Kupa e Shqipërisë, Skënderbeu dhe Laçi kërkojnë “përmbysjet” e mëdha

0
121

Altin Vorpsi

Kukesi-Laci- foto per kupen e shqiperiseSot luhet Bylisi-Skënderbeu dhe Laçi-Kukësi

Në takimet e para korçarët u ndalën në një barazim 1-1, ndërkohë që kuksianët u kënaqën me një ndeshje pa gola

 

 

Nëntëdhjetë minutat e para të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë nuk kanë zgjidhur asgjë. Edhe pse njëri prej dueleve kishte brenda Skënderbeun, asgjë nuk ka përfunduar, duke qenë se Bylisi në Korçë habiti me barazimin 1-1 që mori. Po në barazim përfundoi edhe 90-minutëshi i parë mes Kukësit dhe Laçit, që sot presin të zbulojnë më të mirën mes tyre në Kurbin.

 

Bylisi tenton të pamundurën

Në Ballsh po presin me ankth sfidën ndaj Skënderbeut, teksa ëndërrohet kalimi në finalen e Kupës së Shqipërisë. Pas barazimit që morën në Korçë ekipi i Shensoit i ka tërë mundësitë që të besojë tek një mrekulli. Edhe pse përballë do të kenë një skuadër që po dominon kampionatin tonë prej tri vitesh, ballshiotët luajnë takimit e kthimit me dy favore. Barazimit me gola dhe fushës së tyre.

 

Skënderbeu shpreson në përmbysje

Çdo fitore dhe çdo barazim me më shumë se një gol do ti dërgonte ato në finalen e madhe. Për Skënderbeun e Korçës nuk është një mision i pamundur që të fitojë në Balsh edhe pse fusha e këtyre të fundit ka qenë e mallkuar për to. Kujtojmë se në sfidën e vlefshme për Kategorinë superiore, takimi mes Bylisit dhe Skënderbeut ka mbaruar në barazim 2-2. Për të nxjerrë fitimtar ekipin e Josës ka qenë vetëm një gabim trashanik i drejtuesve të Bylisit (dhe Komisioni i Disiplinës) që për pak minuta luajtën në fushë me 6 lojtarë të huaj (rregullorja parashikon maksimumi pesë).

 

Laçi bën ndryshime

Në seancat e fundit stërvitore, tekniku Nica e ka vënë theksin te lëvizjet taktike. Si rrallëherë më parë, këto seanca janë zhvilluar në stadium, pasi trajneri ka kërkuar që lojtarët të përshtaten më së miri me terrenin. Pas rreth 90 minutash stërvitje, Nica ka shpallur edhe listën me 18 lojtarë që do të jenë të grumbulluar për këtë takim. Qetësia e skuadrës në prag të kësaj ndeshjeje shihet si mjaft e rëndësishme nga drejtuesit bardhezinj, dhe është pikërisht kjo arsyeja pse ata kanë ndryshuar vendin e grumbullimit. Ndërkohë, tekniku Nica ka filluar të mendojë edhe për formacionin. Duke pasur parasysh mungesën e Ndrekës në qendër të mbrojtjes dhe Dokut në krahun e djathtë të po këtij reparti, teknikut Nica do t’i duhet të kryejë disa lëvizje në ekip. Në të djathtë të mbrojtjes do të jetë Kastrati, ndryshe nga ndeshja në Kukës, ku ai u pozicionua më së shumti në mesfushë. Në qendër të mbrojtjes ekzistojnë dy mundësi. Më e mundshmja është zhvendosja e Çelës në qendër të mbrojtjes, që ia lënë vendin Sefgjinit në krahun e majtë.

 

Kukësi “karikohet” me premio

Ndryshe nga Laçi, Kukësi është i plotë. Kalendari i ngjeshur i takimeve ka bërë që ekipi të ketë pak pushime. Stafi mjekësor, Pertef dhe Perli Rusi, kanë shpjeguar se lojtarët do të jenë në gjendje nga ana fizike që ta përballojnë sfidën me Laçin, pavarësisht se në ndeshjen me Tiranën pati shumë ngarkesë. Madje, të dielën, lojtarët i janë nënshtruar hidromasazhit dhe pishinës për të arritur gjendjen fizike me ushtrime çlodhëse. Ekipit në sfidën me Laçin do t’i mungojë vetëm qendërmbrojtësi Lukas Malakarne, që është i dëmtuar. Kukësi e ka shpallur objektivin për t’u kualifikuar në Laç dhe për këtë ekipi dhe stafi po punojnë fort. “Do luftojmë fort deri në minutën e fundit si në kupë dhe në kampionat, ekipi do ketë mbështetjen e duhur në të gjitha aspektet. Ne shkojmë në Laç për kualifikim dhe për lojë korrekte”, – ka thënë dy ditë më parë presidenti Safet Gjici. Ndërkohë, lojtarët kanë marrë pagat mujore dhe presin shpërblimin prej 5 milionë lekësh të vjetër që iu premtua nga Gjici në dhomat e zhveshjes, menjëherë pas fitores me Tiranën.

 

 

 

Miqësorja

Shqipëria U-19 sfidon Italinë

Pas pothuajse 6 muajsh kombëtarja italiane e 19-vjeçarëve rikthehet në Shqipëri. Në stadiumin “Besa” të Kavajës, kombëtarja shqiptare e 19-vjeçarëve e drejtuar nga Foto Strakosha do të presë homologët nga Italia të drejtuar nga Alberigo Evani. Ndryshe nga sfida e 12 tetorit të vitit të kaluar, ky takim do të jetë në kuadrin e miqësoreve që kuqezinjtë e Foto Strakoshës po kryejnë në vigjilje të eliminatoreve të Evropianit për këtë grupmoshë. Në sfidën e zhvilluar në Vlorë kuqezinjtë tanë u mundën 3-0 nga Italia, një rezultat që nuk i shkoi për shtat lojës së treguar në fushë. Megjithatë edhe pse një miqësore kjo do të jetë një mundësi për djemtë e Strakoshës për revansh, pasi Italia preu biletën për në elite raund. Kjo miqësore është gjithashtu e vlefshme edhe për Evanin, i cili po përgatitë skuadrën pikërisht në vigjilje të ndeshjeve për turin elite round të kampionatit Evropian të këtij viti. Por kjo nuk do të jetë ndeshja e vetme e 19 vjeçarëve tanë, pasi në ditët në vijim janë programuar edhe dy miqësore me skuadrën bullgare të kësaj moshe. Më 20 Prill është programuar që ndeshja e parë ndaj Bullgarisë të luhet në Korçë në orën 13, ndërsa sfida e dytë po ndaj bullgarëve do të luhet më 22 Prill në orën 11 në Pogradec. Këto ndeshje janë pjesë e marrëveshjes së arritur ndërmjet dy federatave, pasi në muajin Mars ishte skuadra e drejtuar nga Strakosha që zhvilloi dy miqësore në tokën bullgare.

 

Shorti

Kombëtarja e femrave nuk ka fat

Pas kualifikimit historik për në eliminatoret e një botërori, kombëtarja shqiptare e futbollit për femra ka mësuar edhe emrat e kundërshtarëve. Shorti i hedhur i ka rezervuar kundërshtarë aspak të lehtë dhe me traditë në futbollin femëror, një test i vështirë ky për kombëtaren shqiptare që është relativisht e re.

Kështu, kombëtarja jonë e femrave ndodhet në grupin 5 dhe do të ketë përballë skuadra si Holanda, Norvegjia, Belgjika, Portugalia dhe Greqia. Ndeshjet e para luhen më 20 dhe 21 shtator të këtij viti, ndërsa e gjithë kjo fazë përfundon në mesin e shtatorit të vitit të ardhshëm.

 

Grupi 5

Norvegjia

Holanda

Belgjika

Portugalia

Greqia

Shqipëria

 

 

 

Formula 1

Ekleston: Çmimi i Madh i Bahrejnit do të zhvillohet

Pronari i Formulës 1, Berni Ekleston, hodhi poshtë mundësinë e anulimit të garës së ardhshme në Bahrejnit, për shkak të problemeve të brendshme me të cilat po përballet vendi ishullor. I drejtuar nga një mbret aspak popullor, me prejardhje nga një pakicë fetare, Bahrejni prej gati dy vitesh përjeton një paqëndrueshmëri politike, të karakterizuar nga shtypjet e dhunshme të lëvizjeve prodemokratike nga forcat e sigurisë në vend. Megjithatë, në një intervistë të dhënë të martën, Eklestoni përjashtoi që Formula 1 mund të përzihet në këtë çështje politike, ndonëse në vitin 2011, gara e Bahrejnit u anulua, për shkak të protestave të dhunshme, që i kushtuan jetën 35 civilëve. “Do të më pëlqente që në lidhje me këtë çështje të gjenim të gjithë një zgjidhje. Nuk dua të shoh njerëz që protestojnë dhe përballen me policinë për gjëra që ne nuk i kuptojmë, sepse realisht nuk i kuptojmë. Nuk dua të shoh njerëz që rrezikojnë të ndëshkohen si rezultat i kësaj gare”, – theksoi bosi i Formulës 1. “Disa persona mendojnë se është faji ynë për problemet me të cilat përballet vendi. Ju siguroj se ne ndiejmë një simpati të thellë për ta, por të mos harroni se cili ishte ai që anuloi garën e Afrikës së Jugut gjatë Aparteidit? Unë! Megjithatë, mesazhi që duam të transmetojmë është një mesazh paqeje dhe mos harroni se Formula 1 është vetëm një sport”, – përfundoi Berni Ekleston.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency