Patos e Ballsh Rama: Brenda vitit, konferencë ndërkombëtare për të rikthyer naftën tek naftëtarët

0
132

 Gëzim Saliu

edi-rama

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

“Me numrin 29 në kutitë e votimit, njerëzit do të heqin taksën e biznesit të vogël dhe do përgjysmojnë tatim-fitimin”

 

 

Partia Socialiste do të rikthejë pasuritë natyrorë të vendit në përfitim dhe burim mirëqenie për qytetarët e saj. Kështu deklaroi dje nga Patosi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke bërë të ditur se brenda vitit, socialistët kanë menduar të organizojnë një konferencë ndërkombëtare për naftën. “Ne kemi prezantuar programin tonë për naftën. Qeveria e re do të organizojë brenda vitit një konferencë ndërkombëtare për të shpëtuar naftën dhe sektorin e naftës nga grabitqarët dhe për t’ia kthyer këtë pasuri të madhe në formë mirëqenieje qytetarëve të Patosit dhe qytetarëve të gjithë Shqipërisë. Ne nuk mund të pranojmë që 455 milion euro në vit të humbasin nga keqqeverisja dhe korrupsioni me pasuritë tona natyrore. Kjo është e papranueshme dhe duhet dënuar me votë në 23 qershor”, – tha Rama.

 

Takimet

 

Për kryesocialistin, qytetarët duhet ta ndëshkojnë kryeministrin e vendit me një votë masive jo vetëm si të paaftë, por edhe si një personazh që e turpëron Shqipërinë, që nuk i bën nder popullit shqiptar. “Në 23 qershor do të çlirojmë energji të jashtëzakonshme për punësimin, për shërbimet sipas nevojës dhe jo sipas qejfit, për të gjithë të punësuarit, për mësuesit, mjekët, njerëzit e naftës. Vota e 23 qershorit nuk është një votë për një parti kundër një tjetre, as për disa njerëz kundër disa të tjerëve, as një votë për të ndërruar një kryeministër me një tjetër por është një votë për të ndalur rrënimin e mëtejshëm dhe për ti hapur rrugën rilindjes shqiptare, një votë për ti dhënë fund rritjes së papunësisë dhe për të hapur vende të reja pune. Është një votë për ti dhënë fund shkatërrimit të biznesit të vogël. Është një votë për një vendim shumë të rëndësishëm, ky vendim duhet marrë jo duke u nisur nga tesera që ka në xhepin e tij, por duke u nisur nga interesi i familjes së vet”, – u shpreh Rama. Pas këtij takimi, kreu i PS-së është ndalur në Mallakastër, ku theksoi se në zgjedhjet e 23 qershorit, i gjithë qarku i Fierit dhe gjithë Shqipëria do të votojë edhe për t’ia kthyer popullit të drejtat mbi pasuritë nëntokësore. “Ne jemi të vendosur të ulim taksat për 95% të shqiptarëve. Ulja jonë e taksave do të përfitojnë edhe demokratë pa dallim, njerëz të zakonshëm të këtij vendi. Me numrin 29 në kutitë e votimit, njerëzit do të heqin taksën e biznesit të vogël dhe do përgjysmojnë tatim-fitimin. 400.000 shqiptarë do të përfitojnë nga ky lehtësim dhe do të mund të vetëpunësohen duke hapur një biznes të vogël”, – theksoi ai. Në këtë kontekst, Rama bëri të ditur se vetëm nëpërmjet programi të PS-së, i cili mundëson kujdesin shëndetësor falas, dera e spitalit nuk do të hapet më me para, por për çdo shqiptar që ka nevojë. Po ashtu kreu socialist ironizoi kryeministrin Berisha me deklaratat mbi taksën e sheshtë, duke e cilësuar këtë taksë si të pandershme. “Taksa e sheshtë është taksa e Zotit, thotë katragjyshi dhe nëse paguani kaq sa paguani, sipas tij, kjo ndodh se e ka vendosur Zoti. Është taksë e drejtë, thotë ai se kush ka dhjetë paguan 10 e kush ka 100 paguan 10. Por ne i themi, nëse me taksën e tij të shtrembër sot që fiton 500 mijë lek, paguan 50 mijë lek do paguajë, nesër do paguajë vetëm 10 mijë lek dhe kursen 40 mijë lekë”, nënvizoi ai. Sipas Ramës, shqiptarët e kanë kuptuar se PD nuk ka më program, ndaj më 23 Qershor do të votohet për Rilindje. “Programin e tij e ka marrë lumi me kohë, dhe më 23 qershor shqiptarët kanë vendosur për Rilindje e jo rrënimin. Rritje të punësisë dhe jo papunësisë. Do vendosin mbështetje për fermerët dhe fshatin, jo braktisje të fshatit”.

 

 

 

 

Rama dhe Ruçi kërcejnë valle në mitingjet e qarkut Fier

 

Takimet e djeshme në qarkun e Fierit të kreut socialist Edi Rama janë shoqëruar me valle dhe kërcime tradicionale shqiptare. Kështu, në takimin në Patos, kryesocialisti nuk ngurroi të përfshihej në valle, gjest ky që u prit me ovacione nga pjesëmarrësit në miting. Ky veprim i kreut socialist u ndoq nga kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, i cili pas mbylljes së takimit elektoral në Mallakastër, u bë pjesë e valles së grupit të kërcimtarëve që ishin ngjitur në skenën e improvizuar.

 

 

 

Kavajë

Meta: Ne, partia e të rinjve që ofrojmë punësim

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i LSI-së, njëherazi kandidat për deputet në qarkun e Tiranës, Luan Rama, ka marrë pjesë ditën e djeshme në Konventën e Lëvizjes Rinore për Integrim së Kavajës. Në fjalën e tij k Meta, deklaroi se Kavaja po ecën drejt një ndryshimi të vërtetë. “Jam vërtet shumë i bindur se Kavaja po ecën drejt një ndryshimi të vërtetë, drejt një ndryshimi që i jep një perspektivë të re dhe të prekshme të gjithë të rinjve dhe të rejave të Kavajës. Dhe jam i bindur se pjesëmarrja juaj, mbështetja juaj për Lëvizjen Socialiste për Integrim është investimi më i mirë që ju bëni për të gjithë familjet tuaja, komunitetin tuaj, qytetin tuaj për të ecur të gjithë më shpejt në rrugën e mirëqenies dhe në rrugën e integrimit”, tha ai. Më tej ai u shpreh se LSI është në radhë të parë partia e të rinjve dhe të rejave në të gjithë Shqipërinë. “Kjo duket qartë edhe në listën tonë të kandidatëve për deputet. Në Qarkun e Tiranës, katër nga shtatë kandidatët e parë i takojnë Lëvizjes Rinore për Integrim. Sepse ne kemi besim tek rinia, kemi besim sepse ju keni të gjitha aftësitë, të gjitha kapacitetet për të qenë vendimmarrës jo nesër por sot, dhe pikërisht në 23 qershor është mundësia më e mirë për të thënë fjalën tuaj dhe për të marrë vendimin më të mençur për të nesërmen e Kavajës dhe të gjithë Shqipërisë. Rinia besoj tek LSI, sepse rinia është pjesë e lidershipit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Rinia beson tek LSI, sepse Lëvizja Socialiste për Integrim është forca më e përkushtuar për të çuar përpara projektin e një Kavaje të vërtetë evropiane, të një Shqipërie të vërtetë evropiane, jo me fjalë por me vepra. Jo me premtime boshe por me standarde të vërteta demokratike, ekonomike dhe shoqërore”, – deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta.

 

Roskovec

Rama: 29 është data e bekuar e çlirimit të Shqipërisë

 

Kryesocialisti e ka quajtur numrin 29 që është numri i Partisë Socialiste në fletët e votimit, si numrin e çlirimit. “Zgjedhja e 23 qershorit është shumë e qartë. Kush e do pushtetin në qafë dhe familjen në gjunjë, le të votojë Saliun. Kush e do qeverinë në krahë dhe rrugën të hapur për familjen e tij, që të jetojë me punë të ndershme, ka vetëm një adresë, Partia Socialiste e Shqipërisë me numrin 29. 29-a është data e bekuar e çlirimit të Shqipërisë. Në 23 qershor me numrin 29 Shqipëria do të çlirojë energji të jashtëzakonshme për të shkuar përpara dhe për të lënë pas në të shkuarën katragjyshin me antiplumb dhe politikën e tij të verbër të rrënimit”, – tha Rama. Në këtë takim, kryesocialisti premtoi se do të punojë gjithmonë për hallet dhe problemet e popullit të Roskovecit, Fierit dhe Shqipërisë. “Unë nuk jam këtu për të treguar përralla por për tu zotuar solemnisht se hallet tuaja do të jenë dhe hallet e mia, problemet tuaja do të jenë dhe problemet e mija. Përpjekjet tuaja për të dalë nga varfëria dhe për të shkuar drejt rrugës së mirëqenies për të gjithë familjen do të jenë dhe përpjekjet e mia bashkë me skuadrën e rilindjes. Shkoni drejt kutisë së votimit jo vetëm, por me dikë tjetër që akoma është i lëkundur. Thuajini që së bashku do të merrni një vendim historik, vendimin për të shkruar një histori të re, historinë e kthimit të Shqipërisë në punë, punë, punë. Ftoj të gjithë demokratët e zakonshëm të na bashkohen që me votë tek numri 29 tu japin një shans familjeve të tyre. Ata janë të papunë njësoj si ju. Edhe ata me votën e tyre duhet të pushojnë Saliun nga puna që të mund të gjejnë përmes punës rrugën e mirëqenies”, – përfundoi Rama.

 

 

 

 

Kandidati i pavarur

Malaj: Zgjedhjet të mos ndikojnë në incidentet etnike dhe fetare

 

Kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Vlorës, Arben Malaj, deklaroi dje që zgjedhjet e 23 qershorit të mos bëhen shkaktare të incidenteve etnike apo fetare. “Është me rëndësi jetike për të ardhmen e Shqipërisë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme, ku impakti negativ i incidenteve duhet të shmanget pasi dëmton rëndë imazhin dhe besueshmërinë e procesit. Dëmtimi i posterave elektorale të PBDNJ-së dhe z. Vangjel Dule, si dhe debati i para disa ditëve nga partitë politike për xhaminë e Tiranës, janë provë e një tendence negative, ku të gjithë duhet të angazhohemi për ta shmangur”, – tha Malaj. Më tej ai theksoi: “Është e nevojshme që krerët e besimeve fetare, në mënyrë unike dhe të përbashkët, t’i drejtohen me një mesazh të gjithë besimtarëve. Liria e votës nënkupton lirinë nga influencat apo deformimet me karakter etnik dhe fetar. Shqipëria ka avantazhin historik që bashkëjeton në harmoni të plotë dhe këtë harmoni nuk duhet ta dëmtojë fushata elektorale e partive politike. Ne jemi nismëtarët e një kodi etik dhe i kërkojmë të 67 subjekteve zgjedhore të japin mesazhe konstruktive dhe të bashkëjetesës në harmoni të besimit fetar dhe përkatësisë etnike”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency