Hava Repishti, gruaja që u “nguros” pas dyerve për të birin

0
189

Fatbardha Saraçi

Fatbardha SaraçiGazeta “Standard” boton një prej historive tronditëse që ka mbledhur në librin e saj, Fatbardha Saraçi (Mulleti), “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, botim nga kolana e Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit

Ishte fatkeqësi për të, që në moshën 45-vjeçare të mbetej e ve. Ashtu edhe për 6 fëmijët që mbetën pa babën e tyne, Ibrahim Repishtin, njenin nga promotorët e Lëvizjes Demokratike në periudhën e Pavarësisë.

 

Çfarë do të ndodhte më vonë?

Tragjedia, në katin e parë do të kishte arrestimin dhe torturimin çnjerëzor të djalit të madh, Samiut. Këtë, nuk do ta “harronin” edhe ta groposnin për gjalli, për ta detyrue, që t’i nënshtrohej diktaturës. Nuk mjaftuen rrobat e gjakusuna, që do t’i lante me lot, por edhe do të shqelmohej nga rojet e burgut sa herë edhe ajo vetë. Në fund do të ishte e pranishme në gjyq. Djalin 22-vjeçar do t’ia dënonin me 15 vjet burg. Ndigjoi aty edhe thirrjet histerike të disave që përmendnin litarin. Me zemër të copëtueme, me fëmijët rreth vetes, do të zvarritej në shtëpi. Vuejtja do ta pasonte vuajtjen. DO të arratisej edhe djali tjetër, Fahriu. Për pjesën e familjes që mbeti, tashma qe përcaktue internimi që u vuajt për tre vjet në kalanë e Beratit dhe në kampin e Tepelenës.

Më sytë e saj, ajo pa se sa jetë nejrëzish u këputën si gonxhe të sapoçeluna. Përjetoi ngjarje tragjike, që nuk mund të imagjinohen. Sazanë të rinj u mbytën, sa shpirtra fisnikë s’jetuen ma. Në Tepelenë, në një kapanon “jetonin” 200 vetë. “Isha e privilegjueme”, – do të kujtonte Havaja,-sepse kisha një llampë me vajguri. Kishte nana mirditore, që ma kërkonin atë natën, për të pa nëse i kishin foshnjet e tyne gjallë…Një nuseje malësore, e bukur si drita, aty i vdiqën të tre fëmijët e saj e ajo mbeti vetëm, qyqe e vetme”

“Më 1953 kthehet në Shkodër dhe “sistemohet” bodrumeve, mbasi çdo gja tjetër ia kishin konfiskue. Tashti duhej të punonte që të mbijetonte si dhe të ndihmonte sadopak të birin e burgosun. Me thesin në shpinë, dijti ajo se si arriti në dyert e burgut në Urën Vajgurore, ku qe ai. Atë natë Dhjetori 1953 ajo s’do ta harronte kurrë, sikurse nuk harron edhe sot i biri…ndoshta edhe ai roja xhahil, nëse asht gjallë, e që kryente shërbimin atë natë. U la mbas dere për 24 orë rresht. Shiu që binte, natën u kthye në borë. Të nesërmen, të pranishmit, panë se si ishte krijue një shtatore prej akulli: ishte ajo që kishte “përqafue” thesin me ushqime e plaçka. E kujtuen të vdekur. I thanë djalit: “Nana të asht ngurosë nga të ftohtit”. Mirëpo ajo, mbase nga zemra e saj e ngrohtë, shpëtoi. Arriti ta takojë djalin. Lot mallëngjimi, fjalë shprese, lot, kurajo…Nuk e harroi derisa vdiq.

Pas daljes nga burgu, ai u arratis. E dinte se këtu do të asgjësohej. Pesha e përndjekjes asaj nuk iu nda ma. Sa herë zemra e saj u dridhërue nga këto vuajtje, nga mjerimi, nga fukarallëku, por të gjithë, e dinë gjithashtu se sa dinjitoze ishte e sa krenare për fëmijët që kishte rritë. Shpresoi se një ditë t’i takonte. “Edhe fytyrat ua kam harrue”, thoshte nganjëherë. Komunizmi zgjati shumë në Shqipni e ajo vdiq me zemrën e plasun pa e realizue këtë dëshirë të fundit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here