Testimi për regjistrimin dhe verifikimin elektronik Votimi i dyfishtë zbulohet pas 48 orësh

0
123

Gëzim Saliu

VOTIMITeknologjia në zgjedhje, probleme edhe me identifikimin e kartave

 

Testimi përfundimtar i projektit teknologjik për verifikimin dhe regjistrimin elektronik të zgjedhësve në qarkun e Tiranës shfaq probleme. I zhvilluar dje në dy qendra votimi në hollin e Pallatit të Kongreseve, ky testim tregoi se votuesit që votonin dy herë zbuloheshin vetëm pas 48 orësh. Megjithëse Kodi Penal parashikon 7 vjet burg për personin që manipulon në këtë formë, përfaqësuesit politikë pjesëmarrës shprehën kritikën e tyre lidhur me mundësinë e votimit të një personi dy herë. Po ashtu problematike u shfaqën edhe lidhur me identifikimin e kartave të identitetit, ku në simulimin e parë ku votuan 45 zgjedhës, 5 prej votuesve që votuan manualisht nuk iu njoh karta e identitetit.

Testimi

Për rreth 4 orë është zhvilluar dje testi përfundimtar për verifikimin dhe regjistrimin elektronik të zgjedhësve ne qarkun e Tiranës. Ky testim i cili aplikohet nga kompania spanjolle “INDRA” dhe që do të zbatohet për herë të parë në 1 422 qendra votimi në Tiranë kaloi me disa problematika që lanë të pakënaqur përfaqësuesit e palëve politike duke ngritur kështu shume pikëpyetje. Në simulimin e parë, në dy qendra votimi ku votuan 44 zgjedhës, 5 prej tyre nuk ju njoh nga sistemi karta e identitetit, megjithëse ata votuan manualisht. Zgjidhja e dhënë në këtë rast nga komisioni, për regjistrimin e numrit personal të dokumenteve, në mënyrë manuale dhe lejimin e përdoruesve të tyre të votojnë normalisht, solli kundërshtitë e përfaqësuesve të partive politike. Sipas tyre, zgjedhësi mund të shkojë në qendrën e votimit me dokument të falsifikuar që nuk njihet nga aparaturat që kushtojnë miliona euro dhe sërish të votojë. Një tjetër problem ishte dhe identifikimi vetëm pas 2 ditësh nga sistemi i individëve që votojnë më shumë se 1 herë me të njëjtin dokument identiteti në qendra të ndryshme votimi. Por sidoqoftë, kodi penal parashikon zgjidhjen për këtë rast, 7 vjet burg, për personin që manipulon në këtë formë.
Po ashtu identifikimi elektronik ngriti edhe pikëpyetjen nëse do të vijojë apo jo votimi në një qendër së cilës i ndërpritet energjia elektrike dhe që në zgjedhjet e mëparshme nuk ka munguar as ky fenomen. Funksionimi i identifikimit elektronik kërkon gjithashtu të sigurohet se linja e transmetimit të të dhënave të zgjedhësve nga qendra e votimit në sistem, që është vendosur në bodrumet e KQZ-së, të mos ketë defekte dhe bllokime. Përfundimet e testimit për projektin teknologjik për verifikimin dhe regjistrimin elektronik të zgjedhësve në qarkun e Tiranës do të hartohen në një raport që do ti paraqitet KQZ-së për vendimmarrje. Sistemi i ri elektronik parashikon që çdo qendër të ketë një ekran të madh dhe aparaturën, e cila do të vendoset në çdo tavolinë të qendrave të votimit. Duke kaluar në këtë aparaturë, kartën e identitetit ose pasaportën, synohet të shmanget procedura e verifikimit nga komisionerët. Kjo lloj teknologjie është parashikuar të aplikohet në mbi 1400 qendra votimi në kryeqytet, ku çdo 5 minuta aparatura dërgon të dhëna nga qendrat e votimit në serverin qendror që ndodhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku prej andej printohen edhe raportet përkatëse. Kompania INDRA, e cila ka ndërmarrë projektit teknologjik për verifikimin dhe regjistrimin elektronik të zgjedhësve në qarkun e Tiranës ofron shërbimet e saj për zgjedhjet në mbi 20 vende të botës. Ajo është e njëjta kompani që u kontraktua për numërimin elektronik në Fier, që pas testimit të parë u vlerësua si i dështuar.

 

 

Mbledhja

KQZ miraton zgjedhjet e pjesshme vendore në 23 qershor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi dhe miratoi dje me 4 vota pro Projektvendimin “Për regjistrimin si subjekt zgjedhor të partive politike, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar, në disa njësi të qeverisjes vendore, të datës 23 Qershor 2013”. KQZ regjistroi si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore Partinë Demokratike, Partinë Socialiste,Lëvizjen Socialiste për Integrim, Partinë Republikane, Partinë Socialdemokrate, Partinë e Unitetit Kombëtar, Partinë Balli Kombëtar Demokrat, Partinë Demokracia Sociale dhe Frymën e Re Demokratike. Po ashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi dje se data 10 qershor është afati i fundit për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. “Afati i fundit është data 8 qershor, por duke pasur parasysh se dita e sotme është e shtunë, në bazë të nenit 125 të kodit zgjedhor bëj me dije se ky afat përfundimtar shtyhet për ditën e hënë. Të gjithë organizmat apo mediat që duan të akreditojnë vëzhgues për zgjedhje afati i fundit, është dita e hënë(10 qershor) dhe jo dita e sotme”, bëri të ditur zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj.

 

Kreu i PBDNJ

Dule: Raporti i ODIHR-it vërtetoi dhunimin e KQZ-së

Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, reagoi dje mbi raportin paraprak të OSBE-ODIHR, i cili sipas tij e pranoi që KQZ është dhunuar ndaj nuk mund të pretendohet në këto kushte për një proces zgjedhor të ndershëm. “Raporti konsiston se KQZ është dhunuar. S’mund të pretendohet e shpresohet për një proces të ndershëm. Komisioni s’mund të arrijë të përmbushë misionin kushtetues. Opozita, do jetë e pranishme në të gjitha nivelet e administrimit”, – tha Dule, duke shtuar se opozita nuk mund të pranoje që KQZ të dhunojë procesin. Po ashtu, kreu i PBDNJ-së theksoi gjithashtu se qeveria me veprimet e saj ka zhgënjyer qytetarët. “Kjo qeveri ka zhgënjyer qytetarët për integrimin evropian. Kjo qeveri nuk mund të marrë më mbështetjen e qytetarëve shqiptar. Qeveria po rëndon çdo ditë situatën politike, ekonomike shoqërore”, – theksoi Dule.

 

Kreu i FRD-së

Topi: Helikopterët e NATO-s përdoren për femra e pushime

Kreu i FRD-së, Bamir Topi, ka reaguar dje për herë të parë mbi faktin se një helikopter i forcave të armatosura fluturoi në muajin mars mbi vilën e tij që konsiderohet objekt i rëndësisë së veçantë. Topi akuzoi drejtuesit e këtij dikasteri për mungesë serioziteti që me paratë e taksapaguesve përdorin helikopterë të ushtrisë për pushime nga biznesmenë dhe femra. “Unë nuk kam folur asnjëherë për këtë temë. As për pushimin nga puna të gjeneralëve. Shkarkimi i 3 gjeneralëve, i padrejtë, ata e kanë bërë punën e tyre. Po marr shkas, që pas kaq kohësh doli një gjeneral, i cili u shkarkua para ca ditësh, që sipas informacioneve të mia e ka bërë detyrën e vet, për një ngjarje që konsiderohet si “një helikopter mbi shtëpinë time”. Kjo nuk është çështje personale, se e dija dhe do ta kisha bërë me dije prej kohësh. Çështjet personale të miat janë të miat dhe ju siguroj, që i përballoj dhe i zgjidh vetë. Por Shqipëria sot është një ndër 28 vendet anëtarë të NATO-s. Por me helikopterët e ushtrisë e NATO-s sot bëhen pushime. Përdoren nga biznesmenë për pushime dhe femra. Turp për atë që ka rrënuar në këtë mënyrë institucionet shqiptare”, – u shpreh ai në një takim me banorët e njësisë bashkiake nr. 3 në Tiranë.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency