i saj. Sipas prokurorisë, mjaftojnë këto të dhëna që të dy burrat vëllezër me njëri-tjetrin, Edmond e Arbër Curri, të qëndrojnë në vijimësi në masën shtrënguese “Burg pa afat” për akuzën e “Dhunës në familje”. Më tej në fjalën e tij, prokurori pohoi se në rast se dy burrat lirohen mund të ndodhë një krim, aq më tepër që të dy ata janë kapur në flagrancë nga policia duke tentuar të ushtronin sërish dhunë menjëherë pasi prindërit e saj kishin mbërritur për të mësuar se ç’po ndodhte. Sipas prokurorisë, Edmondi i ndihmuar nga i vëllai Arbri, pasi e kanë rrahur bashkëshorten e tij dhe më pas e kanë nxjerrë nga shtëpia së bashku me vajzën 6 vjeçe. Ka reaguar menjëherë avokati mbrojtës i të dy vëllezërve Curri, i cili u shpreh para gjyqtares se ngjarja nuk është kjo pasi gruaja kishte provokuar sherr dhe se ky ishte thjesht një debat mes çiftit dhe asgjë tjetër. Madje, për ta lehtësuar para gjykatës pozicionin e tij, avokati tha se bashkëshorti, kur mësoi se gruaja kishte njoftuar sërish policinë për çfarë po ndodhte në familjen e saj, ai i kishte hapur derën me qetësi duke i thënë: “Meqë njoftove policinë, dil nga kjo portë, s’ke më punë këtu”. Pasi ka dëgjuar të dyja palët, gjyqtarja e gatshme ka pranuar kërkesën e prokurorit Hodo, duke lënë në burg pa afat dy vëllezërit Curri, të akuzuar për “Dhunë në familje” në bashkëpunim. Arrestimi i tyre u krye pasi më 30 korrik, rreth orës 22:30, në rrugën “Sabaudin Gabrani”, për motive të çastit kanë goditur e dëmtuar me sende të forta shtetasen Rovena Curri, 26 vjeçe, e cila është bashkëshorte e shtetasit Edmond Curri.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency