Histori dhune në familje Dhunoi nënën, urdhërohet largimi i djalit nga shtëpia

0
191

Sonja Caka

dhunohetDenoncuesja: Më kërcënon për jetën, pas lëshimit të këtij urdhri, është bërë edhe më i dhunshëm

 

Një tjetër vendim është dhënë nga gjykata për një nënë të dhunuar nga i biri. Gjykata ka urdhëruar djalin të largohet nga shtëpia e nënës së tij dhe të mos i afrohet asaj, të mos e kërcënojë dhe qëllojë pasi në të kundërt do arrestohet nga policia. Sipas vendimit të gjykatës, paditësja me inicialet Q. F jeton së bashku me të paditurin E. F, djali i saj, fakt i provuar me thëniet e paditëses dhe me çertifikatën familjare të datës 21.05.2013 të lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile Komuna Paskuqan. Gjatë gjykimit paditësja i shpjegoi gjykatës se i padituri për shkak të shoqërisë jo të mirë ka marrë shumë vese jo të mira duke ushtruar ndaj saj dhunë fizike dhe psikologjike, duke e goditur me grushte dhe me mjete të forta dhe kërcënuar se do ta vrasë. Këto veprime, sipas saj, i biri i kryen në mënyrë të vazhdueshme, duke e detyruar të largohet nga banesa e saj. Po sipas paditëses, më datë 15.05.2013, rreth drekës, kur ajo po kthehej nga puna i padituri i ka dalë para shtëpisë së tyre dhe i ka kërkuar 10.000 lekë dhe pasi paditësja nuk i ka dhënë lekë ai e ka tërhequr zvarrë disa metra para oborrit të banësës dhe ka filluar të godasë paditësen me mjete të forta, me grushte dhe me shkelma duke e kërcënuar për jetë duke i shkaktuar asaj dëmtime në trup të konstatuara dhe nga gjykata në seancë gjyqësore. Paditësja duke e ndjerë vetën shumë të frikësuar dhe të kërcënuar nga dhuna e ushtruar nga djali i saj është paraqitur në Komisariatin e Policisë nr. 5 Tiranë dhe ka përpiluar kërkesë padi për lëshimin e urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes. Në kërkesë padi, paditësja ka relatuar se i padituri ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike në mënyrë sistematike dhe ka referuar në mënyrë konkrete pranë organeve të rendit për ngjarjen e datës 15.05.2013. Oficerëve e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi kanë marrë deklarimin e paditëses e cila ka shpjeguar ngjarjen e ndodhur ka vazhduar kërkimin e të padituri por ka qenë e pamundur shoqërimi i tij në ambientet e komisariatit pasi ai është largua nga banesa. Në seancën për shqyrtimin e kësaj kërkesë- padie, sipas vendimit të gjykatës, paditësja kërkoi që të nxirret urdhëri i menjëhershëm i mbrojtjes duke kërkuar që ndaj saj i padituri të mos kryejë vepra të dhunës në familje, të mos e kërcënojë, të mos e ngacmojë apo të kontaktojë me të, të mos i afrohet paditëses përtej distances prej 1000 m. Gjithashtu, gjykata vendosi t’i ndalohet të paditurit hyrja dhe ndenja në banesën ku ajo aktualisht banon, si dhe mos t’i afrohet vendit të punës ku aktualisht paditësja është e punësuar. Për të provuar pretendimet e saj, paditësja përvec provave të administruara  në këtë gjykim gjatë fazës së lëshimit të Urdhërit të Menjëhershëm të mbrojtjes paraqiti si prova shkresore dhe Raportin e posaçëm për pacientin që ka pësuar  dhunë në marrdhënjet familjare të datës 19.05.2013 të lëshuar nga mjeku  i familjes, akt në të cilën përcaktohen dëmtimet e konstatuara te paditësja nga dhuna e ushtruar më datë 115.05.2013 ndaj paditëses nga i padituri. Në trupin e e paditëses konstatohen “mavijosje, dhimbje, skuqje dhe edema”. Paditësja gjatë gjykimit për vërtetimin e urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes pohoi para gjykatës së i padituri, me marrjen e Urdhërit të lëshuar nga gjykata, është bërë më i dhunshëm dhe aktualisht ndjehet shumë e kërcënuar për jetën e saj.

 

Rrahu babanë, dënohet 1 vit burg nga gjykata

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 1 vit burg dhunuesin e babait të tij. Vendimi është dhënë pak ditë më parë ndja të pandehurit Agim Sallaku nga Bërzhita e Tiranës. Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri akuzohet për dhunim të babait të tij, të dëmtuarit Nazmi Sallaku. Ngjarja për të cilën është dënuar i pandehuri ka ndodhur më 28 shkurt të këtij viti, në banesën ku jetojnë të dy babë e bir. Në ato momente në banesë ndodheshin e motra e të pandehurit dhe nëna e tij. Në një moment të ditës, sipas gjykatës, ndërmjet të pandehurit dhe Nazmiut ka lindur një debat me fjalë, më tej ky debat është acaruar, ku në një moment i pandehuri Agim Sallaku ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit Nazmi Sallaku. Në momentin e këtij konflikti fizik, e pranishme ka qenë vetëm shtetasja Lulzime Sallaku, motra e të pandehurit, pasi shtetasja Servete Sallaku, nëna e tij, ishte larguar një tjetër ambient të banesës. Pas këtij konflikti, shtetasi Nazmi Sallaku ka paraqitur kallëzimin përkatës në komisariatin nr.1 në Tiranë. Nëpërmjet procesverbalit të këqyrjes së jashtme të shtetasit Nazmi Sallaku, i cili mban datë 28.02.2013, pasqyrohet fakti i ekzistencës së disa dëmtime të këtij shtetasi. Ndërsa, ekzaminimi mjeko-ligjor i shtetasit Nazmi Sallaku nuk është kryer për shkak të mosparaqitjes vullnetarisht të këtij shtetasi në Institutin e Mjekësisë Ligjore. I pandehuri Agim Sallaku ka mbajtur qëndrim pohues rreth akuzës duke pranuar faktin kriminal autorësinë si dhe ka treguar pendim të thellë për veprën e kryer. Ky i pandehur akuzohet se ka konsumuar plotësisht nenin e “dhunës në familje” dhe për këtë akuzë u dënua me 1 vit burg, masë dënimi e cila iu pezullua me kusht që të mos përsërisë më vepra të ngjashme penale.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency