Kronika shkurt

0
196

policiPërleshje masive në shkollën “Besnik Sykja”

E kafshon qeni në rrugë, 17-vjeçari hakmerret

i plagos të zotin me armë. Përleshja, 3 të plagosur

Katër persona, nga të cilët tre vëllezër, kanë mbetur të plagosur gjatë dy grindjeve të të rinjve në Tiranë. Ngjarja e parë ka ndodhur në rrugën “Babë Rexha”, në afërsi të zonës së njohur si “Plastika”, kur teksa dilte nga lokali është qëlluar me armë zjarri 25-vjeçari Erald Bleta. Autori i këtij krimi është 17-vjeçari Gevi Spahiu, i cili tashmë është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës. Motiv i këtij sherri që solli dhe plagosjen e Erald Bletës, ka qenë një grindje mes autorit të krimit dhe të dëmtuarit një ditë më parë. Kjo, pasi qeni i të dëmtuarit ka kafshuar në rrugë autorin e plagosjes dhe nisur nga kjo situatë mes të dyve të rinjve ka pasur një konflikt. Për pasojë, një ditë më pas 17-vjeçari ka vendosur të hakmerret duke e qëlluar me pistoletë në këmbë, duke nënkuptuar hakmarrjen e tij, pasi edhe qeni i kishte lënë atij një shenjë nga kafshimi në këmbë. Ndërsa një plagosje tjetër me thikë ka ndodhur në afërsi të shkollës “Besnik Sykja” në Tiranë, ku tre persona janë plagosur me thikë. Edhe në këtë rast shkak, sipas policisë, ka qenë një grindje e momentit. Argjend Dibra, 20 vjeç, ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak, ndërsa dy vëllezërit e tij, Elian dhe Arben Dibra, ndodhen në gjendje më të mirë shëndetësore. Nga hetimet e kryera dhe nga pyetja e dëshmitarëve shkak i këtij sherri që solli plagosjen e tre vëllezërve është bërë një përleshje masive në oborrin e shkollës, ku më shumë se 8 persona, nxënës të shkollës dhe jashtë saj, janë përplasur me thikë. Ende nuk dihen me saktësi arsyet e këtij sherri të rëndë, por burime pranë policisë thanë se konflikti fillimisht ka lindur në Facebook dhe më pas çështja është kthyer në konflikt para shkollës “Besnik Sykja”. Lidhur me këtë ngjarje në polici janë shoqëruar disa persona, ndërkohë që ende nuk jepen të dhëna se kush ka plagosur me thikë tre vëllezërit.

 

 

 

Lenë ndezur ngrohësen, digjet klasa tek “Sabaudin Gabrani”

Shkolla fillore “Sabaudin Gabrani” në Tiranë është përfshirë nga flakët këtë të hënë. Flakët kanë përfshirë një klasë në katin e tretë të shkollës, e cila është djegur tërësisht. Fatmirësisht, në momentin e rënies së zjarrit nuk ka pasur fëmijë në shkollë. Në vendngjarje mbërritën zjarrfikëset që bënë të mundur lokalizimin e zjarrit. Dyshohet se shkak i tij mund të ketë qenë një ngrohëse e lënë ndezur në klasën e 6-të D. Hetimet do të dokumentojnë ngjarjen. Ndërkohë, lidhur me këtë ngjarje janë marrë në pyetje disa persona, si drejtorja e shkollës dhe disa nxënës të tjerë, që studiojnë në klasën e djegur.

 

Aksidenti në Berat, plagosen lehtë katër udhëtarët

Katër të rinj janë dëmtuar, pasi mjeti me të cilin po udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi në kanal. Ngjarja ndodhi në aksin nacional Berat – Lushnjë, në vendin e quajtur Kthesa e Lapardhasë.
Zjarrfikëset mundësuan nxjerrjen e te plagosurve nga mjeti me targa AA 097 EE dhe i dërguan të dëmtuarit menjëherë në spitalin e Beratit ku sipas mjekëve gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën.
Ekspertët e njësisë rrugore nisën hetimet e para për të mësuar shkaqet e këtij aksidenti, i cili dyshohet të ketë ndodhur nga nje manovrim i drejtuesit të mjetit për t’iu shmangur një grope në rrugë.

 

Shoqërohet në komisariat ish-i përndjekuri politik Petrit Lipe

Policia ka ndaluar dhe shoqëruar në komisariat ish-të përndjekurin Petrit Lipe, i cili është ndaluar pranë zonës së Librit Universitar. Ndalimi i Lipes ka bërë që dy komisionerë të Avokatit të Popullit të zhvillojnë një takim me ish-të përndjekurin në ambientet e komisariatit nr. 2. Petrit Lipe është shprehur se është dhunuar nga 4 policë, duke mos i dhënë shpjegim për arsyet e arrestimit. Kreu i Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë, Skënder Tufa, ka reaguar menjëherë për ndalimin e bashkëvuajtësit. Sipas tij, Lipja është goditur nga disa persona të policisë të veshur me uniformë tek vendi ku ai ishte për të kryer veprimet e tij që do t’i bashkëngjitej grupit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency