Premtimi Kryeministri: Harta dixhitale e tokës brenda vitit, zgjidhje për problemet e pronësisë

0
102

Ina Jano

BBB

PD mbështet politikën e taksave të ulëta

Rama falimentim për prodhimin vendas

 

Problemet e pronësisë ishin ato që mbizotëruan në bashkëbisedimin e Kryeministrit Berisha me banorët e fshatit Ishëm. Numri një i qeverisë që në fillim të fjalës së tij përpara banorëve tha se harta dixhitale e tokës, edhe falë projektit “Shqipëria dixhitale”, do të përfundojë brenda këtij viti, duke u dhënë mundësi të gjithë qytetarëve që të përfitojnë pronat e tyre. Megjithatë, duket se kjo fjalë e numrit një të mazhorancës u përforcua edhe më shumë, pasi disa prej bashkëbiseduesve të tij, duke e falënderuar zotin Berisha për ardhjen disa herë në Ishëm, ia ngritën këtë shqetësim. “Brenda këtij viti ne përfundojmë hartën dixhitale të tokës. Ajo është forma më e saktë e regjistrit të tokës, kufijve të saj. Ne prej një viti po punojmë me kompani të mëdha ndërkombëtare dhe harta dixhitale e tokës është përgjigjja më e shkëlqyer ndaj çdo mbivendosjeje dhe çdo keqkuptimi. Së dyti, jam absolutisht dakord me ju se problemi më i mprehtë është kullimi. Kjo problematikë më është ngritur në disa takime. Ne do të bëjmë gjithçka për ta konsoliduar dhe forcuar këtë komponent si elementi më thelbësor edhe më pas vaditja. Ky është premtimi im”, – tha Berisha.

Zhvillimi

Kryeministri gjatë bashkëbisedimit me banorët e Ishmit deklaroi se këto vite qeveria është përpjekur të urbanizojë Komunën e Ishmit. “Kemi rindërtuar rrugët që ju lidhin me Tiranën, Durrësin, detin. Zotohem se do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo rrugë të çdo fshati kudo që të jenë. Garantoj se do të trefishojmë mbështetjen për projektet në fermat tuaja, në turizëm, blegtori, bletari, ullishte etj.”, – tha Berisha. Duke u ndalur në potencialin turistik të kësaj zone, lideri demokrat u shpreh: “Do të bëjmë gjithçka për shfrytëzimin e potencialit tuaj turistik të jashtëzakonshëm. Ishmi ka potencialet turistike më të mëdha të vendit”, – u shpreh Kryeministri Berisha, duke shtuar: “Qeveria do të bëjë gjithçka që 4 vitet që vijnë të garantojë vaditjen e tokave tuaja, nëpërmjet sistemeve ekzistuese, rindërtimit të tyre ose të reja”. Kreu i qeverisë theksoi se përpjekja e mazhorancës është të krijojë sa më shumë vende pune kudo. “Të kemi rroga dhe pensione më të larta. Këto janë projekte, por ju keni provuar se ne kemi qëndruar në premtimet tona. Kemi ndërtuar rrugë më shumë se kurrë. Kemi dyfishuar pensionet në fshat. Filluam projektin e subvencioneve. Ka funksionuar. Është një nga sukseset e mëdha të kësaj qeverie”, – nënvizoi kryetari i ekzekutivit, gjatë bashkëbisedimit me banorët e Ishmit. Ai vlerësoi disa herë ata për vullnetin e tyre për të punuar dhe për të zhvilluar vendin e tyre, ndërsa i siguroi se do të vijojë që ti mbështesë me grante dhe donacione. Zoti Berisha premtoi se në mandatin e ardhshëm do të përfundojnë projekte të tilla si ai i vaditjes dhe kullimit, të cilat janë jetike për zhvillimin e fshatit. “Gjithçka për të rritur prodhimin më të madh në fermat tona, për suksesin më të madh në bizneset tona. Do të përgjysmojmë taksat për të gjithë industrinë turistike. Hoqëm tatimin për çdo punonjës që merr rrogë nën 30 mijë lekë. Për çdo të ri që do të mësojë një punë, tre vite s’do ketë asnjë detyrim fiskal”, – u shpreh Berisha. Ndërsa duke u ndalur në disa prej politikave të ndërmarra nga qeveria që ai drejton, shefi i PD-së saktësoi: “Kemi marrë vendime t’ju paguajmë me para në dorë akcizën e naftës që ta përdorni për punimin e tokës. T’ju paguajmë me para në dorë TVSH-në 20% të çdo gjëje që blini për të rritur prodhimin e fermave tuaja. Besojmë se kjo ndihmë është më e plota që mund t’u jepet fermerëve”.

Lumi

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në Durrës se Ishmi do të bëhet një nga lumenjtë më të pastër të Shqipërisë. “Tirana fillon shumë shpejt ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza. Ky projekt do të bëjë të mundur që ujërat e Tiranës të derdhen të pastra si kristal për ta mbrojtur Ishmin. Përveç Tiranës ne kemi një objektiv që në detra të mos derdhet asnjë pikë uji i ndotur”, – theksoi zoti Berisha. Kreu i ekzekutivit u shpreh se qeveria që ai drejton është shumë e vendosur për pastrimin e ujërave dhe kanë investuar shumë. “60 impiante përpunimesh të ujërave të zeza janë përuruar e do të përurohen shumë shpejt, përfshirë këtu edhe atë të qytetit të Vlorës”, – u shpreh Berisha.

 

 

PD: Rama hesht për mosdeklarimin e pasurisë së tij

Zëdhënësja e PD-së nëpërmjet një deklarate për mediat deklaroi dje se lideri i PS-së ka 4 ditë që nuk jep shpjegimi për mos deklarimin e të ardhurave të tij personale të fituara nga shitja e librit “Kurban”. “Kanë kaluar katër ditë që nga dita kur mësuan se Edi Rama ka shkelur ligjin duke mos dorëzuar deklaratën mbi të ardhurat e tij personale, edhe pse në reklamën televizive të vetë atij, ai pretendon se ka fituar 9.3 milionë lekë të reja nga shitja e librit të tij Kurban. Katër ditë pa një shpjegim nga Edi Rama. Tani, jemi shkrirë së qeshuri me justifikimin fillestar absurd të Ramës se deklaratën e pasurisë së tij na e paska humbur zyra postare… Një tjetër shpikje imagjinare nga salloni i tij mavi”, – u shpreh Vorpsi. Kjo e fundit më tej parashtroi disa pyetje drejtuar kreut të PS-së, të cilave siç thotë ajo Rama duhet t’u përgjigjet. “Qytetarët meritojnë të dinë të vërtetën mbi të ardhurat e Ramës, të deklaruara nga vetë Rama. Mjaft më me justifikime të shpikura, mjaft më duke u fshehur pas zëdhënësve, mjaft më duke u fshehur pas cicërimave. Ka ardhur koha që Edi Rama ta pranojë një herë e mirë mungesën e transparencës nga ana e tij dhe fshehjen e pasurisë së tij. Sepse, nëse Edi Rama nuk mund të tregohet i ndershëm për të ardhurat e tij dhe deklarimin e tyre, në qoftë se ai fsheh origjinën e parave me të cilat ka blerë truallin dhe po ndërton vilën e tij, si mund të mendohet që qytetarët t’i besojnë ato që thotë ai? Këto janë pyetjet që bëjnë qytetarët dhe Z. Rama ende nuk u ka kthyer përgjigje me transparencë të plotë. Edhe sa kohë do të vazhdojë Edi Rama ta fshehë të vërtetën? 1-Nga cila zyrë postare e ka postuar Rama deklaratën e tij? 2-Pse deri tani nuk ka paraqitur një vërtetim? 3-Në cilën datë e ka postuar Rama deklaratën e tij? 4-Si ka mundësi që për dy muaj nuk e ka vënë re që nuk është dorëzuar? 5-Pse nuk e ka dorëzuar online që në fillim? 6-A mos është ai kundër Shqipërisë dixhitale? 7-Apo mos Z. Rama është thjesht duke gënjyer qytetarët? Dhe, seriozisht, çfarë po përpiqet të fshehë Edi Rama?”, – përfundon reagimi i selisë blu i ditës së djeshme.

 

 

Rindërtimi i Aviacionit Civil

Berisha: Atmosferën pozitive konvertojeni në vota

Kreu i qeverisë përuroi dje rikonstruksionin e ndërtesën e Autoritetit të Aviacionit Civil, në Tiranë, një investim me vlerë 55 milionë lekë. Duke i ftuar qytetarët që më 23 qershor të votojnë numrin 44, Kryeministri u shpreh: “Le të organizojmë ne dhe të përkthejmë në vota mesazhin e shkëlqyer që japin sheshet e Shqipërisë që nga Saranda, në Kukës, në Peshkopi dhe kudo, të cilat ftojnë për një bashkim të paprecedentë të shqiptarëve në fitoren e 23 qershorit”. Lideri demokrat i përcolli demokratëve mesazhin e tij se “fitorja është dorën tuaj!” dhe kërkoi prej tyre që të prezantojnë te qytetarët e tjerë sa më qartë platformën e Partisë Demokratike. “Nëse ajo do të shpjegohet mirë, asnjë zgjedhës nuk ka arsyen më të vogël ta refuzojë atë. Kjo është platforma e integrimit dhe shqiptarët, pa dallime partiake, mbështesin integrimin”, – theksoi zoti Berisha. Duke vlerësuar këtë investim, shefi i demokratëve u shpreh se ai dëshmon ritmet e shpejta me të cilat lëvizën qytetarët shqiptarë në këto pak vite. “Ne inauguruam sot këtë ndërtesë të bukur të Aviacionit Civil, e cila dëshmon më bukur se çdo gjë tjetër ritmet e shpejta me të cilat lëvizën qytetarët shqiptarë në këto pak vite. Vetëm pak vite më parë numri i pasagjerëve në aeroportin e Rinasit ishte rreth 700 mijë, sot është 1 milionë e 700 mijë. Duke llogaritur këtu edhe autobusin mavi”, – shtoi Kryeministri. Në fjalën e tij, Berisha theksoi se po shkohet drejt ditës së zgjedhjeve dhe se Partia Demokratike po shkon me një program që do të shndërrojë Shqipërinë, në mënyrë përfundimtare, në një vend të zhvilluar. Më tej ai deklaroi se mandati i ardhshëm qeverisës do të jetë mandati i vendosjes së kryeqytetit tonë në piedestalin që e meriton dhe qeveria do të mbështesë fuqishëm, në çdo projekt, Bashkinë e Tiranës.

Investimet

Më këtë investim është ndërtuar një kompleks bashkëkohor dhe mundëson ofrimin e shërbimeve me cilësi të lartë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Shqipëria është pjesë e Zonës së Përbashkët Ajrore Evropiane dhe përmbush të gjitha detyrimet e parashtruara nga Bashkimi Evropian në lidhje me standardet Evropiane të sigurisë ajrore dhe standardet ndërkombëtare për pacenueshmërinë e fluturimit. Në Shqipëri operojnë 12 operatorë ajrorë të skeduluar, në 34 destinacione. Gjatë viteve të fundit sektori i transportit ajror ka pësuar një rritje të qëndrueshme dhe arsyet e rritjes së treguesve janë shtimi i kapaciteteve të qarkullimit dhe tërheqja efektive e kapitaleve private në këto shërbime. Kështu, numri i pasagjerëve është rritur 2 herë, duke arritur ne rreth 1.7 milionë në vitin 2012 nga 784 mijë pasagjerë në 2005. Edhe numri i turistëve për fluturimet charter është rritur 105% krahasuar me vitin e kaluar. Veprimtaria e Autoritetit është vlerësuar pozitivisht në misionet audituese në nëntor 2012 nga ICAO ( Internacional Civil Aviation Organisation), në tetor 2012 dhe maj 2013 nga EASA (European Aviation Safety Agency).

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency