Në koloninë ndëshkimore

0
357

Franc Kafka

kafkaËshtë një makinë me të vërtetë e çuditshm, I tha oficeri eksploruesit, duke pare me admirim makinën, të cilën e njihte më së miri. Udhëtari kishte pranuar vetëm për mirësjellje grishjen e komandantit për të qenë i pranishëm në ekzekutimin e një ushtari, i cili ishte dënuar për indisiplimin dhe për fyerje të eprorit. Interesimi për atë ekzekutim nuk ishte i madh as në koloni. Në luginën e thellë dhe ranore, me faqet e zhveshura, përveç oficerit dhe udhëtarit ishte aty edhe i dënuari, një njeri i topitur, me gojë të madhe, i pakrehur e i parruar. Pranë tij një ushtar mbante zinxhirin e rëndë të përbërë nga unaza, që ishin të shpërndara deri te nyjet e këmbëve, te pulset e qafa. Ishte kaq i nënshtruar, sa mund ta lije që të vraponte i lirë gjatë rrëpirave dhe me një vërshëllimë mund ta ktheje në kohën e ekzekutimit.

Udhëtari nuk ishte dhe aq i interesuar për makinën dhe, pa e fshehur ftohtësinë e tij, ecte lart e poshtë pas të dënuarit, ndërsa oficeri merrej me përgatitjet e fundit, herë duke u zvarritur poshte aparatit të ngulur fort mbi tokë, herë duke u ngjitur në një shkallë për të vrojtuar pjesët e epërta. Ato ishin punë që mund t’i liheshin në dorë një mekaniku, por oficeri i kryente me dëshirë edhe pse ishtë apasionuar me atë makinë, edhe se nuk ishte e mundur t’ia besonte kujt tjetër atë detyrë.

“Tani gjithçka është gati”, thirri tekembramja dhe zbriti nga shkalla. Ishte i kapitur, merrte frymë me gojën e hapur dhe në mes të zverkut e qafores kishte vënë dy shami grash.

“Këto uniforma janë shumë të rënda për tropic”,- tha udhëtari në vend që të kërkonte, siç priste oficeri, informata rreth maiknës.

“Ashtu është”,- tha oficeri duke larë duart e bëra me graso e vaj në një sheke që rrinte atye gatshme,- “po ato na kujtojnë atdheun dhe ne nuk duam ta humbim atë”. “Shikoni tani makinën”, shtoi me një lëvizje, ndërsa fshinte duart. “Më parë vihej në përdorim me dorë, kurse tani e bën punën vetë”.

Udhëtari pohoi dhe miratoi grishjen e oficerit. Që t’i dilte para çdo incidenti të mundshëm, ky tha: “Natyrisht, mund të ndodhin edhe defekte: uroj që sot mos të ngjasë gjë, po nuk i dihet. Makina duhet të rri në veprim dymbëdhjetë orë papushim. Po të ngjasë ndonjë prishje, zakonisht është gjë e vogël e rregullohet mënjeherë”.

“A doni të uleni?”. e pyeti pastaj dhe i zgjati udhëtarit një ndenjëse prej xunkthi, të cilën e nxori nga një turrë drurësh. Udhëtari nuk kundërshtoi dhe u ul buzë gropës, brenda së cilës hodhi sytë. Nuk ishte shumë e thellë. Nga njëra anë ishte grumbulluar dheu I gërmuar, nga ana tjetër lartësohej makina.

“Nuk e di nëse komandanti”, tha oficeri “ju, a ka shpjeguar makinën”. Udhëtari si përgjigje bëri një lëvizje të lehtë me dorë.

Oficeri atë priste dhe filloi t’ia shpjegojë vetë. “Kjo makinë”, tha duke kapur një manovël dhe duke u mbështetur tek ajo, është një shpikje e komandantit tjetër. Edhe unë nisa të bashkëpunoj në eksperimentet e para pastaj mora pjesë në të gjitha punimet deri në fund. Duhet thënë se merita e shpikjes i takon tërësisht atij. A keni dëgjuar të flitet për komandantin e mëparshëm? Jo? Nuk ma do mendja se po e teproj, duke thënë se i gjithë organizimi i kolonisë ndëshkimore është vepër e tij.

Ne, miqtë e tij që e njohim ndërtimin e koklavitur të kolonisë, pas vdekjes së tij e kuptuam se pasardhësi edhe me një mijë plane në kokë, nuk do të ishte në gjendje për shumë vite të ndryshonte gjë. Parashikimi ynë u vërtetua: e ka pranuar vetë komandanti i ri. Sa keq që ju nuk e keni njohur komandantin e mëparshëm! Nejse, unë po merrem me fjalë” ndërpreu tregimin “kur vetëm makina e tij është para jush. Siç e shikoni ajo është e përbërë nga tri pjesë. Me kalimin e kohës për secilën pjesë janë farkuar emra me frymë popullore. Pjesa e poshtme quhet shtrati, e ka emrin lesë”. Lesë?, pyeti udhëtari. Nuk i kishte vënë re sa duhet, dielli përvëlonte në atë luginë pa hije dhe ishte vështirë ta kishe mendjen në vend. I dukej njeri për t’u admiruar oficeri, i cili me bluzën e ngjeshur të paradës plot supore dhe gajtana i jepte me kaq afsh shpjegimet e tij, ndërsa shtrëngonte këtë apo atë vidë. Ushtari dukej sikur ishte në po atë gjendje si udhëtari. Pasi rrotulloi në puls zinxhirin e të dënuarit, ishte mbështetur te pushka e tij dhe kokulur nuk e çante kokën për asgjë. Udhëtari nuk u habit, pasi oficeri fliste frengjisht dhe as i dënuari, as roja nuk e kuptonin atë gjuhë.

Ishte e çuditshme se si i dënuari përpiqej të ndiqte shpjegimet e oficerit. Me një farë këmbëngulje të përgjumur vijonte të kthente kokën te pika që rrëfente oficeri dhe kur atë e ndërprisnin me ndonjë pyetje, kthente shikimin tek udhëtari.

“Po, lesa” tha oficeri. “Emrin ia kanë gjetur bukur. Gjilpërat janë vendosur si ato të një lese dhe e tëra punon si një lesë dhe me shumë art. Keni për ta parë vetë. I dënuari shtrihet këtu në shtrat…Po e lë me kaq që më parë t’ju përshkruaj makinën pastaj do ta vë në veprim për të kuptuar më mirë. Te vizatuesi është një rrotë e vjetër e dhëmbëzuar, e cila bën aq zhurmë sa nuk dëgjohen zërat. Këtu për fat të keq është vështirë të gjesh pjesë këmbimi. Pra, ky është shtrati. Ai është tërësisht i mbuluar me pambuk dhe do ta shohim më pas për ç’arsye. Mbi këtë pambuk shtrihet lakuriq i dënuari…Këta rripa janë që i dënuari të mos lëvizë as duart, as këmbët e qafën. Në këtë zgrip të shtratit, ku është shtrirë njeriu me fytyrë poshtë, është një tampon plisi që rregullohet lehtas, në mënyrë që të futet në gojën e të dënuarit. Shërben që ai të mos thërrasë apo të kafshojë gjuhën me dhëmbë. Njeriu është i detyruar ta fusë në gojë tamponin, përndryshe rripat e qafës ia thyejnë rruazën cervikale. “Ky është pambuk?” pyeti udhëtari duke u shtyrë përpara. “Po” u përgjegj buzagaz oficeri.”Prekini po të doni”.

Ia zuri dorën udhëtarit dhe e vuri mbi shtrat. “Është pambuk i përgatitur në mënyrë të posaçme prandaj nuk duket pambuk i rëndomtë.

Më vonë do ju flas për përdorimin e tij”. Udhëtari nisi të interesohej për makinën. Me dorën para syve për t’u mbrojtur nga dielli, shikoi sa e lartë ishte. Ishte aparat i madh. Shtrati dhe vizatuesi kishin madhësi të barabarta dhe dukeshin si dy kashunj të lyer me ngjyrë të errët. Vizatuesi ndodhej dy metra afërsisht mbi shtratin dhe dy elementet ishin të bashkuara te këndet me katër shufra tunxhi që vezullonin nga dielli. Në mes të dy kashunjve, i mbajtur nga një fill çeliku, luhatej lesa.

Nëse oficeri më parë s’e kishte vënë re ftohtësinë e udhëtarit tani po shihte interesimin e tij që vinte duke u rritur. Në mënyrë që udhëtari të kishte mundësi të vrojtonte gjithçka, i ndërpreu shpjegimet. I dënuari shkërbente udhëtarin, duke picërruar sytë pasi nuk mund të mbrohej me duar.

“Pra njeriu është i shtrirë aty”, tha udhëtari duke u hedhur prapa dhe kryqëzoi këmbët. “Po” tha oficeri duke shtyrë paksa beretin nga zverku dhe kaloi dorën në fytyrën e nxehur. “Tani dëgjoni me kujdes. Shtrati dhe vizatuesi kanë bateri elektrike të pavaruara: shtrati ka nevojë për vete, vizatuesit i duhet për lesën. Kur njeriu lidhet mirë, shtrati vihet në lëvizje. Ai luhatet me shpejtësi si valë edhe lart edhe poshtë. Do të keni parë aparate të tillë nëpër klinika. Në shtratin tonë të gjitha lëvizjet janë llogaritur më së miri me qëllim që ato të zhvillohen në sinkroni me lëvizjet e lesës. Sidoqoftë lesës i është caktuar ekzekutimi i vërtetë i dënimit.

“Po si është dënimi?” pyeti udhëtari “As këtë nuk e dini?” tha i habitur oficeri dhe kafshoi buzën. “Më falni nëse shpjegimet e mia mund t’ju duken të ç’rregullta: ju kërkoj një mijë herë ndjesë. Më parë komandanti i bënte vetë shpjegimet, por pasardhësi ka hequr dorë nga kjo detyrë e nderuar. Por që të mos kishte informuar një vizitor kaq të shquar”, – udhëtari bëri me dorë që të refuzonte fjalët e mëdha, po oficeri ngulmoi – “një vizitor kaq të shquar as për formulën e vendimit tonë, ja një gjë tjetër e re që…” Këtu desh lëshoi një sharje po u përmbajt e tha: “Askush nuk më ka thënë asgjë, prandaj për asgjë, prandaj për asgjë s’kanë pse të më qortojnë. Unë jam i autorizuar të shpjegoj mënyrën e vendimeve tona pasi kam këtu” dhe rrahu xhepin në kraharor “vizatimet me dorën e komandantit të dikurshëm”.

“Vizatimet e vetë komandantit” pyeti udhëtari “Kaq njeri I talentuar paska qenë? Edhe ushtar, gjykatës, konstruktor, kimist, vizatues?”

“Pikërisht kështu”, miratoi oficeri me shikimin e menduar dhe të ngulur. Pasi shikoi duart dhe vuri re se nuk ishin aq të pastra për të prekur vizatimet, shkoi te sheka dhe i lau. Pastaj nxori një qese të vogël lëkure e tha: “Vendimi ynë nuk tingëllon i ashpër. Të dënuarit i shkruhet në trup urdhrin që ka shkelur. Këtij të dënuarit për shembull” oficeri tregoi burrin “do t’i shkruhet në trup”: “Nderoje eprorin tënd!”

Udhëtari pa burrin. Kur oficeri bëri me shenjë nga ai, ky kokulur u duk se përmblodhi të tërë forcat për të kuptuar ndonjë gjë: po lëvizjet e gojës së tij, që shprehnin mllef, tregonin se nuk ia arrinte të bënte një gjë të tillë. Udhëtari deshi t’i pyeste shumë gjëra, po prania e të dënuarit e mbajti dhe vetëm tha: “A e di vendimin?”. “Jo” tha oficeri. Po bëhej gati të niste prapë shpjegimet, kur udhëtari e ndërpreu: “Nuk e di vendimin”. “Jo” tha prap oficeri. Heshti një grimë sikur priste nga udhëtari një përgjigje më bindëse për atë pyetje, pastaj tha: “Është e kotë t’ia thuash, do ta marrë vesh mbi trupin e tij”. Udhëtari do të kishte heshtur, po shikimi i të dënuarit, i mbërthyer mbi të, u duk sikur e pyeste a e miratonte çfarë kishte dëgjuar. Udhëtari, që ishte mbështetur te shpinorja e karriges, u nder prapë përpara dhe pyeti: “Po që është i dënuar, këtë të paktën e di, apo jo?” “As ketë s’e di” tha oficeri buzagaz sikur priste prej udhëtarit të tjera pyetje të çuditshme. “Jo” tha udhëtari duke kaluar dorën në fytyrë. “Domethënë ai njeri as që e di si është kryer mbrojtja e tij?” “Nuk ka patur asnjë mundësi të mbrohet” tha oficeri duke shikuar anash sikur po fliste më vete, ngaqë nuk donte ta ulte aq shumë udhëtarin që bënte pyetje të rëndomta. “Po duhet ta ketë mundësinë të mbrohet”, tha udhëtari dhe u ngrit nga ndenjësja.

Oficeri e kuptoi se kishte rrezik ta shtynte kushedi se për kur shpjegimin e makinës. Iu përqas udhëtarit dhe e zuri për krahu duke bërë me shenjë nga i dënuari, i cili kishte shtangur në pozicioni “gatitu” qoftë se vëmendja ishte përqendruar tek ai në mënyrë të shkoqur, qoftë se ushtari kishte tërhequr zinxhirin. “Çështja zhvillohet në këtë mënyrë. Në koloni, pavarësisht nga mosha e re, unë kryej punën e gjykatësit, pasi gjithnjë kam bashkëpunuar me komandantin e mëparshëm në të gjitha punët disiplinore dhe e njoh makinën më mirë se çdokush tjetër. Parimi sipas të cilit unë gjykoj është ky: fajësia është gjithnjë jashtë çdo dyshimi. Ka gjykata që nuk puqen me këtë parim, pasi janë të përbëra nga njerëz të ndryshëm dhe varen nga instanca të larta. Kjo nuk ndodh këtu, ose të paktën nuk ndodhte me komandantin e mëparshëm. I riu u mundua të ndërhyjë në veprimtarinë time si gjykatës, po deri tani e kam mbajtur larg dhe shpresoj ta bëj këtë edhe në të ardhmen…

Përktheu: Gjergj Vlashi

Fragment nga “Tregime të zgjedhura”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency