Zbardhet vendimi, Rama ndryshon siglën e PSSH-së në PS

0
149

Gëzim Saliu

psGjykata e Tiranës: Ja pse pranuam kërkesën e Ramës

 

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë pranon kërkesën e dorëzuar nga kreu socialist Edi Rama për të ndryshuar siglën e pastrisë që ai drejton, nga PSSH në PS. Në zbardhjen e vendimit theksohej se bazuar në provat shkresore të administruara në dosje, kjo gjykatë vlerësoi se kërkesa e kërkuesit është e drejtë, e bazuar në ligj dhe si e tillë duhet të pranohet.

 

Vendimi

Pasi bën të ditur shqyrtimin e kërkesës, administrimit të provave shkresore dhe dëgjesës së përfaqësuesve të kërkuesit, gjykata vërejti se kërkuesi, Edi Rama, me cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, i është drejtuar gjykatës dhe kërkonte që të depozitonte vendimin e marrë në kongresin e Partisë Socialiste, i mbajtur në datë 5.11.2011. “Kjo kërkesë gjen mbështetje në ligjin nr. 8580, datë 17.2.2000 “Për partitë politike”, në nenin 14, të tij si dhe në nenin 6 dhe 24, 26 të Statutit të Partisë Socialiste të Shqipërisë (PSSH). Në nenin 14/2 të ligjit me nr. 8580 datë 17.2.2000 është parashikuar se “kërkesa për ndryshime në regjistrin e partive politike bëhet nga organi i partisë që ka në kompetencë përfaqësimin e saj ndaj të tretëve”. Në nenin 30 të statutit të Partisë Socialiste të Shqipërisë është parashikuar: 1. Kryetari i Partisë Socialiste ka këto kompetenca kryesore: a. është drejtuesi më i lartë politik i partisë, c. përfaqëson PS në marrëdhëniet me partitë e tjera, me organizatat, shoqatat dhe institucionet brenda dhe jashtë vendit”, – thuhej në vendimin e Gjykatës së Tiranës. Më tej kjo gjykatë argumentoi: “Në bazë të neneve 36, 41, 59 të K. Pr. Civile, gjykata pasi shqyrtoi nëse çështja bën pjesë në juridiksionin gjyqësor civil dhe kompetencën e saj lëndore e tokësore, konstatoi se çështja bën pjesë në juridiksionin gjyqësor civil dhe kjo gjykatë është kompetente nga pikëpamja lëndore e tokësore”. Nga ana tjetër, gjykata theksoi në vendimin e saj se pas shqyrtimit gjyqësor rezultoi e provuar se Partia Socialiste e Shqipërisë është parti e regjistruar në regjistrin e partive politike të mbajtur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. “Në datë 5.11.2011 është mbajtur kongresi i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe ky kongres me vendimin e tij me nr. 4 ka vendosur: Germat nistore të Partisë Socialiste të Shqipërisë janë “PS”. Në statutin e Partisë Socialiste të Shqipërisë është pasqyruar në kreun II, “Dokumentet bazë, simboli”, neni 6 “Simboli, stema, flamuri i Partisë”, pika 7. Në nenin 24, pika 1 të statutit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, është parashikuar: Kongresi i Partisë është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë. Në nenin 26, pika 1 të statutit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, është parashikuar: Kongresi miraton Programin dhe Statutin e Partisë dhe bën ndryshime dhe përmirësime në to”. Po ashtu gjykata bënte të ditur se vendimi i Kongresit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, i është paraqitur gjykatës, nëpërmjet kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. “Gjykata bazuar në provat shkresore të administruara në dosje, çmon se kërkesa e kërkuesit është e drejtë, e bazuar në ligj dhe si e tillë duhet të pranohet”, – pohohej në vendimin e Gjykatës së Tiranës. Kërkesa e kreut socialist Edi Rama për të ndryshuar siglën e PS-së, bazuar në vendimin e marrë në mbledhjen e kongresit në 5 nëntor të vitit 2011, u bë me synimin për të thjeshtuar votimin e elektoratit të majtë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Sipas socialistëve, thjeshtëzimi i siglës së partisë, nga PSSH në PS, e orienton më drejt votuesin dhe nuk lë shteg për ngatërresa të mundshme gjatë procesit të votimit.

 

 

Si ka ndryshuar në vite PS, nga simboli i partisë tek ngjyra e selisë

Ish-kryetari i Forumit Rinor Socialist dhe një ndër figurat e PS-së, Pandeli Majko, në përkujtimin e festës së 21-vjetorit të FRESSH, kujtoi ndryshimet e shumta që ka pësuar simboli i PS-së. “Kjo është pjesa më e bukur e historisë politike të Partisë Socialiste. Lulëkuqen që mua më pëlqente veçanërisht, u hoq më vonë edhe nga stema fillestare e PS-së, pasi “ishte lule me përmbajtje lëndësh narkotike” dhe duhej të shkonim tek “trëndafili” i së majtës evropiane… Për të treguar rëndësinë e FRESSH-it të kohës stema e PS-së kishte “dy trëndafila”, ai i paçeluri përfaqësonte rininë eurosocialiste… Pastaj edhe neve na u hap “gonxhja”…”. Por këto nuk kanë qenë ndryshimet e vetme të ndodhur me Partinë Socialiste pasi kohët e fundit me vendimin e kreut socialist Edi Rama ka ndryshuar edhe ngjyra e selisë, nga rozë në pink. Ngjyra e zgjedhur nga lidershipi socialist është ajo që është përdorur tek programi i PS-së “Rilindja Shqiptare”. Për më shumë se 23 vite, selia e PS-së njihej si selia rozë, ngjyrë e cila përfaqësonte socialistët, por tani e në vazhdim kjo seli ka ndryshuar tërësisht pamjen e saj. Ky ndryshim në ngjyra vihet re edhe në site-in zyrtar të partisë Socialiste, www.ps.al, ku ndryshe nga më parë, ky site ka marrë tashmë ngjyrën pink.

 

 

Nuk ndryshon qëndrim, Topi kundër Ramës: Ke bashkëqeverisur me Berishën

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, prezantoi pasditen e djeshme shtyllat kryesore të programit politik të partisë që ai drejton, nën sloganin “Fund tranzicionit për shtetin dhe qytetarët”. Duke akuzuar dy partitë e mëdha, Topi iu përgjigj negativisht ftesës së ripërsëritur të kreut socialist Rama për t’u bashkuar me koalicionin e majtë, duke theksuar se Kryeministri Berisha dhe kryetari i opozitës kanë bashkëqeverisur dhe vazhdojnë të qeverisin bashkë. “Pikërisht ky bashkëpunim midis këtyre dy individëve e ka futur Shqipërinë dhe shqiptarët gati-gati në një kaos institucional. Këta dy individë në një marrëveshje të fshehtë mes tyre realizuan brenda natës ndryshimet kushtetuese dhe sot gjendja e institucioneve në Shqipëri, pavarësia e institucioneve janë të cenuara. Këta dy individë i krijuan kushte vetes që dikush të dominojë gjithë pushtetet ndërsa tjetri të qëndrojë në krye të opozitës”, – u shpreh Topi. Ndërsa theksoi se Shqipëria ka nevojë jetike për rotacion, për demokraci funksionale, shtet të së drejtës dhe funksionim politik, ish-presidenti tha se programi politik i FRD-së mbështetet në eksperiencat evropiane, duke i përshtatur ato me Shqipërinë reale. “Programi ynë politik konfirmon se FRD përfaqëson një parti të qendrës së djathtë dhe është zëdhënëse e brezit të ri, e qytetarisë aktive në shoqëri, e botës së biznesit, e komunitetit të ish përndjekurve politikë dhe pronarëve, fermerëve, e elitës intelektuale dhe traditës fisnike në shoqërinë shqiptare”, – deklaroi Topi duke bërë të ditur se në qendër të politikave të FRD-së janë shtyllat kryesore të platformës së qendrës së djathtë: individi, familja, prona, shteti i së drejtës dhe qeverisja institucionale. “Në përgjigje të këtyre cilësive programi ynë ndahet në katër shtylla kryesore: në reformën institucionale, në reformën ekonomike, në sektorët prioritarë socialë dhe të shërbimeve si dhe në specifikimet e problematikave të grupeve identifikuese të përfaqësuar në FRD”, – pohoi Topi, ku shtoi se një material më të zgjeruar dhe të zyrtarizuar do ta paraqesë në Kuvendin e parë Kombëtar, i cili do të jetë organizativ dhe elektoral.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency