Kreu i Gjykatës Kushtetuese merr udhëheqjen e Egjiptit

0
177

egjiptKreu i Gjykatës Kushtetuese, Adli Mansour, është betuar në postin e Presidentit në detyrë të Egjiptit, pasi ushtria ka përmbysur Presidentin islamik, Muhammad Morsi.

Në ceremoninë e betimit, Mansour ka vlerësuar ushtrinë dhe protestat masive që kanë çuar në largimin e Morsit. Ai ka thënë se egjiptianët duhet të ruajnë idealet e revolucionit të vitit 2011 dhe jo “të adhurojnë” një lider. Mansour ka thënë se Vëllazëria Myslimane e Morsit është pjesë e popullit dhe se është e mirëpritur të ndihmojë në ndërtimin e shtetit.

Megjithatë, agjencia shtetërore e lajmeve MENA thotë se prokurorët kanë urdhëruar arrestimin e dy udhëheqësve të lartë të Vëllazërisë.

Sipas burimit të njëjtë, fletarrestimet janë lëshuar për udhëheqësin shpirtëror të Vëllazërisë Myslimane, Muhammad Badie, nën akuzat se ka nxitur vrasjen e protestuesve paqësorë, si dhe për zëvendësin e tij, Khayrat al-Shater, nën akuza të njëjta.

Të mërkurën, komandanti i ushtrisë, gjenerali Abdul Fattah al-Sisi, ka thënë para kombit se Morsi është përmbysur për shkak se ka dështuar të përmbushë kërkesat e popullit.

Ushtria po ashtu ka pezulluar Kushtetutën e hartuar nga islamistët dhe ka premtuar zgjedhje të reja. Në Uashington, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se është “thellësisht i shqetësuar” me veprimin e ushtrisë në Egjipt dhe ka thënë se administrata e tij është duke shqyrtuar ndihmën e huaj për këtë vend.

Kryeministri britanik, David Cameron, ka kërkuar nga egjiptianët që të vazhdojnë rrugën drejt demokracisë. “Ne kurrë nuk mbështesim ndërhyrjen e ushtrisë në vende. Por, ajo çfarë duhet të ndodhë tani në Egjipt, është lulëzimi i demokracisë. Të gjitha palët duhet të jenë të përfshira në këtë. Kjo është ajo që Britania dhe aleatët tanë do t’iu thonë egjiptianëve”, ka thënë Cameron.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, ka bërë thirrje për “qetësi, dialog dhe përmbajtje”. Ai po ashtu ka kërkuar rifillim të shpejtë të sundimit civil.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherie Ashton, u ka kërkuar të gjitha palëve që me shpejtësi t’i kthehen procesit demokratik. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, ka thënë se zhvillimet në Egjipt janë “pezullim serioz i demokracisë”.

Ai ka thënë se Berlini është duke vëzhguar zhvillimet në Egjipt “nga afër dhe me shqetësim të madh”. Westerwelle u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të angazhohen në dialog demokratik. Ministria e Jashtme e Rusisë ka kërkuar po ashtu shmangie të dhunës. Vendet arabe, kryesisht, kanë mbështetur rënien e Morsit. Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullahu, ka uruar Adli Mansourin për zgjedhjen në postin e Presidentit të përkohshëm të Egjiptit. Shtetet e Gjirit Arab, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë mirëpritur po ashtu lajmin për përmbysjen e Morsit. Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, ka thënë se rënia e tij është një “arritje e madhe”. Fqinji më i rëndësishëm i Egjiptit, Izraeli, ka qenë i heshtur ndaj zhvillimeve. Turqia, megjithatë, ka thënë se përmbysja e Morsit është jodemokratike.

Zëvendëskryeministri Bekir Bozdag ka thënë se ndërhyrja ushtarake nuk reflekton dëshirën e popullit dhe u ka bërë thirrje egjiptianëve “që t’i kthehen demokracisë”.

 

 

 

SHBA, BE dhe Berlini reagojnë me shqetësim për zhvillimet në Egjipt

 

Pas rrëzimit të Presidentit egjiptian Mursi, Obama nga Uashingtoni, Ashton nga Brukseli dhe Westerwelle nga Berlini i bëjnë thirrje ushtrisë që sa më shpejt ti kthejnë pushtetin një qeverie të re demokratike.

Presidenti amerikan Barack Obama ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me heqjen e Presidentit egjiptian Mohamed Mursi si dhe për shfuqizimin e Kushtetutës nga ushtria. Ai ka udhëzuar qeverinë e tij që të marrë në konsideratë pasojat nga këto zhvillime duke dhënë ndihmën e duhur dhe në vazhdim të SHBA-së për shtetin egjiptian, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë. Obama i bëri thirrje ushtrisë egjiptiane që „sa më shpejt që të jetë e mundur” t’i kthejë pushtetin e plotë një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike. Kjo kërkon një proces transparent dhe gjithëpërfshirës.

“Arrestimet arbitrare ndaj Mursit dhe mbështetësve të tij, duhet të shmangen”, tha Obama. Për më tepër, ushtria egjiptiane duhet të mbrojë të drejtat e të gjithë egjiptianëve, pavarësisht nëse ata i takojnë shumicës apo pakicës. Zërat e të gjithëve që kanë demonstruar paqësisht duhet të dëgjohen”, theksoi Obama. Duke përfshirë si ata që mbështetën zhvillimet e sotme, edhe ata që kanë mbështetur Presidentin Mursi. “SHBA do të bashkëpunojë edhe më tej me popullin egjiptian, në mënyrë që tranzicioni për demokraci të jetë i suksesshëm”, tha Presidenti amerikan.

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton i kërkoi të gjitha palëve që t’u kthehen sa më shpejt një procesi demokratik për të mbajtur zgjedhjet Presidenciale dhe parlamentare: të lira, të ndershme dhe demokratike. Ajo ndoqi me vëmendje zhvillimet në Egjipt dhe tensionet e krijuara në popull lidhur me kërkesat e tyre për ndryshime politike në vend, bëri të ditur Ashton. Përmes një komunikate për shtyp, ministri i Jashtëm gjerman ka reaguar për rrëzimin e Presidentit të Egjiptit Mohamed Mursi nga ushtria. “Kjo është një goditje e rëndë për demokracinë në Egjipt. „Duhet sa më shpejt të jetë e mundur që në Egjipt të kthehet rendi kushtetues. Fakti që forcat ushtarake kanë shfuqizuar kushtetutën dhe kanë rrëzuar Presidentin e vendit, mua më shqetëson thellësisht”, shprehet ministri i Jashtëm Westerwelle. Një fakt i tillë nuk është zgjidhje e qëndrueshme për problemet e mëdha që ka vendi. Ky është një rrezik serioz që dëmton tranzicionin demokratik në Egjipt dhe kjo do të kishte pasoja të mëdha edhe më tej për vendin dhe për gjithë rajonin. Për këtë arsye kërkoj nga të gjithë të përgjegjshmit në Egjipt që së bashku të arrijnë një zgjidhje vetëm përmes një dialogu dhe kompromisi politik”, theksoi Westerwelle.

Gjatë protestave për heqjen e Presidentit egjiptian Mohammed Mursi kanë humbur jetën të paktën pesë vetë. Në qytetin verior egjiptian Marsa Matruh, sipas të dhënave të guvernatorit, kanë vdekur katër ithtarë të islamistëve të rrëzuar. Në qytetin port Aleksandria ka vdekur po ashtu një person. Në kryeqytetin, Kajro nuk ka pasur shumë trazira të dhunshme. Por ndërkohë bëhet e ditur se Shtetet e Bashkuara urdhëruan evakuimin e personelit të ambasadës së tyre në Kajro, duke lënë aty vetëm një përfaqësi të vogël. Ministria e Jashtme amerikane këshilloi qytetarët e saj që të anulojnë përkohësisht udhëtimet e tyre për në Egjipt.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency