Vendimi i shtyrë për sot, arsyeja, dosjet voluminoze

0
132

 

  • Skenarët që mund të vijnë nga përfundimi i mbledhjes së Komisionit
  • Duka: Tifozët serbë, të mirëpritur në Shqipëri

platini-telegraph Vendimi në lidhje me incidentet në takimin e 14 tetorit mes Serbisë dhe Shqipërisë do të jepet këtë të premte. Komisioni i Disiplinës në UEFA duhet të merrte një vendim gjatë të enjtes për këtë çështje, por vendimi u shty për ditën e premte. Arsyeja kryesore e kësaj shtyrjeje lidhet me dosjet voluminoze që janë paraqitur nga palët, sidomos nga ajo shqiptare. Dhe anëtarët e Komisionit të Disiplinës kërkojnë të mos nxitohen në marrjen e një vendimi, duke dashur të shqyrtojnë deri në detaje çdo provë të re që i është ofruar në materialet e përgatitura nga federatat përkatëse. FSHF, nga ana e saj, kërkon tri pikët në tavolinë, por edhe pala serbe pretendon të njëjtën gjë, edhe pse ditët e fundit ka pasur një ftohje nga ana e FSF-së, por edhe e mediave serbe për një vendim të tillë në favor të tyre. Pala shqiptare është përpjekur të mbështesë mbrojtjen e saj në dështimin e palës serbe për organizimin e ndeshjes, një pikë shumë e rëndësishme që tregohet qartë edhe nga pamjet, në hyrjen e tifozëve në fushë dhe goditjen e futbollistëve tanë, jo vetëm prej tyre, por edhe prej forcave të sigurisë. Gjithashtu, FSHF është përpjekur të vërtetojë edhe koret raciste në fillim të ndeshjes, vërshëllimin e himnit tonë kombëtar dhe flamujt me mesazh me karakter racist, ndërkohë nga ana e saj, pala serbe u përpoq të mbështeste akuzat te hyrja e dronit në stadium, por edhe te refuzimi i kombëtares shqiptare për t’u rikthyer në fushë. FSHF ndërkohë bëri të ditur një ditë më parë se është e gatshme ta çojë çështjen, në rast të një vendimi jo të përshtatshëm për palën tonë, edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Komisioni i Disiplinës i UEFA-s, që pritet të japë një vendim, përbëhet nga nëntë anëtarë, me kryetar austriakun Tomas Partl dhe zv.kryetar zviceranin Antenen, hungarezin Berzi dhe danezin Hansen. Para pak ditësh, një prej anëtarëve të këtij komisioni, Rudolf Repka, deklaroi se me shumë gjasa mund të jepet një vendim në lidhje me ndeshjen, ndërsa penalitetet për federatat dhe lojtarët mund të bëhen të ditura në ditët në vazhdim, duke qenë se nevojitet pak më shumë kohë.

 

Kombëtarja bie tre pozicione nga renditja e FIFA-s

Kombëtarja shqiptare e futbollit pëson uljen e tre pozicioneve në renditjen e FIFA-s për muajin tetor, duke u pozicionuar në vendin e 48-të me 604 pikë. Kuqezinjtë e De Biazit, të cilët nuk e përfunduan sfidën me Serbinë, për shkak të trazirave në stadiumin “Partizani” të Beogradit, kanë zbritur nga vendi i 45-të në të 48-in, për shkak se janë ngritur në renditje skuadrat që një muaj më parë ishin shumë pranë me pikë me kombëtaren shqiptare. Për ironi të fatit, përpara kombëtares sonë në renditjen e re të FIFA-s gjendet Serbia, kundërshtari ynë në grupin I, që ka humbur 12 pozicione, duke zbritur nga vendi i 34-t për të ndarë me pikë të barabarta me Turqinë, vendin e 46-të dhe të 47-të. Për të qëndruar tek kundërshtarët tanë të grupit I kualifikues për Euro 2016, është Portugalia që ka pozicionin më të mirë me vendin e 9-të, duke lënë pas Spanjën dhe Italinë. Në vendin e 32-të të renditjes botërore gjendet Danimarka, teksa Armenia është skuadra me renditjen më të keqe të FIFA-s në grupin tonë eliminator të Euro 2016, me vendin e 75-të në kuotën e 432 pikëve. Nuk ndryshon asgjë në treshen e kreut të klasifikimit me Gjermaninë, që ruan vendin e parë, e ndjekur nga Argjentina dhe Kolumbia. Në 5 të parat Belgjika dhe Holanda këmbejnë vendet me tulipanët që zbresin në vendin e 5.

 

Skenarët e dënimit për të dyja skuadrat

Federata evropiane e futbollit – UEFA – ka nisur procedurat kundër dy kombëtareve, ku Federata e Futbollit e Serbisë po hetohet për trazirat e tifozëve, duke hedhur fishekzjarrë dhe objekte të tjera në fushë, përdorim të laserëve, hyrjen e tifozëve në fushë dhe organizim të dobët të ndeshjes. Shqipëria, nga ana tjetër, mund të dënohet për refuzim të vazhdimit të ndeshjes dhe fluturaken, e cila solli midis stadiumit të Partizanit të Beogradit flamurin e “Shqipërisë Etnike”, transmeton “Telegrafi”. Pothuajse është e sigurt se janë vetëm katër skenarë për fatin e ndeshjes së ndërprerë për kualifikimet e kampionatit evropian Euro 2016, i cili do të mbahet në Francë. Mundësia e parë është që UEFA, nëse vërtetohet se shqiptarët janë fajtorë për incidentin, atëherë Serbisë t’i takojë fitorja me rezultat prej 3:0. Në rastin e dytë, nëse Serbia shpallet fajtore për incidentet në fushë, shkaku i organizimit të dobët të ndeshjes, atëherë kombëtarja shqiptare do t’i arkëtojë tri pikë, duke fituar me rezultat zyrtar prej 3:0. Mundësia e tretë është që ndeshja të luhet në një fushë asnjanëse, në datën që do të përcaktohet më vonë nga UEFA, me ose pa shikues. Opsioni i fundit, i katërti, është që loja përsëri të zhvillohet në Beograd, por pa praninë e shikuesve. Pas të gjitha këto mundësive, UEFA pritet të gjobisë të dyja kombëtaret, e cila rregullisht ndodh pas incidenteve identike siç ndodhën në stadiumin e Partizanit. Pikë kyçe në këtë rast do të jetë raporti i delegatit të ndeshjes, Herri Bin nga Holanda, dhe raportuesit special të UEFA-s.

 

Personi që shau Vuçiçin, në ndjekje penale, po ata që shkaktuan trazirat?

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 10 ditë nga ngjarjet në stadiumin e Beogradit, Serbia nuk ka nisur asnjë hetim për dhunën që u ushtrua ndaj futbollistëve shqiptarë në stadium, duke mos ndjekur penalisht asnjë person. Ndërkohë, krejt e kundërta ndodh me personin, i cili ofendoi Kryeministrin serb Vuçiç gjatë një emisioni direkt nga stadiumi i Beogradit në momentin që ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë ishte ndërprerë. Prokuroria e Beogradit ka lëshuar një urdhër ndalimi ndaj Igor Mikiçit, një tifoz i Partizanit të Beogradit, i cili do të hetohet nga ana e saj me akuzën e sjelljes së dhunshme gjatë një eventi sportiv. Për Mikiçin, Prokuroria do të kërkojë një dënim nga 6 deri në 5 vjet heqje lirie dhe gjithashtu moslejimin e tij në stadium për një periudhë të caktuar kohore. Sipas asaj që bëhet e ditur, Mikiç kishte një biletë për në zonën VIP të stadiumit të Beogradit për ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe gjatë ndërprerjes së saj, arriti të hynte në zonën që i përket televizionit “RTS”, duke ofenduar në transmetim direkt Kryeministrin Aleksandër Vuçiç. I ati i Igor Mikiçit ka qenë dikur një zyrtar i Federatës së Futbollit Jugosllav dhe gjithashtu ish-trajner futbolli.

 

Pikat ku FSHF do të mbështetet

Me njoftimin e akuzave të ngritura kundër Shqipërisë, FSHF, nën drejtimin e zyrës së saj ligjore “Haxhia & Hajdari”, ka filluar mbledhjen e materialeve provuese dhe përgatitjen e mbrojtjes. Përpilimi i argumenteve juridike të mbrojtjes dhe këshillimi ligjor në lidhje me çështjen u është besuar dy zyrave të mirënjohura ligjore në fushën e të drejtës sportive: “Littleton Chambers” në Londër dhe “Levy Kaufmann-Kohler” me bazë në Gjenevë. Materiali i mbrojtjes ka përfunduar brenda kohës më të shkurtër të mundshme dhe është dorëzuar në UEFA ditën e martë më datë 21.10.2014. Në material theksohet që në ndeshjen Serbi-Shqipëri të datës 14.10.2014, futbollistët e Shqipërisë kanë qenë viktimë e dhunës fizike dhe verbale e shoqëruar me thirrje raciste. Në lidhje me thirrjet raciste, një kërkesë e veçantë i është dërguar UEFA-s ditën e Hënë për përfshirjen e tyre në procedurën e hapur dhe zgjerimin e akuzave kundër Serbisë. Të gjitha këto shkelje janë të provuara nëpërmjet pamjeve filmike dhe raporteve mjekësore të cilat janë depozituar pranë UEFA-s. Futbollistët e Shqipërisë nuk kanë refuzuar të luajnë, por vazhdimi i lojës ka qenë i pamundur si pasojë e drejtpërdrejtë e dëmtimeve fizike dhe psikologjike prej sulmeve të pakontrollueshme të tifozëve serbë, të punonjësve të sigurisë dhe, në disa raste të izoluara, edhe të vetë futbollistëve serbë. Siç rezulton edhe prej raportit të delegatit të Sigurisë të UEFA-s janë evidentuar shkelje të rënda si:1. Mungesa e sigurisë së nevojshme të fushës së lojës; 2. Sjellja shumë e keqe e tifozëve; 3. Menaxhimi i dobët i stadiumit; 4. Gjendja e tij e keqe deri në konstatimin e faktit të rëndë që policia “nuk mund të mbrojë lojtarët dhe arbitrat; 5. Si pasojë e sa më sipër rezulton qartësisht që nuk janë siguruar kushtet e barabarta për vazhdimin e ndeshjes së futbollit.

Në mbështetje të neneve 21(1), 6(1) g) dhe 21 (4) a) të Rregullores së disiplinës, jo vetëm që shkelja për të cilën është akuzuar FSHF duhet të rrëzohet, por FSHF ka kërkuar edhe fitoren 3-0 në tavolinë.

Për sa i përket akuzës së banerit të paligjshëm që u shfaq mbi fushën e lojës, ajo duhet rrëzuar, ndër të tjera, për arsyet e mëposhtme:

  1. Në stadium nuk ka pasur tifozë të Shqipërisë përveç futbollistëve dhe delegacionit.
  2. Si futbollistët ashtu edhe delegacioni janë kontrolluar nga policia pas ndeshjes dhe nuk është gjetur asnjë objekt për pilotimin e helikopterit.
  3. Baneri ka ardhur nga zona jugore prapa portës, zonë e cila ka qenë me tifozë Serbë të cilët nuk kanë qenë të kontrolluar nga policia meqenëse kanë mundur të fusin në stadium flamuj politikë, sende të forta si dhe një fuçi.
  4. Për të gjitha këto arsye është e pamundur të përcaktohet autori i incidentit dhe fakti që ky i fundit është Shqiptar (territori i hartës në baner është më i gjerë se territori i Republikës së Shqipërisë).

FSHF gjithashtu informoi që vendimi i marrë nga UEFA mund të jetë objekt i apelimit pranë Gjykatës të Arbitrazhit të Sportit.

 

Bashkitë Bajram Curri dhe Kamëz i akordojnë titullin “Qytetar Nderi” Lorik Canës

Kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, Lorik Cana, është nderuar me titullin “Qytetar Nderi”, nga Bashkia e Bajram-Currit dhe nga Bashkia e Kamzës. Sipas drejtuesve të Bashkisë së Bajram Currit, kapiteni i kuqezinjve është dalluar për shfaqjet e tij patriotike. Titulli për Canën është akorduar me motivacionin “Mbrojta e vlerave Kombëtare shqiptare” pas heroizmave të tij atdhetare me mbrojtjen e flamurit kombëtar në Beograd. Ndërkaq, Bashkia Kamëz e ka shpallur “Qytetar Nderi” Canën “për performancën e shkëlqyer, në demonstrimin e aftësive të larta si futbollist profesionist, si dhe kontributin qytetar në ruajtjen dhe integritetin e vlerave të larta morale e kombëtare. Si kapiten i kombëtares përfaqësoi dhe mbrojti denjësisht simbolet kombëtare, duke na dhënë nder dhe bërë krenarë për dinjitetin dhe qytetarinë e treguar”.

 

Menaxheri shqiptar që loboi për Serbinë

Menaxheri i famshëm i futbollistëve, Fali Ramadani, ka lobuar në UEFA që Serbia të mos përjashtohet nga kualifikimet e Euro 2016. Sipas “Informer”, Ramadani – menaxher i Valon Behramit – i shfrytëzoi lidhjet e tij në UEFA, në mënyrë që të mbrojë interesat e Serbisë, por edhe të tijat. Ai në ekipin e Serbisë ka katër futbollistë, përfshirë dy në skuadrën e të rinjve. Ata janë Matija Nastasic, Lazar Markoviç, Nikola Maksimoviç, Vladimir Stojkoviç, si dhe Marko Petkoviç e Nemanja Radoja, transmeton gazeta “Blic”. Shqiptari me pasaportë gjermane po ashtu është shprehur i mendimit se asnjëra nga skuadrat nuk duhet të përjashtohet nga kualifikimet, sepse një gjë e tillë do të ishte dëm i madh.

 

Duka: Tifozët serbë janë të mirëpritur në Shqipëri

Tifozëve shqiptarë nuk u lejuan të shkonin në Beograd për të shikuar ndeshjen kualifikuese kundër Serbisë, por kjo nuk do të thotë se tifozëve serbë nuk do t’u lejohet që të udhëtojnë për në Shqipëri. Kështu së paku pohon presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, i cili theksoi se dera e “Elbasan Arenës” do të jetë e hapur për tifozët serbë. “Çdo tifoz ka të drejtë që të mbështesë ekipin e tij, duke përfshirë edhe ata serbë. Sigurisht që ata mund të vijnë. Ne kemi pasur në të kaluarën ndeshje me rrezik të lartë dhe kurrë nuk kemi pasur probleme”, – tha Duka. Presidenti Duka, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, udhëtoi për në Nion të Zvicrës, ku pritet që nesër Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) të marrë një vendim në lidhje me trazirat e shkaktuara nga ana e tifozëve serbë në stadiumin e Partizanit të Beogradit, ndërsa pala shqiptare është e bindur se kuqezinjtë do të triumfojnë me rezultat zyrtar prej 3:0.

 

Platini: Të dyja kombëtaret të përgatiten për dënimet

Presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) ka dhënë një deklaratë para vendimit të Komisionit të Disiplinës së organizatës më të madhe evropiane për futboll, në lidhje me ndeshjen e ndërprerë midis Serbisë dhe Shqipërisë. Francezi ka thënë se skenat që ndodhen në stadiumin e Partizanit të Beogradit ishin të turpshme dhe skandaloze, ndërsa ka paralajmëruar se të dyja kombëtaret do të ndëshkohen, transmeton “Telegrafi”. “Lufta jonë kryesore është që të eliminojmë skena të ngjashme çfarë ndodhën në Beograd. Skenat ishin të turpshme dhe skandaloze. E kam thënë dhe e them prapë, politika nuk ka vend në futboll dhe nuk do të ketë kurrë. Ata që shkaktuan incidentin në Beograd, do të dënohen ashpër dhe të dyja federatat të bëhen gati për t’i pranuar dënimet”, – ka thënë Platini. Kujtojmë se ndeshja në mes të Serbisë dhe Shqipërisë është ndërprerë më 14 tetor, para përfundimit të pjesës së parë, kur tifozët serbë u futën në fushë dhe sulmuan futbollistët shqiptarë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency