Berisha: Pas 23 qershorit Rama do të shkruajë librin “Vjedhja”

0
143

Ina Jano

berishaHiqet TVSH-ja për të gjitha makineritë që përdoren në bujqësi. Reformat synojnë të rrisin aftësitë konkurruese të ekonomisë shqiptare, duke rritur prodhimin dhe punësimin

Shëndetësia, kreu i qeverisë u përgjigjet akuzave të Ramës

 

 

Kryeministri Berisha, i bindur në fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit, tha se kreu i selisë rozë do të shkruajë librin me titull “Vjedhja”, duke qenë se ai asnjëherë nuk e pranon humbjen. Për kreun e qeverisë, lideri i opozitës asnjëherë nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve, madje duke ju referuar deklaratave se PD-ja po vjedh programin e PS-së, zoti Berisha tha se ky do të jetë frymëzimi për vëllimin e ri që do shkruhet. “Jam i sigurt se zoti Rama do të thoshte nesër, “na e vodhën programin”, pasi e dëgjova dje të thotë në serialin e pafundmë të shpifjeve të tij. Dhe të shikoni po nuk shkruajti vëllimin tjetër me titull “Vjedhja”, pas “Kurbanit” do të shkruajë “Vjedhja”, kështu e ka ai për ti frymëzuar. Për të qenë i sinqertë njeriu edhe mund të mashtrohet njëherë se kështu është normale, çdo njeri e vendos besimin para. Por tmerri pa fund është kur gënjen veten e tij”, – veçoi shefi i ekzekutivit.

 

Reformat

Një nga pikat në të cilat u ndal gjatë kreu i kabinetit qeveritar, ishte edhe heqja e TVSH-së për të gjitha makineritë e bizneseve në prodhim në bujqësi por edhe në të gjitha nën degët e saj. “Ne vendosim heqjen e TVSH-së për të gjitha makineritë e të gjitha llojeve të bizneseve që do të përdoren për prodhim. Sot ne vendosim heqjen e TVSH-së për të gjitha makineritë që do të përdoren në bujqësi, e degët e shumta të saj, blegtori , agrokulturë, bletari, bimë aromatik, i cili është një sektor që po fuqizohet me shpejtësi në Shqipëri”, – pohoi Kryeministri. Duke e vënë theksin tek reformat dhe rëndësia e tyre në mbrojtjen e vendit nga kriza ekonomike dhe rënia në recension, ai vuri në dukje se ato faktuan se modeli ynë ekonomik ishte dhe është një model suksesi i padiskutueshëm, i cili natyrisht duhet të ndiqet në dinamikën e tij. Një tjetër vendim që mori dje Këshilli i Ministrave është edhe ulja e shumës që paguanin për kontrollin e kasave përgjysmohet nga 90 mijë, në 40 mijë lekë.

Shëndetësia

Kreu i qeverisë nga mbledhja e qeverisë ju dha përgjigje edhe akuzave të shefit të opozitës Rama, në lidhje me sektorin e shëndetësisë. Pavarësisht të gjitha përgjigjeve nga institucionet shëndetësore në vend gjatë këtyre ditëve, dje Kryeministri vendosi të thyejë heshtjen edhe në lidhje me këtë temë,. Ai dha disa shifra në lidhje me çmimet e dializës që kryhen në vend, kur më herët kryesocialisti kishte akuzuar për këtë gjë. Sipas numrit një të ekzekutivit, cimet në vend janë më të ulëta duke e krahasuar me ato të të gjitha vendeve të Evropës. Gjithashtu ai e këshilloi Ramën që të marrë për bazë ose shifrat zyrtare, dhe të mos këshillohet nga këshilltarë që marrin për bazë statistikat e vitit 2005. “Rama deklaroi se çmimet e hemodializës në Shqipëri janë dy herë më të larta se sa çmimet mesatare. Në se krahason me çmimet e Kastros, apo Hugo Chavesit, këtë nuk e di, por di se në Evropë, ky është çmimi më i ulët. Në Shqipëri, në sektorin privat ky shërbim është 85-90 euro seanca, me gjithë TVSH. Pa TVSH është 75 euro. Në Francë kushton 170 euro, në BE është 140 euro. Në Hungari është 98 euro. Në Çeki është 120 euro. Në Mbretërinë e Bashkuar 180 euro, në Spanjë 164 euro, në Rumani 95 euro, në Maqedoni 105 euro”, – tha Berisha.

 

 

 

Kryeministri: Ja piketat e mandatit të ardhshëm për Shqipërinë vend të zhvilluar

Taksa progresive, një nga shkaqet e krizës së sotme

Udhëheqësi duhet pranojë me të gjithë bindjen dhe vetëdijen e tij, se ndonjëherë ai udhëheq, por duhet të pranojë të udhëhiqet, nga ata të cilët i udhëheq dhe drejton, përndryshe realisht e ka shumë të vështirë të ketë një sukses të qëndrueshëm. Nën këtë rregull të artë të politikës, siç e cilësoi dhe vetë ai, Kryeministri Berisha nisi formësimin e projektit “Shqipëria një vend i zhvilluar”, duke marrë sugjerimet, opinionet dhe kritikat e qytetarëve shqiptarë. Gjatë bashkëbisedimit me studentët, numri një i qeverisë garantoi se qytetarët shqiptarë do të jenë udhëheqësit e vendit, dhe ai thjesht do t’i dëgjojë ata. “Dua t’ju njoftoj se programi dhe ky projekt është frut i një pune të gjerë intensive të specialistëve nga më të shquarit, më me eksperiencë në fusha, në vendimmarrje dhe politikë. Kjo nuk mjafton. E tërë pamja dhe forma e tij do varet nga mendimet, sugjerimet, opinionet, kritikat e qytetarëve shqiptarë.”- tha Kryeministri Berisha. Në interes të pyetjeve të studentëve ka mbrojtur sërish taksimin e sheshtë përkundrejt atij progresiv që ofron opozita, duke argumentuar se paratë nën konton e biznesmenëve dhe qytetarëve janë më të vlefshme për ta sesa paratë nën konton e shtetit. “Të paktën në dy shekujt e fundit, taksa progresive është koncepti marksist. E dyta, ajo e sheshta është koncepti konservator që kulmoi me Ronald Regan. Taksa e sheshtë i beson parimit se paratë në kontot e biznesmenëve dhe qytetarëve janë më të vlefshme për shoqërinë se ato në llogarinë e shtetit. Po të marrim sistemin privat, ai gjeneron në një orë të gjitha buxhetet. Është absolutisht raporti i gjigantit me nanin. Në konceptin progresiv ka një qëndrim jo miqësor ndaj të pasurit, në një farë mënyre i targeton ata si përgjegjës për të varfrit dhe pjesën tjetër. Historia fakton se ky koncept është rrënues. Ti s’mund të rimëkëmbësh të varfrin duke shkatërruar të pasurit. Nëse shkatërron të pasurit, një gjë është e sigurt që të varfrit i zhyt në një varfëri akoma më të madhe. Taksa progresive, një nga shkaqet e krizës së sotme. Studimet tregojnë që taksa progresive është e dëmshme”, – theksoi Kryeministri. Lidhur me sistemin e drejtësisë në vend, Berisha u shpreh se pozitive në të gjithë problematikën që shfaq ky sistem është fakti se gjyqësori nuk është i motivuar politikisht, ndërsa sa i përket Prokurorisë ai tha se i mbetet shumë punë për tu përmirësuar. Një tjetër pyetje drejtuar Kryeministrit kishte të bënte me liberalizimin e universiteteve. Ai komentoi se,“Ne hoqëm TVSh për arsimimin, një akt mbështetje ky për arsimin privat. Kredia e studentit është borxh publik, është më i drejti që duhet të përballojë qeveria, por meqenëse nuk donim që të rritej niveli i borxhit, që u bë një shpatë mbi ekonomitë, atëherë ndaj nuk bë, por reforma është. Pas këtyre zgjedhjeve do jetë vendosja e reformës arsimore ku studentët të përzgjedhin dhe cilësia të dominojë. Sektori privat në SHBA është një aksioner shumë i madh jo të vetëm në shkollim por edhe në kërkimin shkencor. Ata e kanë nisur këtë rrugë 200 vite më parë, ndërsa ne sot pas 20 vjetësh, kemi 22% të sistemit arsimor të mbuluar nga ai privat”, – komentoi Berisha.

 

PR nis përgatitjet për fushatën elektorale

Partia Republikane ka nisur organizimin e saj për zgjedhjet e 23 qershorit dhe në qendër të punës në këtë fazë të organizimit do të jetë hapja e zyrave elektorale në të gjithë vendin dhe komunikimi me qytetarët derë më derë. Në takimin me drejtuesit republikanë në rrethe, kryetari Fatmir Mediu ka bërë të ditur se Partia Republikane do të përfaqësohet në zgjedhjet e 23 qershorit me kandidaturat e saj në të gjithë vendin. Sipas zotit Mediu këto zgjedhje kanë rëndësi jetike për të ardhmen evropiane të vendit. “Zgjedhjet e 23 qershorit janë zgjedhje shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Janë zgjedhje të rëndësishme që ndajnë dy rrugë, rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë, të qëndrimit dhe angazhimit të kësaj mazhorance në interes të qytetarëve shqiptarë me rrugën e bllokimit të këtij procesi”, – tha kreu i republikanëve, Fatmir Mediu. Në programin elektoral të republikanëve edhe çështja kombëtare do të zërë një vend të posaçëm. “Çështja kombëtare është padyshim e lidhur me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, është e lidhur me dinjitetin dhe kushtet që ne i japim çdo qytetari shqiptar, me forcën që duhet të kenë institucionet në çdo skaj ku jetojnë shqiptarët si institucione evropiane. Nëse do të gëzojmë këto, ne padyshim do të gëzojmë një status si shqiptarë të bashkuar në Evropën e bashkuar”, – deklaroi Mediu.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency