Tirana kërkon të nisë vitin e ri aty ku la të vjetrin. Fitorja ndaj Laçit ishte e fundit për 2012-ën dhe për të pretenduar një tjetër në vitin e ri, bardheblutë duhet të presin deri në shkurt kur ditën e nëntë të këtij muaji do të sfidojnë në kryeqytet skuadrën e Tomorit. Para kësaj sfide 24 herë kampionët e Shqipërisë kanë filluar përgatitjet. Seancën e parë stërvitore për 2013-ën e zhvilluan dje në Kodrat e Liqenit Artificial. Pas pushimeve të fundvitit bardheblutë i janë rikthyer punës për të përgatitur sa më mirë pjesën e dytë të sezonit. Të ndarë nga aktiviteti shumë herët, ekipi më i titulluar në Shqipëri e mbylli 2012 mes polemikave dhe tensionit për pagesat e prapambetura. Por festat dhe pauza dimërore kanë “rilindur” edhe Tiranën, që në seancën e parë stërvitore të këtij viti është dukur e plotë dhe futbollistët kanë qenë të gjithë në humor. Kjo përforcohet akoma më shumë nga trajneri Alban Tafaj, i cili është i kënaqur nga gjendja e futbollistëve duke theksuar edhe faktin se problemet financiare janë një çështje e kaluar. Trajneri që njëkohësisht është edhe shefi i klubit të Tiranës bën një analizë të merkatos së deritanishme, ku konfirmon qëndrimin e Dushkut si dhe sqaron situatën e Gilman Likës. Edhe pse kampionati ka padronin e vet, duke qënë se Skënderbeu ka një distancë të rikuperueshme, Alban Tafaj shpall objektivat skuadrës, që është vendi i dytë dhe pse jo të përfitohet nga gabimet e kryesuesve.
“Liga Shqiptare”
Bumçi takon Dukën
Projekti i Kryeministrit Berisha për ligën mbarëkombëtare ka detyruar ministrin e Sporteve Aldo Bumçi të nisë takimet për realizimin e kësaj nisme. I pari në axhendën e tij ka qenë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili i ka paraqitur pengesat dhe pamundësitë e zhvillimit të një aktiviteti të tillë.
“Nuk lejohet që një vend anëtar i FIFA-s të zhvillojë ndeshje me klube joanëtare, por gjithsesi ka një vendim të Komitetit Ekzekutiv që lejon zhvillimin e miqësoreve, hapësirë që mund të realizohet për turne mes ekipeve shqiptare dhe kosovare”, – tha Duka pas këtij takimi. Gjithsesi, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit është i kënaqur me faktin se gjatë kohës së presidencës së tij kombëtarja aktuale shqiptare është një skuadër qe përfshin edhe Kosovën. “Dëshira e të gjithëve është që Shqipëria e Kosova të luajnë bashkë, personalisht mendoj që përfaqësuesja, çfarë do që të ndodhë, të jetë një dhe këtë e kemi realizuar tashmë, ndaj uroj dhe shpresoj të vazhdojë kështu gjithmonë”, – shtoi presidenti i FSHF-së.
Ideja e hedhur nga Berisha nuk pengohet nga asnjë faktor brenda kufijve apo ne Kosovë, por nga statutet dy organizmat e futbollit evropian dhe botëror, UEFA dhe FIFA, të cilat nuk e lejojnë zhvillimin e një aktiviteti të tillë, pasi të dyja vendosin si kusht OKB-në. Në fillim, Kosova duhet të jetë një vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, pas kësaj të anëtarësohet në dy organizmat më të lartë të futbollit evropian dhe botëror. Rreth një vit më parë, FIFA refuzoi projekt-idenë e FSHF-së për kalimin e disa skuadrave të Kosovës në Superligën Shqiptare me arsyetimin se anëtarët e FIFA-s nuk duhet të luajnë ndeshje me klube që nuk janë anëtarë të FIFA-s apo anëtarë provizorë të konfederatës së kontinentit te tyre, në këtë rast, të UEFA-s.





