Mandati i ardhshëm Berisha: 22 milionë dollarë investime vetëm në Kinostudio

0
123

Ina Jano

BERISHAKryeministri për PS-në: Ato le t’i hedhim me një akt dhe të mos konsumojmë asnjë minutë duke u marrë me to. Le t’ia lëmë shokut të çlodhet në autobus. Vazhdo të çlodhesh!

 

Kur kanë mbetur edhe njëmbëdhjetë ditë nga 23 qershori, kur shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit, kreu i demokratëve pati një mesazh të rëndësishëm për të gjithë banorët e lagjes 4 në kryeqytet. Gjatë tubimit elektoral ku u prezantuan kandidatët për deputetë në këtë zonë, shefi i selisë blu u premtoi atyre 22 milionë dollarë investime vetëm në lagjen e tyre. “Ju duhet ta dini se qeveria ka ndërtuar për ju, për lagjet tuaja 1 miliard lekë investime dhe së bashku me bashkinë do të investojmë në lagjen tuaj, më shumë se në të gjitha dekadat të marrë së bashku. Do të investohen 22 milionë dollarë. Qeveria do të mbështesë Bashkinë e Tiranës për rivitalizimin e të gjithë territorit të lagjes suaj, rrugë, rrugica, kanale, ujësjellës shkolla, çerdhe dhe gjithçka tjetër. Brenda një viti në këtë lagje do të investohen 22 milionë dollarë”, – u shpreh Kryeministri. Për zotin Berisha edhe një tjetër premtim tjetër i rëndësishëm u bë në Kinostudio, vetëm se këtë herë ishte një mesazh që i kapërcente banorët e kësaj lagjeje. Kreu i ekzekutivit deklaroi se brenda vitit të mandatit të ardhshëm nuk do të ketë më në Shqipëri asnjë familje që të jetojë në varfëri ekstreme. “Jam sot këtu, për t’u zotuar para jush se vitin e parë të mandatit që vjen nuk do të ketë familje në këtë lagje, në Tiranë dhe në Shqipëri në varfëri ekstreme. Shqipëria dhe shqiptarët do të ndahen njëherë e përgjithmonë nëpërmjet rritjes së ndihmës ekonomike, rritjes së punësimit, nga varfëria e madhe nga ato skaje ku ekziston”, – shtoi lideri demokrat.

PS

Duke u ndalur në alternativën tjetër që shtrohet përpara shqiptarëve, Kryeministri Berisha tha se alternativa e vetme është ajo e mashtrimit, mallkimit dhe mohimit. Në të njëjtën kohe ai nënvizoi se nuk duhet të merremi me opozitën, por të gjithë frymën dhe energjinë duhet që t’ia u kushtojnë alternativave për qytetarët. “Cila është alternativa tjetër? Mashtrime, trillime, sharje dhe mallkime. Por ato le t’i hedhim me një akt dhe të mos konsumojmë asnjë minutë duke u marrë me to. Le t’ia lëmë shokut të çlodhet në autobus. Vazhdo të çlodhesh! Ne le të vazhdojmë në përpjekjen tonë të mëtejshme për të ulur më tej taksat, për të ndërtuar një jetë më të mirë, për të ecur drejt Evropës dhe të vazhdojmë për një punësim më të madh, rroga më të larta, mirëqenie më të madhe, për Tiranën e ëndrrës së qytetarëve të saj. Për Tiranën e ëndrrës së shqiptarëve kudo që janë, për Tiranën, metropolin evropian”, – tha përpara demokratëve të entuziazmuar Kryeministri në fjalën e tij prej rreth 20 minutash. “Kjo është alternativa jonë, alternativë e faktuar me integrimin e Shqipërisë në NATO, e faktuam së bashku me heqjen e vizave, e faktuam së bashku me rritjen e pensioneve dhe rrogave, e faktuam së bashku me ndërtimin e infrastrukturës moderne në Shqipëri. Do të faktohet më tej, do të provohet në lagjen tuaj, në mbarë Tiranën. Unë u jap fjalën këtu se qeveria do të financojë ndërtimin dhe rindërtimin në Tiranë të 250 km rrugë me përparësinë më të madhe”, – nënvizoi Berisha duke shpalosur alternativën e të djathtës, për këto zgjedhje. Nga qyteti në qytet dhe nga zona në zonë, uragani blu do të vijojë të shtrijë aktivitetin e tij edhe në zona të tjera. Në zonën e Kinostudios, selia blu kandidon Arben Qirjakon, i cili çdo ditë është duke zhvilluar takime intensive për tu bërë të ditur qytetarëve projektet e PD-së për përmirësimin e jetës së tyre, dhe në veçanti ato për komunitetin e tyre.

 

 

Basha: I vetmi interes i Ramës, ai personal

Interesi i parë është ai për qytetarët, ndërsa për Ramën një gjë e tillë nuk ndodh. Kështu u shpreh kreu i bashkisë së Tiranës, në takimin elektoral që Partia Demokratike mbajti mbrëmjen e djeshme në Kinostudio për prezantimin e kandidatëve. Basha e akuzoi alternativën e Ramës, si një alternativë mohimesh, trillimesh dhe mashtrimesh ndërsa u deklaroi të gjithë qytetarëve që të rikujtojnë të gjitha rritjet e taksave që ka pasur në kohën kur shefi i selisë rozë, ishte në krye të bashkisë. Basha nënvizoi se Rama rriti taksën e reklamës me 300 për qind, taksën e pastrimit me 15 për qind. Për kryebashkiakun përgjigja e këtyre pyetjeve është vetëm interesi personal i Ramës. Ai solli në vëmendje se me kaq pak kohë administrata e bashkisë punoi për planin urbanistik të cilin Rama nuk e bëri as gjatë tre mandateve që ishte në krye të bashkisë më të madhe të Tiranës. Pa hedhur poshtë punën e të gjithë socialistëve që punuan për këtë lloj plani, Basha tha se qyteti është i të gjithëve dhe të gjithë duhet të punojnë për të. Duke e quajtur si të çoroditur kreun e selisë rozë, shefi i fushatës elektorale për Tiranën në PD, Lulzim Basha tha se mjafton të shihet sesi u përgjigjet njerëzve në ato që i quan kënde të fjalës. “E pyesnin për pensionet, përgjigjej për vaditjen, e pyesnin për hipotekat përgjigjej për legalizimet”, – përfundoi Basha.

 

 

Sot Bumçi në ministerialin e Dubrovnikut, diskutime për TAP

Ditën e sotme ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi, do të marrë pjesë në ,inisterialin e Dubrovnikut, në mbështetje të gazsjellësve Trans Adriatik – TAP dhe Joniano Adriatik – IAP. Në këtë takim do të marrin pjesë edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të Italisë, Greqisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës. Ky takim realizohet në vijim të Marrëveshjes Ndërqeveritare mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për Ndërtimin dhe Operimin e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), dhe Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi për Mbështetjen dhe Bashkëpunimin në realizimin e projekteve TAP dhe IAP. Në përfundim të këtij takimi ministrat do të dalin më një deklaratë të përbashkët në lidhje më këtë çështje.

 

 

 

Town hall me biznesin

Kryeministri premton paketë të re për uljen e taksave

Zoti Berisha zhvilloi pasditen e së martës një takim me sipërmarrësit në lagjen Kombinat të Tiranës. Kreu i së djathtës e ka shfrytëzuar bashkëbisedimin me biznesmenët për të rivënë në shënjestër të sulmeve taksën progresive të ofruar nga PS, vendosja e të cilës sipas tij do të thotë falimentim i plotë i vendit dhe ku më mirë mund të bënte një deklaratë të tillë përveçse me biznesmenët të cilët e kuptojnë shumë mirë një politikë të tillë, pasi të gjitha paratë dalin nga xhepat e tyre. “Dy modele po përballen sot, modeli i taksës së ulët ose të 10-ave dhe ai i taksës së lartë apo progresive. Taksa progresive do të thotë para shumë më pak për investitorin, para më pak për kompaninë, pamundësi për rritje pagash, pamundësi krijimi vendesh pune. Do të thotë shkurtim i vendeve të punës. Ndërsa me taksën e sheshtë barra fiskale shpërndahet në mënyrë të përgjithshme”, – tha Berisha. ai pati edhe një tjetër lajm të mirë për t’u dhënë të gjithë sipërmarrësve, duke u thënë atyre se puna qeverisë nuk ka mbaruar në lidhje me uljen e taksave. Kryeministri u premtoi atyre një tjetër paketë për uljen e taksave. “Taksat i kemi ulur, kjo nuk është paketa përfundimtare. Ne do synojmë paketë tjetër, besojmë tek liria ekonomike. Nuk ka asgjë më mirë se sa punësimi i qytetarëve kjo është arritja më e madhe e tregut”, – garantoi Kryeministri, gjatë këtij bashkëbisedimi. Shefi i qeverisë shprehu gatishmërinë e tij dhe kabinetit qeveritar për të bërë gjithçka për suksesin e biznesit, duke i siguruar sipërmarrësit se mbështetja e fuqishme ndaj tyre do të mbetet një politikë konstante. Gjatë fjalës së tij vlerësoi edhe rritjen e investimeve në vend, proces ky që sipas tij do të vijojë në 4-vjeçarin e ardhshëm. “Në vitet e fundit Shqipëria ka marrë 1 miliard dollarë në çdo vit. Ne jemi të gatshëm të marrim çdo hap në mënyrë që në 4 vitet që vijnë të arrijmë 6 miliardë dollarë investime. Kjo është një shifër realiste pasi për Shqipërinë janë parashikuar investime gjigande. Shefi i qeverisë ka saktësuar se vetëm kaskada e Devollit ka një kosto prej 1 miliard dollarë, ndërsa ka shtuar se gazsjellësi TAP ofron punësim dhe mundësi për përdorimin e gazit në shkallë të gjerë. Po ndërtohen edhe parqe industriale. Ne kemi punësimin e shqiptarëve qëllimin më madhor dhe mirëqenien prioritetin e dytë. Kjo është një histori suksesi”, – u shpreh Kryeministri. Nuk munguan pyetjet edhe nga investitorët e huaj që operojnë në Shqipëri dhe që shefi i qeverisë i falënderoi për të gjithë besimin e treguar nga ata për paratë e tyre që i kanë investuar në Shqipëri, pasi edhe kjo nuk është e pakët.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency