Sherri në ambientet e bilardos, vritet 21-vjeçari, pasi u thirr për sqarim

0
166

Elton Qyno

beratPolicia arreston tre persona, dyshohet se viktima dhe autorët janë përdorues droge

 

Një grindje e momentit në bilardo që më pas është zhvendosur në një nga lulishtet e qytetit të Beratit, i ka marrë jetën një 21-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës në lagjen “Dëshmorët e kombit”, ku Elidon Zotka ka mbetur viktimë e thikave të njëpasnjëshme të ngulura nga tre të rinj. Sipas burimeve paraprake, 21-vjeçari ndodhej në një bilardo në lagjen “Dëshmorët e kombit”, ku pas një grindjeje banale me Erjon Eskiun, Ervis Xherimin dhe Avdi Hykën, sherri është zhvendosur në një nga lulishtet e qytetit. Autorët kanë marrë në telefon viktimën, duke i kërkuar këtij të fundit një takim, me qëllim sqarimin e konfliktit. Mirëpo në vend që të sqaroheshin palët janë konfliktuar më keq, duke filluar të godasin njëri-tjetrin me grushte. Pas kësaj, njëri nga tre persona e sipërcituar të dyshuar si autorë të vrasjes së Elidon Zotkës, ka nxjerrë një thikë nga trupi, dhe e ka qëlluar disa herë në bark dhe gjoks, 21-vjeçarin Zotka. Ky i fundit është rrëzuar në tokë, ndërkohë që nga trupi ka filluar t’i dalë shumë gjak. Pas kësaj tre agresorët janë larguar me vrap, por pas disa orësh ata janë arrestuar nga policia e Beratit, e cila deri në orët e mbrëmjes së djeshme nuk ka përcaktuar se cili nga personat ka qëlluar për vdekje 21-vjeçarin. Ndërkohë, Zotka është transportuar në spitalin rajonal të Beratit me qëllim kryerjen e ekspertizës mjekoligjore.

Përdorues droge

Lidhur me krimin e rëndë, burime pranë policisë së Beratit thanë për gazetën “Standard” se tre personat e arrestuar dhe viktima, kanë pasur njohje njëri me tjetrin. Nga informacionet e mbledhura ata dyshohen si përdorues të lëndëve narkotike në qytetin e Beratit dhe se kjo mund të jetë bërë dhe shkak për ndezjen e konfliktit që më pas degjeneroi në vrasje. Nga marrja në pyetje e tre të ndaluarve, mësohet se sherri mes tyre dhe viktimës kishte ndodhur në një ambient bilardoje, ku janë zënë për motive të dobëta. Mirëpo pas kësaj, njëri nga autorët është larguar dhe ka thirrur dy personat e tjerë, të cilët i kanë ardhur në ndihmë. Kanë telefonuar Elidon Zotkën, duke i kërkuar këtij të fundit që të shkonte në ambientet e një lulishteje, pasi aty e prisnin për t’u sqaruar. Kërkesës së tyre i është përgjigjur pozitivisht viktima, i cili ka mbërritur në vendin e kërkuar ku edhe ka filluar të konfliktohet fizikisht me tre personat e ndaluar tashmë nga policia. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, 21-vjeçari pas disa minuta përleshje është parë të bjerë në tokë, ndërkohë që dëshmitarët e rastit kanë ndihmuar për transportimin e tij në spital ku dhe gjatë rrugës ka humbur jetën.

Hetimet rreth vrasjes

Për të zbardhur rrethanat e këtij krimi të rëndë, policia ka shoqëruar dhjetëra persona ku pas marrjes në pyetje sërish ata janë lënë të lirë. Mes të shoqëruarve, që tashmë është vendosur ndalimi i tyre kanë qenë edhe tre autorët e dyshuar të vrasjes së 21-vjeçarit, të cilët nën praninë edhe të një psikologu janë marrë në pyetje. Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se krimi ka si motiv një grindje të mundshme në ambientet e bilardos, ndërkohë që pa përjashtuar nuk mbetet dhe pista e përdorimit të drogës, pasi tre të rinjtë mund të kenë qenë nën efektin e drogës, në kohën kur kanë qëlluar me thikë 21-vjeçarin. Në pyetje janë marrë dhe shokë të viktimës, të cilat kanë treguar lëvizjet që 21-vjeçari kishte kryer gjatë ditës. Pritet që motivet e plota rreth kësaj ngjarje, të bëhen të ditura ditën e sotme nga policia e Beratit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency