Strategjia e zgjedhjeve e PD-së, Berisha zgjedh takimet e zgjeruara

0
117

 

berishaAshtu si në të gjitha zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, edhe këtë vit partitë dhe shtabet elektorale që punojnë për fushatën, sjellin praktika të reja për t’i vënë në zbatim në territorin shqiptar. Risi këto që konstatojnë në ndryshime të grupit aktual të deputetëve, duke shtuar emra të rinj në listë, por edhe strategji të reja, të cilat u përshtaten kërkesave të qytetarëve, duke u munduar të vijnë në shërbim të tyre. Duket se në këtë pikë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, qartësisht ka zgjedhur të shndërrojë komunikimin në një pikë të fortë të fushatës të tij, për të vënë në qendër të platformës së tij kërkesat dhe mendimet e qytetarëve. Nën moton “Qytetarët do të jenë Kryeministri”, lideri i mazhorancës qeveritare ka preferuar që të konsultohet me qytetarët edhe për të vendosur së bashku pikat se ku do të mbështetet platforma e ardhshme qeverisëse, që siç e ka përcaktuar kryetari i qeverisë, synon që ta shndërrojë Shqipërinë në një vend të zhvilluar.

Duket se deri më tani, kjo taktikë e zgjedhur nga zoti Berisha ka rezultuar e suksesshme, pasi sallat nëpër qytete, jo vetëm që janë mbushur plot me qytetarë të gatshëm për të dialoguar me kreun e qeverisë, por edhe i kanë drejtuar atij pyetje të shumta. Në mendimin e tyre, fakti se Kryeministri i vendit është duke marrë edhe mendimin e njerëzve të thjeshtë, përbën një fakt domethënës, shtuar këtu edhe sinqeritetin që i ka shoqëruar këto takime. Duket se qytetarët, të ndjeshëm për problemet e tyre, preferojnë të shprehen hapur, duke u treguar realistë, por edhe duke besuar se çështjet e adresuara nga ana e tyre janë duke u dëgjuar nga një vesh i sigurt dhe vigjilent. Kështu, në takimet me fermerët e Divjakës, për kryetarin e mazhorancës, qytetarët deklaruan se ai i mban të gjitha premtimet e tij dhe për këtë arsye ata kërkuan që deklaratat e kreut të ekzekutivit të jenë publike. Fermerët u shprehën të gatshëm që të japin gjithë përvojën e tyre në këtë drejtim, për të ndihmuar qeverinë në hartimin e programit.

Deri më tani, në shtrirjen kohore të 20 ditëve, numri një i qeverisë ka zhvilluar pesë takime të zgjeruara, me kategori të ndryshme të popullsisë, duke u adresuar të gjithëve problemet që u takojnë dhe çështjet që i shqetësojnë. Po ashtu, kreu i qeverisë ka qenë i vëmendshëm ndaj të rinjve, por edhe bujqësisë në bashkëbisedimet e deritanishme, duke lënë të kuptohet se këto dy çështje do të jenë pika kryesore të programit të ardhshëm.

Që nga data 13 shkurt deri më 2 mars, datë kur është zhvilluar edhe takimi i fundit, me mësuesit dhe pedagogët e Elbasanit, Kryeministri është shprehur i hapur që të gjithë qytetarët të shprehin opinionet e tyre, edhe kërkesat, edhe në telefonin personal të zotit Berisha, pasi numri ka mbetur i njëjtë që nga 2005, kur ai e ka publikuar për herë të parë. Gjithashtu, kreu i qeverisë nënvizoi se në fakt të gjithë personat të cilët nuk kanë marrë përgjigje nga Berisha, ka ndodhur pasi telefoni i Kryeministrit ka qenë i mbushur me mesazhe dhe ky ka qenë problemi i vetëm.

Takimet me studentë dhe pedagogë

Zoti Berisha, i vëmendshëm gjithnjë ndaj rinisë, ka vendosur që të zhvillojë tri takime me këtë kategori, duke nënvizuar faktin se kjo shtresë ka luajtur një rol vendimtar në fitoret e Partisë Demokratike në këta vjet demokraci. Duke i konsideruar si një partner të besueshëm dhe pa të cilën asnjë forcë politike nuk do të kishte ecur përpara, udhëheqësi i kabinetit qeveritar pohoi se demokratët gjithnjë do të kenë programe të veçanta për këtë shtresë. Arsimi dhe përmirësimi i kushteve në të gjitha universitetet kanë qenë në fokus të temave të diskutimit. “Në planin tim të ardhshëm, por edhe në këtë që është sot, por dua ta them këtu hapur, për sa kohë unë të jem në pushtet, nuk mund të kem përparësi më absolute sesa axhenda e rinisë. Nuk kam pasur dhe nuk kam aleatë më të shkëlqyer sesa të rinjtë e këtij vendi, të cilët kanë qenë faktorë përcaktues në të gjitha fitoret e Partisë Demokratike”, – shtoi kreu i qeverisë në dialogimin me të rinjtë.

Takimet me fermerët

Kryeministri ka zgjedhur që të bëjë një parashtrim të vogël, ku natyrisht ka përmendur të gjitha anët pozitive dhe transformimet që ka pësuar vendi nën drejtimin e demokratëve. Më tej, numri një i qeverisë ka nënvizuar se është i hapur që të dëgjojë të gjitha mendimet e qytetarëve, duke shtuar se stafi i tij është i vëmendshëm për të dëgjuar çdo çështje. Kryeministri u ka kthyer përgjigje të gjithë fermerëve, edhe duke u pohuar se forca politike që ai drejton i mban premtimet dhe për këtë arsye ajo në 23 qershor do të fitojë një mandat të tretë. Zoti Berisha i ka siguruar të gjithë fermerët se bujqësia do të mbetet ndër prioritetet e mazhorancës. “Të dashur miq, erdha sot tek ju me qëllimin më kryesor të dëgjoj vërejtjet sugjerimet, opinionet, mendimet tuaja për projektin e 4 viteve që vijnë, “Lushnja e zhvilluar, Lushnja evropiane”, “Shqipëria e zhvilluar, Shqipëria evropiane”, – nënvizoi numri një i qeverisë ne takimin me përfaqësues të këtij qyteti. Ndërsa në javën e kaluar ai pati një dialogim me fermerët e zonës së Divjakës, ku premtoi për zgjidhje të mëtejshme të problemeve të tyre, duke pasur parasysh edhe prodhimtarinë që del nga kjo zonë.

E ardhmja

Kryeministri i vendit, duke dashur të dialogojë me të gjithë shqiptarët, ka vendosur që t’i dëgjojë ata dhe të vijojë bashkëbisedimet. Ai është shprehur se deri në 23 qershor, datë kur do të zhvillohet zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në vend, të gjithë qytetarët do të dëgjohen, pa asnjë dallim bindjeje politike. Në këtë mënyrë, duke pasur parasysh kërkesat e tyre, zoti Berisha do të fokusohet tek ta për të mbështetur punën që kabineti i tij do të bëjë. E sigurt mbetet që kreu i qeverisë do të vijojë me këtë politikë, duke përfshirë brenda diskutimit edhe shtresa të tjera të popullsisë për të dëgjuar problemet e tyre. Komunikimi duket se do të jetë një nga pikat e forta ku mazhoranca, dhe më konkretisht Partia Demokratike, do të përqendrohet për të ruajtur pushtetin, duke i bashkangjitur edhe sukseset dhe arritjet që janë shënuar gjatë dy mandateve të kaluara.

 

 

5 bashkëbisedimet

Bashkëbisedim me studentët e universiteteve publike dhe private

Bashkëbisedim me qytetarë të Lushnjës

Bashkëbisedim me gjimnazistë të Tiranës

Bashkëbisedim me fermerët e Divjakës

Bashkëbisedim më mësues dhe pedagogë në Elbasan

 

Halimi: Dënime më të ashpra për vrasësit e policëve

Gjakmarrja, vrasja e policëve dhe vrasja e grave tashmë do të dënohen më ashpër. Paketa e ndryshimeve në Kodin Penal, e propozuar nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, do të bëhet publike më datë 11 mars. Vitet e dënimit për këto krime do të rriten, ndërsa do të parashikohet edhe burgimi i përjetshëm. “Këto vepra do të rrisin maksimumet e dënimet të tyre. Nga 25 vjet që parashikon ligji aktual në të gjithë traditën e jurisprudencës shqiptare, Kodit Penal nga krijimi i tij, në 38 vjet deri në 40 vjet duke kaluar më pas tek burgimi i përjetshëm”, – deklaroi Halimi. Një tjetër pikë e cila do të preket nga ndryshimet në Kodin Penal, ka të bëjë me diferencimin e dënimeve për përdoruesit dhe shpërndarësit e lëndëve narkotike. “Në qoftë se një person kryen një veprim të caktuar dhe qëllimi i vetëm i tij është t’i bëjë dëm vetes së vet dhe jo t’i bëjë dëm publikut, atëherë kjo duhet të ketë kategorizim tjetër dhe nuk mund të dënohet ashtu siç dënohet dikush që është për trafikim droge apo që e mban lëndën me qëllim për ta shpërndarë”, – shpjegoi ministri. Halimi bëri të ditur se ndryshime në dënim do të ketë dhe për personat që posedojnë armë pa leje, pasi do ketë dënime të diferencuara për ata që e mbajnë në shtëpi dhe ata që e mbajnë në publik.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency