Paulo Teikseira, menaxheri i talenteve që po i sos durimin FIFA-s Gjuetari që mbron të drejtat e “skllevërve” të futbollit

0
158

Marrë nga CNN.com

menaxheriTeikseira është kthyer në makth për FIFA-n dhe tërë klubet e mëdha të Evropës. Këta të fundit, pasi “plaçkitin” talentet e vendeve të varfra, nuk derdhin shumat që vetë rregullorja e FIFA-s parashikon. Kundër një padrejtësie të tillë ka dalë menaxheri brazilian, që i ka vënë detyrë vetes të zbulojë dhe më pas të denoncojë tërë ato ekipe evropiane që nuk u njohin të drejtat klubeve që rrisin talente.

 

 

Ashtu si ata që në perëndimin e egër vinin drejtësi duke mos ndjekur rregullat, edhe menaxheri brazilian sot, Paulo Teikseira, tregon se me mënyra jo shumë “ortodokse” mbron interesat e skuadrave latino-amerikane dhe ato afrikane. Këto dy kategori skuadrash “plaçkiten” çdo vit nga ekipet evropiane që marrin talente pa paguar asgjë, edhe pse pika 20 e rregullores së FIFA-s flet qartë.

 

Detyra

Menaxheri brazilian ka një detyrë të vështirë. Ai merr përsipër që të “zbardhë” të kaluarën e futbollistëve të rinj që luajnë në kontinentin e vjetër. Nëse Teikseira arrin që të vendosë një urë mes skuadrës “mëmë” dhe asaj të re, atëherë përfiton një përqindje nga paratë që ajo e dyta i detyrohet të parës. Rastet janë të shumta. Në listën e zezë të skuadrave që marrin talente pa paguar asgjë, ka edhe klube të mëdha. Sot numri i fëmijëve futbollistë që kanë ardhur në Evropë, arrin deri në 20 mijë. Ata kanë mbërritur këtu me premtimin se do të ktheheshin në yje të futbollit botëror, ndërkohë që jo gjithmonë punët shkojnë mirë. Disa flenë nën ura, ndërkohë që disa të tjerë nuk dihet ku kanë përfunduar, janë zhdukur nga faqja e dheut. Ana më e errët e kësaj medaljeje është se edhe FIFA nuk po lëviz asnjë gisht për të ndaluar këtë “trafik” të vërtetë skllevërish.

 

Paradoks

“Paradoksi është se unë as që jam marrë fare me ata djem që janë zhdukur në asgjë, – shpjegoi Teikseira për “CNN”. – Unë ndjek vetëm ato kauza ku nuk bëhet e famshmja pagesë e kompensimit. Pra, puna ime fillon vetëm kur një djalosh bëhet futbollist profesionist dhe firmos një kontratë të rregullt. Unë i kam kërkuar FIFA-s që ashtu siç ruan të drejtat e klubeve të mëdha, duhet të ruajë edhe të drejtat e klubeve të vogla që si ato të parat janë anëtarë të kësaj organizate”. Në këto raste FIFA u jep përparësi skuadrave të mëdha. “Është çështje kulture, – vazhdon Teikseira. – Klubet evropiane janë gati që të paguajnë miliona euro për të blerë lojtarë, por kur vjen puna tek detyrimet që kanë ndaj skuadrave që kanë formuar këta futbollistë ata kursehen. Kështu, ata u mohojnë të drejtat skuadrave të Amerikës Latine dhe të Afrikës. Ata u detyrohen atyre të ashtuquajturën pagesë kompensimi”.

 

Rastet

Menaxheri brazilian tregon se Anderlehti, klub belg, që xhiron rreth 300 milionë euro çdo vit, refuzon që të paguajë një “identitet” që vlen 100 mijë euro për Kabanga Zhuniorin. Sipas klubit në fjalë, djaloshi ishte profesionist që para se të vinte në Belgjikë, pasi në atdhe ai kishte firmosur një kontratë me Aigles Vertsi. Kontratë kjo që i jepte 20 cent në muaj, kështu ai konsiderohet si profesionist.

 

Shumë kërkesa

Një tjetër rast është edhe ai i Serxho Keregatit. Për këtë futbollist, Botafogo, klubi që e formoi, kërkon nga Milani 300 mijë euro. Edhe sot kjo çështje ende nuk është zgjidhur ndërsa lojtari, pasi luajti edhe për Ankonën, tani është rikthyer në atdhe ku luan për Vasko de Gamën. Milani pretendon se Botafogo ka trajnuar për pak kohë të riun dhe se ka marrë atë çka i takonte (60 mijë euro). Sipas shoqërisë kuqezi, skuadra braziliane vetëm kohë më vonë rriti pretendimet duke kërkuar 300 mijë euro. Ndërsa Teikseira tregon se ka prova që vërtetojnë se Keregati ka qenë pjesë e të rinjve të Botafogos që në moshën 12-vjeçare. I riu ka qenë pjesë e këtij klubi për plot katër vite dhe jo pak muaj siç thonë drejtuesit e Milanit.

 

Problemi me Italinë

Më tej menaxheri brazilian shpjegon se në Itali puna e tij ka një specifikë tjetër. “Problemi këtu në Italia është ai rregulli i ri që i thoni ‘regjistrimi i parë’. sipas kësaj rregulle kur një djalosh firmos kontratën e parë prej profesionisti bëhet ‘italian’ për rregullat sportive. Kështu fshihet çdo gjurmë e të shkuarës sportive të lojtarit, – shpjegon Teikseira. – Mund t’ju them se një brez i tërë talentesh u janë shkëputur klubeve përkatëse (në Brazil dhe Afrikë) falë kësaj rregulle të çuditshme”.

 

Kauza në Facebook

Një tjetër anë e çuditshme e kësaj medaljeje është se Teikseira ka vendosur që të përdorë rrjetin social në “hetimet” e tij. Ai pas çdo rasti që çon në fund me sukses publikon gjithçka po në faqen e tij në Facebook. Po vetë ai tregon se është “inspiruar” nga një revolucion që ndodhi pak muaj më parë në kontinentin afrikan. “Kam mësuar shumë nga “Pranvera Arabe”. Interneti dhe celularët kanë shërbyer për të mbledhur njerëzit si dhe për të informuar tërë botën se çfarë po ndodhte atje”, – tregoi braziliani nga shtëpia e tij në Sao Paolo. Si përfundim kjo lloj politike nuk i ka pëlqyer

shumë FIFA-s, që ka gjobitur menaxherin me 8 mijë dollarë. Gjithashtu, qeveria botërore e futbollit e ka pezulluar atë për plot dy muaj. Tërë këto masa FIFA nuk i ka marrë se nuk ka pëlqyer metodat nëpërmjet ai ka vendosur të bëjë publike të vërtetën. Gjithçka e tregon raporti që FIFA ka shkruar për menaxherin: “Zoti Teikseira mund të thotë të vërtetën, por kjo nuk i jep të drejtën që të përdorë një platformë si Facebook për ta bërë publike”. Në fund ai që ka vendosur të vërë drejtësinë në vend shpjegoi se nuk do të dorëzohet. Ai ka premtuar luftë në rrjetet sociale.

 

Pika 20, “Kompensimi për formimin e lojtarëve të rinj”

Periudha e formimit të një futbollisti zhvillohet gjatë moshës 12 dhe 23 vjeç dhe është e zbatueshme sipas rregullores deri në moshën 23-vjeçare për formimin sportiv të marrë deri në moshën 21 vjeç.

Kompensimi është i detyrueshëm në këto raste:

a. Kur lojtari nënshkruan kontratën e tij të parë profesionale

b. Në çdo transferim deri në moshën 23-vjeçare dhe gjithsesi në funksion të statusit të tij prej lojtari, pra nga diletant në profesionist apo nga profesionist në diletant.

Kompensimi nuk është I domosdoshëm në rastet e mëposhtme:

a. Transferimi nga diletant në diletant apo në rast transferimi nga profesionist në diletant

b. Nëse futbollisti është transferuar në një shoqëri të kategorisë së katërt.

c. Nëse një klub zgjidh në mënyrë të njëanshme kontratën e një lojtari pa shkak, duke ia kaluar kompensimin klubit të mëparshëm që e ka përgatitur futbollistin.

Shuma e përcaktuar si kompensim(dëmshpërblim) duhet të derdhet brenda 30 ditëve nga firmosja e kontratës dhe duhet të pasqyrojë kostot që kanë qenë të nevojshme për përgatitjen e futbollistit. Përllogaritja e kompensimit bëhet në bazë të shumës të parashikuar për kategorinë së cilës i përket klubi i ri shumëzuar për numrin e viteve që ka qenë i federuar tek klubi i mëparshëm. Nuk ka vend për kompensim kur një futbollist, duke qenë 23 vjeç ose më shumë, ndërron klub në fund të kontratës së tij dhe klubi që e ka formuar nuk i ofron një kontratë prej profesionisti.

 

Përgatiti Altin Vorpsi

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency