“Pep’s Day”, Bajerni prezanton “supertrurin”

0
130

 Përgatiti Altin Vorpsi

guardiolaGuardiola: Zgjodha Bajernin prej lojtarëve që ka dhe prej historisë së klubit. Isha unë që vendosa për të ardhur tek ky klub.

“Kam zgjedhur Bajernin prej lojtarëve që luajnë këtu dhe historisë së këtij klubi. Nuk e kam pasur të vështirë një zgjedhje të tillë, pasi Bajerni i Mynihut është një nga skuadrat më të rëndësishme në botë”. Me këto fjalë Pep Guardiola nisi dje aventurën e re tek Bajerni i Mynihut.

 

Në gjermanisht

Ashtu siç kishte lajmëruar prej kohësh, tekniku i ri i Bajernit u prezantua në gjermanisht. “Mirëdita zonja dhe zotërinj! Ju kërkoj ndjesë për gjermanishten time! E kam mësuar për një vit në Nju Jork. Nuk është vendi optimal për ta mësuar gjermanishten. Shpresoj që në kohet në vijim t’i përmirësoj njohuritë e mia në këtë gjuhë. Çfarë ndiej sot? Është dhuratë, fat, të jem këtu sot, edhe që Bajerni ka menduar që unë të jem këtu. Për këtë arsye është për mua një dhuratë. Dua ta falënderoj shumë Bajernin për mundësinë që më dha për të qenë trajner i ekipit. Kjo është e gjitha”. Më tej, Guardiola iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në gjuhën spanjolle, angleze dhe italiane.

 

“Sfida e re” e Guardiolës

“Është një situatë e çuditshme për mua, – rrëfeu tekniku spanjoll. – Periudha që kalova tek Barça qe e mrekullueshme, por unë kisha nevojë për një sfidë të re. Bajerni më dha një mundësi të tillë. Historia e Bajernit e bën të veçantë këtë skuadër që kur më kontaktoi nuk mundja t’i thosha jo. Është një nder për mua. Kjo skuadër mund të shkruajë historinë. Unë jam gati të jap maksimumin dhe besoj se të gjithë, edhe tifozët, do të na mbështesin. Unë jam i bindur se të gjithë janë krenarë që bëjnë tifo për një ekip të tillë”.

 

Pak ndryshime, duhet vazhdimësi

Ai u tregua i gatshëm që të sillte në Mynih përvojën e vet. Tekniku katalanas nuk ka frikë nga trashëgimia e rëndë që i la Jup Hejnkesi: “Në vitin tim të parë si trajner m’u desh që të rindërtoja një skuadër. Ndërkohë, këtu është ndryshe, unë kam gati një ekip të bërë. Në vitet e fundit Bajerni ka zhvilluar një futboll fantastik. Vitin e fundit kjo skuadër fitoi gjithçka. Është e natyrshme që kur vjen tek Bajerni, të kërkojnë të fitosh çdo trofe. Një gjë e tillë është normale kur gjen edhe lojtarë të fortë. Është normale që pritshmëria të jetë e lartë. Nga ajo që ka lënë Hejnkesi kam ndërmend të ndryshoj shumë pak gjëra. Për mua vazhdimësia është shumë e rëndësishme. Për mua secili trajner i sheh gjërat ndryshe. Presioni? Duhet ta pranoj. Jam në kushte që të jetoj me të”.

 

Filozofia nuk ndryshon: Në sulm!

Për të gjithë ata që shpresojnë një Barcelonë të dytë, Pep mendon që t’i ulë me këmbë në tokë pasi u tha: “Lojtarët e Bajernit janë të ndryshëm nga ata të Barcelonës, kështu më duhet mua që të adaptohem me ata. Mua më pëlqen të sulmoj, kjo është ideja ime mbi futbollin”. Në fund të muajit korrik, Bajerni do të sfidojë në një miqësore ekipin e Barcelonës. Për këtë duel tekniku i ri i Bajernit tha: “Do të jetë një ditë speciale për mua, pasi jam këtu prej asaj që bëra tek Barcelona. Do të jetë një ndeshje e bukur që do të na ndihmojë shumë të përgatitemi mirë për Superkupën e Gjermanisë. Do të jetë një test i rëndësishëm për ne”.

 

Shakatë

Në fund të konferencës për shtyp, Pep gjeti kohë dhe theu akullin me tërë ambientin baravarez duke i thënë se mësuesja e tij bënte tifo për rivalët e ashpër, Borusian e Dortmundit, ndërkohë që kur e pyetën nëse familja e tij do ta ndiqte në Mynih, ai tha: “Është më mirë që jo pasi 6 muajt e ardhshëm do t’i kaloj në Zebener Shtrase (qendra stërvitore e Bajernit), nuk do të kem kohë për të vizituar muzetë”. Një batutë kjo që tregon më së miri për “supertrurin” e ri të Bajernit.

 

 

Ja 4 asistentët e Pepit

Për të përsëritur sukseset e sezonit të fundit të Bajernit, 42-vjeçari ka marrë me vete katër bashkëpunëtorët e ngushtë që ka pasur te Barcelona. Krahu i djathtë i teknikut spanjoll do të jetë Domenek Torrent. Asistenti teknik është një nga njerëzit më të besuar. Guardiola e ftoi të punonte si analist i ndeshjeve dhe vëzhgues në vitin 2007, kur Barcelona B militonte në kategorinë e tretë. Pasi mori drejtimin e skuadrës së parë, Torrent u bë zv.trajner. Karles Planshart ishte skaut dhe analist i videove në vitet e Pepit në “Kamp Nou” dhe do të vazhdojë të bëjë të njëjtën detyrë edhe në Mynih. Gjithsesi, përgjegjësia e tij e parë do jetë monitorimi i kundërshtarëve dhe zbulimi i talenteve nga klubet e tjera. Sepse me videoanalizat do të merret direkt Lars Kornetka, mjeshtri që Bajerni ia vodhi pak ditë më parë rivalëve të Shalkes. Lorenco Buenaventura do të zëvendësojë brazilianin Marselo Martins si trajner i fitnesit dhe është i vetmi jokatalanas nga stafi i Guardiolës. Ky i fundit rikthehet në vendlindje pas 5 vitesh tek Bajerni. Por bashkëpunëtori më i rëndësishëm i trajnerit do të jetë ndihmësi i tij më i besuar, Manel Estiarte. Katalanasi 51-vjeçar është ish-ylli i vaterpolos dhe medalist në Lojërat Olimpike (1996). Guardiola nuk harron kurrë të flasë me superlativa për asistentin e tij: “Është një nga sportistët më të mirë që Spanja ka prodhuar”. Nga Estiarte, Pep do të marrë këshillat direkte. “Ka marrë pjesë në disa ‘Lojëra Olimpike’ dhe unë dëshiroj ta marrë me vete për të na ndihmuar”, – tha Pep gjatë prezantimit të shokut të tij të ngushtë. Por edhe Herrman Gerland do vijojë të mbetet zv.trajner i Bajernit. “Këta janë njerëzit të cilëve unë u besoj, dhe kemi punuar së bashku për një kohë të gjatë tek Barcelona”, – shpjegoi Guardiola. Megjithatë, ai konfirmoi se ka shumë besim dhe tek stafi gjerman që do gjejë në Mynih: “Bajerni i Mynihut ka shumë profesionistë në pozicionet e duhura, kështu që nuk është e nevojshme për të bërë ndryshime rrënjësore. Më vjen mirë që njerëzit që përmenda më sipër pranuan të punojnë me mua. Shpresoj të menaxhojmë gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme”.

 

Presidenti

Hënes: E kuptova për pesë minuta se ai është i duhuri

Uli Hënes ka treguar se i mjaftuan 5 minuta për të kuptuar se Pep Guardiola ishte trajner i duhuri për Bajernin e tij. “Pas 5 minutave që folëm, mendova se kjo gjë do mbyllej. Kemi folur për 3-4 orë për futbollin. Ai nxori laptopin e tij dhe kjo është diçka që mua nuk më pëlqen aq shumë (qesh). Por atij i lejohet. Pas 3-4 orësh e dija që ky ishte njeriu i duhur. Para 2 vitesh, Pep më tha që mund ta imagjinoj të punoj tek Bajerni. Duhet t’u jemi mirënjohës të gjithë kolegëve dhe bashkëpunëtorëve për atë që kemi bërë vitet e fundit, sidomos në vitin e fundit. Duhet të falënderojmë Jup Hejnkesin për atë që bëri me ekipin vitin e fundit. Të jesh në krye është diçka, por të mbetesh në piedestal është diçka tjetër. Pep Guardiola është njeriu i duhur për këtë sfidë të re. Kush tjetër mund t’ia dilte”, – deklaroi gjatë prezantimit presidenti i Bajernit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency