Mbyllet “Gërdeci”, shpallen dënimet për të pandehurit

0
177

Sonja Caka

gerdeciPranohet gjykimi i shkurtuar për katër të pandehurit kryesorë, dënohen disa ushtarakë dhe civilë që morën pafajësi. Shpallet i pafajshëm gjeneral Spahiu, dënohet 5 vjet gjeneral Hoxha. Lirohen nga sekuestro pronat e Delijorgjit

 

Apeli i jep fund në kohë rekord dosjes voluminoze “Gërdeci”. Ajo që binte në sy gjatë shpalljes së vendimit ishte pranimi i kërkesës për aplikim të gjykimit të shkurtuar nga të pandehurit kryesorë të këtij procesi, duke përfituar të gjithë uljen e një të tretës së dënimit. Gjithashtu, trupi gjykues kishte vendosur të ndryshojë masat e dënimit për disa ushtarakë dhe zyrtarë, duke i shpallur ata fajtorë dhe dënuar me masa burgimi deri në 3 vjet, ndërkohë që u ka pezulluar edhe të drejtën për të ushtruar funksione publike për të paktën 3 vjet që nga momenti i shpalljes së vendimit. Trupa gjyqësore vendosi të shpallë të pafajshëm gjeneral Shpëtim Spahiun, ndërsa dënoi me 5 vite burg gjeneralin tjetër, ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxhën. Kjo dosje u mbyll brenda disa muajsh nga trupa gjyqësore e apelit, ndërkohë që gjyqtarët e Shkallës së Parë dëgjuan një numër të madh dëshmitarësh, provash dhe materialesh hetimore deri në mbyllje të procesit, pa llogaritur shtyrjet e shpeshta dhe të pajustifikuara të seancave nga ana e avokatëve.

Seanca

Në një seancë që zgjati vetëm disa minuta, trupi gjykues i kryesuar nga kryegjyqtari i Apelit Alaudin Malaj shpalli vetëm dispozitivin e vendimit, duke argumentuar se vendimi i arsyetuar është dorëzuar në sekretarinë gjyqësore. “Gjykata lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke bërë disa ndryshime për një pjesë të pandehurve” deklaroi në fillim të shpalljes së vendimit gjyqtari, duke lexuar më poshtë ndryshimet për 13 nga të pandehurit. Kështu, pas vendimit të djeshëm dhe pranimit të gjykimit të shkurtuar, Ylli Pinari u dënua me 15 vjet burg, nga të cilat i mbeten vetëm 10 vjet për të vuajtur, Mihal Delijorgji me 10 vjet burg ku i ngelen 7 vjet e gjysmë, Dritan Minxolli me 18 vjet ku i ngelen 12 vjet burg, Sokol Ngjeci me 10 vjet ku i ngelen edhe 7 vjet e 6 muaj burg. Ndërkohë që, i është ulur vetëm 1 vit burg nga masa e dhënë në Shkallën e Parë ish-shefit të Shtabit Luan Hoxha, i cili përfundimisht u dënua me 5 vjet burg. Më fatlum ka qenë gjenerali tjetër, Shpëtim Spahiu, i dënuar nga Shkalla e Parë me 4 vjet burg dhe me pezullim aktiviteti shtetëror prej tre vjet, pasi u shpall i pafajshëm. Gjykata pezulloi dënimi me burg për Shkëlzen Madanin, Ilmi Laçajn, Agim Babameton, Rezart Tërshanën, Besnik Dautin dhe Zija Bajën që në vijim do jenë nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës, ndërkohë që për ta u shtua edhe dënimi plotësues për pezullim të ushtrimit të funksioneve shtetërore për 3 vjet. Gjykata vendosi të heqë sekuestron për pronat e Mihal Delijorgjit, ndërsa lë në fuqi vendimin për sekuestron e pronave të shoqërisë “Albademil”. Për të pandehurit e tjetër të papërmendur në diapozitiv nga trupi gjykues u la në fuqi vendimi i kolegëve të Shakllës së Parë. Vendimi u shpall nga treshja gjykuese Alaudin Malaj, Gent Shala dhe Shkëlqim Miri.

Akuza

Në fillim të këtij procesi gjyqësor, në muajin nëntor, dy prokurorët Shkëlqim Hajdari dhe Edmond Hyka u janë referuar provave dhe fakteve mbi të cilat Gjykata e Apelit, sipas tyre, duhet të rrëzojë vendimin e gjyqtarëve Ridvan Hado, Shefkie Demiraj dhe Fatmira Hajdari. Prokurorët u shprehën se Gjykata e Tiranës është treguar kontradiktore dhe se ka gabuar në momentin kur interpreton akuzën e “Vrasjes me dashje”, e cila, sipas kësaj gjykate, nuk është kryer as nga subjekti “Albadamil” dhe as nga të akuzuarit e tjerë. Sipas prokurorëve, Gjykata e Tiranës shprehet në vendimin prej afro 500 faqesh se do të ishte e palogjikshme të thuash se të pandehurit kishin qëllim të vrisnin në një kohë që vetë ata ndodheshin pak minuta para shpërthimit në këtë fabrikë. Lidhur me këtë moment, prokurorët e Apelit mendojnë se të pandehurit me dashje kane përdorur metoda të papërshtatshme për demontimin në Gërdec; me dashje kanë punësuar personel të pakualifikuar dhe po me dashje kanë marrë në punë edhe fëmijë të mitur. Për këto arsye, prokurorët kërkojnë që katër të pandehurit kryesorë, përkatësisht Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi, të dënohen për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, – ndërsa nuk është shprehur mbi vendimin ndaj ushtarakë dhe civilëve të tjerë të këtij procesi. Gjykata e Tiranes shpalli dhjetë pafajësi dhe dha 99 vite burg në total, si dhe 40 milionë gjobë për të pandehurit e këtij procesi gjyqësor.

Dyshimi

Të pandehurit e cilësuar si përgjegjës të tragjedisë së Gërdecit kanë hedhur dyshime mbi shpërthimin në fabrikën e Gërdecit, duke fajësuar gjykatën dhe organin e akuzës për mos hetim si duhet të këtij momenti. Madje, dy të pandehurit kanë shkuar edhe më tej, teksa kanë akuzuar Prokurorinë se gjatë procesit hetimor nuk kanë kryer eksperimentin për të provuar shkakun e shpërthimit, por u mjaftuan me faktin se ngrohtësia e karrocës së përdorur nga Qemal Deliu, solli shpërthimin e municioneve apo barutit të grumbulluar në fabrikë. Dyshimet e tyre lidhur me shpërthimin, Dritan Minxolli dhe Ylli Pinari e lidhin me tri dëshmi të dhëna në Gjykatën e Shkallës së Parë nga Kadri Meci, Elvira Bisha dhe Fejzo Shehu, përmes të cilave provohet koha e gjatë nga saldimi i karrocës në banesën e Deliut dhe deri në shpërthim, pra që sipas tyre provon ftohjen e karrocës dhe në këtë mënyrë edhe pamundësinë për të qenë shkak i shpërthimit. Nisur nga këto elementë, si dhe përmendja e dëgjimit të një të krisure nga njëri prej dëshmitarëve, dy të pandehurit në mbrojtjen e tyre aludojnë për një shpërthim të ardhur nga një tjetër shkak dhe jo prej ngrohtësisë së karrocës pas saldimit në oborrin e banesës private të Deliut.

 

Kërkesa

Të pandehurit kryesorë kërkuan aplikimin e gjykimit të shkurtuar

Një nga surprizat e fillimit të këtij procesi gjyqësor ka qenë edhe një kërkesë e parashtruar më 26 nëntor nga katër të pandehurit e konsideruar si kryesorë dhe përgjegjës për tragjedinë, të cilët kanë marrë edhe masat më të larta të dënimit. Avokatët e Delijorgjit, Pinarit, Minxollit dhe Ngjeçit kërkuan të merret në konsideratë një vendim i Gjykatës Kushtetuese për një shtetas, lidhur me pranimin e gjykimit të shkurtuar, të mohuar nga shkallët e tjera të gjyqësorit. “Kërkojmë pushimin e gjykimit dhe pafajësi. Por, nëse në fund do të konkludohet se klientët tanë janë fajtorë, atëherë kërkojmë nga gjykata të dënohen në aplikim të gjykimit të shkurtuar, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës Kushtetuese”, – janë shprehur para gjykatës avokatët mbrojtës të të pandehurve të cilësuar si fajtorë për tragjedinë e Gërdecit. Sipas avokatëve, ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese ndaj një të pandehuri, që detyron Gjykatën e Apelit që ta dënojë atë në aplikim të gjykimit të shkurtuar, një kërkesë kjo që i është rrëzuar në shkallët e tjera të gjyqësorit. Avokatët janë shprehur se në fazat e para të gjykimit në Shkallën e Parë, trupi gjykues me një vendim të ndërmjetëm u ka rrëzuar kërkesën për t’u gjykuar me gjykim të shkurtuar, ndonëse çështja zgjidhej në gjendjen që ishin aktet. Prandaj dhe, ata kërkojnë që në rast të shpalljes fajtorë nga Gjykata e Apelit, ndaj tyre të aplikohet ulja e një të tretës së dënimit.

 

Të pandehurve që u ndryshoi vendimi

Ylli Pinari u dënua me 15 vjet burg, me gjykim të shkurtuar 10 vjet

Mihal Delijorgji u dënua me 10 vjet burg, me gjykim të shkurtuar 7 vjet e 6 muaj

Dritan Minxholli u dënua me 18 vjet burg, me gjykim të shkurtuar 12 vjet

Sokol Ngjeci u dënua me 10 vjet burg, me gjykim të shkurtuar 7 vjet e 6 muaj burg

Luan Hoxha u dënua me 5 vjet burg

Shpëtim Spahiu shpallet i pafajshëm

Besnik Dauti dënohet me 3 vjet burg, pezullohet dënimi

Zija Baja dënohet me 3 vjet burg, pezullohet e dënimi

Ilmi Laçaj dënohet me 3 vjet burg, u pezullohet dënimi dhe gjoba

Shkëlzen Madani dënohet me 3 vjet burg, i pezullohet dënimi dhe gjoba

Agim Babameto dënohet me 1 vit burg, i pezullohet dënim

Rezart Tërshana dënohet me 1 vit burg, i pezullohet dënimi

Shoqëria Albademil, i ulet 1/3 e dënimit

 

Vendimi i Shkallës së Parë

Ylli Pinari u dënua me 18 vjet burg

Mihal Delijorgji u dënua me 10 vjet burg

Dritan Minxolli u dënua me 18 vite burg

Sokol Ngjeci u dënua me 10 vite burg

Ardian Mullahi u shpall i pafajshëm

Shkëlzen Madani u dënua me 3 vjet burg e 300 mijë lekë gjobë

Dashnor Çaushi u dënua me 3 vjet burg

Armand Tartari u dënua me 1 vit burg e 300 mijë lekë gjobë

Luan Hoxha u dënua me 6 vjet burg

Agim Lala u shpall i pafajshëm

Hilmi Laçaj u dënua me 3 vjet burg

Ndue Marku u dënua me 1 vit burg e 300 mijë lekë gjobë

Shpëtim Spahiu u dënua me 4 vjet burg

Zija Bahja u shpall i pafajshëm

Agim Babameto u shpall i pafajshëm

Rezart Tërshana u shpall i pafajshëm

Besnik Dauti u shpall i pafajshëm

Fatbardh Kuçi u dënua me 1 vit burg e 300 mijë lekë gjobë

Gëzim Oshafi u dënua me 3 vjet burg

Jorgo Mino u dënua me 3 vjet burg

Denis Hajdari u dënua me 1 vit burg e 300 mijë lekë gjobë

Fari Toska u dënua me 3 vjet burg

Zenun Fero u dënua me 3 vjet burg

Hysni Çoçka u dënua me 3 vjet burg

Adriatik Mema u shpall i pafajshëm

Juliana Margariti u shpall e pafajshme

Lavdi Shatro, aktet u kthyen ne prokurori

Fiqiret Mato u shpall i pafajshëm

Albademil u dënua me 25 milionë lekë gjobë

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency