Bashkëbisedimi në Gosë Kryeministri: 165 milionë dollarë financim për fermerët mandatin e ardhshëm

0
168

Ina Jano

berisha BEROBerisha premtoi për këtë kategori mbështetje maksimale. Me marrjen e statusit të vendit kandidat financimet do të rriten

Fermerët, kreut të qeverisë: Lufto korrupsionin dhe informalitetin

 

Kur kanë mbetur edhe dy javë nga koha kur qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e 23 qershorit, Kryeministri Berisha i ka rifilluar bashkëbisedimet e tij me grupe të ndryshme të interesit, për të konsoliduar programin dhe për të ecur përpara. Dje në Komunën Gosë të Kavajës, kreu i demokratëve tha se mbështetja ndaj fermerëve do të vijojë dhe shtoi se shifra nga 56 milionë dollarë, që është aktualisht, do të shkojë në 165 milionë dollarë. Lideri demokrat në takimin me fermerët u shpreh se qeveria është e gatshme të marrë çdo masë për t’u ardhur në ndihmë atyre. “Ne kemi dhënë 56 milionë dollarë, por këto nuk janë as 1/5 e asaj që ju keni bërë me paratë tuaja. Por këto para që ne kemi dhënë kanë shërbyer, sepse 10 për qind e fermerëve kanë përfituar nga këto grante. Ne do t’i financojmë 3 herë më shumë fermerët dhe nga 56 milionë dollarë që është aktualisht, ajo do ta bëhet 165 milionë dollarë. Kjo është fjala ime e prerë dhe unë i qëndroj fjalës së dhënë. Unë besoj se kjo politikë është një interes kombëtar dhe e mbaj me forcën më të madhe”, – u premtoi lideri i mazhorancës të gjithë fermerëve jo vetëm të Gosës, por edhe të gjithë vendit që do të përfitojnë nga këto politika lehtësuese që do të ndjekë qeveria e ardhshme, nëse demokratët do të marrin një mandat të tretë. Megjithatë, duket se tashmë fermerët, të mirinformuar për politikat e qeverisë, i shprehën hapur Kryeministrit të gjitha shqetësimet e tyre, ashtu siç edhe ai u kërkoi që në fillim që të tregoheshin në bashkëbisedim. Njëri prej fermerëve i tha shefit të qeverisë se pavarësisht të gjithë hapave dhe procedurave që mazhoranca kishte ndjekur për të luftuar korrupsionin dhe informalitetin, përsëri ai ekziston dhe kjo i dëmton të gjitha bizneset e tyre. Kryeministri tha se toleranca ndaj korrupsionit do të jetë zero dhe ndërkohë kërkoi edhe bashkëpunimin me qytetarët për të denoncuar të gjitha këto fenomene dhe raste. Ai nuk e mohoi se korrupsioni ekziston, por u shpreh i bindur se të gjitha procedurat për dixhitalizimin do të bëjnë të mundur luftimin e këtij fenomeni. “Lufta jonë kundër korrupsionit ju garantoj se është me zero tolerancë. Të gjitha procedurat dixhitale që ne i bëjmë, në radhë të parë i bëjmë kundër korrupsionit. Në qoftë se bëmë prokurimin elektronik, ne e bëmë atë që të mos të përjashtonte tjetri ty. Para vendosjes së prokurimit elektronik merrnin pjesë 8 mijë kompani në tenderë, pas vendosjes së prokurimit elektronik marrin pjesë 56 mijë kompani në tenderët e përgjithshëm të shtetit. Për korrupsionin nuk ka gjë më jetike sesa denoncimi i tij. Reformat kanë rëndësi shumë të madhe, pa to nuk luftohet korrupsioni, por korrupsioni pa denoncim edhe pa ndëshkim nuk luftohet si duhet. Dua t’ju rrëfej se 90 për qind e rasteve të dënuara për korrupsion, edhe janë me qindra, janë meritë e atyre që i kanë denoncuar. Nuk janë të pakta mesazhet që më vijnë mua direkt, ku më thonë që ‘filani’ më kërkoi para. Por unë një kërkesë besoj se mund t’ua bëj, u kërkoj të na ndihmojnë që ta verifikojmë. Ky është interesi më i mirë i të gjithëve ne. Në këtë mënyrë ne luftojmë një sëmundje shumë të keqe. Për informalitetin jam plotësisht dakord me ty. Ne do të bëjmë gjithçka. I kemi forcuar shumë rregullat për informalitetin në krahë pune etj. Edhe në këtë luftë ne jemi të inkurajuar nga vetë ndihma që na japin bizneset. A ekziston një luftë kundër tij? Besoj se ekziston dhe të jeni të sigurt se të gjithë treguesit faktojnë se ekziston, por ajo duhet të thellohet më tej”, – u shpreh Berisha. Në Komunën Gosë kanë përfituar nga grantet e qeverisë plot 250 fermerë, me një shumë prej 500 milionp lekësh, të orientuara kryesisht në ujitje dhe blloqet me ullinj e pemë të ndryshme frutore. Shefi i qeverisë premtoi për banorët e zonës, zgjidhje të problemeve të tyre dhe tha se do të rregullohen të gjitha kanalet kulluese që janë rreth e rrotull tyre për të mos përmbytur tokat bujqësore. Berisha dhe se mandati i ardhshëm do të jetë ai i finalizimit të projekteve të tilla si vaditja dhe ujitja, ndërsa fermerët, duke i garantuar mbështetjen e tyre, thanë se do të votojnë numrin 44, pasi e dinë se ato që u premtuan do të bëhen realitet shumë shpejt.

 

Berisha nderohet me titullin “Fisnikëria tiranase”

Kryeministri Berisha përshëndeti ceremoninë e organizuar me rastin e 85-vjetorit të Mjekësisë Publike të Tiranës, sot Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Gjatë kësaj ceremonie, shefi i ekzekutivit u nderua me titullin “Fisnikëria tiranase” me motivacionin “Për kontributin e veçantë në modernizimin e mjekësisë shqiptare, mjekut të madh reformator e vizionar, Kryeministrit Sali Berisha”. Kreu i qeverisë e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishme këtë ceremoni, duke e cilësuar si një nderim të madh për të gjithë ata mjekë të nderuar që themeluan shërbimin shëndetësor publik në vendin tonë. “Ky institucion është në vlerësimin tim i një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin dhe kombin. Ky institucion ka përmbushur në çdo kohë me përgjegjësi të madhe dhe humanizëm të jashtëzakonshëm, me përkushtim, me dashuri dhe me respekt një mision ndër më të vështirët”, – tha lideri i mazhorancës. Më tej, zoti Berisha vlerësoi këtë ceremoni edhe si një nderim të pakufishëm ndaj qytetarëve të Tiranës. “Qeveria qendrore do të mobilizojë të gjitha resurset në mënyrë që Tiranën ta lartësojë gjithnjë e më shumë në ëndrrat e qytetarëve të saj, në ëndrrat e themeluesve të saj. Edhe një herë faleminderit me shumë mirënjohje për këtë meritë që më dhatë. Unë ju garantoj se do të përpiqem më gjithë forcë që të punoj me përkushtimin më të madh për Tiranën”, – shtoi kryetari demokrat.

 

Fabrika e re e gazit

PD, politikë e taksave të ulëta

Ditën e djeshme, në vijimësi të fushatës elektorale, kreu i selisë blu ishte në Durrës, ku mori pjesë në përurimin e një fabrike gazi. Shefi i qeverisë nga kompania private rezervoi një sërë akuzash për Ramën dhe për programin që ai përfaqëson. Kryeministri tha se nuk mund t’u flasësh shqiptarëve herë me lekë të reja dhe herë më të vjetra për të shkaktuar konfuzion tek ta. “Ne jemi forca politike e taksave të ulëta, sepse besojmë se paratë në kontot e qytetarëve janë më të dobishme për qytetarët, për shoqërinë, për vendin në tërësi. Kjo politikë funksionoi. Bizneset e vogla u rriten me 80 për qind, bizneset e mesme dhe të mëdha u rriten me 200 dhe 300 për qind, por ne duam të rriten shumë më tepër, ambicia jonë është e madhe. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për punësimin e çdo qytetari shqiptar, që dëshiron të punojë. Ka një alternativë tjetër, alternativa e mashtrimit. Dëgjojeni se çfarë thotë. Me uljen e taksave që do të bëjmë ne, çdo qytetar do të ketë në muaj 40 mijë lek kursim! I nderuar zotëri, a jeton ti në Shqipëri apo jo? A e di se rroga mesatare në këtë vend gjithsej është 50 mijë lekë!? Po ata të cilët marrin sot 40 mijë lekë, nga do ta nxjerrin 40-mijëshin tjetër në muaj, apo spekulon me lekë të reja e lekë të vjetra, duke dëshmuar se nuk ke një gram zyrtari dhe politikani. Nuk mund të paraqitesh para qytetarëve, njëherë me të vjetra dhe njëherë me të reja, sepse ata pastaj të vënë vulën siç e meriton dhe të lënë në autobusin mavi edhe për dekada të udhëtosh me të”, – u shpreh Kryeministri. Gjithashtu, Berisha e përgëzoi pronarin e fabrikës për kurajën, për vendimet e drejta dhe e garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për suksesin e biznesit të tij dhe bizneseve të tjera në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë. “Fabrika që inauguruam plotëson nevojat e vendit, të cilat para ndërtimit të saj plotësoheshin të gjitha me import dhe në këtë mënyrë konsumatori shqiptarë do të ketë mundësi të marrë prodhime vendi, të cilat gjithmonë janë të një çmimi më të arsyeshme sesa ato që importohen. Në këtë mënyrë qytetari shqiptar do të ketë mundësi të përdorë më gjerësisht gazin për ngrohje dhe për gatim, i cili në çdo rrethanë është qartësisht më i rëndësishëm sesa burimet e tjera të ngrohjes dhe të energjisë”, – pohoi lideri i selisë blu.

 

 

Përurohet ujësjellësi Spitallë – Porto Romano

Premtim i mbajtur i Kryeministrit Berisha

Një premtim i mbajtur për Kryeministrin Berisha. Një fjalë e dhënë qytetarëve të Porto Romanos dhe ditën e djeshme ka ardhur përurimi i ujësjellësit që do t’u mundësojë 25 mijë banorëve të kësaj zone furnizim me ujë të pijshëm 24 orë në ditë. Por në një ditë, krenar për premtimet e mbajtura, kreu i ekzekutivit nuk hezitoi që të bënte edhe premtime të tjera, për të cilat qytetarët u shprehën të bindur se do të realizohen. Berisha premtoi ndërtim dhe rindërtim të çdo shkolle në të gjithë zonën dhe gjithashtu tha se do të rritet punësimi. “Kam kënaqësi të madhe që vij këtu, pasi po në këtë shesh premtova solemnisht ujësjellësin dhe ujë 24 orë për ju. Sot ju pas një pune të madhe investimeve të qeverisë dhe ndërmarrjes së ujësjellësit jeni zona që merrni ujë 24 orë, siç e meritoni. Ju keni ardhur në këto zona keni investuar lumenj djerse, mundi, sakrificash keni ngritur këtu një qytet të tërë, i keni dhënë Durrësit dimensionet më të mëdha në historinë e tij, keni sjellë energji të madhe dhe ne do të bëjmë gjithçka që ndërtimet tuaja, përpjekjet tuaja, bizneset tuaja të kenë shërbimet më të mira. Fjala ime për ju është se katër vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo rrugë, rrugicë të Spitallës, Kënetës dhe të Porto Romanos. Do të garantojmë shërbimet më cilësore do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, çdo qendër shëndetësore, do të bëjmë gjithçka për punësimin tuaj”, – shtoi kreu i PD-së. Ky investim kap vlerën e 101 milionë lekëve dhe sipërfaqja ku janë shtrirë tubacionet e reja të këtij ujësjellësi është rreth 850 ha. Lideri i selisë blu tha se Rama duhet të vijë këtu për të parë që shqiptarët nuk jetojnë në mesjetë, ashtu siç ai pretendon dhe se realiteti nuk është ashtu siç kryesocialisti e percepton nga autobusi mavi. “Ju bëj thirrje, ftojeni shokun e autobusit mavi, të vijë këtu, sepse deklaron çdo ditë se jemi në mesjetë, jemi pa ujë. Më duhet ti them këtij nihilisti se vetëm pesë vite më parë, më pak se 60 për qind e shqiptarëve merrnin ujë të rrjedhshme, sot 90 për qind e shqiptarëve marrin ujë të rrjedhshme, ende jo 24 orë, por çdo javë, çdo muaj, çdo vit po rritet numri i qytetarëve që po marrin ujë 24 orë. Prandaj i thoni shokut të autobusit mavi hajde sille autobusin tënd këtu, që të shpëtosh nga mesjeta e Shqipërisë, sepse këtu kemi ujë 24 orë”, – deklaroi Kryeministri.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency