Akti normativ i qeverisë Olldashi: Zgjidhje hipotekimit të pallateve për 71 mijë familje, Rama të kërkojë falje

0
140

Florenc Drizari

olldashiMinistri i Transporteve: 70 për qind e këtij problemi është krijuar nga kryetari juaj, për shkak të klientëve të tij

Ditmir Bushati: Akti normativ për “legalizimet” nuk zgjidh çështjen e hipotekimit dhe gëzimit të pronave. Pjesë e farsës parazgjedhore

 

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 134 vota pro dhe asnjë kundër aktin normativ të qeverisë për pajisjen me leje përdorimi, për apartamentet e ndërtuara në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit. Miratimi i aktit normativ u bw mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:45 tw mbrëmjes sw djeshme dhe shqyrtimi i draftit u shoqërua me debate të ashpra mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Përfaqësuesit e së djathtës vunë theksin tek zgjidhja e problemeve të hipotekimit të apartamenteve në vend nëpërmjet miratimit të këtij akti normativ, ndërkohë që deputetët e opozitës akuzuan homologët e tyre të djathtë se po e ndërmarrin këtë nismë si një mjet për ta përdorur në fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, tha se akti normativ i jep zgjidhje problemit të hipotekimeve të apartamenteve pa leje, me kosto zero për qytetarët. Ndërkohë, në replikë me deputetët socialistë, ministri Olldashi akuzoi ish-kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Ramën, për problemin e krijuar me ndërtimet, duke thënë se vetëm në kryeqytet ndodhen rreth 51 mijë qytetarë që preken nga ky akt dhe që presin zgjidhje nga qeveria. “Ky ligj që kemi sjellë këtu, është zgjidhja për 71 mijë qytetarë shqiptarë, 51 mijë prej të cilëve në Tiranë. Pavarësisht se këto pallate në Tiranë i kanë ndërtuar votat e Edi Ramës, ne jemi të detyruar që për qytetarët që banojnë në këto pallate, t’u japim zgjidhje. Ne me këtë akt u japim zgjidhje problemeve të hipotekimit që ata kanë, problemit të mosgëzimit të pronës së tyre. U japim zgjidhje problemeve teknike që do të përdoren për këtë proces dhe u japim zgjidhje pa kosto. Pa asnjë qindarkë. Nuk po zgjidhim asgjë tjetër, përveçse një problem të krijuar prej jush, nga kryetari i partisë suaj. 70 për qind e këtij problemi është krijuar nga kryetari juaj, për shkak të klientëve të tij”, – tha Olldashi. Ndërkohë, deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, u shpreh se “akti normativ për “legalizimet” nuk zgjidh çështjen e hipotekimit dhe gëzimit të pronave. Pjesë e farsës parazgjedhore!” Në lidhje me akuzat e socialistëve për përdorim elektoral të aktit normativ, ministri i Transporteve hodhi poshtë deklaratat e PS-së, duke thënë se vendimi i qeverisë nuk bëhet për vota, por është një detyrë ndaj zgjidhjes së problemeve që shqetësojnë qytetarët. “Kishit tavanin e 70 mijë qytetarëve mbi kokë dhe në vend të ulnit kokën dhe të thoshit: ‘Na falni që e krijuam, faleminderit që po e zgjidhni’, ju bëni retorika pa sens. Nuk po e bëjmë për vota. Po e bëjmë për detyrën tonë, siç kemi bërë nga 2005 deri më sot. Po bëjmë detyrën tonë për procesin e legalizimit, për qytetarët shqiptarë, që kanë ardhur nga të katër anët e këtij vendi, kemi bërë detyrën tonë për pensionistët, për studentët, për mësuesit, për mjekët, për bizneset dhe prandaj më 23 qershor ju do jeni prapë aty ku jeni dhe do jeni më pak se sot”, – deklaroi ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.

AKUZAT
Ndërkaq, në replikë me deputetët e Partisë Socialiste, të cilët hodhën akuza për përfshirjen e fëmijëve të Kryeministrit Berisha në afera korruptive, ministri Olldashi u shpreh se gjatë gjithë qeverisjes së djathtë, që nga viti 2005, socialistët vetëm kanë akuzuar me fjalë dhe pa faktuar me prova akuzat e tyre. “Keni vite qe merreni pa reshtur me fëmijët e Sali Berishës. Nxirreni një letër! Nxirreni një letër e jo broçkulla. Për 8 vjet rresht keni hedhur vetëm akuza dhe nuk jeni në gjendje të nxirrni një letër. Është turp dhe faqja e zezë juaja”, – u shpreh Olldashi. Por replikat mes ministrit dhe deputetëve të opozitës vijuan edhe me etiketimin e figurave, të cilët nuk janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, por që kanë drejtuar dhe mbajnë poste kyçe në procesin e legalizimeve të ndërtimeve informale në vend. “Përmendët këtu edhe dy ish-kolegë tanët (Shaban Meminë dhe Ardian Kollozin) që nuk janë këtu në sallë. Është turp për ju. Duhet të kishit mirësinë dhe edukatën që dy njerëz që nuk janë këtu, të mos i merrnit nëpër gojë. Çfarë po zgjidhim? Po zgjidhim problemin që krijuat ju për shkak të korrupsionit. Dhe nëse duam realisht ta luftojmë korrupsionin e kemi të thjeshtë ta gjejmë. Kush e lejoi atë situatë ndërtimore në Tiranë? E lejoi Shaban Memia, Ardian Kollozi, Shkëlzen Berisha? E lejoi vetëm një njeri. E lejoi Edi Rama si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i cili kishte edhe lejen e ndërtimit, edhe instrumentin për të kontrolluar lejen e ndërtimit, edhe instrumentin për të zhvilluar dhe penguar lejen e ndërtimit. Nuk bëri asnjë nga këto dhe për një arsye shumë të thjeshtë, jo se nuk kuptonte atë çfarë po ndodhtë ne territorin e Bashkisë së Tiranës, por e bëri për shkak të një mekanizmi shumë të thjeshtë që derivonte nga paratë xhepat e ndërtuesve në xhepat e kryetarit të partisë suaj”, – u shpreh ministri Olldashi.

 

 

 

Debati për Lotarinë Kombëtare, Bode: Procesi, transparent dhe sipas standardeve

Debate të nxehta kanë shoqëruar edhe diskutimin rreth dhënies së licencës për Lotarinë Kombëtare kompanisë “Austrian Lotteries”. Socialistët kanë akuzuar qeverinë për parregullsi në dhënien e licencës, duke akuzuar se fituesi ishte paravendosur. Ministri i Financave mbrojti procesin e tenderimit ndërkohë që vlerësoi kompaninë si shumë të suksesshme. “Licenca për Lotarinë Kombëtare po i jepet një kompanie që po investon në vend. Lotaria kombëtare është monopol i shteti dhe të ardhurat që merren përmes sistemit të taksimit të kësaj lotarie janë ato që përbëjnë thelbin kryesor pasi 17.71 % e xhiros në lotarinë kombëtare taksohet kurse 50% të kësaj xhiroje e merr lojtari. Ky është një proces i ligjshëm, transparent dhe sipas të gjitha standardeve”, – u shpreh Bode. Ndërkohë deputeti socialist Taulant Balla u shpreh: “Është korruptive, pasi është pazar i mbyllur shumë kohë më parë që të zhvillohet tenderi. Kriteret që Berisha përdori në tenderin e dhënies së kësaj licence ishtin përjashtuese. Qeveria vendosi si kriter disponimin e dy certifikatave për blerësin. Këto certifikata lëshohen nga shoqata botërore kombëtare, ndaj u përjashtuan lotarinë me famë botërore. Qeveria nuk vendosi çmimin, por e caktoi çmimin e fiksuar, vetëm këta mund të bëjnë një gjë të tillë, që të fiksohet çmimi 3.5 mln euro”. Po ashtu deputeti i PS-së, Arben Malaj, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se kontrata për Lotarinë Kombëtare nuk i jep asnjë ndihmë biznesit. Ndër të tjera, Malaj theksoi se ajo është përçmuese ndaj autoriteteve tona. ‘Kompania austriake ju ka imponuar një kontratë përçmuese. Në disa pika të saj thuhet se autoritetet shqiptare nuk mund të revokojnë, ndryshojnë dhe pezullojnë pjesërisht apo plotësisht pjesë të kësaj kontrate. Nëse ministria mendon të vendosë gjobë duhet të njoftojë paraprakisht kompaninë. Ç’do të thotë kjo? Kjo kompani e paska nënshtruar ministrinë”, – tha Malaj. Ndërsa ministri Bode deklaroi se kompania së cilës iu dha licenca do të investojë në Shqipëri. Bode vuri në dukje se “janë 28 kompani që posedojnë certifikatat e kërkuara, 50% të xhiros e merr lojtari, taksa do jetë 10% e xhiros”.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency