Debati për armët tek Siguria Paulin Stërkaj, kundër PS-së: Deputetët të mbajnë armë brezi

0
130

Florenc Drizari

siguriaKomisioni parlamentar për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim projektligjin për armët, opozita votoi kundër

 

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim projektligjin për armët me 9 vota pro nga mazhoranca dhe 4 vota kundër nga opozita. Gjatë shqyrtimit të draftit në komisionin përgjegjës deputetët debatuar gjatë për kategoritë e personave që me ligjin e ri, u jepet mundësia të mbajnë armë. Ashtu siç kishte ndodhur edhe më parë gjatë shqyrtimit të këtij projektligji, në Komisionin e Ligjeve, deputetët e opozitës mbajtën një qëndrim kundër pajisjes me armë të deputetëve dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Por ndryshe nga kolegët e tij socialist, deputeti i PS-së Paulin Stërkaj deklaroi se duhet parë mundësia që ligjvënësit të mbajnë armë. Gjithashtu përfaqësuesit e opozitës kundërshtuan draftin e ardhur nga qeveria edhe me argumentet se ligji vjen në prag fushate, ndërkohë deputetët e mazhorancës vlerësuan risitë dhe specifikat që paraqet projektligji për armët, edhe në kuadrin e përafrimit me direktivat e Bashkimit Evropian.

 

PAULIN STËRKAJ
“Për deputetët nuk jam që të mos kenë armë. Unë nuk e diskutoj. Deputetit nuk i duhet arma për të vrarë njerëz. Deputeti udhëton në zona të thela malore dhe me e pas një armë asnjë të keqe s’ka. Mbase i bie ndesh ndonjërit por s’ka ndonjë problem”, – tha z. Stërkaj. Ai shkoi më tej duke kërkuar nga përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme specifikime konkrete për llojin e armës që duhet të mbajë deputetit, duke ironizuar njëkohësisht edhe hapësirën ligjore në të cilën lë drafti për llojin e armës që mund të mbajnë deputetët me autorizim. “Nuk është theksuar se çfarë arme do ti jepet deputetit, kallash, kundërtank? Ky ligj ka lënë të hapur që deputeti mund të blejë edhe tank. Më u theksu që mund t’i lihet një armë brezi”, – deklaroi Stërkaj.

 

ILIR GJONI
Ndryshe nga kolegu i tij Stërkaj, nënkryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, deputeti socialist Ilir Gjoni, kërkoi nga komisioni shfuqizimin e neneve që flasin për mbajtjen e armëve nga deputetët dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave. Sipas tij, drafti i ri është një kopje e atij ekzistues dhe nuk sjell risi në uljen e personave që kanë të drejtë të mbajnë armë. “Unë them neni 18 pika A dhe pika B, le të përjashtohen fare. Ne të gjithë jemi deputetë, e kemi pas të drejtë, asnjëri nga ne nuk ka mbajtur armë dhe nuk ka pse të mbajë armë. Siç nuk ka pse ta mbaj një ministër, siç nuk ka të drejtë ta mbajë një gjykatës apo një prokuror. Ne nuk mund të japim dot shembullin e njerëzve të armatosur. Dhe unë nuk e di çfarë logjike keni ndjekur ju përveçse keni bërë një copy – paste nga ligji i mëparshëm. Mund të keni kufizuar diçka por kjo për ne nuk është shembulli i mirë si ligjvënës për tjua dhënë opinionit publik, për më tepër nga raportimet që bëni ju çdo vit, numri i personave të vrarë me armë zjarri çdo vit vjen duke u rritur”, – tha Ilir Gjoni. Një qëndrim në linjën e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë mbajtën edhe deputetët e tjerë të opozitës. Edhe deputeti Xhemal Qefalia e quajti të panevojshme pajisjen me armë të përfaqësuesve të legjislativit shqiptar. “Për çfarë i duhet arma deputetit? Presupozohet që deputeti është person i zgjedhur nga populli dhe duhet të pajiset me armë. Për çfarë duhet të pajiset me armë? Nga kush do ruhet, nga kush do mbrohet?”, – u shpreh Qefalia.

 

ARDIAN TURKU
Ndërkaq, edhe deputetët e mazhorancës e quajtën të panevojshme mbajtjen e armëve nga deputetët e Kuvendit, por sipas tyre ky është një standard edhe i vendeve të zhvilluara dhe është në dëshirën e gjithsecilit nga ligjvënësit nëse zgjedh apo jo të mbajë armë. “Të them të drejtën nuk më është dashur ndonjëherë të mbaj armë, si dhe shumë e shumë kolegëve të mi që e kanë pasur të drejtën për të mbajtur armë, dhe besoj se nuk do na duhet edhe në të ardhmen. Ekziston vetëm si e drejtë dhe kjo nuk na prish punë”,- deklaroi Ardian Turku.
Projektligji për armët pritet të rikthehet për diskutim nen për nen ditën e hënë në Komisionin për Sigurinë Kombëtare.

 

 

Ligjet miratojnë Inspektimin

Pas disa debatesh të gjata Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në legjislacionin në fuqi për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”. Ky projektligj u shqyrtua dhe u miratua edhe nga Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Fillimisht komisioni shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”.

 

 

Zbardhje debatesh në Komisionin e Sigurisë

Asllan Dogjani: Cilat janë shkaqet që ju e zgjeroni numrin e subjekteve që mund të pajisen me armë zjarri?
Arben Ristyani: E ngushtojmë, jo e zgjerojmë.
Asllan Dogjani: Sa do të ndikojë pajisja me armë zjarri e biznesmenëve në sigurimin e jetës së tyre sot?
Arben Ristani: Kjo lloj mundësie biznesmenëve u është dhënë nga z. Pandeli Majko që në vitin 1999. Ju ka dhënë të drejtën kompanive tregtare që kanë një kapital mbi 50 milionë lekë, ose kapital bankar mbi 20 milionë lekë.
Ilir Gjoni: Do ta shpjegoj unë pse është bërë ajo gjë.
Arben Ristani: Në përgjithësi këto standarde që kanë qenë të vendosura, ligji është munduar ti ruaj, por nga debati që u bë tek Komisioni i Ligjeve u kërkua që të hiqet.
Xhemal Qefalia: Për çfarë i duhet arma deputetit? Presupozohet që deputeti është person i zgjedhur nga populli dhe duhet të pajiset me armë. Për çfarë duhet të pajiset me armë? Nga kush do ruhet, nga kush do mbrohet?
Ilir Gjoni: Përse i keni futur deputetët, anëtarët e Këshillit të Ministrave? Se në 99 ne e dimë shumë mirë pse e ka vënë Pandi Majko, sepse situata e dini ju. Unë them neni 18 pika A dhe pika B, le të përjashtohen fare. Ne të gjithë jemi deputetë, e kemi pas të drejtë, asnjëri nga ne nuk ka mbajtur armë dhe nuk ka pse të mbajë armë. Dhe unë nuk e di çfarë logjike keni ndjekur ju përveçse keni bërë një copy – paste nga ligji i mëparshëm. Mund të keni kufizuar diçka por kjo për ne nuk është shembulli i mirë si ligjvënës për tjua dhënë opinionit publik, për më tepër nga raportimet që bëni ju çdo vit, numri i personave të vrarë me armë zjarri çdo vit vjen duke u rritur.
Arben Ristani: Nuk ka të bëjë me armët ajo.
Ilir Gjoni: Çrëndësi ka, është modeli që ne ofrojmë, sepse kur ne mbajmë armë, atërherë edhe opinioni publik na gjykon në bazë të veprimeve tona. Dhe një pjesë e tyre ndjek modelin, kjo njihet.
Arben Ristani: ky ligji nuk ka të bëjë fare me zgjedhjet, pas zgjedhjet e as me Shën Valentin. Është rastësi që vjen tani, ska të bëje me lidhjet kohore.
Ilir Gjoni: Sa kohë keni që punoni me këtë ligj?
Arben Ristani: Nuk është se ligji të bën automatikisht mbajtës së armës. Ligji të jep të drejtë nëse do dhe e kërkon që të mban armë. Por ke të drejtën që të pajisesh me autorizm. Është standard ndërkombëtare në të gjithë botën që kjo kategori personash kanë të drejtën të mbajnë armë, por nuk do të thotë që ata janë të pajisur dhe mbajnë armë.
Paulin Stërkaj: Për deputetët nuk jam që të mos kenë armë. Unë nuk e diskutoj. Deputetit nuk i duhet arma për të vrarë njerëz. Deputeti udhëton në zona të thela malore dhe me e pas një armë asnjë të keqe s’ka. Mbase i bie ndesh ndonjërit por s’ka ndonjë problem.Në këtë ligj më duhet i pakompletuar. Do të kishte një mundësi që nëpërmjet këtij ligji të mundësojnë carmatosjen e popullsisë. T’ju lëmë mundësinë që ato armë që kanë nëpër shtëpia t’jua legalizojmë. Ne kemi 350 mijë armë në duart e shqiptarëve.
Ardian Turku: Të them të drejtën nuk më është dashur ndonjëherë të mbaj armë, si dhe shumë e shumë kolegëve të mi që e kanë pasur të drejtën për të mbajtur armë, dhe besoj se nuk do na duhet edhe në të ardhmen. Ekziston vetëm si e drejtë dhe kjo nuk na prish punë.

 

Wollfarth takon krerët në KQZ: Monitorojmë numërimin në Tiranë dhe Fier

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth zhvilloi dje një takim me kryetaren KQZ-së Lefterie Lleshi si dhe nënkryetarin Denar Biba. Në fokus të takimit ishin përgatitjet e zgjedhjeve të 23 Qershorit. Në një prononcim pas takimit ambasadori Wollfarth tha për gazetarët se misioni i OSBE-së po monitoron situatën dhe procesin që do të vihet në zbatimin për numërimin e votave në Tiranë dhe Fier. “KQZ-ja dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri bashkëpunojnë ngushtë për përgatitjen e zgjedhjeve të muajit qershor të këtij viti. Qëllimi i vizitës së sotme këtu ishte, së pari, të theksonte rëndësinë e rregullores së KQZ-së, që ajo duhet ta miratojë në kohën e duhur. Përgatitjet për këtë janë duke u bërë – kjo është një nga gjërat që mësuam sot. Rregullorja lehtëson veprimtarinë e mirë dhe në mirëbesim, kështu që unë drejtova një ftesë, të kombinuar me një ofertë mbështetjeje, për rregulloren e brendshme. Rregullorja është e rëndësishme dhe do ta lehtësonte edhe më shumë punën thelbësore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, – deklaroi kreu i OSBE-së në Tiranë.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency